Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gazetaria sportive: lufta e humbur me cilësinë?

| E shtune, 28.07.2007, 10:49 PM |


Për një çast të duket se kjo nuk shkon. Zakonisht përmenden përvjetorë gazetash, revistash e radiotelevizionesh. Mirëpo, si për të dashtë për të mos i përngjâ askuj dhe në maninë përkujtuese kësisoji edhe për gjëra që kanë një ditlindje jo fort të vjetër, thashë t’i them dy fjalë në pesëvjetorin e rubrikës “TemA Sport” të gazetës “TemA”. Jo ngaqë kjo ka të bëjë me “shkruesin e këtyne rradhëve”, siç thotë Koliqi, sepse në fund të fundit edhe ai është një prej të shumtëve, edhe nëse mbi kurriz mban e pakta 40 vjet gazetari me status profesionisti. Por me dëshirën që me këte rast, më tepër për të thënë diçka mbi gazetarinë sportive në Shqipëri, që kam përshtypjen se është e përfshirë në një luftë mbrenda profesionit jo dhe aq optimiste (ndjellamire) midis sasisë dhe cilësisë. Nuk ka dyshim se gjithçka ka botuar “TemA” në këto pesë vjet për sportin, nuk na shkon ndër mend t’i marrim si modele, edhe sepse modele gazetarije sportive ka me shumicë. Ajo që mund të themi është se “TemA” e Shqipërisë, ka meritën se përpiqet të mbajë gjallë një ndjenjë kombëtare sportive, një stil kombëtar, një informacion përzgjedhës në të mirë të sportit kombëtar dhe të zhvillimit të asaj që shumë studjues e quajnë “letërsia sportive”. Dhe me dëshirën e mirë për të ndikuar me të gjitha këto

Dhe sa ka ndikuar? Këte e di lexuesi nga njëra anë, padroni i vetëm i gazetarit, siç thotë Montanelli, po dhe njerëzit e mirëfilltë të profesionit.

X X X

Pesë vjet më parë, kur “TemA” sapo qe bërë e përditshme, botuesi Mero Baze më ftoi për të trajtuar për herë të parë në faqet e kësaj gazete një jehonë apo pasqyrim përzgjedhës të Kupës së Botës. Qe një befasi për mua në dit kur asokohe, vemendja e gazetarisë sportive në tanësi në Shqipëri, dukej se kishte të bënte me falje apo zotnim gazetash sportive, themelime e rithemelime, tejkalim në duar të duhura e të paduhura, si dhe një vërshim të papamë të temës sportive ndërkombëtare, kryesisht loteriste, jo të një kulture. Dhe qé, papritmas shfaqet një e përditshme, e cila kërkon të tërheqë përmes trajtesës së Kupës së Botës në faqet e saj prej një autori “të vjetër” të kësaj teme, madje autorit të librit të vetëm në gjuhën shqipe “Kupa e Botës”. Lidhja me lexuesin qe një befasi më vete. Ishte një ritakim i tij me autorin në një të përditshme sportive mbas bukur njëzet vjetësh, qysh me rubrikën e dëgjuar të gazetës “Bashkimi” të shoqërisë komuniste.

Kur mbaruan Finalet (fundoret) e Japoni 2002, atëherë, botuesi Baze propozoi vazhdimin e një rubrike të përjavëshme sportive në “TemA”. Dhe mu këtu qe nisma e këtij pesëvjetori.

Në numrin e “TemA”-s të plot pesë vjetëve më parë, atë të 16 korrikut 2002, është botuar shkrimi i parë i kësaj rubrike me këte titull: “Vetëm 281 shikues në ndeshjen e Teutës për Kupat e Evropës!” vendosur nën titullin “Sport” mbi sfondin e pamjes së një stadiumi. Interesante është se edhe atë ditë të 16 korrikut 2002, ka qenë një përvjetor, madje një 10-vjetor. Rubrika në origjinalitetin e saj kishte vënë okielon “10-vjetori i mosluajtjes së futbollit ndërkombëtar në qytetet e Shqipërisë”. Çka vinte prej vendimit të UEFA-s për t’i ligjësue Shqipërisë vetëm një stadium për ndeshjet ndërkombëtare, ate “Qemal Stafa” të Tiranës. Dhe ne që kishim numëruar vetëm 281 spektatorë të pranishëm, duke ia vënë fajin shkakut se Teuta e Durrësit në atë ndeshje për Kupën Intertoto, Teuta – Gloria 0-1, luante në Tiranë. E, kësisoji, ajo nuk i kishte të pranishëm spektatorët e saj të vërtetë.

Shkrimi i dytë i rubrikës “TemASport” ka qenë një tjetër me titullin “Requiem për qitjen shqiptare”, duke botuar një foto të madhe të Kampiones së parë të Evropës për Shqipërinë, Elizabeta Karabolli. Ishte si një mbarim i këtij sporti të madh për Shqipërinë. Ishte si një fund i pakthyeshëm. Ka qenë 23 korrik 2002. Në me shkrimin tonë, mbasi kishim bërë historinë, i kishim thënë lamtumirë qitjes. Nuk e kishim patur gabim, të paktën për plot pesë vjet të tana, deri në këte verë 2007, kohë kur asnjë shkrim nuk është botuar për qitjen në “TemA”. Deri dy javë më parë, kur “TemA” qe e vetmja që tregoi se çfarë kuptimi kishte ardhja befasuese e Kampiones së re të Evropës, Lindita Kodra, po në garën e Elizabeta Karabollit. Duhej të kalonin pesë vjet pra. Nuk kishim patur aftësinë të parashikonim Lindita Kodrën, përveç të tjerave, olimpistja e parë shqiptare për “KINA 2008”…

Shtatë ditë më vonë i atij viti 2002, shkrimi i tretë i “TemASport” ka për fat një titull të një çështjeje gazetarie: “Qendra e shtypit dhe antikultura e Ligës së Kampioneve në Tiranë” që trajtonte kushtet e gazetarëve në një ndeshje të Evropës në stadiumet tona. Sepse një drejtor i vënë prej miqësisë politike kishte shkatërruar gjithçka, duke përqëndruar gjithë vemendjen vetëm te kafet e restorantet e nëntribunave për fitime të s’di se kujt. Duke krijuar precedentin e keq. Dhe eja mandej e ndryshoji precedentët e këqinj. Nën tribunat e Stadiumit Kombëtar u liruan megjithate, por kushtet e gazetarëve ende nuk e kanë fituar statusin e tyre si kolegët e tyre në Evropë. Pasojë e precedentit të keq.

Kështu kemi nisur me rubrikën sportive të gazetës “TemA”, e cila ka meritën se i ka dhënë hapësirën e duhur kësaj rubrike dhe madje duke vendosur një rekord të papamë. Asnjë ndërprerje. Në asnjë ditë të martë si ditë jopushimi, tash pesë vjet nuk ndodhi që të mungojë shkrimi tematik sportiv i “TemA”-s. Këtu ajo qe e vetmja prej të gjithë të përditshmeve të Tiranës. Madje ajo krijoi edhe përditshmërinë e e rubrikës sportive të aktualitetit për një kohë të gjatë e drejtuar me pasion prej gazetarit të ri Adi Shkëmbi e tash prej gazetarit me përvojë Gerti Çarçani. Çka gjithashtu vazhdon.

X X X

Po a ndikojmë dhe sa kemi ndikuar ne me shkrimet tona?

Pyetje e vështirë, sepse detyra parësore e jona nuk është për të ndikuar me detyrim, por për të informuar. Paçka se e kemi zgjedhur mënyrën që duke informuar edhe të trajtojmë e të problematizojmë, edhe të bëjmë histori, gjithnjë në shërbim të aktualiteti. Edhe këtu “TemA” është padyshim kampionia e këtyre pesë vjetëve për gjithë shtypin shqiptar. Kujtojmë ndërkaq, se prej shkrimeve të kësaj rubrikës, në këto pesë vjet kanë marrë nxitje e pakta nja pesë a gjashtë libra sportivë të botuar.

Shtypi sportiv shqiptar, po dhe faqet sportive të të përditshmeve apo edhe të të përkohshmeve shqiptare, ka kohë që i janë futur vetvetiu, ndoshta edhe pa ditur ata vetë, një lufte midis sasisë dhe cilësisë, ndonëse e thënë kështu, të duket sikur e kemi fjalën për garën midis skarcitetit dhe cilësisë, siç proklamonte me bujë dikur Partia. Për fat të keq, nuk gjejmë një krahasim tjetër. Gazetaria sportive në Shqipëri ende është e përfshirë në këte luftë të vetvetishme, të pavullnetshme, të paurdhëruar prej askuj, madje pa i shkuar ndër mend askuj. Na duket si një nga luftërat më të dështuara që mund të jenë. Ajo është një luftë krejt e heshtur, së cilës nuk i dëgjohet asnjë krismë dhe që ende nuk i njihet asnjë betejë e rëndësishme e fituar përveç faktit sasior botëror se në Shqipëri janë nëntë gazeta sportive të përditshme. Dhe është ndër vendet erralla në Evropë që ka një televizion sportiv të mirëfilltë. E mbytur midis përkthimeve nga interneti, kryesisht për futbollin ndërkombëtar për çështje që kurrsesi nuk i interesojnë problematikës shqiptare, dhe shkrimeve me mangësi të tmerrshme informacioni për sportin kombëtar (përjashto futbollin), të duket se gazetaria jonë është kalâmendun në një luftë tjetër: ate midis pasqyrimit të sportit ndërkombëtar përmes vështrimit loterist shqiptar dhe sportit kombëtar, i flakur tej, e ku në të cilin çdo ditë e më shpesh të duket se gazetaria në vend që t’i afrohet, po i ikën. Ujë rrjedh papushim.

Nëse do të bënim një bilanc të këtyre pesë vjetëve jashtë rubrikës së “TemA”-s, do të vërenim se me dhjetra e dhjetra sportistë shqiptarë, të cilët nuk kanë patur fatin të jenë përshembull, Kampionë të Shqipërisë në këto e pesë vjet, ndonëse kanë qenë bie fjala, Nënkampionë Kombëtarë, atyre nuk iu është përmendur asnjëherë emri në gazeta. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në Evropë të paktën, ku shumicës së Nënkampionëve Kombëtarë të sporteve gati kurr nuk iu përmendet emri, nuk iu botohet rezultati i arritur! E jo më të përshkruhet diçka më gjatë rreth jetës e mundimit të tyre sportiv. Kur dihet se një Nënkampion është medalja e argjentë e garës, po të flisnim me rendin olimpik. Shqipëria nuk e njeh Medaljen e Argjentë. Njeh vetëm të Artën. Edhe këte nuk e njeh fort mirë.

Nuk ka patur mundësi, që si e përditshme josportive, ta bëjë një gjë të tillë rubrika e “TemA”s. Sepse në fund të fundit, nuk është as detyra e saj. Rubrika e “TemA”, po, ka bërë një gjë. Nuk ka lejuar t’i shpëtojë as edhe një emër i shquar i sportit shqiptar të kësaj periudhe pesëvjeçare.

Ndërkaq, ajo ka lavruar mendimin kritik. Larmia e mendimit të saj kritik ka synuar origjinalitetin drejt vërtetësisë gjithmonë për çështje kombëtare të rangut të parë sportiv. Ka bërë kritikën e rënies së qitjes shqiptare, të kulturës së stadiumit, të kuptimit joatdhetar të asaj që është quajtur tash e parë jorrallë pa asnjë kuptim, “tradhëti” e sportistëve shqiptare që u bënë Kampionë e Olimpikë dhe Botërorë për një shtet tjetër. Ajo ka paralajmëruar rënien e Skenderbeut të Korçës, ka trajtuar monopolin televiziv, para se të mbërrinte këtu Evropa për ta ligjësuar sambas modeleve perëndimore më 2007. Dhe ka folur për miqtë dhe armiqtë e Kampionatit të Shqipërisë si dhe ka trajtuar monokulturën sportive që shkatërron ecurinë e sporteve të tjerë. Ka folur e shkruar gjatë për shkatërrimin e klubit sportiv si dhe ka trajtuar hollësisht 15 vjet ndeshje të shitura në futbollin shqiptar. Ajo e para ka përimtuar zhdukjen e sportit nga Televizioni Shqiptar dhe ka kritikuar për kulturën që nuk marrim. Ka shfaqur mendimin kritik për sportin shqiptar që nuk këshillohet si dhe për profesionin e paprofesionalizuar të trajnerit në Shqipëri. Dhe ka nxitur për një kritikë të rilindjes së basketbollit dhe për pushtetin e humbur të volejbollit. “TemA” ka argumentuar në këto pesë se përse sot nuk është më e rëndësishme gara më popullore, Kampionati Kombëtar i futbollit në Shqipëri, duke evidentuar vlera dhe jovlera të futbollit shqiptar. Kjo gazetë ka marrë përsipër dhe ia ka arritur që t’i japë përgjigje pyetjes se “çfarë sporti ka sot Shqipëria?”.

Ajo ka thirrur në kupë të qiellit, bie fjala, se përse është harruar heroizmi sportiv i Klodeta Gjinit: 1.92 në kërcimin së larti më 1989 dhe ka vënë në spikamë (reliev) mjaft protagonistë të mëdhenj të tjerë të sportit kombëtar. “TemA” ka bërë bilancin e moskujtesës për sportin shqiptar dhe ka luftuar pompozitetin nacionalkomunist në disa dukuri të futbollit të sotëm të Kombëtares dhe trajnerëve të huaj të sulmuar deri dhe me megallomoni të racës. Rubrika e “TemA”-s ka treguar se në ç’stad ndodhet Komiteti Olinpik Kombëtar Shqiptar. Ajo ka përimtuar gjatë për kulturën dhe historinë e tronditur të Kampionatit të Shqipërisë dhe ka shtruar pyetjen dramatike simbas mendimit kritik sportiv: “A e ka mundur Demokracia Regjimin në sportin shqiptar”?”

“TemA” ka ndjekur hap mbas hapi sukseset e sportit shqiptar, sidomos të peshëngritjes si sporti më i suksesshëm sot në Shqipëri për të cilin përimtimet, përshkimet e saj kanë qenë tejet të pasura e të larmishme.

X X X

Rubrika sportive e gazetës “TemA” në këto pesë vjet është e pakonkurent në trajtesat e saj historike të sportit kombëtar, duke mbërritur e pakta në këto zbulime historike:

* Shpalosjen për herë të parë të historisë së plotë të themelimit të Sportklub Tiranës.

* Zbulimin mbas tridhjetë vjetëve të Kampionit të Botës Ymer Pampuri.

* Zbulimin sensacional të organizimit të tre Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë gjatë pushtimit fashist.

* Historinë në hollësi të themelimit të transmetimit të parë radiofonik të drejtpërdrejtë (1938) në Shqipëri.

* Rizbulimin e kontributit të Kolonelit Hill në themelimin e Kampionatit Kombëtar të futbollit në Shqipëri.

* Shpalosjen për herë të parë të pranisë së shqiptarëve në Kampionatet e Italisë gjatë dhe mbas Luftës së Dytë.

* Zbulimin e pranisë së parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike (1936).

* Zbulimin e ndeshjeve të futbollit gjatë pushtimit gjerman të Shqipërisë që trondisin vetë historinë e luftës.

* Zbulimin e pranisë së Riza Lushtës në Kombëtaren e Italisë.

* Prekjen e së vërtetës mbi themelimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

* Zbulimin e së vërtetës për pranimin e Shqipërisë në IAAF.

* Shpalosjen përimtuese të gjeopolitikës së Shqipërisë në Kupat e Evropës.

* Përimtimin kundër rrénave të themelimit dhe rrugës së djeshme e të sotme të gazetës kombëtare “Sporti Shqiptar”.

* Zbërthimin për here të pare të historisë sportive, politike dhe gjeopolitike të Lojërave Ballkanike 1946.

X X X

Rubrika e “TemA”-s ka luftuar për një gjuhë të pastër të letërsisë sportive përmes shkrimeve të saj, mu në një kohë kur gjuha shqipe përjeton krizën më të rëndë në gazetarinë sportive. Natyrisht pa ia arritur ta shpëtojë. Kjo jo vetëm sepse nuk është detyrë e “TemA”-s as kjo, por sepse pronarë gazetash apo radiotelevizionesh që trajtojnë pa ndalesë sportin, nuk duan t’ia dijnë asesi për shkatërrimin e gjuhës shqipe përmes gazetarisë sportive dhe gazetarëve që ata marrin në punë pa konkurse e garë të profesionit. Kjo ngaqë ende në Shqipëri nuk ka një kod gjuhësor të llojit dhe as një ndjenjë shkencore në këte lâmi. Dhe ky ndikim është me të vërtetë rrënues.

Nga një sondazh i vogël i “TemASport” rezulton se shumica e lexuesve të shtypit sportiv është rinia shkollore, moshat e reja, dhe jo dikush tjetër siç ka qenë dikur (mësues, intetelektualë, mjekë, ingjinierë, shkrimtarë e funksionarë, shumica e të cilëve nuk e prek me dorë shtypin sportiv). Dhe ndikimi i kësaj mënyre “sportive” të të folurit dhe të të shkruarit po ndikon në një prishje të rëndë të kulturës gjuhësore te të rinjtë. Nuk ka një terminologji të mirëfilltë kësisoji në shqipet. “TemA” ka përimtuar se përshembull komentatorët e fjalës së folur, fjalori i të cilëve nuk shkon përtej nja 120 fjalëve të përdorura gjatë një transmetimi, prerj të cilave 80 i kanë fjalë të huaja, ndonëse të tetëdhjetat të mundshme për t’u përkthyer në shqipet. “TemA” është marrë gjatë disa herë me këte çështje, por nuk ia ka arritur të ndikojë sado pak përderisa gjuha shqipe në transmetimet sportive po kalon situatën e saj më të vështirë në histori.

Këtu në këto faqe është treguar shembulli i Gianni Brera-s, një gazetar i madh evropian i fjalës së shkruar, njeriu i neologjizmave në gazetarinë e shkruar, i cili më fort se askush, pasuroi, përsosi, modernizoi gjuhën në gazetarinë sportive të vendit të vet, duke krijuar një shkollë më vete të gazetarisë sportive, ate “breriane”. E quajnë shkrimtar, sepse krijimi i tij është në përmasat e shkrimtarit. “TemA” ka treguar se si kur fitoi një vend si gazetar në “La Gazzetta dello Sport” të Milanos më 1945 dhe i dhanë rubrikën e atletikës, ky universitar i shkencave politike, i cili gjatë Luftës së Dytë kishte qenë parashutist i fashizmit, por më mbas i Rezistencës kundër tij, praktikues i futbollit dhe i boksit në rininë e tij, për fat, i kishte krejt të pakta njohuritë për të qenë shì gazetar i atletikës së lehtë. “Për shumë kohë, - thotë ai, - përballova sarkazmën e atletëve. Mandej studjova teknikën e atletikës për një diplomë universiteti: ligjet e mjekësisë sportive, të teknikës së stërvitjes, të mekanikës, levat e muskujve dhe të kockave, shpërndarjen në kohë të konsumit të energjisë, efikasitetin e frymëmarrjes që spjegojnë suksesin atletik. Më mbas forcova miqësinë me trajnein Sandro Calvesi, i martuar me atletën Gabre Gabric dhe së bashku me te shkrova një manual”. Manuali i Gianni Brera-s u botua më 1960 dhe u përkthye në disa gjuhë të huaja nën titullin “Atletika, mbretëresha e Olimpiadës”.

Dhe është fjala për atletikën për të cilën nga sa shohim e botohet, asnjë gazetar sportiv i brezit të sotëm në Shqipëri, nuk din të paktën rreshtimin klasik të garave të atletikës që fillojnë me vrapimet e shpejtësisë, të mesme, të gjata, me kërcimet e mandej me hudhjet. dhe të cilët i bëjnë lâmsh kur botojnë rezultatet. “TemA” ka shkruar për humbjen e kulturës atletike, që është një nga kulturat më të para në sportet. Në Shqipëri ka gazeta me nga tridhjetë faqe sport, por rekordet kombëtare të atletikës ka gati një dekadë që nuk i boton dhe nuk i përimton askush.

