E premte, 23.04.2021, 03:43 AM (GMT+1)

Mendime

Blendi Fevziu: Aplikimi në BE dhe keqkuptimet e ambasadorëve

E enjte, 30.04.2009, 07:05 PM


Aplikimi në BE dhe keqkuptimet e ambasadorëve

Nga Blendi Fevziu

Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në BE në Pragë, në një ceremoni dinjitoze për një vend që pas izolimit absolut 46-vjeçar,pas sulmeve verbale të pandalura ndaj Perëndimit nga regjimi komunist; kërkon të hipë në trenin europian. Shumë e vonuar, sa për hir të paaftësisë së klasës së saj politike dhe zhvillimeve të brendshme, aq edhe si pasojë e paragjykimit të Perëndimit ndaj nesh. Paragjykim që është shfaqur jo në pak raste dhe e ka lënë Shqipërinë në vagonin e fundit europian, atë që mbledh kryesisht vendet e ish-Jugosllavisë që konsumuan një luftë 10-vjeçare.
Në fakt, ose për fatin e keq, aplikimi nuk kaloi pa debate të brendshme. E paqartë për qëndrimin e saj, opozita fillimisht kërkoi që aplikimi të bëhej sa më shpejt, më vonë deklaroi se nuk duhet bërë deri pas zgjedhjeve dhe, së fundi, deklaroi se ky është i vonuar. Për të shkuar më tej, me një deklaratë dje, ajo kërkoi që PD-ja të mos e përdorë aplikimin për fushatë dhe si një sukses të saj.
Nuk ka asnjë dyshim që aplikimi në BE nuk është meritë vetëm e një force politike, nuk ka asnjë dyshim që kontributi për të është kontribut i gjithë administratave shqiptare të këtyre 18 viteve, por nga ana tjetër nuk ka asnjë dyshim që maxhoranca do ta përdorë këtë për fushatë, siç e përdori edhe maxhoranca tjetër në janar 2003 gjatë vizitës së Prodit, apo ceremoninë në Uashington për pranimin e 7 vendeve në NATO në 2004. Kjo është pjesë e lojës politike dhe do të mbetet e tillë.
Problemi më i madh mbetet kaosi i deklaratave të opozitës, që në fakt, nuk reflekton vetëm një mungesë qëndrimi të qartë të saj, por edhe kaosin e krijuar në shtyp nga disa ambasadorë të huaj në Tiranë. Ka pasur vetëm një pyetje në këtë drejtim: A duhet të aplikojë Shqipëria dhe a mund të pengohej në këtë dëshirë të saj?
Përgjigjja zyrtare është e thjeshtë: Jo, nuk mund ta pengojë askush! Ky është një vendim vetëm i Shqipërisë, që ajo e merr me bindjen e saj dhe padyshim me një mbështetje të gjerë popullore.
Pyetja që vjen pas kësaj është a pati rezistencë për aplikimin e Shqipërisë?
Përgjigjja këtu është po aq e thjeshtë, jo.
Çekia, kryesuese e radhës e BE-së deklaroi se e mirëpret aplikimin dhe shkoi më tej, duke vlerësuar rezultatet e Shqipërisë; Kancelarja gjermane Merkel u shpreh pozitivisht në samitin e Partive Popullore Europiane në Bruksel në mars: Presidenti francez Sarkozi deklaroi hapur se vendi i tij, një ndër më të rëndësishmit në BE e mbështet Shqipërinë për aplikimin; Pak më parë kishte bërë një deklaratë si kjo edhe ministri i Jashtëm, Kushner; Ministri i Jashtëm italian, Fratini, deklaroi po në prill se aplikimi duhet bërë dhe madje duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe tri ditë më parë edhe Kryeministri grek Karamanlis, deklaroi po ashtu se mbështet aplikimin e Shqipërisë në BE. Pas aplikimit zyrtarisht në emër të BE-së, Olli Rehn i uroi Shqipërisë mirëseardhjen, ndërsa shtypi botëror e komentonte dje thuajse i gjithi këtë vendim pa asnjë dozë negativiteti.
Po a janë qëndrimet e disa prej personaliteteve më të rëndësishëm dhe vendimmarrës të kontinentit të njëjta me ato të përfaqësuesve të tyre në Tiranë? Në disa raste po, në disa raste jo. Në disa dalje mediatike, ambasadorë të BE-së në Tiranë, pa dashur t’i përmend një për një, kanë hedhur idenë që Shqipëria duhet të presë, që Shqipëria nuk duhet të aplikojë, duke folur për probleme të brendshme të BE-së më shumë se sa për probleme shqiptare. Nuk ka asnjë dyshim se deklaratat konfuze kanë krijuar një lloj dyshimi tek opozita shqiptare dhe i kanë ardhur asaj për shtat. Problemi qëndron a flasin këta ambasadorë në emër të vendeve që përfaqësojnë apo shprehin qëndrimet e tyre personale? A veprojnë si diplomatë të vendeve të tyre apo si analistë politikë shqiptarë në funksion të zhvillimeve të brendshme. Kjo pikëpyetje është ngritur edhe në raste të tjera, kur ambasadorë kanë folur përpara gazetarëve për rreziqe serioze në raportet mes dy vendeve dhe kur befas, ka ndodhur krejt e kundërta në realitet. Por le të kthehemi tek aplikimi. Kaosi i krijuar prej tyre futi opozitën në një rrugë të gabuar dhe krijoi hendek mes shqiptarëve, të cilët janë 96% pro integrimit europian.
Në fakt, ka një gjë që duhet shënuar dhe për të cilën duhet të jemi koshientë. Shqipëria e 2009 nuk është më ajo e 1991 apo 1997. Shqipëria ka ndryshuar shumë falë edhe ndihmës euroatlantike. Fatkeqësisht, shumë ambasadorë në Tiranë, po e shohin punën e tyre këtu ndryshe nga sa e shohin në vende të tjera të botës. Nga diplomatë, shumë prej tyre janë shndërruar në pop starë televizive; nga intervistat politike po japin intervista vanitoze dhe gjysmë erotike. Deri më sot, nga njohja që kam dhe nga ndjekja e TV italian prej një kohe të gjatë nuk kam parë kurrë një ambasador apo punonjës diplomatik që të ketë një aktivitet mediatik si ky që shumë ambasadorë të huaj kërkojnë në Tiranë dhe mendoj se sjellja e tyre këtu është një keqkuptim i madh. Protagonizmi i disa prej tyre në thuajse gjithë fushat e shoqërisë, nuk është as i justifikueshëm dhe as normal. Një ambasador që ka punuar në vende të ndryshme, nuk mund të jetë ekspert edhe për BE-në, edhe për biznesin, edhe për futbollin, edhe për jetimët, edhe për spektaklet televizive, edhe për humorin, edhe për zhvillimin e bregdetit. Shqiptarët kanë njohur dikur një model të tillë dhe këta kanë qenë ambasadorët sovjetikë dhe kinezë. Dy modele absurdë, që për fatin tonë të madh, i kemi lënë pas bashkë me të shkuarën e hidhur.
Duke llogaritur edhe fajin tonë, një dozë serviliteti dhe kompleksi ndaj të huajve që shfaqet ende aty–këtu; duke llogaritur edhe peshën e vogël të Shqipërisë dhe ndikimin që bota ka këtu, asgjë nuk e justifikon sjelljen e disa ambasadorëve dhe as deklaratat e tyre që bien në kundërshtim me ato të shefave që i kanë dërguar këtu, për të mbrojtur interesat dhe politikën e tyre.
Ndaj, edhe opozita shqiptare duhet të shohë më shumë deklaratat qendrore se sa qëndrimet lokale të BE-së për të mos hyrë në një qorrsokak që ngjan një histori tipike shqiptare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora