Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nga A në ZH - Portret i paautorizuar i Arian Çanit

| E shtune, 28.07.2007, 08:25 PM |


A - si Arian, emri i tij që ai e pëlqen jashtë mase. Sikur të mund ta zgjidhte vete? Me siguri do zgjidhte sërish Arian.

B – si borxhet. E ka tmerr ta bëjë një gjë të tillë. Dhe kur nuk e ka bërë kur i kishte ende gjërat të pasigurta, aq më pak do ta bënte tani që është një ndër gazetarët më të paguar.

C – si cigarja. As që priti të dilte ligji anti-duhan që ta linte. Ai nuk është nga ata që i nënshtrohet vullnetit të të tjerëve. E la atëherë kur e vendosi ai vetë, thjesht për t’u ndjerë më mirë. Për herë të katërt ama!

Ç – si Çani. Sado që ai e do emrin e tij, është nga të paktët njerëz që ia ka dalë të identifikohet thjesht me mbiemër. Çani dhe kaq!

D – si defektet. Kur pyetet nëse ka të tilla, ai nuk di të përgjigjet. Të tjerët duhet t’ia numërojnë, apo jo...

E – si Eni dhe Eno. Përkatësisht gruaja dhe djali i tij. Ka zgjedhur dy emra të përafërt. Mjaft origjinal.

F – si femrat. Eshtë ndër të rrallët që i trajton gjithë dashuri e ledhe në studion e tij.

G – si “Gazeta Shqiptare” ku ai për disa vjet ka qenë kryeredaktor. Një drejtues që do të kujtohet gjatë për titujt bombastikë që e bënin gazetën “best seller”.

GJ – si gjyshja e tij greke Evdhoksia, e cila banonte së bashku me gjyshin e tij Sokratin fiks përballë shtëpisë së tij.

H – si harrakat. Nuk përfytyrohet kurrsesi fëmijë i qetë Çani. E megjithatë, mund të cilësohet si ata harrakatët që megjithatë janë të bukurit e mamit.

I – si intervistat e tij që bëjnë të skuqen edhe njerëzit më guximtarë.

J – si jeta e natës. Nuk dihet sesa i preferon Çani pub-et e natës, ama nuk lë pa u bërë thirrje të tjerëve në çdo emision që të shkojnë tek Venue.

K – si këngët që këndon në dush. Jo ndonjë repertor festivalesh, por këngët që ia mëson djali i tij katërvjeçar.

L – si Ledio, regjisori i spektaklit të tij. Një gjetje tejet origjinale e Çanit. Aq sa shumë njerëz i bën të mendojnë nëse ai ekziston vërtet apo jo?! Apo nëse është i njëjti Ledio nga një ekran në tjetrin.

M – si mesazhet në celular që nuk rreshtin gjatë gjithë emisionit. Sepse ndër të tjera Çani ka bërë edhe një revolucion televiziv: kur të gjithë i fiknin celularët, ai e lë hapur.

N – si Ngjeqari, Xhevair Ngjeqari, njeriu që duhet t’i jetë mirënjohës përjetë gazetarit, që emision pas emisioni bëri që ai të fitojë kauzën e tij: të marrë lejen për ndërtimin e një rruge me koncesion.

O – si origjina e tij e përbashkët greko-shqiptare. Një fëmijëri e ndarë mes kalldrëmeve të Gjirokastrës, shokëve të tij që flisnin shqip dhe gjyshes së tij që fliste greqisht

P – si puthja e tij e parë. Data nuk i kujtohet ekzaktësisht, por duhet të ketë ndodhur diku nga tetëvjecarja, në klasë të 6-të ose të 7-të.  

Q – si të qëndruarit pas derës së dhomës së gjumit të prindërve për të përgjuar. Kur ishte i vogël ama.

R – si refuzimi për të pranuar rregullat e të tjerëve. Në studion e tij të zonës së lirë ai është zot. Ligjet vendosen vetëm prej tij, duke filluar që nga karrigia ku do të ulet i ftuari, qoftë edhe ministër, sa do të rrijë, pyetjeve që do t’u përgjigjet. 

RR- si rrahjet. Nuk mbahet mend hera e fundit që mund të jetë zënë me ndokënd, por duhet të ketë kaluar shumë kohë. Nuk është nga ata tipat që kapet me grushte.

S – si stërvitja. Nuk është ndonjë frekuentues i rregullt palestrash. Do të donte të ishte i rregullt. Por megjithatë, nuk e lë kurrë pas dore ruajtjen e formës fizike.

SH – si sharjet. Vetëm dy të tilla ka Arian Çani për ata që ia sjellin me të vërtetë në majë të hundës: vemje dhe larvë.

T – si TVA, televizioni ku ai u shfaq për të parën herë si drejtues televiziv. Në fillim do të dukej si një nga emisionet e shumta. Zhurma do t’i dëgjohej shumë shpejt...

U- si ububuja që e kap sa herë që detyrohet të ngjisë shkallët e avionit për të udhëtuar përtej Shqipërisë. Edhe Çani ka fikërat e tij. Dhe një ndër to është avioni, që ai e ka me të vërtetë fobi.

V- si Vizion Plus. Stacioni i fundit i Çanit. Të jetë vërtet i fundit?

X – si xurxull. Ai thotë se nuk i ka ndodhur ndonjë herë të pijë aq shumë. Shumë rrallë i ndodh të dehet. Në ato raste bëhet keq dhimbje koke. Asgjë më shumë.

XH – si xhaketa e tij e zezë, e pandashme që nga shfaqja e tij e parë, edhe në piskun e vapës. E megjithatë, qetësohuni, nuk ka vetëm atë. Por ka disa që ngjajnë si pika uji me njëra – tjetrën.

Y –  si të gjitha yjet e momentit që e gjejnë veten në emisionin e tij. Apo si personat e panjohur që e ndiejnë veten menjëherë yje.

Z – si “Zonë e Lirë”. Aq e lirë sa ç’mund ta bënte vetëm ai.

ZH – si Zhozi, kryetarja e Parlamentit, e preferuara e tij për ta pasur si të ftuar. Aq e pëlqen, sa nuk preferon t’i thërrasë Jozefinë, si emri i saj i pagëzimit. Sepse Çani ka variantin e tij: Zhozi.
 

Jeta