Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Masakra në Iseukë të Caravajkës më 29 nëntor 1944

| E diele, 03.05.2009, 01:48 PM |


MASAKRA NË ISEUKË TË CARAVAJKËS
 MË 29 NËNTOR 1944

Mbi Preshevë, në Caravajkë ,
N’ atë Malësi në Karadak ,
Nji  ushtri ashtë çue në hajkë ,
Për me i la shqiptarët në gjak !

Nji  ushtri me dhambë të ujqëve ,
Shkojnë në Lagjen e Iseukëve ,
Këta gjakpirës me gjakftohtësi –
Bajnë masakër n’ shqiptari !...

Nji Brigadë ashtë përqendrue –
Maqedonë, serbë janë bashkue,
Kinse , n’ emën  të Ushtrisë,
T’ komanduem  prej Serbisë !

Vijnë çetnikë nga mbarë Serbia ,
Mali i Zi, Maqedonia ,
Kumanova dhe prej Shkupit –
Në atë Lagje të Iseukit !

N’ Caravajkë, krejt paskan shkue ,
N’ Karadak , janë përqendrue .
Në cilësi të Komandantit –
Ishte Luba , prej Bushtranit !

Gjamë të mëdha  mori Malësia -
Ju kanë hy nëpër shtëpia ,
Të gjithë meshkujt i kanë marrë ,
Arrestojnë njiqind shqiptarë !...

Në Zekbash e n’ Lagje t’ Ahmetit ,
T’ Iseukës e të Stanecit ,
N’ Kurbali e Lezbali ,
N’ krejt katundet n’ atë Malësi...

Nga Shurdhani e nga Zhegra ,
Janë vërsul këto bisha t’ egra !
N’ Muçibabë e në Sefer –
Do t’ bajnë krime , do t’ bajnë tmerr !...

 


Sikur delet para ujkut –
Po i çojnë n’ Lagje t’ Iseukut !
N’ shpi t’ Bajramit e t’ Zelfisë –
Që për burgje i kanë kurdisë !...

N’ shpi t’ Memishit, ishte Komanda ,
Që i drejtonin ato banda !
N’ këto shtëpi  kanë hy me dhunë ,
Kurrfarë force s’ bante punë !

Komandantët nga Serbia –
I prunë magjupët me çallgia ,
Truba, surlja e tupane...
Me i argëtue  n’ atë KASAPHANE !

Me u ba  dajre xhelatxhijëve –
Para grave, para fëmijëve ,
Kur t’ fillojnë vrasjet , torturat ,
T’ bien tupanët , t’ bien surljat !

Mbi shqiptarët e burgosun –
Këto tortura s’ kanë të sosun !
Bajnë tortura dymbëdhjetë ditë ,
S’ pushojnë rrahjet , as çallgitë !...

S’ pushojnë krimet e mizorit ,
Njizet e nandë – dita e Nandorit ,
Në vitin Dyzet e katër ,
N’ Iseukë, do t’ bajnë MASAKËR !

Në Livadhin e Zelfisë –
Hapen varrin e shqiptarisë ,
Për këta burra të kësaj ane ,
Do ta bajnë nji  KASAPHANE !

N’ shpi t’ Zelfisë, n’ atë zindanhane ,
Ishte ba  si kasaphane –
Rrahje, vrasje n’ mjedis territ ,
Burg i vdekjes , burg i tmerrit !...

Mustafë Iseukën , n’ tokë e kanë shtrue -
Të gjithë dhambët ia thyen  me dru ,
Dalëngadalë me muzikë –
Mos me u ndie tue bërtitë !...


Porsa dielli u ngrit mbi  bjeshkë ,
N’ Iseukë, n’ atë burg të shkretë ,
Nji  njisit ushtarë ia mbërrini –
Ish Njisit i PUSHKATIMIT !

T’ gjithë t’ burgosunit , jashtë i kanë nxjerrë –
Te “Livadhi” me e ba  nji  tmerr !
Drejt po i çojnë n’ atë gropë masive –
Para nanave, grave, fëmijëve !...

Fort magjupët ishin azdisë –
Me muzika  tue çalldisë !
T’ gjithë me za, t’ shterun  prej shtrige ,
Seç po këndonin kangë çetnike !...

Gra e fëmijë, n’ za  tue vajtue –
Gurë e dru i kanë trishtue !
Vajtojnë nanat , për djem të vet ,
Vajtojnë fëmijët,  për prind të vet !...

Vajtojnë motrat, për vëllazni ,
Vajtojnë gratë, pa burra n’ shpi !...
Kur i panë, t’ rrahun  aq shumë –
Lotët e tyne – u banë si lum !...

Drejt te gropa i kanë çue -
Dhe masakrat kanë fillue !
Oficeri , ka komandue –
Ja kanë nisë me i pushkatue !

N’ VARR MASIV, n’ atë Livadh t’ shkretë –
I pushkatojnë nandëdhjetë e tetë !
Prej njiqindëve , shpëtuen dy vetë –
Kanë marrë ikën , malit përpjetë !...

Binin njerëzit , pa ba  za  ,
Shumë prej tyne, t’ gjallë kanë ra !
Disa t’ vramë, disa t’ plaguem  –
Nja  mbi tjetrin , n’ GROPË janë gjue !...

Arif Staneci, ai fatkeq –
Kish Xhavitin, 16 – vjeç ,
Për duer t’ babës e kishin lidhë  ,
Po donë bashkë , në GROPË  me i  hidhë !


Afër GROPËS, kur janë afrue –
Plumbat , djalin ia kanë qëllue !
Ju ka këputë laku prej djalit –
Ikë Arifi, përpjetë livadhit !

Kriminelët, ishin habitë –
Hiq, Arifin s’e kanë goditë !
Asnji  plumb nuk e qëlloi ,
Dhe Arifi, i gjallë shpëtoi !...

Këqyr xhelatët, çka kanë  veprue –
Rexhep Memishin e kanë pushkatue !
E vranë Rexhepin, me katër djem ,
Grueja e tij, sa keq po i nemë  !...

Atëherë, grues , ju kanë ngërmue
Dhe me dhunë e kanë urdhënue –
Ujë të valë, me shkue  me prue ,
Djemtë , për s’ vdekuni me i përvëlue !

Me i përvëlue  me ujë të nxehtë ,
Bashkë me burrin e me kunetë !...
Kështu, gratë, i shtinë të tana –
Me bartë ujë t’ valë me kazana !

Në Stanec, ushtria e sllavit –
Kanë hy n’ shpi t’ Kadri Asllanit,
Të gjithë meshkujt çka i ka gjet,
I pushkatoi 19 vetë !

Kështu çetnikët e Serbisë ,
Banë masakër n’ burra t’ Malësisë.
N’ Iseukë, n’ Malësi t’ Preshevës –
Këso masakrash , nuk banë çfarë feje !...

   Demir KRASNIQI
   “KËNGË KRISMASH LIRIE – 2”
    Gjilan, 2003/ faqe 180- 185/