E marte, 19.03.2024, 03:15 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Cinizmi i një gazetari shpifës

E shtune, 02.05.2009, 02:12 PM


Cinizmi i një gazetari shpifës

Nga Enver Bytyçi

Gazetari shqiptar Altin Raxhimi është shfaqur përsëri në publik. Tashmë jo më për BBC, por për gazetën e njohur austriake "Der Standard". Më 27 prill ai ka dhënë një intervistë, me të cilën mbron akuzat e tij për "kampet e torturës", që gjoja kanë ekzistuar gjatë luftës në Kosovë si dhe për të ashtuquajturën "tregti të organeve të brendshme të civilëve serbë të vrarë prej UÇK-së". Ndërkohë shkon edhe më tej, duke i akuzuar kolektivisht shqiptarët se këta "sillen tani me serbë njësoj siç ishin sjellë këta ta fundit gjatë viteve '90 me shqiptarët". Gazetari në fjalë thotë se është fyer dhe sharë nga mediat shqiptare, në rastin e emisionit të tij në BBC dhe shfaq njëkohësisht një qëndrim më radikal se vetë presidenti i Serbisë, sa i përket gjendjes së tashme e të ardhmes së Kosovës.

Raxhimi ka shfrytëzuar rastin që me këtë intervistë të japë tri pamje negative të karakterit shqiptar, të medias, politikës dhe gjithë publikut: Nga njëra anë ta paraqesë edhe një herë luftën e UÇK-së si një "luftë terroristësh". Nga ana tjetër të bëjë heroin ngaqë "nuk përkulet" para fyerjeve që i janë bërë si "spiun i Serbisë dhe i Rusisë". Dhe së fundi të shprehë inatin e tij, duke e akuzuar shoqërinë e shtetin e Kosovës për qëndrim armiqësor kundër serbëve.

Sa i përket shpifjes së skenarizuar në qendrat e Beogradit, sipas të cilit civilë serbë janë vrarë dhe u janë marrë organet për transplantim, duket se Raxhimi nuk sjell ndonjë të re gjatë asaj interviste. Ai përmend ato që ka përmend në BBC, se në Burrel ishte zbuluar një shtëpi, ku ai vetë ka parë shiringa të hedhura pakujdes. Por e pranon se kjo dëshmi nuk është pranuar nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Megjithatë Raxhimi përpiqet përsëri të "argumentojë" se ai "ka zbuluar" një të vërtetë, të cilën, thotë ai "e pranojnë shumë shqiptarë". Madje në këtë intervistë gazetari shqiptar i BBC shpjegon dhe arsyet pse çështja ka ngelur në mes, pa u zbuluar dhe ekzaminuar. Si shkak kryesor ai sheh mungesën e personelit në UNMIK, edhe pse në këtë personel kishte afër 5000 administratorë civilë, shumë herë më tepër sa ka sot administrata shtetërore e Kosovës. Si shkak të dytë ai përmend situatën instabile dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të administratës ndërkombëtare me ish-komandantët e UÇK-së. Nëse i referohemi fakteve, del se ky arsyetim është jologjik dhe krejt i pavërtetë. Administrata ndërkombëtare e OKB-së në Kosovë ka bashkëpunuar me kriminelët serbë të luftës, i ka lënë ata të lirë si dhe ka hartuar raporte të paqena për Gjykatën Ndërkombëtare, ose më saktë, ka firmosur raporte antishqiptare të hartuara në zyrat e Koshtunicës e të Tadiqit. Këto dosje UNMIK-u i ka dërguar në Hagë, ndërkohë që mungesë provash, pasi dosjet kanë qenë të montuara, komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Haradinaj, Limaj, e të tjerë kanë fituar pafajësinë. Nëse një gazetar nuk njeh këtë të vërtetë të provuar nga drejtësia ndërkombëtare, atëherë kjo nuk ka të bëjë me shpifjet që bën gazetari në fjalë, por me karakterin, motivet, përgjegjësinë e tij profesionale dhe shërbimet që ai bën jashtë së vërtetës. Dhe së treti, Raxhimi akuzon fort Kosovën se "bën presion mbi dëshmitarët" dhe se për këtë shkak nuk është bërë e mundur të hetohet çështja që ai ka ngritur në media.

Në fakt gjatë intervistës që gazetari me emër shqiptari ka dhënë edhe për këtë gazetë austriake bie në sy se ai nuk ka për qëllim të zbulojë një të vërtetë. Kjo thjesht se tregtia me organet e brendshme të viktimave serbe është një fantazi dhe imagjinatë e shpikur në Beograd. Madje dhe shiringat ka mundësi t'i kenë çuar në shtëpinë e shqiptarit në Mat ata që e kanë "sinjalizuar" gazetarin Raxhimi për të shkuar "në vendngjarje". Ndërsa shumë akuza të tjera që ai bën kundër shqiptarëve si popull, janë më serioze sesa shpikja e tregtisë së organeve, e cila mund të provohet lehtë si një prodhim serb i hedhur në tregun e politikës për konsum ditor.

Ai thotë "Kur shqiptarët e Kosovës sundoheshin nga serbët në Jugosllavinë e dikurshme, këta bojkotuan institucionet e Serbisë dhe donin të arrinin të drejtën e vetëvendosjes. Kësisoj kanë reaguar serbët sot. Ata nuk marrin pjesë në jetën politike të vendit dhe e shohin veten si qytetarë serbë", duke paralelizuar në stilin beogradas e moskovit. Më pas Raxhimi deklaron se "serbët në Kosovë janë të kërcënuar" nga shumica shqiptare, duke e përdorur këtë "si argument" të idesë se 100 mijë serbë të enkalvizuar, sa janë sot në Kosovë, paskan të njëjtën të drejtë si edhe 2 milionë shqiptarët për vetëvendosje, d.m.th ai provokon me teorinë e ndarjes së Kosovës.

Është e mjaftueshme kjo pjesë e akuzës së tij për gjendjen aktuale në Kosovë, për të dalë në përfundimin se shpifja e gazetarit me emër shqiptar, Altin Raxhimi, në BBC e median perëndimore është një cinizëm i llojit të veçantë gazetaresk, i cila ishte artikuluar në fillimin e shekullit XIX nga ana e ish-kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviç, përmes librit të tij racist "Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha". Nuk ka rëndësi është ose jo i shpërblyer ai për këtë shpifje, por intervista në fjalë na bën me dije se ai nuk është gjendur rastësisht në këtë pozicion. Kjo intervistë në "Der Standard" dëshmon se Raxhimi i është përkushtuar një misioni që ka në themel shpifjen dhe denigrimin e shqiptarëve. Ndërkaq gjithë këtë inskenim e justifikon me hipokrizinë, sipas së cilës, "Ne duhet që të vërtetën ta shohim në sy dhe nuk mund të shkohet gjithmonë me formulën "Po dhe serbët e kanë bërë këtë"".



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora