Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ejup Ceraja: Poshtërimi si formë e pashkruar ballkanase

| E shtune, 02.05.2009, 06:14 PM |


POSHTËRIMI SI NORMË E PASHKRUAR BALLKANASE

Ismail KADARE: "Poshtërimi në Ballkan" - sprovë, Onufri - Tiranë, 2004

(Recension libri)

Nga Ejup Ceraja

Hyrje

Shkrimtari i madh me përmasa botërore Ismail Kadare, në fillim të vitit 2004, botoi librin "Poshtërimi në Ballkan" - sprovë. Ky libër, sipas mendimit tim, është karakteristik i llojit të vet.

Nëpërmes librit "Poshtërimi në Ballkan", Ismail Kadare - njohës i mirë i mentalitetit ballkanas e ka dhënë një pasqyrë të këtyre popujve të të kaluarës dhe të tashmes me zigzaget jetësore, që i karakterizojnë... Përuljet e popujve ballkanas, që ia bënin njëri-tjetrit, Kadare i nxjerr gati si reciproke sipas baticave e zbaticave kohore e hapësinore. Në këtë reciprocitet më së keqi kanë kaluar dhe kalojnë shqiptarët si popull e si komb në trojet e tyre etnike: ca nga robëria shumëshekullore osmane, dikur - ca nga cenet e fqinjëve tash. Por, sipas Kadaresë, as shqiptarët si popull dhe si komb nuk mund të paraqitën si engjëj se edhe ata, për fat të keq, i kanë pasur orët e veta, por assesi në përmasa si janë kryer ndaj tyre, po të një "tensioni më të ulët".

Sipas Kadaresë gjatë historisë së këtyre popujve ka pasur poshtërime të njëmendta, po edhe poshtërime të shpikura (të shpifura). Poshtërimet e shpikura (shpifura) kanë qenë dhe kanë mbetur më të rrezikshme. Ato kanë shërbyer si thika me dy tehe. Vendet apo popujt, që janë hequr si të poshtëruar e kanë shfrytëzuar atë si alibi për kundërsulm, e më pas për krime kundër të tjerëve...

 Në vazhdim Kadare duke shkruar për popullin shqiptar, i cili në fillim të shekullit të njëzet po dilte në dritë dalëngadalë nga robëria shumëshekullore, flet për rilindësit shqiptarë se paralajmëronin zëshëm se nga mjegulla nuk po dilte një përbindësh, po një popull i lashtë, që kërkonte hisen e vet të lirisë mbi këtë tokë e nën këtë qiell në trojet e veta etnike. Se liria e tij nuk mund të ishte kërcënuese për askënd, po përkundrazi. Por, keqkuptimi fatkeqësisht vazhdoi...

Tri poshtërime  ndaj shqiptarëve të kohëve të fundit

Kadare, në fillim të këtij libri, shtron poshtërimin si mentalitet, që popujt ballkanas mundohen dhe ia bëjnë njëri-tjetrit në dy rrafshe: e para, një poshtërim i tillë e çon popullin që viktimizohet drejt një humnere, për të mos thënë drejt një katastrofe, siç shprehet vetë autori, dhe e dyta, e egërson viktimën deri në atë shkallë sa ta shtyjë në një revansh...  Këtu Kadare bën një digresion të vogël, duke thënë se në këtë katrahurë shumëshekullore më së keqi e më së rëndi e pësuan hebrenjtë brenda tremijë vjetësh kohorë, që kulmoi me Holokaustin kah mesi i shekullit të njëzet. E menjëherë pas tyre vijnë shqiptarët në Ballkanin e trazuar. Poshtërimin e shqiptarëve nëpër dekada e shekuj, në këtë Ballkanin tonë herë të martirizuar e herën tjetër të çoroditur, Kadare e jep në vijim, duke e vënë theksin në fillim të këtij mijëvjeçari të tretë (pra në fillim të shekullit XXI).

Sipas Kadaresë janë tri ngjarje me peshë, fatkeqësisht për të keq, që kishin e kanë për qëllim poshtërimin e shqiptarëve, në përgjithësi e të shqiptarëve brenda kufijve administrativ të shtetit të sotëm shqiptar, në veçanti.

