Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Poeti ynë penëartë Xhevahir Spahiu është mirë

| E hene, 27.04.2009, 07:55 PM |


Xhevahir Spahiu
Xhevahir Spahiu
Poeti ynë penëartë Xhevahir Spahiu është mirë

Lajme të mira na vijnë nga Turqia. Poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu ka kryer një operacion by-pass në zemër që ka dalë me sukses.

Urime nga zemra për rimëkëmbjen e poetit tonë penëartë, Xhevahir Spahiu dhe falenderime mjekëve turq që bënë gjithçka që ne ta kemi pranë përsëri të shëndoshë!

Do shihemi Xhevo i dashur së shpejti në Tiranë dhe do bisedojmë për shëndetin tënd por edhe për letërsinë dhe poezinë që ti e ke dashur dhe e do gjatë gjithë jetës tënde.

Respekte

Fredi

Alfred Papuçiu
Gjenevë

***

By-pass në zemrën e poetit. Mjekët: Xhevahir Spahiu do flasë sërish

Nga Entela Resuli, Shekulli
 
Ndërhyrja kirurgjikale e kryer gjashtë ditë më parë në Turqi për Xhevahir Spahiun, ka dalë me sukses. Poeti tashmë është nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve turq. Sh2-shi kontaktoi një javë më parë, në vigjilje të operacionit delikat me Orgesin, djalin e Spahiut, i cili gjatë gjithë kësaj kohe i ka qëndruar pranë të atit.
Dje kontaktuam sërish me Orgesin për të marrë vesh të rejat lidhur me shëndetin e poetit. Lajme të mira! Orgesi, që është edhe vetë mjek, na tregon me detaje për të gjitha hallkat e ndërhyrjes dhe se çfarë mendohet të ndodhë më pas me shëndetin e Xhevahirit.
"Babai im e kreu operacionin ditën e hënë, më datë 20 prill. Interventi zgjati rreth 3 orë e gjysmë. Kardiokirurgu që kreu operacionin është një njeri i rrallë e mjaft fisnik. U kryen dy by-pass në vazat koronare të zemrës, si dhe endarterektomi në nivel të bllokimit të arteries së majtë karotide në qafë".
Mbi tre orë në sallën e operacionit dhe nga ana tjetër ankthi i familjarëve dhe të afërmeve për përgjigjen që do të jepte mjeku pas operacionit.
Ajo që nuk mungon asnjëherë te familja Spahiu është mirënjohja. "Gjej rastin ta falënderoj thellësisht nga zemra kardiokirurgun, Prof. dr. Ismailin, që i ridha jetë Xhevahir Spahiut, në emër të familjes dhe gjithë miqve tanë. Po ashtu dua të falënderoj në mënyrë të veçantë neurologun, Dr. Melahat që e ka ndjekur e vazhdon të ndjekë hap pas hapi gjendjen shëndetësore të babait, e cila paraqitet në përmirësim", - thotë i emocionuar Orgesi.
Sipas tij, por edhe mjekëve që po e kurojnë, "kjo ndërhyrje kirurgjikale eliminon mbi 90% rrezikun e përsëritjes së infarktit, dhe ky është hapi i parë e mjaft i rëndësishëm për shëndetin e tij, gjithashtu jep përparësi të dukshme në motoriken ose lëvizjen e gjymtyrëve të djathta, të cilat aktualisht janë më të lehtësuara".
Ajo që është më problematikja dhe që është ngritur një pikëpyetje nga të gjithë, është nëse Xhevahiri do të mund të flasë më apo jo!! Kur e pyesim Orgesin, ai thotë: "Për sa i përket aktit të të folurit, për të cilën aq shumë kemi nevojë të gjithë e që me aq padurim më pyesin të gjithë nëpërmjet telefonatave nga Shqipëria e jashtë saj, mjekët referojnë se janë optimistë. Ata gjykojnë së të folurit kthehet gradualisht dhe se kërkon pak kohë rehabilitimi".
Mjekët turq japin shpresa dhe po ashtu optimistë janë edhe familjarët e Xhevahirit, të cilët tashmë ndihen disi më të qetë, sepse e keqja a madhe kaloi. Kthimi në Tiranë do të jetë i afërt. Në Turqi mendohet të qëndrojnë edhe javën e ardhshme.
Xhevahir Spahiu është një nga poetët tanë më të njohur dhe akademik. 27 ditë më parë, mëngjesin e 29 marsit, ai pësoi një infarkt, i cili i shkaktoi paralizë të menjëhershme të trupit. Për shëndetin e tij u sensibilizuan miq e të afërm, të cilët insistuan që Spahiu të nisej me urgjencë për në Turqi, pas 10 ditësh qëndrimi në spitalin e Tiranës. Më 9 prill ai u dërgua në Stamboll. Dëshira e fundit e të gjithëve është që në dorën e tij të ketë sërish një penë dhe në fletën e bardhë sërish një poezi.