Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viktor Shiroka, brilanti i oboes

| E shtune, 02.05.2009, 09:30 AM |


Nga Yllka Lezo

Përkujtohet në 6-vjetorin e vdekjes, oboja e parë shqiptare. Ish-studentë interpretojnë në një mbrëmje muzikore me repertorin që Shiroka interpretonte

Viktor Shiroka, oboja e parë në historinë muzikore të Shqipërisë, u përkujtua dje në koncertin e orkestrës së "Cameratës së Tiranës", nga ish-studentët e tij, Ilir Gjoka dhe Zija Bejleri. Ky koncert u realizua për të përkujtuar figurën e artistit në 6-vjetorin e vdekjes (1941-2003).
Në program u ekzekutuan pjesë që Shiroka ka interpretuar gjatë kohës që ushtronte aktivitetin e tij si muzikant, si "Koncert për oboe dhe orkestër harqesh", B. Marcello, "Koncert për dy oboe", A.Vivaldi, "Koncert për oboe dhe orkestër", A. Cimarosa, "Suitë nr. III", O. Respighi dhe "E Arrivato Zampano", V. Anselmi. Pjesë që, sipas ish-studentit të tij, Ilir Gjoka, i ka interpretuar vetëm ai. "Nuk ka pasur ekzekutime të tjera pas profesorit", - thotë Gjoka.
Viktor Shiroka vinte nga një familje jo pa traditë në botën e kulturës. I ati i tij, Kol Shiroka, ishte piktor, ndërsa vëllai i tij, Bep Shiroka, një nga figurat e njohura të humorit shqiptar. Dhe rrugën e artit do të ndiqte edhe ai. Në vitin 1957, pas përfundimit të liceut në Tiranë, Shiroka niset drejt Pragës, ku studion për oboe deri në vitin 1961, kohë në të cilën dhe diplomohet. Pas kthimit në Shqipëri e pret një jetë e ngjeshur artistike. Në 1962-shin krijohet "Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë", (sot Orkestra e RTSH-së), ku filloi punën si oboist i parë. Me këtë orkestër ai ka interpretuar kompozitorët më të mëdhenj botërorë. Por, e veçanta e tij është se ka luajtur i pari të gjitha pjesët e shkruara për oboe nga kompozitorët shqiptarë, si "Variacione për oboe dhe orkestër", Josif Minga, "Koncert për oboe dhe orkestër", Feim Ibrahimi, etj. "Më kujtohet që, kur studioja në lice në Korçë, sa herë dëgjoja koncertet e Orkestrës së RTSH-së (ku punonte profesori) ose në koncertet që luante solo, ndihesha i mahnitur dhe mendoja nëse do të luaja ndonjëherë si ai. Ishte brilant në oboe", - kujton Gjoka.
Paralelisht, Shiroka vazhdonte të jepte mësim në Konservatorin e Tiranës. Gjoka, oboja e parë e TOB-it, kujton pedagogun e tij: "Krijonte një lidhje miqësore me studentët. Me të nuk ekzistonte ajo marrëdhënia disi e ngurtë pedagog-nxënës. E bënte orën e mësimit aq të thjeshtë, sa ti të mos kishe asnjë lloj ndrojtjeje. Fliste gjithmonë me pasion dhe asnjëherë nuk i ndante studentët nga njëri-tjetri. Sigurisht që në një klasë nuk mund të jenë të gjithë të talentuar, por ai nuk i ndante. Bënim mësim së bashku, në mënyrë që të mësonim nga njëri-tjetri. Më të gjithë zhvillonte mësim njëlloj, me të njëjtin durim, me të njëjtin përkushtim". Madje, për Gjokën, klasa e oboes në Akademinë e Arteve, edhe në ditët e sotme vazhdon të punojë me frymën që ka krijuar Shiroka. "Sot klasa e oboes nuk është në atë nivel që ka qenë kur e drejtonte profesor Viktori, por vazhdon të jetë në pararojë", - thotë pasardhësi i tij.
Gjatë karrierës së tij si instrumentist, Viktor Shiroka ka luajtur me dy instrumente, njërin prej të cilit e ruan familja e tij, ndërsa tjetri ka humbur në vite. Gjoka tregon se kur u kthye nga studimet, profesori nuk kishte sjellë me vete oboe. Do të duhej të vinte viti 1962, kohë kur krijohet Orkestra e RTSH-së, që Shiroka të kishte një instrument. "Dhe jo një instrument dosido, por një prodhim marke. Mund të ishte Marigo ose Puschner", - thotë Gjoka, pasi në atë kohë shteti mund t'ia lejonte vetes të blinte instrumente të shtrenjta.

Shekulli