E premte, 29.03.2024, 07:12 AM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Qibrije Demiri - Frangu?

E shtune, 02.05.2009, 12:29 PM


Qibrije Demiri - Frangu?


Uluri o njeri


nëpër vajin e foshnjës

rrëshqas kah esenca

e kohës së nisur

lotët e tij lumenj

bëhen në mua


engjëlli

ashpër shpreh vajin

jeta mund ta bëj ujk

s‘ kam si  t’i them

uluri o njeri
 

maternitetit eci

në nuhatje

të  një mali

që sall erën e ashites

i njoh
 

shoh pikën e zezë

në atë vaj

dikush më thotë ec

më thotë ec moj


Hajde e bëhemi fëmijë


hajde

bëhemi fëmijë

ma trego gjuhën

ta tregoj zemrën

fundin e pusit

ku ka rënë përalla

 

edhe fëmijët

janë budallenj

nganjëherë

si për dhembje

bëhen të mëdhenj

 

sa e mirë duket jeta

e mashtrimi ka kuptim

kur bëhesh fëmijë

kur bëhesh trim

 

Mbrëmjeve
 

ndjehem konfuze

harroj pjatën

që m’ofroi dita

në një gjurmë qeni


futem në shtrat

copë letre e ndrydhur

provoj ta shkruaj ditën

në faqen e shpinës sime

 
sy të hakarritur në dhembje

 gojë plot shkumbë

 buzëqeshje të vdekura

trotuareve

 

 leckë të përlotur

 në kantonjerin e kohës e gjuaj

ditën  qelbësirë

bishë të ngordhur

e parafytyroj

 
Keq
 

keq e kam

gjithë ditët i bëj

mushka
 

ngarkoj e shkarkoj

mbi trupat e tyre

si arabaxhiu fshaj

bashkë me muzgun
 

ditët 

karvan mushkash

pihen si koktej

dhembjesh


e ato vdesin

duke marrë kufomën

e vet mbështjellë

me një cohë nga shpirti im


Tallje


shpërfilli kohën

hapësirën e pafundme

 
i gjej në vete të ndrydhura
 

shpërfilli

vetëvrasjet kamikaze

tërmetet
 

ditët kështu vriten

në fytyrën time


nuk përfilli

asnjë ngjyrë

asnjë zë

 
univers jam

dhe unë

 
Kopshti i Tutjes


eci për në Tutje

pa shije për ditët

arroganca më rritet

nga kryeneçësi e tyre
 

do t’i shtrydhja

si retë

vijnë  si të paftuarat

vijnë

si fyerjet
 

si reshje të papritura

kur të mungon ombrella

e  ti lakuriq je
 

më bëhet të bëhem farë

si Rozafa përmbi Bunë

të ndërroj gjithë atë reliev

t’iu jap tjetër shpirt vetëm

njëherë


eci për në Tutje e

nuk e njoh kopshtin e Tutjes

 

Koha


hajneshë deri në përsosmëri

gurmane deri në pafundësi

 
gjithë ditët i mbledh

si frutat e idhta m’i servirë

në tavolinë

 
pendla në ajër

m’i kap çastet më të mira

ma shton drojën në pjatë


në fyt më mbetet frika
 
 

Ikja nga mahnitja

 

mendimi

shtrihet në mua si mizoria

duke grimcuar

me të bukurën e shpirtit

 

sopatë e ndryshkur deri në gjak

vetja ime e heshtur

gjymton ëndrrat

rrënojë e madhe bëhet

si t ‘i kalojë

kam frikën e ngjyrave

që kanë

 

nga frika e akullit

nga frika e zjarrit

njerëzit bëhen të vakët

dhe ikin nga mahnitja

 

Episod bashkëshortësie

 

eci guralecëve

si nëpër eksponate

kohësh të vjetra

 

pasioni për artin

asnjëherë nuk më vdiq

e ndjej edhe në gurë

këtë tipar të mbrapshtë

 

s’je nga zonjat e zgjuara

nga ato të ndjeshmet je

thotë Bardhi


ngaqë më shikon si grua


acarimi ynë shtrihet në sofër

dhe hamë drekë

duke u shndërruar në mëlmesë

për njëri tjetrin

 

Poezisë

keq më llaston

më vesh e më zhvesh

nga shpirti hidhërueshëm

thuajse jam fustan

 

dyert e çmendisë

m’i hap me duar zjarri

harron se nuk jam

përditshmëria

 

fëmijë i llastuar

i kundërvihem vetes

kur më shkrep syrin

gjithçka timen dhunshëm



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora