E premte, 29.03.2024, 02:20 AM (GMT)

Faleminderit

Si të bëhesh vip

E shtune, 28.07.2007, 08:19 PM


Dikur shfaqej në “Miss Albania”. Pastaj si prezantuese në “Alba TV”. Por për Fjodora Fjorën kjo ishte shumë pak. TV Klan e ktheu në personazh. Aq sa të jetë e pranishme në faqet e shtypit. Për të folur për jetën e saj private. Por edhe për mbarimin e një lidhjeje nëntë vjeçare

Për t’iu rikthyer asaj herës së parë kur u shfaq më së pari para kamerave të televizionit “Alba”, Fjodora Fjora duhet ta lodhë paksa kujtesën. Jo sepse i ka hequr kryqin asaj periudhe. Por sepse tashmë ka vite që e ka kapërcyer atë kohën kur dilte në ekran thjesht sepse i pëlqente, kur bënte prezantuesen sepse i pëlqente të shfaqej në një ekran. Mjaftohej edhe vetëm duke lexuar horoskopin apo kuriozitet brenda emisioneve që drejtonin të tjerët. Sepse e dinte mirë se koha kur do ta quante veten gazetare thjesht sepse kishte të ftuar një personazh në studion e saj, nuk do të vononte shumë. Dhe ndodhi vërtet kështu. “Kopertina VIP”, emisioni i saj i përjavshëm në studiot e Tv Klan do të bënte kapërcimin e madh duke shfaqur në ekran një gazetare që e kishte lënë pas periudhën e eksperimentit, që bënte një emision të mirëmenduar me pyetje aspak rastësore e me personazhe nga më të lakuarit e momentit. Por jo vetëm kaq. Sepse ndërkohë ekrani nuk do t’i servirte vetëm personazhet në kolltukun e rrëfimeve, por do ta kthente dhe atë vetë në një personazh televiziv të lakmuar. Që kërkohet për të dhënë intervista, që cytet për të folur për jetën e saj private. Dhe Fjodora Fjora në këtë pikë di të ruajë shumë sekrete për veten. Por di edhe të rrëfehet. Për revistën “Jeta” ka rrëfyer fundin e lidhjes së saj nëntëvjeçare. Madje është rikthyer edhe në fillimet e saj kur si kumbar të emisionit të saj të parë ka pasur Ismail Kadarenë, që duket se ka hyrë me këmbën e djathtë...

Si ka qenë intervista jote e parë?
I ftuari i parë i “Kopertina Vip”, kur emisioni nisi rrugëtimin në vitin 2000, ka qenë Ismail Kadare. Kam biseduar me të në ambientet e Bar Piaca, një nga këndet më të preferuara të tij kur qëndron në Tiranë. Ka qenë një intervistë plot emocione, ku ndrojtja përzihej me dëshirën e madhe për t’u bërë pjesë e rëndësishme e gazetarisë televizive. Dhe fati e deshi ta nisja me një figurë të lakmuar nga shumë gazetarë, një shkrimtar i cili rrallëherë pranon të japë intervista, sidomos në momente të jetës së tij private. Me mua pranoi të bisedonte, nëse nuk gabohem flisnim për një botim të tij të fundit në gjuhën shqipe. Pyetja e parë nuk më kujtohet, por me siguri ka qenë tepër formale dhe ndoshta krejt intervista ka reflektuar ngurrimin tim prej fillestareje përballë një personazhi të përmasave të Kadaresë. Megjithatë, mbaj mend që rrëfimi i Kadaresë doli mirë në ekran dhe unë mora jo vetëm lavdërimet e para, por edhe kurajën për të vazhduar rrugën e gjatë të emisionit tim. Si dhe një mësim të rëndësishëm: përqendrimin që një gazetar duhet të ketë në fjalët që thotë i intervistuari i tij. Vetëm kështu ti mund të ndërtosh një intervistë të vërtetë.

Cili ka qenë personazhi më i thjeshtë për t'u intervistuar?
Në punën tonë nuk ka personazhe të thjeshtë apo të vështirë. Mund të ketë nga ata që hapen apo flasin më lehtë dhe nga ata që e kanë të vështirë një gjë të tillë, por të gjithë kanë nevojë për përkushtim të njëjtë. Ndonjëherë jam habitur nga thjeshtësia me të cilën kam realizuar intervista me yje të spektaklit botëror dhe më ka ardhur për të qeshur nga tekat e sajuara të ndonjë vip-i shqiptar. Puna që bëjmë është e mbushur me ngjarje dhe një galeri të tërë personazhesh, me të cilët ndeshesh çdo ditë. Disa prej tyre lënë gjurmë, disa të tjerë jo. Ndoshta një ditë mund të nxjerr intervistat më të bukura të “Kopertina Vip” në vite dhe t’i botoj, më besoni, njerëzit thonë shumë gjëra të cilat më vonë priren t’i harrojnë 

Fakti që vije nga një konkurs bukurie si “Miss Albania”, të bënte ta ndieje veten më pranë personazhit dhe më larg gazetares?
Fakti që për herë të parë u shfaqa në një konkurs bukurie, do të vazhdojë të më shoqërojë besoj ende për një kohë të gjatë, derisa mosha të bëjë të vetën. Kur njerëzit shohin një femër të bukur, e sidomos në media, janë të prirur të mendojnë se gjithçka nis e mbaron aty. Unë nuk besoj se mund të quhem personazh më shumë prej konkurseve të bukurisë sesa prej punës sime si gazetare. Përvoja ime e parë televizive, më shumë se 10 vite më parë, ka qenë vërtet një konkurs bukurie, por që mbeti aty. Gjithë angazhimin tim, gjithë energjitë e mija, ia kam kushtuar më pas profesionit të gazetarisë dhe njerëzit më njohin si gazetaren e kulturës në Tv Klan.

Je ndjerë e paragjykuar në rrethet mediatike që vije nga një konkurs i tillë dhe më vonë nga shkolla e artit dhe jo nga ajo e gazetarisë?
E paragjykuar nuk jam ndjerë asnjëherë ose nuk u kam lënë të tjerëve mundësinë që të më paragjykojnë. Kam zgjedhur gjithnjë të më gjykojnë nga puna që bëj. Unë bukurinë e konsideroj si një pasaportë të vlefshme për të bërë prezantimin e parë, të jep një siguri dhe krijon imazhin tënd tek të tjerët. Sigurisht mund të sjellë edhe paragjykime, por karakteri dhe mënyra se si ti e shfaq veten tënde përcjell mesazhin e vërtetë tek të tjerët. Unë jam një karakter i fortë, që nuk kam përdorur ndonjëherë bukurinë fizike për të ecur përpara. Kam punuar shumë, edhe pse nuk vij nga një shkollë gazetarie, për të bërë emër në këtë fushë. Pastaj mos harroni se pjesa më e madhe e gazetarëve të vërtetë nuk ka ardhur nga bangat e gazetarisë, sepse ky profesioni ynë mbi të gjitha ka nevojë për intuitë dhe jo për diplomë.

A ekzistojnë bërrylat në rrethet televizive?
Sigurisht, në media konkurrenca është e fortë dhe ka raste kur bëhet edhe e pandershme, por nëse ecën përpara falë punës tënde dhe nuk i detyrohesh kujt, e ke më të lehtë të mbijetosh. Nëse je i zoti në profesion, bërrylat nuk të rrezikojnë, mund të jenë bezdisës dhe vetëm kaq. 

Të qenit e bukur dhe e kuruar, përveçse për mirë në ekran, a ndikon për keq jashtë tij? E kam fjalën për ambientin e punës.

Ndoshta mund të ndikojë, varet edhe nga mjedisi. Unë personalisht, në televizionin ku punoj, nuk kam pasur probleme të kësaj natyre, madje kam marrëdhënie shumë të mira me kolegët e mi. Një lloj xhelozie mes femrave ekziston kryesisht në botën e spektaklit, ku gëlojnë qindra thashetheme dhe paragjykime absurde, pas të cilave fshihen inate të vogla. Kjo është natyra e dobët e seksit femër, të cilën fatkeqësisht më duhet ta pranoj. Por unë kohën time ia kushtoj profesionit dhe jo gjërave të tilla boshe. Pamjen time cilido është i lirë ta paragjykojë, por punën time jo.

Kur ka qenë hera e parë që të kanë bërë një intervistë?
Nuk më kujtohet, ndoshta në vitin 2000. Por intervistat më të shumta i kam pasur vitet e fundit.

Të është dukur normale që si gazetare të trajtohesh edhe si personazh televiziv, apo e ekzagjeruar?
Nuk është se trajtohem si personazh televiziv, unë mendoj se jam e tillë. Mbi 8 vite përvoje dhe përkushtim në këtë fushë, me një prezencë në ekran më shumë se dy herë në javë, përveç lajmeve të përditshme, të bëjnë të jesh një personazh televiziv. 

Duke qenë vetë gazetare, duke e ditur pra se me sa mund arrihet të nxirret një rrëfim intim, a jeni më e thjeshtë ju kur gazetarët ju pyesin për gjërat personale?
Tek gjërat personale, tek rrëfimi intim, çdo njeri ndihet i rezervuar, përfshi edhe gazetarët. Kjo jo vetëm sepse bëhet fjalë për diçka shumë personale, por edhe sepse në shtyp është abuzuar shpesh me jetën intime të personazheve të njohur. Personalisht kam qenë gjithnjë e hapur ndaj mediave, sigurisht në masën e duhur, edhe në lidhje me jetën time private. Sepse duke qenë vetë gazetare, kam dashur t’u paraprij thurjes së të pavërtetave dhe stisjeve të historive abuzive mbi jetën time.

E vërtetë, nuk e keni fshehur kurrë një lidhje tuajën të gjatë. Si shkon ajo tani?
Rrugëtimi im përgjatë kësaj historie ka mbërritur në fund të tij, më duhet ta pranoj edhe pse me shumë keqardhje. Ka gjëra për të cilat ndoshta vetëm fundin nuk e ke menduar, por një ditë ai bëhet i pashmangshëm. Unë kam jetuar kohë të bukura e plot ndjenjë, kam pasur përkrah një njeri që më ka dhënë shumë, por dhe i kam dhënë shpirtin dhe nëntë vite nga jeta ime. Por kur një lidhje vjen në fund të saj, është e kotë të kërkosh arsyet që të çuan aty. 

Do të të vinte keq ta gjeje jetën tënde të komentuar në faqet e gazetave me thashetheme?
Shumë. Nuk kanë pse të sajojnë mbi jetën time private, unë jam e hapur t’u përgjigjem të gjithëve.

Si reagon nëse dikush e ekzagjeron me ty apo të bën ndonjë padrejtësi?
Nxehem, irritohem, madje ndonjëherë edhe qaj, por më së shumti luftoj për veten time. Jam përpjekur të jem shumë e drejtë me të tjerët në marrëdhëniet e mia, ndaj nuk do të toleroja asnjë padrejtësi në kurrizin tim.

A ka gjëra të cilat nuk do guxoje t'i bëje kurrë publike?
Askush nuk mund të rrëfehet deri në fund, do të ishim gënjeshtare nëse themi "kjo është gjithçka". Çdo njeri ruan brenda vetes gjëra të shenjta, personale, krejtësisht të tijat që bërja publike mund t’ia shkatërronte.

Të mërzit më tepër kur merr një intervistë të përciptë apo kur bën diçka të mirë por që mund të irritojë personazhin?
Gjithnjë nisem për të bërë një intervistë të mirë. Sigurisht që ka raste kur mundohem që pyetjet e mija të mos e provokojnë në mënyrë të panevojshme personazhin, ashtu siç ka raste kur më duhet ta bëj një gjë të tillë sepse kjo do të përbënte lajm. Nuk mendoj asnjëherë të bëj pyetje të përcipta, por mund të marr përgjigje të përcipta, zakonisht nga personazhe që u intereson vetëm të shfaqen në ekran, pavarësisht nëse kanë ndonjë gjë për të thënë. Ndërsa kur bën diçka të mirë, qoftë edhe duke mërzitur të tjerët, lajmi mbetet dhe së bashku me të edhe fakti që gazetarët lënë gjithmonë njerëz të pakënaqur.

Të ka ndodhur që ndokujt nga personazhet e tu t'i ketë mbetur hatri?
Ehh, ca si shumë, por kjo nuk ka ndikuar në punën time. Unë kam të bëj me një rreth të ftuarish që janë personazhe të njohur publike, shpesh edhe tipa të vështirë dhe jam e sigurt se jo të gjithë ata që unë kam intervistuar, e kanë pëlqyer mënyrën me të cilën u jam drejtuar. Por puna që unë bëj është edhe çështje pasioni, ajo nuk bëhet gjithmonë për të kënaqur të ftuarit, por veten dhe publikun që e ndjek.

Ndonjë keqardhje?
Keqardhja më e madhe është kur të tjerët nuk arrijnë të vlerësojnë atë që ti je në të vërtetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora