Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marius Dobrescu: Proza e Ramiz Gjinit rrezaton një nostalgji...

| E shtune, 02.05.2009, 01:44 PM |


Ramiz Gjini
Ramiz Gjini
Proza e Ramiz Gjinit rrezaton një nostalgji për kohë e vende të lashta e të munguara

Ndjesitë e tij të pashmangshme e të fuqishme prej aktori dhe shkrimtari, përcillen përmes një sensibilizimi të personazheve vdekatarë.

Nga Marius Dobrescu

         Kur e perktheva tregimin e parë të Ramiz Gjinit, pata një stepje, pasi nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë shkrimtar.
        Tregimet shumë të bukura të librit “Atdheu prej Dëbore”, ngase qenë shkruar me dorën e sigurtë të një shkrimtari profesionist, nuk dija si t’i trajtoja.
Pastaj, duke marrë në dorë njërin pas tjetrit vëllimet e tij të botuara viteve të fundit, bindja mu forcua më tepër. Kështu, unë kuptova se kisha të bëja me krijime të një shkrimtari bashkëkohor të formuar jashtë Shqipërisë, por të lidhur shumë ngushtë me karakterin e veçantë të realiteteve të saj.
      Letërsia shqipe ka njohur raste të ngjashme me shkrimtarë klasikë, modernë si dhe bashkëkohorë, shkrimtarë, vepra e të cilëve, është një pasuri e paçmueshme që nuk duhet humbur. Sidomos, kam parasyshe ketu, Lazgush Poradecin e Mitrush Kutelin, tashmë të njohur nga të gjithë.
       Por le të kthehemi tek Ramiz Gjini.
       Porza e tij rrezaton një nostalgji të pafund për kohë e vende të lashta e të munguara. Ndjesitë e tij të pashmangshme e të fuqishme prej aktori dhe shkrimtari, përcillen përmes një sensibilizimi të personazheve vdekatarë.
       Mjafton të përmendim në këtë vëllim të përkthyer në rumanisht tregimet “Atdheu prej Dëbore”, apo “Dërgesa e Zotit”, për të kuptuar forcën sugjestionuese të artit të tij.”
Të dy këto tregime, na fusin në një botë të mrekullueshme fëmijërie, ku gjithçka është e mundëshme dhe asgjë nuk është e ndaluar.
       Toni i narrativës, është i ngrohtë e gjith afrimitet. Duke pasqyruar  me thjeshtësi naivitetin e moshës së fëmijërisë, prozatori Ramiz Gjini, na fut në një botë, ku gjithshka duket si një breshër kristalesh i shpërndarë me shpirtëmadhësi mbi realitet tona pragmatike e egoiste.
       Në librin “Atdheu prej dëbore, që unë kam përkthyer, gjendet një seri tregimesh me subjekte nga jeta fshatarake. Ngjarjet ndodhin në një fshat të quajtur Biboll, një vend që aktualisht, nuk gjendet në asnjë hartë të botës, por gjendet në mendjen e shkrimtarit.
       Personazhet janë tërësisht autentikë e plot jetë. Ata flasin në dialektin e tyre të pasur lokal, pak të vështirë, por jashtëzakonisht plastik dhe shumë të gjallë.
       Shkrimtari ka zotësinë të shpërndajë e të sjellë në masa të sakta gjithë elementët e një tregimi modern, brenda te cilit, nuk mungon as melankolia, as humori, as sarkazma dhe as mençuria popullore. 
       Subjektet nuk janë aspak spektakulare, por vijnë si produkt i jetës së përditëshme e rreale, anipse dramatike të fshatit. Nostalgjia e shkrimtarit e mbush lëndën tejendanë, duke u bërë kështu, fibra e tekstit të narrativës së tij. 
        Kurse ato dodhi të jetës amerikane, që gjenden në tregimet e tij, janë shprehje e përballjes së Gjinit me realitetin në të cilin aktualisht ndodhet dhe që ai e ka adoptuar. Ky realitet është diametralisht i kundërt me atë të një fshati të largët ballkanik.
Konfrontimi me realitete e mendësi të tilla të ngritura në përmasat e një lufte të vërtetë, është përshkruar në tregimin ”Kthimi i Dajës Alem”.
        Në këtë prezantim të shkurtër të këtij vëllimi, duhet theksuar se proza e Ramiz Gjinit, tregon qartë, që letërsia shqipe, nuk shkruhet vetëm në Shqipëri, Kosovë apo  Maqedoni. Ajo shfaqet edhe në diasporë, madje, asaj i shtohet një stimul shtesë: vuajtja e të shpërngulurit.  Nostalgjia e emigrantit të larguar nga atdheu, e shtyn atë edhe më tepër drejt letërsisë.
         Në rastin e veçantë të Ramiz Gjinit, ajo vjen me rezultate të admirueshme.( Parathanie e librit “Atdheu prej Debore”, i përkthyer në rumanisht)

 Përkthyesi i Kadaresë prezanton Ramiz Gjinin në Rumani
 
 Tregimet e Ramiz Gjinit kanë një parfum nostalgjik, janë të mbushura me kujtimet e vendeve dhe njerëzve të afërt të mbetur shumë të gjallë në memorien e autorit.


Para disa ditësh doli në Bukuresht vëllimi “Atdheu prej dëbore” i shkrimtarit shqiptar Ramiz Gjini.
Vëllimi përmbledh tregimet më të mira të këtij prozatori, i cili banon në Amerike prej gati dhjetë vjetëve. Përkthyesi i tregimeve të Ramiz Gjinit është Marius Dobresku, shkrimtar dhe gazetar rumun, fituesi i çmimit “Penda e argjendtë” në vitin 2006.
Dobresku është gjithashtu i njohur si përkthyesi i Ismail Kadaresë në gjuhën rumune.   
Vëllimi në fjalë përmbledh 15 nga tregimet më të arritura të këtij shkrimtari shqiptaro-amerikan dhe ka një parathënie mbi Ramiz Gjinin dhe veprën e tij.
 “Nëpërmjet tregimeve të tij, kam njohur një shkrimtar të formuar jashtë Shqipërisë, por të lidhur kryekëput me realitetet e saj”, shkruan Dobresku në parathënie.
Letërsia shqipe ka njohur mjaft rastë të tilla, duke filluar me klasikët, modernët dhe duke mbaruar me autorët e sotëm. Dhe nga kjo dukuri ajo nuk humbi asgjë, përkundrazi.Shembujt e Lasgushit,  Mitrush Kutelit, Kadaresë e dhjetëra te tjerëve janë shumë të njohur”.
Tregimet e Ramiz Gjinit kanë një parfum nostalgjik, janë të mbushura me kujtimet e vendeve dhe njerëzve të afërt të mbetur shumë të gjallë në memorien e autorit.
Libri ështe botuar nën kujdesin e organizatës Lidhja e Shqiptareve të Rumanisë, të kryesuar nga deputetja Oana Manolesku.
Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë boton, ndërmjet Shtëpisë Botuese “Privirea” dhe me financim nga qeveria rumune, libra te shkrimtareve shqiptarë, pavarësisht nga vendi ku ata jetojnë dhe krijojnë.
Vitin e kaluar doli tek “Privirea” një vëllim me vjershat më të mira të poetit të ri Ermir Nika, kurse sivjet organizata e shqiptareve rumune do të organizoje një simpozium të kushtuar poetit të madh Lasgush Poradeci. (F. Struga – Bukuresht)

Për ZSH: Kozeta Zylo