Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shqipëria edhe zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE

| E marte, 28.04.2009, 11:17 PM |


Kryeministri Berisha i dorëzon KM çek Topolanek kërkesën e Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE
Kryeministri Berisha i dorëzon KM çek Topolanek kërkesën e Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE

Nga Bota sot

Në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin e Çekisë, në Pragë, Republika e Shqipërisë edhe zyrtarisht, dorëzoi kërkesën e saj për aplikim në Bashkimin Evropian
 
Pragë - Kryeministri i shtetit shqiptar dr. Sali Berisha, edhe zyrtarisht i ka dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, homologut të tij çek, Mirek Topolanek. Çekia aktualisht është kryesuese e radhës së Bashkimit Evropian. Ky akt është cilësuar njëri ndër momentet më të rëndësishme të Shqipërisë, pas anëtarësimit të plotë në NATO. Me rastin e dorëzimit të Shqipërisë si vend kandidat në BE, kryeministri i shtetit shqiptar, dr. Sali Berisha theksoi:“Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”.

Deklaratë e kryeministrit çek Topolanek

Kryeministri Topolanek: Sot, Shqipëria paraqet zyrtarisht, me anë të Kryeministrit, kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Nuk është vetëm sepse presidenca çeke e mori këtë hap dhe sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga përparësitë e presidencës së saj, procesi i zgjerimit ka kriteret e kushtet e veta specifike, unë besoj se, në rast se çdo vend do të plotësojë këto kritere, atëherë ai mund të jetë pjesëmarrës i këtij procesi dhe Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha. Shqipëria është në të njëjtën rrugë, nëpër të cilën ka kaluar edhe Republika Çeke. Sot, ajo është anëtare e NATO-s. Pas ratifikimit të Marrëveshjes ë Stabilizim Asociimit, më 18 maj do të bëhet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe sot, Shqipëria po dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard. Kështu, që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu, do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. Por përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t’u bërë. Sot, mendoj se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë dhe kështu, ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar do të bëhet realitet. Republika çeke do të qëndrojë përkrah dhe Shqipërisë dhe ta ndihmojë atë edhe pas përfundimit të presidencës çeke të BE-së.

Deklarimi i kryeministrit Berisha

Kryeministri Berisha: Së pari, më lejoni t’ju shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time më të thellë e më të madhe për ju, zoti Kryeministër, për pritjen e ngrohtë që më rezervuat sot dhe për diskutimet e frytshme që sapo patëm. Mirënjohja ime shkon për ju, qeverinë dhe vendin tuaj, për mbështetjen tuaj të plotë, si dhe për ftesën që ju më bëtë sot, me rastin e dorëzimit, në emër të vendit tim, juve, si kryetar i radhës së Bashkimit Evropian, kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Në këto momente historike për vendin tim, mendjet dhe sytë e bashkëqytetarëve të mi shqiptarë, të cilët e konsiderojnë anëtarësimin në BE si ëndrrën e projektin më i bukur për të gjithë ata, si projektin më të shkëlqyer për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Të gjithë bashkëqytetarët e mi shqiptarë janë sot me mua këtu në Pragë, ndërsa ne festojmë me gëzim dhe emocion të madh këtë moment solemn, të dorëzimit zyrtar të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ky akt shënon dhe mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane, nga të cilët ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe. Për shqiptarët, historia ka qenë njerka e tyre e vështirë, e ashpër. Por pushtimet e gjata, ndarjet dhe brutaliteti, nuk mundën të shuajnë kulturën dhe vokacionin perëndimor të kombi tim, ashtu si vetëdijen e shqiptarëve të të qenit evropian. Një burrë shteti i madh evropian ka deklaruar jo shumë kohë më parë se ne duhet t’i mësojmë evropianët ta duan Evropën. Por unë kam kënaqësinë t’ju afirmoj ju sot, zoti Kryeministër i Republikës çeke, se 96 për qind e shqiptarëve duan integrimin e plotë të Shqipërisë në Evropë. Kështu, sindroma e kombit im është dashuria e tyre pasiononte për Evropën.

Zoti Kryeministër, ndjehem veçanërisht i lumtur sot që t’i paraqes kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kryeministrit të një vendi, i cili vetëm 20 vjet më parë, rrëzoi, ashtu si Shqipëria, perden e hekurt. Dita e sotme është ditë e mrekullisë së lirisë që vendi juaj përfaqëson BE-së dhe kjo është një frymëzim dhe inkurajim i madh për ne. Shqipëria vjen sot, këtu, pas momenteve shumë të vështira, ashtu si Çekia, sepse të dy vendet tona kanë pasur një të kaluar totalitare, por në mënyrë thelbësisht të ndryshme. Në një kohë kur nga kryeqyteti juaj u rrezatua një shpresë lirie për të gjithë Evropën, në vendin tim, diktatori shkatërroi dhe sheshoi monumente të mahnitshme fetare dhe kulturore, nga më të bukurat e Ballkanit. Në një kohë kur shpirtrat e mëdhenj intelektualë të Çekisë hartuan kartën e madhe të të drejtave njerëzore, në vendin tim ndërtoheshin vazhdimisht bunkerë. Rënia e perdes së hekurt në Shqipëri zbuloi një vend që ishte aq shumë larg vendeve të botës së lirë dhe një nga 3 apo 4 vendet më të varfra të gjithë planetit, një vend që kishte rënë në skamje, uri dhe dëshpërim.

Por sot, unë vij këtu për të dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, në një kohë kur Shqipëria, falë punës dhe angazhimit të mahnitshëm, falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të miqve tanë në BE, Komisionin Evropian dhe të miqve të tjerë ka bërë një hap jashtëzakonisht të madh, duke u nisur nga pika fillestare, 17 vjet më parë. Shqipëria ka treguar sot se përfaqëson një demokraci funksionale dhe kriteret e Kopenhagenit konsolidohen vazhdimisht. Shqipëria ka një ekonomi tregu të konsoliduar që gëzon stabilitet makroekonomik dhe vazhdon të rritet, vitin e kaluar, ajo u rrit me një ritëm prej 8 për qind. Tani, Shqipëria është bërë vërtet një vend joshës për investitorët e huaj. Vetëm brenda një periudhe të shkurtër kohe, në dhjetor 2008- janar 2009, u kontraktua një vlerë prej 3.5 deri 4 miliard euro në investimet e huaja. Në 4 prill të këtij viti, vendi im u bë anëtar me të drejta të plota në NATO. Parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së kanë ratifikuar MSA-në.

Së fundi, dëshiroj t’ju garantoj zoti Kryeministër, të siguroj zotin Leight, Drejtor i Zgjerimit në Komisionin Evropian, vendet anëtare të BE-së se Shqipëria e merr këtë moment si një obligim të madh dhe e konsideron këtë si një proces, i cili duhet dhe do të jetë totalisht i bazuar në arritje, por ai është një motivim i madh i qeverisë dhe kombit tim për të punuar për këtë projekt historik.

Edhe një herë dëshiroj të falënderoj KE-në dhe të gjithë vendet anëtare të BE-së për solidaritetin e shkëlqyer që ata kanë treguar ndaj vendit tim. Faleminderit shumë. I pyetur në lidhje me hapat e tjetër në drejtim të integrimit në BE, kryeministri Berisha u shpreh: “Ka një punë të madhe që do bërë ende nga ana jonë për të ecur përpara. Liberalizimi i vizave është gjithashtu një synim madhor. Shtetasit shqiptar janë të vetëdijshëm se anëtarësimi në BE do të thotë të lëvizin lirshëm në Evropë si qytetarët evropianë, me dinjitet dhe ne do të bëjmë gjithçka është e mundur, do të plotësojmë çdo kriter dhe kërkesë me qëllim që të kemi besimin e vendeve anëtare të BE-së, të KE-së, në mënyrë që të liberalizohen vizat”.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE Michael Leigh:

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE Michael Leigh: Sot, Shqipëria ka realizuar një gur të madh kilometrik, që shënon përkushtimin e fuqishëm të Shqipërisë ndaj vlerave evropiane. Tashmë i takon Këshillit të BE-së për të vazhduar më tej. Komisioni Evropian do të përgatisë një opinion për të ftuar Shqipërinë dhe për procedurën e mëtejshme. Sot, Shqipëria ka bërë përparim të vazhdueshëm në reformat kyçe politike. Që nga viti 2006, në drejtimin e qeverisë shqiptare, ka pasur reforma në sektorë kyç për t’u harmonizuar me kriteret e BE-së. MSA-ja hyri në fuqi në prill të këtij viti dhe Shqipëria ka luajtur një rol stabilizues në rajonin e Ballkanit. Tashmë, u takon shqiptarëve që të shfaqin aftësitë e kapacitet e tyre për të kaluar në etapën tjetër të integrimit drejt BE. Kjo do të thotë forcim i sundimit të ligjit dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në qershor në mënyrë të lirë e të ndershme mbetet një kusht kyç. Perspektiva evropiane për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit është thelbësore për stabilitetin dhe begatinë e këtij rajoni, ashtu si edhe për gjithë BE, për të bërë përparim solid në reformat ekonomike, për të krijuar një mjedis të favorshëm për bashkëpunim ekonomik, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE falë meritave të tyre personale, duke pasur si qëllim e synim anëtarësimin e plotë në BE. Për mua ishte kënaqësi që në emër të Komisionit Evropian të marr pjesë në këtë ceremoni që shënon një moment historik për Shqipërinë dhe BE.