Ngjarja e parë, që e fillon zezonën cinike, dinake e qëllimkeqe, ishte ajo e Himarës së tetorit të vitit të kaluar (2003), kur: "Shqiptarë dhe grekë, ose më saktë zuzarë të dy kombeve, të kapluar nga një mllef primitiv me fjalë, me gjeste, me ulërima, dëshmuan pa ndonjë arsye mos durimin e tyre kundër vendit që quhet Shqipëri, dhe popullit që e banon këtë vend, shqiptarëve…" (fq. 9-10). Derisa në këtë pështjellim, thotë Kadare, zyrtarë grekë kishin gisht dhe ishin të përzier qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi, autoritetet shqiptare nuk morën edhe aq mundim për mbrojtjen e dinjitetit të atdheut të vet nga ky poshtërim, por preferuan heshtjen, që u cilësua si përulje…   

Ngjarja e dytë, që ishte e mbuluar me velin e hiles e të inskenimeve të mendësisë ballkanike, ishte ajo, që synonte me çdo kusht, pa përfillur as etikën më elementare, ta përvetësonte figurën madhore të Nënë Terezës - të kësaj shenjtoreje shqiptare. Përvetësimin e tillë u munduan ta bënin si politika, ashtu edhe shkenca maqedonase. Shpeshherë ka ndodhur e ndodh se ata që kanë mungesë në figura të mëdha të njerëzve të kulturës, të artit, po edhe strategë me përmasa botërore, mundohen që ato figura a personalitete ose t'i "shpikin...", ose t'i "huazojnë" nga të tjerët, e t'i përvetësojnë si personazhe, që kanë dalë nga gjiri i tyre, siç u munduan ta bëjnë këtë me figurën e Nënë Terezës, në prag të shenjtërimit të saj në tetor 2003 dhe siç u munduan ta përvetësojnë figurën e heroit tonë kombëtar në fillim të këtij viti (2004). Shi mu për këtë pothuaj të gjitha qendrat akademike, shkencore e kulturore botërore e pranuan një veprim të tillë, thellësisht të padrejtë, në heshtje. Mjaftonte që Nënë Tereza të shpallej çka do tjetër me kombësi: maqedonase, vllahe madje edhe rome (Indi), vetëm e vetëm që të mos shpallej ashtu siç ishte e lindur, shqiptare (Kadare), duke u nisur, në radhë të parë, nga vendlindja e saj, Shkupi.  Pra, u munduan t'ia humbin origjinën shqiptare edhe pse ajo sa e sa herë e kishte pohuar me gojë të vet se unë nga gjaku jam shqiptare, por vepra ime i takon mbarë njerëzimit…

Ngjarja e tretë, gjithnjë sipas Ismail Kadaresë, ishte një emision kontakti për minoritetet në një TV në tetor të vitit 2003. Përmes atij emisioni - thotë Kadare - "përfaqësuesit" e minoritetit maqedonas, egjiptas dhe romë, për të drejtat e të cilëve këto ditë po çohet një pluhur sa ta zërë frymën, jepnin e merrnin, duke hedhur gurë e dru mbi vendin e shtetin ku ata jetojnë e shtetas të të cilit janë, të cilët po kërkonin, në mes tjerash, hiq më pak se sa një Shqipëri si një vend shumëkombësh... Pakicën maqedonase - thotë më pastaj Kadare - në atë emision e përfaqësonte një burrë me emër mysliman, që fliste, kushedi pse, në emër të krishterëve maqedonas. Kurse tjetri që e quante vetën si zë i pakicës "egjiptase" pohonte se ata ishin të vendosur në trojet pellazge-ilire të etnisë sonë më herët se vetë shqiptarët - në kohën e faraonëve (kupto: fara jonë).

***

Në vazhdim Kadare shkruan për racizmin si damkë shoqërore. Për t’u flakur racizmi nga mentaliteti ballkanas, popujt e këtij rajoni, në radhë të parë, duhet ta njohin mirë vetveten, t’i shkundin nga mentaliteti i tyre, si i shkund pema gjethet e tepërta të thara gjatë verës, përrallat, mitet e legjendat me të cilat janë ushqyer me vite, dekada e shekuj që, në të shumtën e rasteve, qenë mashtruese. Po edhe fyerjet, hera-herës groteske, që ia bëjnë njëri-tjetrit pa peshën e arsyes sa e si duhet... Kur popujt ballkanas fillojnë t’i përmbushin këto kushte të pashkruara, mund të thuhet plot gojën se epoka e emancipimit pozitiv ka filluar edhe për ta dhe kanë hyrë në rrugën e rrjedhave demokratike botërore...(Kadare)

Pra, racizmi shkakton dëme..., duke i përqeshur e nënçmuar të tjerët. Dhe, pasi flet me të drejtë për prirjen filosemite dhe mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, që është një krenari e ligjshme jona, po që nuk mund të shërbejë si alibi dhe as si pasaportë, që do t’ua jepte shqiptarëve të drejtën që do të shpalleshin si popull që nuk e njohin racizmin, Kadare shkruan: “Thjesht e me plot gojën mund të themi se, për fat të keq, si shumë të tjerë, populli ynë ka qenë dhe mbetet i prekur nga kjo sëmundje e rëndë. Është e vërtetë se racizmi i tij është i atij lloji që mund të quhet “i tensionit të ulët”. Është po aq e vërtetë se historia shqiptare nuk njeh as pogrome, fushata, psikoza e programe raciste, por kjo s’do të thotë se shqiptarët në këtë fushë, janë engjëj.”(21) Shprehjet: jevg, magjup, gabel; emërtimet shkja, shkinë, me nder grek, shule  etj.; pastaj shprehjet: halldup, anadollak, turkoshak etj., si dhe (breshkomadh, papino etj.). Pa marrë parasysh shkakun e tyre, janë me ngjyrime raciste  dhe, vazhdojnë t’i sjellin një dëm të ndjeshëm çështjes shqiptare. - pohon Kadare.

Në vazhdim, duke folur për dy nocione aq shumë të përfolura në ditët tona, si për: patriotizmin dhe nacionalizmin dhe lojës e mjegullimit rreth këtyre dy nocioneve, po edhe duke i përdorur me dy kute... Kadare ndalet kryesisht te ato që, sipas një logjike, janë tabu për popujt e vegjël, kur është fjala për shenjat dalluese kombëtare, si: "Himnet dhe thirrjet: Rroftë X vendi! Zoti e bekoftë mbretërinë! etj., janë gjithashtu për ne. Për ju mund të ishin të tjera, p. sh.: Poshtë vendi ynë! Zoti na mallkoftë! etj."(32) Mendoj se për këtë pohim të vetin Kadare e jep një gjykim lapidar, kur shkruan: “Gjithmonë e më tepër ai do të ketë nevojë për dashuri. Shterrja e burimeve të dashurisë, kudo që të ndodh, në livadhet e Evropës, apo në rërat arabike, në preritë apo në stepat, është gjithmonë humbje për botën.”(33)  

 Pasi shkruan për keqbërësit e ndryshëm që gjinden edhe të populli shqiptar si te çdo popull tjetër ballkanas e më gjer:  aventurierë e mafiozë të ndryshëm Kadare nxjerr përfundimin se të tillët askund nuk identifikohen me një popull të tërë si ndodh rasti me popullin shqiptar. Më tutje shkruan për pohimet qëllim këqija të një akademikeje angleze, Gabriele Hanah, kinse për njoftimin që ka si akademike rreth shqiptarëve, sidomos të veriut, kuptohet për keq, që bie në kundërshtim të plotë me shkrimet e dashamirës shqiptare Mis Edith Durham.  

Fatmirësisht banimi i përhershëm i Kadaresë këto 13-14 vjetët e fundit në kryeqendrën botërore të kulturës e të artit, në Paris, në një anë dhe njohja e mirë e gjuhës frënge, angleze e ndoshta edhe gjermane (mendoj), në anën tjetër, tok me talentin e tij të një shkrimtari të madh, të një krijuesi të hollë e të talentuar, ia ofrojnë të gjitha mundësitë e hetimit më për së afërmi e të gjithë  asaj që shkruhej e shkruhet gjithandej Evropës, në kontekstin tejet negativ për ne si popull e si komb me pak mbulesë e me shumë hamendje dashakeqëse. Në të shumtën e rasteve ata shkencëtarë, publicistë, shkrimtarë etj., kishin e kanë formuar bindje tejet të gabuar për ne si popull e si komb në mbështetje të të “dhënave bindëse” të një morie shkencëtarësh, publicistësh, shkrimtarësh etj., të fqinjëve tanë, që, secili në kohën e hapësirën e vet është munduar që ne shqiptarëve të  na paraqes në sytë e botës si njerëz të egër, madje edhe me bisht... Për të gjitha këto Kadare sjellë shembuj të llojllojshëm.

Siç shihet Kadare shkruan me kompetencën e një studiuesi të zellshëm e njohësi të shkëlqyer të mentalitetit ballkanas për të gjitha ato poshtërime..., që bëhen përballë nesh sot, por fatkeqësisht, kësaj radhe jo në trevën ballkanike, po jashtë saj gjithandej Evropës që vetëm ata që i thonë i dinë qëllimet e tyre…

Dhe, pasi Kadare pohon edhe sikur të ishin këto të pavërteta të vërteta, ç'e keqe i vjen Evropës e më gjerë nga prejardhja ilire e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre nga ilirishtja; nga fytyra emblematike e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe nga figura madhore e Nënë Terezës?…

Tezën ilire të prejardhjes së popullit shqiptar, thotë Kadare, nuk e zbuluam ne shqiptarët, po ajo u shtrua përpara tre shekujsh nga studiuesi gjerman Gotfrid Lajbnici etj., etj.

Në vazhdim Kadare, pasi flet gjer e gjatë për prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe për Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, që, siç e theksuam më lart Kadare pohon se nuk ishte kjo shpikje e ne shqiptarëve, ndalet te “mitet” (fjalën mitet e vë në thonjëza) të rilindësve tanë. Në të vërtetë Kadare shpalos programin  pro perëndimor të rilindësve tanë si: flakja e pushtimit turk dhe të orientimit pro osman; zgjimi i ndërgjegjes kombëtare; ruajtja e tërësisë së truallit të Shqipërisë; pastaj flet për orientimin perëndimor të saj; shkruan për harmoninë fetare në mes të tri feve kryesore, që mbizotërojnë te shqiptarët; ndalet me përkushtim te harmonia midis Veriut e Jugut dhe te miti i kultit të gjuhës shqipe...

Ri mohuesit tanë i gjetën njolla Rilindjes së vendit të vet, po nuk panë asnjë të keqe nga mitet, që ishin paralajmërueset e të keqes së fundit në Ballkan, që do të kulmojë në vitet e fundit të dekadës së fundit të shekullit XX...

Kadare, në vijim, i kthehet edhe njëherë prejardhjes shqiptare të Nënë Terezës, duke i qortuar rreptë e me të drejtë, kësaj radhe jo mohuesit e huaj, po mohuesit shqiptarë, që s’ishin të paktë, sidomos në Tiranë. “Për çudi – thotë Kadare – gjithë mllefi i bartësve nuk drejtohet kundër provokatorit, që e hodhi në opinion një mashtrim, por kundër atyre që i thanë “jo” mashtrimit”.

Mu pse ajo i përkiste mbarë njerëzimit, duhej të tregohej: data e lindjes, prejardhja e saj dhe data e vdekjes. Ajo vetë, në një deklaratë të famshme të saj, sigurisht duke i marrë me mend ato që do të thuheshin e do të shkruheshin për te pas vdekjes, kishte thënë: “Nga gjaku jam shqiptare”. 

Se sa peshë ka prejardhja shqiptare e Shenjtores sonë Nënë Terezës, Kadare e jep në formë të një ligjërate të drejtë përmes gojës së një fëmije të një mërgimtari tanë, i cili ishte i shtrënguar të shkojë në shkollë e të mësojë në një gjuhë të huaj, tok me frikën e përbuzjes e të nënçmimit qoftë nga shokët e tjerë, qoftë nga mësuesit a dikush tjetër. Pra, ishte prejardhja shqiptare e Nënë Terezës ajo që atij e qindra e mijëra të tjerëve do t’u jepi zemër të shprehen: “ju vendin tim e shpërfillni, po lavdi Zotit është një shenjtore që ju e nderoni, Nënë Tereza. Ajo është nga vendi im”.

Në vazhdim Kadare i kthehet prapë acarimit midis shqiptarëve e vllehve, ku përzihen edhe romët. Kadare thekson se ata që i fryjnë kësaj llogarisin në dy përfitime: në përfitimin material për vete dhe në: “ne mund ta dëmtojmë Shqipërinë”...

Kadare shkruan edhe për padrejtësitë e shumta, që u bëhen emigrantëve shqiptarë, sidomos atyre ekonomik, pa marrë parasysh herë pas here sjelljet e tyre, ndoshta, edhe të pahijshme dhe të dëmshme, me bazë emigrantët shqiptarë në shtetin fqinj – Greqinë. Dhe për këtë Kadare shkruan: “E keqja ka marrë një ngjyrim të qartë  racist kur drejtësia greke, pas ankesave të viktimave, e ka lënë përsëri këtë bishë të egër si përkthyese, me arsyetimin se “përderisa ajo di serbisht e turqisht, kjo është e mjaftueshme që të përkthejë shqiptarët!”  Dhe, falë atyre “përkthimeve” shqiptarët në gjykatën e Selanikut dënoheshin me pesëmbëdhjetë vjet burg, njëzet, njëzet e pesë e disa herë edhe burg i përjetshëm. – thotë, në mes tjerash, Kadare.

Kah fundi Kadare shkruan për fatin, të themi kushtuimisht, të popullit shqiptar, në përgjithësi e për fatin e popullit shqiptar brenda kufijve administrativ të Shqipërisë së sotme, në veçanti, me theks të veçantë pas Luftës së Dytë Botërore. Kur si për ironi të fatit nga e majta Shqipëria dhe shqiptarët quheshin të djathtë, kurse nga vetë e djathta quheshin të majtë. Nga qarqet konservatore të krishtere Shqipëria quhej myslimane, kurse nga myslimanët radikalë quhej bukëshkalë, duke e dhënë në kllapa këtë fakt: (“Gjatë luftës së Kosovës, një pjesë e qeverisë arabe, të shtyrë nga arsyeja e fundit ose nga antiamerikanizmi e nostalgjia për botën e tretë, anuan haptazi nga Serbia”).

Në vazhdim Kadare shkruan për miqësinë e simpatinë tradicionale që shqiptarët e kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga dekada e dytë e shekullit të njëzet, kur kryetari amerikan Willson e shpëtoi Shqipërinë e atëhershme nga copëtimi i mëtejshëm, po edhe nga zhdukja e saj njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Dhe herën e dytë në dekadën e fundit të po atij shekulli, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës të udhëhequra nga kryetari i nderuar zotëri Bill Klinton, të cilat i prinë koalicionit të NATO-s në çlirimin e Kosovës së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës...

Në vend të përfundimit

Falë Zotit kudo në jetë sundon ligji i nënës natyrë që pas dimrit patjetër vjen vera; pas së keqes e të ligës, patjetër vjen e mira dhe e devotshmja; se jo të gjithë e kudo kanë formuar bindje të gabuara e përbuzëse përballë nesh, duke u mbështetur në keqbërësit e ndryshëm, që hasen te të gjithë popujt. Kuptohet diku më pak e diku më shumë, varësisht nga shkalla e zhvillimit të tyre shumë më shumë ekonomik, sesa kulturor.

Dhe kështu nëpër të 90 faqet sa ka ky libër mjaft karakteristik me peshë e njohuri të thella për mentalitetin tonë ballkanas, Kadare me një kompetencë prej artisti të fjalës së shkruar dhe të një studiuesi mendjemprehtë, përfundon:

“... Të sëmurë apo të shëndoshë, ne jetojmë dhe do të jetojmë në të njëjtin pavion dhe, duam apo s’duam, fatet i kemi të përziera. Ata që nuk arrijnë ta kuptojnë këtë, s’kanë kuptuar asgjë nga kjo botë.”(95)

Dhe, krejt në fund:

"Një këngë e adoleshentëve, e shpërndarë tani vonë nëpër Shqipëri, e jep në mënyrë prekëse këtë kumt:

Shqipëri, atdhe i dashur

Ne s'të lemë ty të varfër.

         ...Ndaj premtimi "s'të lemë ty të varfër", është i barasvlershëm me "s'të lemë ty të biesh".

Asnjë popull s'duhet lënë të bjerë. Sikur adoleshentët e Ballkanit perëndimor, ta këndonin një këngë të ngjashme për popujt e tyre, ky do të ishte një lajm i mirë. E nëse do ta këndonin bashkërisht për gjithë gadishullin, ky do të ishte një lajm i madh."(96-97)

Euskirchen, më 20-26. 2. 2004