Kohët e fundit Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ka botuar një “Fjalor të Gjuhës Shqipe” mjaft të përdorshëm, edhe më praktik në përdorim dhe përzgjedhje të fjalësit. A e ka prekë kush me dorë, prej gazetarëve tonë sportivë? Interesant është vërtetë këtu në Shqipërinë tonë! Kërkon tjetri të bëhet gazetar e edhe pse gjithë profesionin e ka me përdorimin e fjalës dhe të mënyrës të të shkruarit, prapseprap asesi nuk kërkon të mësojë siç duhet as fjalën dhe as përdorimin e saj. “TemA” ka treguar një herë se si një gazetar i madh, Roberto Gervaso, kishte deklaruar se: “Asnjëherë nuk udhëtoj pa marrë me vete Fjalorin e Sinonimeve”. Dhe mu këtu në “TemA” është treguar kjo thënie e mëposhtme për radiokronikën e një studjuesi të profesionit tonë, Rudolph Arnheim:

“Radiokronisti i aftë, duhet të përfaqësojë praninë e shpirtit, ndjeshmërisë dhe zotërimit të gjuhës për të përshkruar menjëherë ngjarjen duke përdorur një gjuhë jo vetëm të pëlqyeshme dhe të artikuluar, por po kaq dhe të gjallë e piktoreske për t’i dhënë dëgjuesit përshtypjen se ai vetë po e përjeton këte ngjarje”

Ndërsa Sandro Ciotti:

”Gjithmonë kam këmbëngulur që radiokronika (ajo qëndron më lart se telekronika), është si një dashnore e shkëlqyeshme e cila megjithate duhet respektuar si të ishte një bashkëshorte. Eshtë një mënyrë e shkëlqyer komunikimi të drejtpërdrejtë me miliona dëgjues të cilët janë të detyruar të presin gjithçka prej buzëve tuaja, madje me një vëmëndje të hekurt…. Megjithate, tregimi i një ndeshje nuk paraqet probleme të mëdha, kur kronisti zotëron një fjalor të besueshëm. Eshtë e vërtetë mandej, që gjithçka bëhet dramatike nëse kronisti punon vetëm me 70 fjalë, duke përsëritur po ato e duke e mërzitur dëgjuesin. Por nëse zotëron një fjalor të mirë, do të kesh një autonomi të sigurtë.”

Si fund, qé, tek të lind një pyetje në këte përvjetor modest tonin: “Mos është diçka e lehtë dhe dorës së dytë gazetaria sportive, qoftë dhe për faktin se gjithmonë faqet sportive janë në fund të gazetës, sepse lajmet sportive janë të fundit në emisionet radiotelevizive, sepse sporti është tejet i nënvleftësuar në Shqipëri, dhe cilësohet me “buzagaz” se “sporti nuk është gjë tjetër, përveçse “punë sporti”?”. Ndoshta .

E përkujtuam pesë vjetorin rubrikës sonë “TemASport” për të përmbledhur në këto kolona paksa nga aventura jonë në gazetari, pa dashur kurrsesi të injorojmë historitë e të tjerëve. E bëmë këte jo për një dobësi ndaj punës sonë, por për t’u ndalë për një çast te vetvetja dhe për të parë se çka kemi bërë dhe se çka mund të bëjmë më tej për t’ua mbushë mendjen mijërave nëvleftësuesve të gazetarisë sonë se gazetaria sportive nuk është asgjë tjetër veçse gazetari. Pavarësisht se lënda e saj që i shërben shkrimeve të saj, është sporti. Të cilin fjalorët e përkufizojnë si bashkësi e garave dhe e ushtrimeve të kryera në mënyrë vetjake ose në grup, si një manifestim agonistik, për një çlirim energjish ose zhvillim të kapacitetit motorik. Eshtë shumë pak megjithate, që ta ngushtonim vetëm në këte përfkufizim sportin Ai është edhe gjakim (pasion), edhe mendim, edhe kulturë, edhe gjuhë, edhe letërsi, edhe histori, edhe humanizëm, edhe përfaqësues, edhe politikë, edhe veprimtari shoqërore, edhe gazetari e klasit më të parë. Ati i Olimpiadës Pierre De Coubertin e ka quajtur “burim jete”.

Gazeta “TemA” nuk i harron asnjëherë të gjitha këto. Dhe është nisur prej një sentence emblematike të gazetarisë që thotë:

“Radio bën lajmin. Televizioni e bën që të shihet. Ndërsa gazeta të bën që ta kuptosh”.

Këte të tretën ka përherë parasysh rubrika jonë.

Nga Besnik Dizdari