E premte, 29.03.2024, 05:52 AM (GMT)

Kulturë

Luan Çipi: Gungaçi

E diele, 03.05.2009, 10:54 AM


Luan Çipi
Luan Çipi
GUNGAÇI

Tregim nga Luan Çipi

Një kurrizo, megjithëse 40-vjeçar, nuk kishte arritur të martohej, se vajzat nuk e parapëlqenin nga gunga e tij. Për këtë, më tepër, vajzat e mençura, ndikoheshin nga opinioni, sepse, përjashtuar këtij defekti fizik të dukshëm, ai ishte një njeri i shkëlqyer, me një fytyrë të bukur, i fuqishëm, krenar dhe shumë i dhënë pas punës dhe familjes. Atë e kishin pagëzuar Karlo, por të gjithë i flisnin gabo (gungaç) dhe shumë pak njerëz ia dinin emrin e tij të vërtetë.
Ç’është e vërteta, një gjitonia e tij, moshatare me të, prej kohësh e admironte nga larg, pa guxuar t’i afrohej. Aty, nga dritarja e saj përkundrejt shtëpisë së Karlos, ajo kishte vite që e kundronte dhe e ndiqte në çdo lëvizje të tij, kur ngrihej në mëngjes dhe bënte gjimnastikë, me ushtrime, që kushedi ia drejtonin sadopak gungën; kur lexonte dhe dëgjonte radion dhe ngazëllehej, duke kërcyer apo duke kënduar, me atë zërin e tij të ëmbël e melodioz, prej tenori. Këndonte gjithnjë këngë të trishtueshme melankolike, që e zhytnin në trishtim e pesimizëm. Kjo e bënte edhe më tërheqës atë. Ai, më së shumti, punonte në ofiçinën e tij si marangoz i talentuar, duke e humbur veten e duke u kënaqur vetëm me prodhimet e bukura artizanale të duarve të tij. Ajo e shikonte nga lart kur s’pranonte shpërblim për punën e bërë dhe kur shpërndante, pa u kursyer, dhurata në raste të kremtesh për nevojtarët dhe të varfrit. Luiza, se kështu quhej gjitonia e tij e bukur, nisi t’i afrohet Karlos, të bisedojë me të dhe më pas ta ndihmojë deri në pastrimin e lokalit. Filloi të miqësohet, ta simpatizojë e ta dashurojë, derisa, më së fundi, vendosën të fejoheshin. Kur ata filluan të takoheshin fshehurazi, Karlua i porositi shokët përreth, që këtej e tutje të ishin më të kujdesshëm me të dhe mos t’i flisnin më me atë nofkën përçmuese
Kur filluan të dilnin bashkërisht me Luizën, ai e kishte fare të papranueshme nofkën përbuzëse, që e kishte shoqëruar gjithë jetën. Tani, kur gjeti lumturinë e ëndërruar, i dukej se, po të dëgjohej ajo shprehje e mallkuar, do të bëhej shkak prishjeje, çka do të ishte më keq se vdekje për të.
Njëri nga gjitonët, një shëmtarak, dembel e smirëzi, që e donte për vete Luizën e bukur dhe që mendonte se atij i takonte, jo vetëm që nuk u bind për të heshtur, por e dendësoi sharjen. Karlua nuk gjente vend ku të futej. Ikte të fshihej në lokalin e tij, duke ulur kokën, ndërkohë që gunga i rëndohej e i shfaqej edhe më shumë. Filloi të bënte fjalë veças me gjitonin zemërlig, madje, dhe ta paralajmërojë disa herë rresht. Iu desh dhe ta kërcënonte vetë dhe nëpërmjet shokëve, por më kot. Antonioja, se kështu quhej gjitoni zemërlig, sikur kënaqej më shumë nga reagimi i dëshpëruar i Karlos dhe vazhdonte, tani gjithë ditën, me zë të lartë: “gabo… gabo… gabo… gabo… gabo…”.
Dëshpërimi arriti kulmin dhe Karloja, i nervozuar deri në çmenduri, ashtu i fuqishëm siç ishte, u kacafyt dhe e rrahu keqas Antonion, derisa ai i ngeli, pa dashur, në dorë…
Ishte një vrasje e padëshiruar, po që nuk mund të përligjej. Karlon e arrestuan dhe pritej dënim kapital.
Një avokat i famshëm për kohën, që sa gjyqe kishte marrë përsipër të gjitha i kishte fituar, kur mori vesh incidentin me autor kurrizon e mjerë, që e njihte dhe kishte simpati të veçantë, aq sa kur kishte marrë vesh fejesën kishte shkuar dhe e kishte uruar, në punishten e tij, pra, po ky avokat, që ishte dhe vetë sakat, pasi kishte humbur një sy në luftën e Abisinisë, i ra gjoksit dhe i tha Karlos, që desh të vriste veten, të rrinte i qetë, se problemi do të zgjidhej më së miri.
Avokati, pasi e studioi me rrënjë dosjen, u përgatit dhe thuri një plan të hollësishëm veprimi. Ai mori në gjyq djalin e tij dhjetëvjeçar, që e kishte një basketbollist të talentuar dhe, pasi e stërviti, në kushte të ngjashme, e porositi atë si duhet të vepronte: të rrinte fare afër tavolinës së kryegjyqtarit dhe, herë pas here, ta godiste atë, kur ai nuk e kishte mendjen, me karamele të vogla, herë në ballë, herë në vesh, herë në sy e herë në hundë.
Gjyqtari në goditjen e parë nuk iu përgjigj, por. kur ato u shpeshtuan, filloi të shqetësohet, pa e përcaktuar dot provokatorin, pastaj i tërhoqi vërejtje në përgjithësi publikut, por kur e qëlluan përsëri në sy, e humbi fare durimin dhe me ulërimë bërtiti i nervozuar: “Mjaft më, se po më bëni të vras veten”.
Ky qe çasti i dëshiruar, kur ndërhyri avokati dhe i tha:
- Si kështu, zotëri? Ju për një ngacmim me një karamele të vogël kërkoni të bëheni vrasës? Po Karloja, ç’duhet të bënte?
Dhe Karlon e dënuan vetëm tre vjet.
Thonë se Luiza, mikesha e tij e zemrës, nga ky rast u afrua më shumë me Karlon, e priti sa doli nga burgu, u martua me të dhe lindën tre fëmijë të shëndetshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora