E premte, 29.03.2024, 10:54 AM (GMT)

Kulturë

Todi Bozo: “Furtuna”, filmi që rrezikonte marrëdhëniet Shqipëri-BS më 1959

E diele, 03.05.2009, 02:21 AM


Todi Bozo
Todi Bozo
Nga Fatmira Nikolli

Ishte viti 1959. Në Tiranë, një grup xhirimi ruso-shqiptar, kishte filluar xhirimet e filmit "Furtuna". Në fillim, askush nuk e dinte se "Furtuna" do të shkaktonte një furtunë të lehtë mes grupit, mbase edhe më tej, nëse situata nuk do të ishte kapur shpejt. Qe një skenë e vogël, që shkaktoi pakënaqësi dhe mosmarrëveshje. Një djalë që gjuante me llastiqe ushtarët italianë. Ato llastiqe do të ishin një mollë sherri mes grupit rus e atij shqiptar të xhirimit. Për ato llastiqe, ish-ministri i Arsimit dhe Kulturës në atë kohë, Manush Myftiu, do t'i tërhiqte veshin Todi Bozos, duke i thënë se nuk do të prisheshin me sovjetikët për hatrin e llastiqeve tuaja. Kjo është vetëm një pjesë e kujtimeve të kineastit shqiptar, Todi Bozo në 75- vjetorin e lindjes. Ai ka marrë pjesë në realizimin e shumë filmave nga Kinostudioja "Shqipëria e Re" si, "Debatiku", "Detyrë e posaçme", "Vitet e para", "Oshtimë në bregdet", "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Plagë të vjetra" etj. Nga viti 1983 e deri në vitin 1991 xhiroi rreth 30 filma dokumentarë. Tashmë ai i risjell para nesh përmes kujtimeve, ngjarjet dhe të pathënat e viteve të Kinostudios "Shqipëria e Re".
Keni festuar 75-vjetorin e lindjes në një mënyrë tejet të veçantë, në një tavolinë rreth së cilës jeni mbledhur me miqtë për të kujtuar e për të qeshur ...
Kolegët kishin një ide për organizimin e këtij 75-vjetori, që të bënin një festë siç është bërë edhe herë të tjera. Por, unë nuk doja që të ishte një takim, shfaqje materialesh, një kokteil dhe kaq. Bisedova me organizatorët dhe ramë dakord që të bëhej ashtu si e mendoja unë. Domethënë doja të ishte një festë familjare, me familjen e kineastëve. Ne i gjendeshim njëri-tjetrit në gëzime dhe në hidhërime dhe gjithmonë e mbanim pranë njëri-tjetrin. Nuk i linim shokët dhe shoqet të thelloheshin në "gabime" e më pas të dënoheshin. Qëndrimi për periudha të gjata kohore nëpër udhëtime xhirimesh, na kanë afruar akoma më shumë. Kolektivi bëhej rreth 70 veta dhe jetonim së bashku për një muaj e gjysmë.

Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të bukura me kolegët?

Mbaj mend që ne kishim një ndriçues, që ishte një djalë i ri. Ai në ushtri i kishte rënë trombës. Në Razëm ku ishim ne për një film, kishte shumë vila. Në mëngjes, ai dilte në majë të kodrës dhe i binte trombës dhe e zgjonte grupin e xhirimit me trombë, sepse i binte shumë bukur. Në vend që të thërrisnim njëri-tjetrin, zgjohu, ai na zgjonte në një mënyrë mjaft të këndshme që na krijonte momente humori. I kalonim bashkë momentet e vështira por edhe të bukurat, sidomos kur pas punës mblidheshim në darkë të gjithë e çlodheshim. Kam 51 vite karrierë duke përfshirë edhe vitet e demokracisë. Një tjetër kujtim, xhironim në vitet e para në Kënetën e Maliqit dhe në mes të dimrit atje ishte shumë ftohtë. Një skenë filmi, tregonte që diga për shkak të fryrjes së Devollit çahet. Kishte mbi 1000 figurantë dhe këta hidhen e me trupat bëjnë barrikadë duke iu dhënë kohë shokëve që të bllokojnë të çarën. Qeveria, i siguronte figurantët edhe për t'i bërë propagandë vetes. Unë marr mikrofonin dhe që t'i nxis sepse ishte ftohtë, filloj të flas për heroizmin e punën, ndër të tjera iu them: "Edhe ne jemi gati të vijmë aty e të futemi me ju në ujë". Mirëpo pastaj, u kujtova se po të shkonim edhe ne atje, kush do xhirojë. Dhe iu them: "Do të vinim edhe ne, megjithëse nuk mund të lëvizim që këtu se duhet të xhirojmë". Njerëzit nuk vinin si figurantë jo vetëm se jepeshin urdhra, se një kooperativist merrte 30 lekë në ditë, ndërsa me grupin e xhirimit, merrte 150 lekë. Filmi u prit me entuziazëm, edhe pse ishin filma politikë, trajtonte probleme të mëdha shoqërore.

Je keni bashkëpunuar edhe me rusët për realizimin e një filmi. Si ishte të bashkëpunoje me ta dhe, a keni pasur mosmarrëveshje?

Filmi i parë i imi si drejtor i filmit, ka qenë "Furtuna", ku unë kam pasur edhe një rol të vogël. Më parë ishte bërë filmi "Skënderbeu", po ai nuk kishte kineastë profesionistë shqiptarë, ndërsa për filmin "Furtuna", ne dhe rusët hymë si bashkëpunëtorë të barabartë. Kishte regjisorët Kristaq Dhamo dhe Yuri Ozerov, kishte piktor, drejtor etj, edhe shqiptarë, edhe rusë. Filmi i kushtohej luftës së popullit tonë kundër okupatorëve fashistë e nazistë, kolaboracionistë etj. Nuk kishim shumë probleme me ta se të dyja ideologjitë ishin një, si e jona, si e Bashkimit Sovjetik. "Furtuna" u realizua në vitin 1959 dhe atëherë ne kishim marrëdhënie të mira me rusët. Megjithatë, ne e patëm një konflikt me ta, e që ishte mjaft interesant. Ne nuk e zgjidhëm dot mes nesh dhe puna vajti deri tek Ambasada ruse dhe tek Manush Myftiu, i cili ishte anëtar i Byrosë politike dhe ministër i Arsimit dhe Kulturës. Sovjetikët donin që në film të fusnin edhe një skenë që ne nuk donim. Në çetën partizane ishte edhe një fëmijë 12-vjeçar. Ky fëmijë u gjuante italianëve me llastiqe. Mirëpo ne nuk ishim dakort me këtë pjesën, sepse lufta jonë kishte qenë e madhe e serioze. Shumë njerëz kishin vdekur. Skena e fëmijës, dukej si karagjozllëk, dhe ishte degradim i luftës heroike të partizanëve. Filluam të ziheshim me ta. Në këtë drejtim, ngulte këmbë bashkëskenaristi rus. Ai quhej Piervensev dhe ishte deputet në Bashkimin Sovjetik dhe si natyrë qe shumë prepotent e arrogant. Ne nuk binim dakord dhe grupi shqiptar tha që ne nuk e xhirojmë. Ata vajtën në Ambsadën Sovjetik e kjo e fundit komunikon me Manush Myftiun, i cili na thirri në zyrë ne. Isha unë, Fatmir Gjata dhe Kristaq Dhamo. Ne i shpjeguam ministrit si qe puna. Ai na tha: "Ne nuk do të prishemi me sovjetikët për hatrin e llastiqeve tuaja". E kështu pjesa u vu në film, edhe pse nuk deshëm. Pala ruse e motivonte këtë pjesë, atë të fëmijës kurajoz që luftonte me atë që kishte mundësi, që të kishte spektatorë fëmijë.

A u tregua i egër me ju Manush Myftiu?

Ai në përgjithësi ishte i egër. Por në këtë rast, filmi rrezikonte marrëdhëniet diplomatike me sovjetikët. Ndaj skena duhej të rrinte në film. Sigurisht, urdhri qe urdhër dhe duhej zbatuar. Më pas u pajtuam se s'kishim ç'të bënim. Më pas, bashkëskenaristi rus filloi të mburrej.

Më pas erdhi filmi "Debatiku". Si i mbani mend xhirimet e tij?
 
Ishte një film që kishte fëmijë, por ne i kemi pasur gjithnjë të talentuar. Më kujtohet një detaj. Kishim një fëmijë që në film quhej Coli, por që në jetën e përditshme dhe në film ishte shumë harrakat. Ai kishte një episod, ku do të bënte garë mes breshkave. Kishte vënë fillimin, dhe fundin e garës, mirëpo breshkat, njëra merrte majtas e tjetra djathtas. Ishte e vështirë të xhiroje breshkat ashtu si e donte Coli. Fëmijët i bindeshin skenarit. Një nga këta fëmijët ishte Roland Trebicka. Mbaj mend që ishte një fëmijë i edukuar dhe me një qëndrim prej aristokrati. Coli, sot është bërë biznesmen.

Cili ka qenë filmi që ju ka lodhur më shumë?

Filmi është produkt i një grupi bashkëmendimtarësh, dhe nëse grupi nuk ka mendime që të përputhen, ata nuk bashkohen, ose në do të bëhet me zor, puna nuk do të ketë rezultat. Jam munduar të bashkëpunoj me njerëz që na përputheshin mendimet. "Oshëtimë në bregdet" që një film që fliste për një familje peshkatari. Një pjesë e episodeve xhiroheshin në det, dhe teknika nuk ishte ajo e sotmja. Kamerat ishin të rënda e po ashtu mjetet e ndriçimit. Filmin "Detyrë e posaçme" e xhironim në Vlorë tek ura e Drashovicës e xhironim natën. Ditën, meqenëse nuk kishte filluar plazhi, grupi i xhirimit ishte vendosur në kabina dhe shkonim në plazh. Pinim kafe në një hotel të vogël tek plazhi i Ujit të Ftohtë. Aty në verandën e tij mbi ujë, vinin e pinin kafe edhe anëtarët e Byrosë Politike që pushonin në vilat e Vlorës. Aty ishte edhe Manush Myftiu, i cili kur na sheh të shtrirë në rërë, na thërret të na takonte. "Për çfarë ju ka dërguar shteti, për të bërë plazh?", - më tha gjithë nerva. - Jo, i them unë, për të xhiruar. "Po ku e xhironi ju?- më thotë, - këtu në plazh duke ndenjur gjithë ditën?". - Jo, i them unë, xhirojmë natën. "Ou, - thotë ai, - natën xhirokeni ju. Po ku?". - Tek pylli i urës së Drashovicës, thashë unë. Ai më tha se do të vinte në darkë dhe në fakt erdhi e na pa. Problemi ishte se xhirimet bëheshin natën dhe nuk kishte ndriçim sepse nuk kishte linjë në pyll, ndaj punonim me gjenerator. Na kishte ikur në qytet ndriçuesi. U shpërndamë në qytet në lokale duke e kërkuar dhe e gjetëm në një lokal të bërë tapë. Ai nuk punonte dot atë natë, e pikërisht atë natë kur do vinte të na shihte ministri dhe anëtari i Byrosë Politike. Morëm dikë tjetër, se nuk kishim ç'të bënim.

Në fillim të librit tuaj keni shkruar se, atë ia kushtoni gruas tuaj, Luljetës...

Mund të duket si barcaletë, por ne jemi dashur shumë. Kemi festuar 45-vjetorin e martesës. Ata që na njohin, e dinë se ne nuk ndahemi kurrë, as në udhëtime e as këtu. Jemi si dy shokë të pandarë. Nuk ka ndodhur që në këto 45 vite të jemi zënë e inatosur më njëri-tjetrin.

Si ka lindur kjo dashuri kaq e madhe mes jush?
 
Jemi njohur me ndërmjetësi, jo me shkes, por dikush u bë shkak që ne të njiheshim. Pas njohjes sonë, kaluam disa kohë duke u takuar pa e bërë fejesën e të tjerat menjëherë, megjithëse ishte viti 1964 dhe ramë në dashuri. Familjet tona e pritën mirë bashkimin tonë, se vëllai im i madh dhe babai i saj njiheshin dhe ishin shumë miq. Ajo është gruaja dhe shoqja ime. Kemi përballuar momente të vështira në jetën tonë. Kur nëna ime vdiq, ajo kërkoi Luljetën, edhe pse pranë kishte të gjithë fëmijët. I puthi dorën dhe i tha faleminderit që më ke shërbyer për 18 vite. I puthi duart asaj dhe vdiq.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora