E enjte, 28.03.2024, 09:03 PM (GMT)

Kulturë

Luan Çipi: Një krismë në sallën e gjyqit

E enjte, 30.04.2009, 05:38 PM


NJË KRISMË NË SALLËN E GJYQIT

Tregim nga Luan Çipi

Ndodhinë e mëposhtme ma ka treguar baxhanaku im i madh, Axhem Haxhiraj, kur ishte në moshën 85 vjeç. Ngjarja bën fjalë për periudhën kur ai ishte student në Bolonja të Italisë, më shumë se 65 vjet më parë. Axhemi edhe mbi 90 vjeç pati freskinë e një të riu: lexonte pa syza, lëvizte me orë të tëra në këmbë pa treguar lodhje,ruajti kujtesë shumë të mirë, protestoi energjikisht ndaj padrejtësive politike dhe dhunës së shtetit. Gjithnjë njësoj, si në ato vite, kur la studimet jashtë shtetit dhe doli në mal partizan, si veteran lufte dhe si demokrat e nacionalist i vërtetë.
Ngjarja ka lidhje me një shqiptar dhe ka ndodhur në vitin 1940. Italia fashiste kishte pushtuar Shqipërinë dhe kishte shpërthyer në një politikë demagogjike, për ta përligjur pushtimin si “çlirim” nga vuajtjet dhe varfëria shekullore. Shqiptarëve, formalisht dhe përkohësisht, u krijoi favore dhe privilegje. Ata lëviznin normalisht, pa viza, midis dy shteteve që konsideroheshin të barabarta, brenda perandorisë së madhe italo-shqiptaro-etiopiane. Ata ndërmjet tyre bënin tregti të lirë dhe shkëmbime mallrash pa doganë; kishte më shumë fronte pune, sidomos në hapje rrugësh dhe në punime artizanati, kishte më shumë mallra në treg, madje në Shqipëri edhe më shumë se në Itali. Tregtarë nga qytetet shqiptare, veçanërisht nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Kavaja dhe Vlora, bridhnin lirshëm në të gjithë Italinë, eksportonin lëkurë, kafshë të gjalla, duhan, vaj ulliri dhe prodhime dore artizanale dhe sillnin konfeksione, kinkaleri, k! afe, cigare, ilaçe e gjithfarë cikrra-mikra. Shpesh shkonin vetëm për të blerë në çanta e valixhe të vogla, duke marrë me vete flori e monedha të kthyeshme. Qendra më e madhe e biznesit ishte, natyrisht, kryeqyteti, Roma.

Në një mbrëmje, tregon Axhemi, si i përhumbur ndër vite, sa kishte rënë muzgu, në rrugët e Romës shëtiste i vetmuar dhe i habitur, me duar në xhepat e dollomasë së tij të gjerë, i veshur me brekushe, një shqiptar, djalë i ri, që dallohej me një të parë nga romanët e pispillosur, vendas.
Djaloshi, për fatin e tij të keq, u ndodh, papritur, në vorbullën e një ngjarjeje makabre, që u zhvillua para syve të tij: Një italian, në moshë të re, u godit dhe u vra, barbarisht, me shtatë të shtëna pistolete. Ishte aq afër viktimës, sa u spërkat i tëri me gjakun e tij.
I tmerruar, nuk gjykoi më thellë, po, instinktivisht, ia dha vrapit, duke menduar fluturimthi se kjo ishte gjëja me e mirë që duhet të bënte, për mos t’u bërë viktimë e ndonjë breshërie tjetër vdekjeprurëse, në drejtim të tij. Policët, që u ndodhën diku aty dhe nuk panë tjetërkënd më afër e aq më pak që të largohej me vrap, iu vunë pas, e ndoqën, e kapën fare lehtë dhe e prangosën. E arrestuan dhe e shpallën të akuzuar për një krim, ashiqare dhe thuajse të faktuar: i huaj, albanez brigant, i spërkatur i tëri me gjakun e viktimës, që largohet nga vendi i ngjarjes me vrap, pa asnjë ndihmë, përkrahje e protestë të jashtme dhe me shumë lireta në xhep, që, ndofta, ia kishte vjedhur viktimës apo dikujt tjetër. Pra, vrasës dhe vjedhës profesionist.
Djaloshi kundërshtoi dhe mohoi, por pa dobi. Ngjarja pati shumë publicitet dhe jehonë në mbarë Italinë. Qarqe të caktuara e propaganduan djaloshin si kriminel profesionist, si shumica e shqiptarëve, duke përligjur me këtë edhe agresionin e tyre, duke u vetëquajtur misionarë të paqes dhe zbutës të egërsirave. Një avokat i shquar në tërë Italinë, me ide antifashiste, i nxitur dhe nga ne, studentët shqiptarë të Bolonjës, tregon Axhemi, e mori përsipër vullnetarisht mbrojtjen e djaloshit fatkeq nga Shqipëria. Data e gjyqit erdhi shpejt. Gjyqi ishte organizuar në një sallë të madhe mbushur me kuriozë, gazetarë e korrespondentë, si dhe me shumë agjentë të fshehtë.
Edhe nga ne, studentë e emigrantë shqiptarë e deri arbëreshë, si dhe antifashistë italianë kishte shumë.
Gjyqi i popullarizuar, propaganduar dhe organizuar me dëshmitarë të rremë, të vënë enkas nga hetuesia, me gjithë falsifikimin aktoresk, bëri shumë përpjekje të provonte fajësinë dhe duket se po ia arrinte qëllimit, me gjithë qëndrimin këmbëngulës dhe mohues të të akuzuarit.
Në çastin që i erdhi radha për të folur juristi i mbrojtjes, nga i cili prisnim shumë, ndodhi një incident, një ngjarje e jashtëzakonshme për gjyqet italiane: u fikën përnjëherësh të gjitha dritat. Në të njëjtën kohë, u dëgjua një e shtënë pistolete, që, në fakt në sallën e rënë në qetësi të plotë dhe që kishte akustikë të përsosur, u dëgjua si një e shtënë topi. Të gjithë pjesëmarrësit po rendnin të llahtarisur drejt portave të mëdha të daljes e bashkë me ta dhe anëtarët e trupit gjykues. Kur u hapën dritat, policia gjyqësore deklaroi se nuk kishte ndodhur gjë e jashtëzakonshme. Kur trupi gjykues dhe gjindja zunë vendin si më parë, sërish, fjalën e mori avokati i madh.
- Zotërinj gjyqtarë! Zonja dhe zotërinj, të nderuar pjesëmarrës! Ju kërkoj të gjithëve falje dhe e ndiej veten thellësisht fajtor për shqetësimin që ju krijova. Fikjen e menjëhershme e të befasishme të dritave dhe të shtënën e vetme me pistoletë i organizova unë. Një befasi krijova dhe vetëm një të shtënë pistolete, këtu në sallën shumë të njohur nga të gjithë ju, o italianë të ndershëm, vendas dhe ju e provuat veten. Të gjithë, pa parë asnjë të vrarë, asnjë pikë gjak, u larguat me vrap drejt dyerve. Pa mendoni për një të huaj, që sheh te këmbët e tij një të vrarë, të mbuluar në gjak?! Me këtë provova se vetëm largimi i menjëhershëm i të paditurit në kohën e ngjarjes fatale nuk është shkak fajësie, se ju, zotërinj gjyqtarë, asnjë fakt tjetër nuk keni. Befasia sjell veprime instinktive, reflekse të kushtëzuara të menjëhershme, shpesh jo logjike. Deklaroj, me plot siguri, se djaloshi shqiptar është k! rejt i pafajshëm... Brohoritje dhe ovacion i pambaruar disa minutash në sallë.
Trupi gjykues dha vendim unanim: I pafajshëm!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora