E premte, 19.04.2024, 01:16 AM (GMT+1)

Mendime

Blendi Kajsiu: Ferexheja e Islamofobisë

E marte, 28.04.2009, 06:47 PM


Ferexheja e Islamofobisë

Nga Blendi Kajsiu

Përjashtimi nga shkolla i vajzave myslimane që mbulojnë kokën me shami është bërë shpesh objekt mediatik. Herë pas here dëgjojmë që rektor universitetesh apo drejtorë shkollash përjashtojnë nga shkolla studente apo studentë sepse kanë përqafuar Islamin publikisht. Veprime të tilla, pavarësisht nga mbulimi mediatik, shpesh janë kaluar në heshtje dhe pa ndonjë reagim të fuqishëm publik. Edhe pse në thelb ato janë tërësisht arbitrare. Justifikimi që jepet për këto përjashtime se shkolla shqiptare është laike është qesharak pasi laiciteti i shkollës do të thotë që programi mësimor është jo-fetar dhe jo se studentët duhet të jenë të tillë. Përndryshe i bie që që sistemi ynë shkollor të jetë vetëm për studentët jo-fetarë. Ose për ata studentë që e përqafojnë fenë ‘part-time’, pra janë fetar në shtëpi por jo në shkollë. Paradoksalisht kjo logjikë i përjashton studentët fetar nga sistemi publik i arsimit, d! uke i detyruar ata të shkollohen vetëm në shkollat fetare. Kemi të bëjmë me një logjikë që në dukje niset nga dëshira për të ruajtur laicitetin e edukimit publik dhe në realitet përfundon tek promovimi i shkollave fetare.
Prandaj duhen parë me dyshim argumentet se këto përjashtime motivohen nga dashuria për laicitetin e shkollës publike. Përpara sesa të rreshtohemi në debatin pro apo kundër përjashtimit të së rinjve islamikë nga shkollat publike duhet të kuptojmë më qartë se çfarë i motivon këto përjashtime. Veçanërisht po të kemi parasysh se laiciteti është sot për sot problemi më margjinal dhe më i parëndësishëm në arsimin publik universitar dhe parauniversitar. Sistemi ynë arsimor nuk vuan aspak nga mungesa e laicitetit apo ‘rreziku islamik’, por nga mungesa e cilësisë në mësimdhënie, mungesa e motivimit të studentëve dhe pedagogëve, mungesa e respektit të ndërsjellë mësues–nxënës, mungesa e infrastrukturës, mungesa e mësuesve në zonat rurale dhe periferike, numri i lartë i studentëve në klasë, korrupsioni, e kështu me radhë. Në këtë mori problemesh ku në shkollat tona ndodhin dhe tolerohen gjithfarë fenomenesh proble! matike shqetësimi i autoriteteve shkollore se disa të rinj kanë përqafuar Islamin të habit. Është një shqetësim që nuk ka të bëjë aspak me mbarëvajtjen dhe cilësinë e procesit mësimor. Sidomos sot kur problemi themelor me të cilin përballet shoqëria shqiptare është braktisja e shkollës dhe rritja e analfabetizmit. Nuk ka asnjë informacion se të rinjtë, që përqafojnë islamin lënë shkollën, bien në mësime, tregojnë më pak respekt ndaj mësuesve, prishin orën e mësimit, apo nuk ndjekin shkollën rregullisht. Vetëm atëherë kur përqafimi i fesë të prodhojë efekte të tilla do duhet të shqetësoheshin autoritetet shkollore. Çuditërisht sot janë të rinjtë islamik që duan të shkojnë rregullisht në shkollë dhe është shkolla, që nuk i pranon rregullisht ata.
Prandaj përjashtimi nga shkolla i të rinjve apo të rejave, që kanë përqafuar islamin më shumë sesa nga dashuria për arsimin publik motivohet nga frika ndaj Islamit. Në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me një frikë të dyfishtë që për pasojë kthehet në fobi. Së pari, Islami si çdo fe që thekson besimin absolut tek Zoti nuk përshtatet mirë me liberalizmin politik që predikon racionalizmin dhe relativizmin që shpesh prodhojnë një boshllëk ekzistencial, që mbushet me konsumerizmin material. Jo rastësisht sot fondamentalizmi fetar identifikohet me terrorizmin. Për shekuj me radhë fondamentalistët fetarë kanë qenë shenjtorët, apo ‘njerëzit e mirë’ në gjuhën popullore, ata që jetonin në mënyrë fondamentale me zotin dhe për zotin dhe shfaqnin pak interes tek ‘bota e rreme materiale’. Ndërsa sot një fundamentalist fetar barazohet me intolerancën, dhunën dhe terrorizmin. Kështu Bin Ladeni bëhet shembulli më i famshëm! i fondamentalizmit fetar, ndonëse jeta e tij nuk i ngjan aspak asaj të një shenjtori apo njeriu që është i dashuruar me fjalën e Zotit. Ky transformim i fondamentalizmit fetar më shumë sesa realitetin e fesë reflekton frikën e shoqërisë liberale ndaj saj.
Së dyti, kësaj frike i shtohet edhe fakti që historikisht Islami në Evropë është parë si kërcënimi në raport me të cilin është përcaktuar identiteti evropian. Për pasojë një pjesë e mirë e shoqërisë sonë është e kompleksuar dhe në garë për të treguar sesa shumë janë ‘evropianë’ dhe sa pak janë ‘mysliman’. Në kushte të tilla dhunimi i të drejtës për shkollim i të rinjve islamik nuk vihet re fare, kalohet në heshtje ose në rastin më të keq duartrokitet plot urrejtje dhe injorancë. Sidomos kur këta të rinj shfaqen me shami në kokë apo me mjekër në fytyrë. Pas një imazhi të tillë shumëkush më shumë sesa një qytetar shqiptar sheh një rrezik potencial, prapambetjen kulturore, të kaluarën tonë otomane që na pengon të përqafojmë të ardhmen evropiane. Veçanërisht shqetësues është imazhi i femrës myslimane që mbulon kokën me shami dhe refuzon të ‘emancipohet’ si femra moderne e spektakleve te! levizive që thyen tabutë dhe tejkalon prapambetjen duke bërë seks në publik dhe duke kënaqur kështu fantazitë mashkullore. Edhe pse një nga arsyet e përqafimit të fesë mund të jetë pikërisht lloji i emancipimit që shoqëria jonë maskiliste i ofron sot femrës shqiptare. Ky është një ‘emancipim’ që pjesëmarrjen e femrës në sferën publike e redukton tek roli i saj i kukullës Barbi, ndërsa dhunën ndaj femrës në sferën private e shikon thjesht si produkt të varfërisë. Fatkeqësisht fobia ndaj Islamit nuk na lejon të shohim deformimet që prodhohen në emër të emancipimit apo modernizmit. Frika se mos vajzat dhe djemtë e rinj mund të ‘indoktrinohen’ me Islamin na ka verbuar ndaj indoktrimit të tyre konstant me ‘vlera’ që nga egoizmi ekstrem dhe deri tek mungesa e respektit për tjetrin. Kështu ndërsa merremi me shamitë e vajzave islamike harrojmë ferexhenë tonë islamofobike që na mbulon sytë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora