E marte, 19.03.2024, 05:03 AM (GMT)

Mendime

Mark Marku: A është vjedhur deti?

E premte, 01.05.2009, 06:26 PM


Mark Marku
Mark Marku
A është vjedhur deti?

Nga Mark Marku

Ditët e fundit disa media e kanë akuzuar qeverinë shqiptare për marrëveshjen e fundit të nënshkruar mes saj dhe qeverisë greke për delimitimin e zonave kufitare mes dy vendeve. Sipas akuzave, nëpërmjet kësaj marrëveshje, qeveria shqiptare i ka dhuruar qeverisë greke rreth 225 kilometra katrorë në Detin Jon. Të dhënat që e vërtetojnë një gjë
të tillë janë të pakta për të mos thënë inekzistente, megjithatë, mediat që e kanë ngritur çështjen këmbëngulin
në ekzistencën e një skandali të tillë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes në një deklaratë të përbashkët të tyre për shtyp e kanë mohuar një gjë të tillë, e kështu çështja e dalë në publik ka mbetur e pasqaruar.
Në pamje të parë duket sikur ka shumë pak mundësi që qeveria shqiptare ta ketë bërë një gjë të tillë. Kjo për dy arsye. Së pari, sepse logjikisht nuk ka asnjë interes për ta bërë. Ajo është drejtpërdrejt përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve territorialë të vendit dhe më tepër se kushdo tjetër jep llogari para ligjit dhe opinionit publik për këtë. Vendi është në një situatë paqeje, pa ndonjë rrezik kërcënues për sigurinë dhe stabilitetin e tij, i sapohyrë në NATO, shqiptarët janë në rrethana të favorshme në Ballkan, kështu që nuk ka ndonjë motiv shtrëngues që do ta detyronte qeverinë shqiptare për ta kryer këtë akt. Arsyeja tjetër ka të bëjë me faktin se një çështje e këtyre përmasave nuk mund të mos zbulohet. Me t’u përcaktuar, kufijtë detarë janë lehtësisht të verifikueshëm. Madje, edhe më të verifikueshëm se kufijtë tokësorë. Vendosja e tyre është e përcaktuar sipas konventave ndërkombëtare dhe këto konventa e përshkruajnë qartë se kufiri detar duhet të jetë i barazlarguar nga kufijtë e secilit shtet. Nëse një kjo nuk respektohet, atëherë është lehtësisht e zbulueshme, rrjedhimisht edhe më pak e mundshme për t’u realizuar.
Nuk përjashtohet mundësia që mediat të kenë të drejtë. Për ta qetësuar opinionin publik, qeveria shqiptare duhet ta botojë të plotë tekstin e marrëveshjes me të gjitha detajet dhe të bëjë transparente procedurën e hartimit të saj. Botimi i marrëveshjes do të krijonte mundësinë e verifikimit të pikave të debatuara dhe do të mbyllte shtigjet për abuzimet e mundshme. Madje, vetë fakti i botimit të saj do të krijonte besimin se qeveria ka qenë korrekte në hartimin e marrëveshjes dhe se pala greke nuk ka fituar nga hapësira detare shqiptare.
Pas këtij akti do të kemi mundësi të verifikojmë nëse mediat kanë patur apo jo të drejtë në akuzat e tyre dhe nëse qeveria e ka bërë aktin për të cilin akuzohet.
Por nuk përjashtohet edhe mundësia e kundërt. Çështja e kufijve detarë mund të jetë edhe një truk pak a shumë i ngjashëm me atë të vjedhjes së orës së Bushit, i cili u përdor për të pakësuar efektet pozitive të vizitës së Bushit në Shqipëri. Vetëm se këtë radhë ka disa ngjarje nga të cilat duhet larguar vëmendja e publikut më saktë katër: vizita e zotit Berisha në Francë dhe përkrahja që iu dha atij si nga presidenti Sarkozi ashtu edhe nga ministri i Jashtëm, Kushner, paraqitja e kërkesës për anëtarësim në BE dhe përkrahja diplomatike që ajo mori nga personalitetet më të rëndësishme politike të Evropës, si dhe vizita e kryeministrit grek Karamanlis, pa harruar këtu një ngjarje të katërt pak më të largët, por që vazhdon të ketë ndikim në opinionin publik dhe këtu bëhet fjalë për pranimin e Shqipërisë në NATO. Pikërisht për këtë arsye ka mundësi të jetë menduar që gjëja e vjedhur të ishte më e madhe dhe as më shumë e as më pak po vetë deti.   



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora