E marte, 19.03.2024, 03:30 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Shanset e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

E enjte, 30.04.2009, 07:05 PM


Shanset e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Nga Enver Bytyçi

Tridhjetëepesë dosje nga 35 shtete janë depozituar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të Hollandës, për të pohuar ose mohuar pavarësinë e Kosovës. Është kjo një gjykatë e themeluar nga OKB-ja, e cila shqyrton sjelljet ndërshtetërore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Legjislacioni i saj janë konventat, marrëveshjet, rezolutat e Këshillit të Sigurimit e të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Janë 15 gjyqtarë, të cilët marrin vendimin në bazë të verdiktit të këtyre ligjeve ndërkombëtare, secili prej tyre me sovranitet të plotë dhe asnjë prej tyre bashkëkombas me ndonjë gjyqtar tjetër.
Këta 15 gjyqtarë zgjidhen dhe emrohen nga OKB-ja përmes një seleksionimi me kusht aftësinë profesionale, integritetin e personalitetin e tyre. Si rregull e me ligj askush nuk mund të ndërhyjë në kompetencat e kësaj gjykate, e cila gjykon dhe merr vendime të prera për akte konkrete, pra, për shkelje të kontratave ndërkombëtare nga shtete, persona dhe subjekte të caktuara.
Nisur nga këto kompetenca, qeveria serbe ka arritur që legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës ta dërgojë në këtë gjykatë, duke e denoncuar aktin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, si një "akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare". Beogradi kishte mundur në tetor të vitit të kaluar të fitonte shumicën e votave të anëtarëve të OKB-së, që të fitonte të drejtën që këtë çeshtje ta dërgonte në Hagë. Siç kanë njoftuar në Beograd, mbi 1000 faqe material është depozituar nga qeveria serbe në Gjakatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku "argumentohet" se pavarësia e Kosovës qenka e pajustifikuar nga pikëpamja e ligjeve ndërkombëtare. Ndërsa qeveria e Kosovës ka dërguar gjithashtu më 17 prill të këtij viti dosjen e vet, siç thuhet me 200 faqe material kryesor dhe nja 300 faqe të tjera me materiale ndihmëse. Nga 35 shtete, 21 prej tyre kanë dëshmuar me shkrim në këtë gjykatë në favor të pavarësisë së Kosovës. Tadiq dhe Jeremiq në Beograd kishin reklamuar një mbështetje të gjerë ndërkombëtare në dëshminë kundër pavarësisë së Kosovës. Por ata nuk mund të siguronin përkrahjen e më shumë se 13 vendeve, nga rreth 200 shtete anëtare të OKB-së.
Kjo përkrahje e mangët për Beogradin dhe padinë e tij nuk është thjesht një dështim në përpjekjet e qeverisë serbe për të kthyer mbrapsht një proces të pakthyeshëm, shpalljen legjitime të pavarësisë së Kosovës. Ajo që bie në sy është fakti se nga pikëpamja sasiore dhe cilësore përkrahja është shumë herë më e madhe në favor të Kosovës dhe të drejtës së saj për të qenë e pavarur e sovrane nga Serbia. Legaliteti i pavarësisë së Kosovës në Gjykatën e Hagës do të mbrohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Japonia, Çekia, Zvicra, Shqipëria, Austria, Finlanda, Polonia, Luksemburgu, Estonia, Norvegjia, Holanda, Sllovenia, Letonia, Irlanda, Danimarka, Maldivet dhe Sierra Leone. Qëndrimin serb, sipas të cilit Kosova ka shkelur të drejtën ndërkombëtare më 17 shkurt 2008, do të përpiqen ta argumentojnë Rusia, Kina, Qipro, Rumania, Egjipti, Sllovakia, Libia, Spanja, Irani, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani dhe Bolivia.
Nga kjo listë vihet re se shtetet, të cilat prodhojnë rreth 70% të GDP në shkallë botërore, janë vënë në mbrojtje të pavarësisë së vendit. Ndërkohë që vendet në krah të Kosovës janë gjithashtu promovueset e farkëtueset e lirisë së kombeve, të demokracisë ndërkombëtare, si dhe të të drejtave njerëzore. Për pasojë janë vende inicuse të hartimit të ligjeve demokratike, që kanë miratuar OKB dhe organizma të tjera ndërkombëtare. Kjo mbështetje cilësore e bën të padyshimtë një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare në favor të legjitimitetit të vendimit të marrë më 17 shkurt 2008 për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa në anën e Serbisë qëndrojnë shumë vende problematike në promovimin e lirisë e të demokracisë. Rusia ka probleme me Çeçninë, por edhe në Dagestan e me Gjeorgjinë dhe në këtë pikë i ngjan Serbisë në rastin e spastrimit etnik e të asgjësimit të shqiptarëve në Kosovë. Pokështu Kina ka probleme të tilla në Tibet e Ingusheti. Irani, Libia, Bolivia, Egjipti etj., sëbashku me Rusinë dhe Kinën, janë gjithashtu vende të njohura për deficite në zbatimin e vlerave demokratike dhe respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, çka i ofron përsëri me sjelljet e Serbisë në Kosovë dhe në rajone të tjera të ish-Jugosllavisë. Bën përshtypje fakti që katër vende të Bashkimit Europian i janë bashkëngjitur iniciativës anti-Kosovë të Serbisë. Këto vende, Rumania, Qipro, Spanja dhe Sllovakia nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe përpiqen që të luajnë rolin e kalit të trojës në politikën e përbashkët të sigurisë europiane. Por është interesant fakti që Greqia, një vend ky që nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, nuk i është bashkëngjitur katër vendeve të tjera të BE-së. Ky mund të jetë një sinjal i qartë se politika e Athinës ndaj pavarësisë së Kosovës mund të ndryshojë. Se cilat janë arësyet e këtij ndryshimi radikal, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme do të jetë, nëse qeveria greke do ta njihte pavarësinë e Kosovës.
Në parashikimet e një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare, shihet se ka shumë spekulime. Ka analistë, të cilët mendojnë se ky vendim nuk është obligativ, por është thjesht një vendim këshilldhënës. Sidoqoftë, edhe nëse vendimi i GJND do të jetë i tillë, ai do të ketë ndikimin vet në rrejdhat e mëpasme. Disa të tjerë thonë se ka mundësi që vendimi të jetë "as mish, as peshk", domethënë një vendim politik, i cili u jep të drejtë të dy palëve, edhe Kosovës, edhe Serbisë. Një parashikim i tillë për vendimin që merr një Gjykatë e tillë me autoritet, duket pak i pabesueshëm. Në Prishtinë janë bërë deklarime se ky vendim do të jetë në favor të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008. Natyrisht që është heret të parashikohet një vendim i saktë, sepse do të duhet më shumë se një vit që GJND të japë verdiktin e saj. Deri në vendimmarrje janë gjithashtu dy faktorë që do të luajnë një rol përcaktues: I pari ka të bëjë me argumentet që janë përdor e do të përdoren për të legjitimuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe i dyti ka të bëjë me numrin e vendeve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës në të ardhmen.
Për argumentet e përdorura nga të dy palët, askush nuk mund të shprehet qartë, derisa këto dokumente nuk janë në dorën e publikut. Megjithatë, një retrospektivë e zhvillimit të ngjarjeve, e proceseve politike dhe statutore në Kosovë, gjatë gjithë shekullit të XX, çon në përfundimin e pakontestueshëm se akti i shpalljes së pavarësisë është legjitim dhe i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Një Kosovë e masakruar prej strukturave shtetërore serbe në katër fushata të gjera gjatë 88 viteve, një Kosovë me një milion e gjysëm të shpërngulur e të pakthyer në vendlindje, si dhe me 130 mijë të vrarë e të masakruar në këto 88 vite, thjesht për shkak të identitetit etnik të ndryshëm nga ai i serbëve, është arsyeja kryesore pse ajo e meriton pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
Një Kosovë me dëshmi të panumërta të luftës e të përpjekjeve të saj për të qenë e pavarur e sovrane, madje për t'u bashkuar me Shqipërinë, është gjithashtu arësyeja kryesore për legjitimitetin e saj si shtet. Kosova me statusin e barabartë me republikat në Federatën Jugosllave, sipas kushtetutës së shkurtit të vitit 1974, si dhe anulimi me dhunë i këtij statusi në mars 1989, mbeten argument i pakundërshtueshëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Një Kosovë, e cila për gati dhjetë vite kishte ndërtuar një shtet pralel me Serbinë, duke zgjedhur presidentin, parlamentin dhe qeverinë e saj legjitime, duke ndërtuar sistem arsimor, shëndetësor e taksash të pavarur nga Serbia (1989-1999), është gjithashtu faktor dhe arsye e mjaftueshme për të provuar të drejtën e saj për të vetëvendosur, si dhe aftësinë e saj për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Gjithashtu, një Kosovë e administruar për gati nëntë vite nga OKB, instrument i së cilës është vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është prova e parafundit për legjitimitetin e shpalljes së pvaësisë së saj. Dhe sëfundi, një qëndrim e pandërprerë destruktiv i qeverisë së Beogradit për ta penguar dhe shkatërruar procesin, deri me veprime të dhunëshme, mbetet dëshmi e asaj, se Kosova dhe banorët e saj, veçanërisht shqiptarët shumicë dërrmuese, nuk mund të besojnë kurrë më se "Macja nuk i ha mëlçitë", pra se Serbia nuk u rikthehet metodave të Milosheviçit për spastrimin etnik dhe diskriminimin e shqiptarëve. Këtë praktikë e dëshmon edhe sjellja serbe ndaj pakicës shqiptare në Kosovën Lindore, të cilët i janë nënshtruar një fushate të gjerë dhune e represioni. Ndërkaq qytetaria e shqiptarëve para e pas shpalljes së pavarësisë, si dhe dështimi i parashikimeve serbe për destabilizim të rajonit në rastin e pavarësimit të Kosovës, janë provë tjetër e së drejtës së këtij vendi për shtetin e pavarur e sovran, pra, që Kosova të jetë subjekt ndërkombëtar, njësoj si Serbia dhe vendet e tjera anëtare të OKB-së.
Kurse pala serbe mund të përdorë vetëm "dy argumente", nëse do të quheshin argumente: Të ashtuquajturin fakt se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë dhe të ashtuquajturin fakt tjetër, se "Në Serbi qeverisin forca demokratike". Të dyja këto mëtime mund të përgënjeshtrohen e të hidhen poshtë me kundërargumente dhe dëshmi të shumta. Dhe këto janë e duhet të jenë argumente historike, argumente politike, argumente sociale, etnike, argumente që lidhen me sjelljen brutale serbe ndaj shqiptarëve në të gjitha kohët, edhe në kohët kur Serbia mendohej të ishte "demokratike" dhe "properendimore". Është shumë lehtë të provohet se as qeveria e sotme e ashtuquajtur perëndimore e Beogradit, nuk ka dhënë e nuk jep asnjë shenjë për të përligjur imazhin "demokratik". Ajo nuk ka shfaqur pendesën më të vogël për krimet makabre të Serbisë në Kosovë, ajo vazhdon të legjitimojë kushtetutat e Milosheviçit të pas vitit 1989 për Kosovën e Serbisë, deri në pikën që njësoj si Milosheviçi e Rankoviçi, e quajnë Kosovën jo me emrin e saj, por tjesht me emërtimin shovinist "Kosovë e Metohi". Ndërsa ngjarjet e sotme, kur serbët përpiqen të ndalojnë me dhunë kthimin e shqiptarëve dhe ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga vetë këta serbë në veri të Mitrovicës, janë e duhet të jenë provë e sjelljes serbe ndaj shqiptarëve shumicë në këtë vend. Është momenti më i volitshëm kur politika dhe diplomacia shqiptare të jetë në ofensivë dhe jo difensivë, si deri më tash.
Nisur nga të gjithë këta faktorë të thënë si dhe shumë faktorë të tjerë të pathënë, mund të konkludohet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e ka të vështirë të konfirmojë të drejtën e shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Kosovë për vetëvendosje, të drejtën e saj për shtet të pavarur e sovran.
Ndërkaq angazhimi i madh për të siguruar njohje të reja të shtetit të pavarur të Kosovës, është e do të jetë argument i një rëndësie të veçantë, në të njëjtën masë sa edhe provat e lartpërmendura. Kosovën e kanë njohur 59 vende deri më sot. Në këto vende bëjnë pjesë SHBA-të dhe të gjitha vendet demokratike të Europës: Japonia, Kanadaja, Turqia, Arabia Saudite etj. Bilanci është vërtet i jashtëzakonshëm, nëse kemi parasysh se të shtatë vendet më të industrializuara, 22 vende të BE-së e 25 vende të NATO-s e kanë njohur Kosovën si shtet. Ajo që i ka dhënë dhe i jep peshë të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur e sovrane, është njohja nga të gjitha vendet fqinje, çka do të thotë se kushti për qëndrueshmëri, paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë, në formimin e shteteve të reja- është i plotësuar. Ky fakt e nxjerr Serbinë në minorancë dhe e bën përgjegjëse për çdo rrjedhojë negative destabiliteti në rajon.
Shenjat janë shuëmë të mira për një valë të re njohjesh pas aktit diplomatik të Arabisë Saudite. Por është me rëndësi të fitohet njohja edhe nga ndonjë ose disa vende, të cilat kanë depozituar në favor të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. P.sh.: mund të fitohet Irani, Egjipti e ndonjë vend i Amerikës Latine. Kjo do të çlegjitimonte në ekstrem kërkesën e Serbisë dhe do të sillte një erozion të madh në përpjekjet e saj për ta penguar zhvillimin normal në Kosovë e në rajon. Njohjet e reja do të ishin vazhdim i argumentit se pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon, në kontinentin europian dhe në botë. Displina politike dhe qëndrimi paqësor dhe i përmbajtur i shqiptarëve si dhe numri i njohjeve, janë dy aspektet kryesore, të cilat do të provojnë se pavarësia e Kosovës është e ligjshme.
Nga pikjëpamja juridike, nuk mungon baza për ta legjitimuar të drejtën e Kosovë për të qenë shtet i pavarur e sovran. Disa nga dokumentet themelore, mbi bazën e të cilave ka të drejtë Kosova ta fitojë juridikisht të drejtën e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë janë:
- Karta e Kombeve të Bashkuara e 26 dhjetorit 1945.
- Statuti i Këshillit të Europës i 5 majit 1949.
- Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut, miratuar në Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë s Kombeve të Bashkauar, më 10 dhjeor 1948.
- Konventa e OKB-së e 9 dhjetorit 1948, për parandalimin dhe dënimin e akteve të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.
- Konventa europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë themelore të tyre, e 4 nëntorit 1950, si dhe protokolli i Këshillit të Europës, i 20 marsit 1952, për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe lirive themelore.
- Protokolli i Këshillit të Europës numër 4, (16.09.1963), nr. 6 (28.04.983), nr. 7 (22.11.1984), e numër 13, (03.05.2002, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të tyre.
- Marrëveshja Ndërkombëtare për Evitimin e çdo Forme të Diskriminimit Racor e OKB-së, e miratuar më 07.03.1966.
- Pakti Ndërkombëtar i të Drejtave Qytetare dhe Politike, i Kombeve të Bashkuara, të datës 19.12.1966, në të cilin thuhet: "Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata vendosin vetë në liri të plotë për statusin e tyre politik si dhe për zhvillimin ekonomik, social e kulturor". (Pjesa I, Akti 1), si dhe protokolet përkatëse në mbështetje të këtij pakti të OKB-së, të datës 19.12.1966, për të drejtat politike e qytetare, 15.12.1989 etj. Në këtë pjesë është tashmë shkencërisht i argumentuar fakti se shqiptarët në Kosovë formojnë një bashkësi të qëndrueshme me kontunuitet të vazhdueshëm si popull shtetformues.
- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtën Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, të OKB-së, të datës 19.12.1966.
- Marrëveshja Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, e 10 dhjtorit 1984, kundër torturës, sjelljes jonjerëzore e dënimeve mizore.
Këto dokumente të së drejtës ndërkombëtare, janë vetëm një pjesë e bazës juridike, në ballafaqim me të cilat është e sigurt fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe legjitimimi juridik i pavarësisë dh sovranitetit të Kosovës. Çdo nen dhe pjesë e këtyre akteve juridike, mund të konkretizohet me fakte rrëqethëse të krimeve serbe në Kosovë. Por mund të përdoren dhe dokumente të tjera, si ato të OSBE-së, Bashkimit Europian etj., të cilat njihhen si subjekte të së drejtës ndërkombëtare dhe janë shkelur nga sjellja brutale e shtetit të Serbisë në Kosovë. Në këto marrëveshje, akte e konventa, mund të ballafaqohet pra çdo nen i tyre me praktikat serbe në Kosovë, dhe përmes kësaj të motivohet pakundërshti e drejta e vetëvendosjes.
Por jo më pak të rëndësishme janë përcaktimet ndërkombëtare për Kosovën në etapa të ndryshme të zhvillimit të konfliktit shqiptaro-serb, në dhjetë vitet e fundit të shekullit të kaluar. Ekzistojnë rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit, rezoluta të shumta të Këshillit të Europës, të OSBE-së, të Parlamentit dhe Bashkimit Europian. Por dhe formulimet në dokumetet përmbledhëse dhe deklarimet e këtyre organizmave shërbejnë si provë e pakontestueshme për këto zhvillime. Gjithashtu vlejnë si dokumente e dëshmi deklarimet e shefave të organizmave ndërkombëtare, si p.sh.: të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan etj.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka nisur punën e saj. Serbia është nismëtare e këtij procesi. Ajo mësepaku ka synuar frenimin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës. Në këtë pikë Beogradi duket se po dështon. Dështimi më i madh i tij ishin njohjet që erdhën nga Maqedonia e Mali i Zi. Dështimi i dytë i madh është fillimi i një vale njohjesh nga vendet arabe. Nëse këtij procesi do t'i bashkëngjitet dhe Vatikani, atëherë vetë Spanja kryeneçe do të vihej në siklet, pa folur për vendet e Amerikës Latine dhe disa vende të Afrikës. Dhe Vatikanit i takon më se fundi të vendosë për të drejtën e lirisë së shqiptarëve dhe kundër vullnetit të Serbisë, e cila ka shkaktuar shumë dhimbje e tragjedi njerëzore.
Ndërkaq, ministri serb i Punëve të Jashtme, duke ndjerë rrezikun e dështimit në këtë gjykatë, është deklaruar se "Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse atë do ta njohë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë". Por nëse ndodh kjo, atëherë nuk do të gjenden më vende në Europë që të thonë "E kuptojmë qëndrimin serb ndaj Kosovës". Përkundrazi, këtë qëndrim do ta zëvendësojë qëndrimi kritik, sipas të cilit "Nuk e kuptojmë këtë qëndrim të Serbisë". E prej këtej do të vijë për sëdyti herë pas kohës së Milosheviçit të izolimi politik i Beogradit. Dhe nëse dikush në Beograd shpreson te Moska, Lukashenko duhet tua ketë mësuar leksionin se Moska nuk është e zonja të ushtrojë influencën e saj më as në Ukrahinë e në Gjeorgji, jo më deri në Serbinë e rrethuar me vende anëtare të NATO-s e të Bashkimit Europian.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora