E premte, 19.04.2024, 01:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Indro Montaneli: Në bisedë me kryetarin e qeverisë së Tiranës

E hene, 27.04.2009, 06:19 PM


Një burrë

Në takimet me Mustafa Krujën, sjellim kësaj here portretin që gazetari i shquar italian, Indro Montanelli, i ka realizuar Krujës për të përditshmen "Corriere della Sera", 21 maj 1942, me titullin, "Në bisedë me kryetarin e qeverisë së Tiranës"

Nga Indro Montaneli

Mustafa Merlika Kruja, kryetari i qeverisë shqiptare, më priti në pallatin e Kryesisë, i cili për kursim hapësire strehon dhe Ministrinë e Kulturës Popullore.

Është një karabinier tek porta (një i vetëm), një korridor i zbrazur, një sallë pritjeje ku nuk pritet shumë, mbasi kryetari i bën takimet gjithmonë në kohën e caktuar.

Fill mbas sallës hyhet tek ai që, duke hequr syzet, ngrihet nga një tryezë e vendosur mes dy dritareve dhe i del para mikut të porta.

Figura e Merlika Krujës

Nuk e shihja Mustafa Krujën që prej dhjetë vjetësh dhe e gjeta pak të ndryshuar. Atëherë (më 1932-shin) ai ushtronte një tregti të thjeshtë në Zara.

Duke kaluar andej, një shok më tha se donte të më njihte me një njeri interesant, për të cilin një ditë do të flitej në Ballkan.

Besoja se do të gjeja një nga komplotistët e zakonshëm jugosllavë, një nihilist, një dinamitas që kish ndërmend të sajonte ndonjë bombë ferrprurëse, për ta vënë nën karrigen e ndonjë ministri.

Ndërsa gjeta në rrugën "Shën Mëhill" një burrë me shtat mesatar, i veshur thjeshtë, por me dinjitet, mjaft i kursyer në fjalë e lëvizje e me një fytyrë asketike të skalitur nga vuajtja e nga puna.

Nuk kishte asgjë djallëzore, sytë e tij ishin të ëmbël e të ngulitur, të biseduarit i vështirë (ende fliste me zor italishten) dhe i matur. Kur mungonin klientët ai zhytej në leximin e një volumi të trashë e të ngatërruar të glotologjisë shqiptare.

Kur na pa të hynim së bashku me shokun tim, u ngrit duke hequr syzet e na doli përpara tek dera, me të njëjtën shprehje familjariteti fisnik e të matur që tregoi sot me mua, duke më pritur si kryetar i qeverisë.

Suksesi dhe nderimet nuk kanë mundur të ndryshojnë gjë në karakterin dhe qëndrimin e jashtëm të këtij burri. Ai ishte veshur pak a shumë si dhjetë vjet më parë e nuk vinte në dukje rëndësinë e tij me poza apo fjalë të mëdha.

Vazhdon të flasë i matur, megjithëse tani e zotëron italishten përsosmërisht dhe, gjë e rrallë për një burrë shteti, jep përshtypjen se ajo që thotë është e vërtetë.

Kur i paraqita, siç është zakon në këto raste, një seri pyetjesh, duke e lutur të më përgjigjej me shkrim mbasi të ishte menduar, meqenëse ishin të paracaktuara të botoheshin në një gazetë, më tha se do të më përgjigjej aty për aty, ashtu siç e mendonte.

"Nuk kam asgjë për të fshehur apo mbuluar me fjalë të vështira, më tha. Për të mos fshehur e për të mos mbuluar kam kaluar gjithë jetën time në mërgim. E nuk jam i penduar".

Jeta e të mërguarit Kruja, i ngjan më shumë asaj të Macini-t sesa asaj të revolucionarëve ballkanas. Ai lindi 55 vjet më parë në Krujë nga një familje bujqish. Është mysliman, i rritur nën pushtimin otoman. Studioi në shkollë turke para se të shkonte në Universitetin e Stambollit.

Që herët qe nacionalist. Nacionalizmi i tij u shfaq në çështjen e gjuhës. Në vitet që paraprinë Luftën e Parë Ballkanike lindi një kundërshtí mes përkrahësve të shkronjave latine e atyre turke. Kruja qe për të parat.

Profesor në liceun e Durrësit, më pas burgoset dhe internohet nga qeveria e Esat Toptanit. Erdhi në Itali në prag të luftës së madhe e mbeti aty.

Përkrah Italisë

Në atë rast ai përcaktoi vijën e tij politike, mënyrën e nacionalizmit të tij. Tha: "Fati ynë është përkrah Italisë. Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e saj, do të binim pre e fqinjëve tanë më të fortë. Jugosllavët janë barbarë e grabitës, shtypës për instinkt pushtimi e për mungesë sensi politik dhe klase drejtuese; grekët janë të varfër e të etur, Austria është një dekadencë ndriçuese dhe e ndritshme.

Asnjëra prej të triave nuk ka vitalitet të mjaftueshëm për të bërë një politikë perandorake, në të cilën Shqipëria të gjejë vendin e saj si një organizëm kombëtarisht i njehsuar dhe me vullnet të plotë pjesëmarrës në të drejtat dhe detyrat e përbashkëta. E gjithë historia jonë na lidh me Italinë.

Që nga Perandoria Romake, së cilës i dhamë perandorë gjenialë e gjeneralë trima, tek Serenissima (Republika e Venedikut sh. i p.) dhe Mbretëria e Napolit.
Kruja u kthye në Shqipëri në fund të 1918-ës.

Gjeti një gjendje të turbullt. Mbeturina turke, mbeturina austriake, intriga greke, intriga jugosllave. U zgjodh ministër i Postave në qeverinë provizore të Durrësit me Turhan Pashën.

Pastaj shkoi në Paris, për të mbrojtur interesat shqiptare kundër përpjekjeve gllabëruese të Venizellosit e të Pashiqit. I kthyer në atdhe, gjeti armikun e tij, Zogun, ministër të Brendshëm dhe faktotum të qeverisë.

E pa shpejt rrezikun dhe organizoi revoltën. Nuk u kuptua nga pjesa më e madhe e nacionalistëve. Megjithatë tentoi përsëri goditjen që dështoi. Atëherë Kruja rimori rrugën e mërgimit me pak shokë që e ndoqën për t'u shpëtuar ndjekjeve.

Shkoi fillimisht në mal, që ka qenë gjithmonë streha më e sigurt për çdo të përndjekur shqiptar. Që aty kaloi në Jugosllavi, ku serbët e internuan. U arratis nga internimi dhe nëpërmjet Vjenës kaloi në Itali; në fillim në Romë e më pas në Bari, për të qenë më pranë Shqipërisë në gatishmëri për t'u kthyer.

E dinte se Zogu i mëshonte pak si fort shtypjes dhe që shqiptarët duronin deri në ditën që do të shpërthenin.

Në fakt, kur Zogu bëri të vritej Avni Rustemi nga njerëzit ë tij, shqiptarët shpërthyen dhe e përzunë duke vajtur në Beograd, për t'u kërkuar ndihmë jugosllavëve dhe anglezëve. Kruja u emërua menjëherë prefekt në Shkodër.

Qeveria e Fan Nolit i besoi atë vend, sepse ishte më pranë kufirit serb e më i përshtatshëm për të mbikëqyrur lëvizjet e armikut.

Por armiku u kthye nën mbrojtjen e ushtrive të maskuara jugosllave dhe parave të konsullit anglez, Ejres. Krujës i duhej përsëri të ikte në Bari, këtë herë i shoqëruar nga gruaja dhe fëmijët. Ishte Krishtlindje 1924.

Që atëherë Kruja mbeti gjithmonë në Itali. Nga Bari kaloi në Zara, nga Zara në Nervi. Nuk komplotoi. Më 1927-ën, kur Zogu bëri një marrëveshje me Italinë, Kruja i dërgoi një telegram Musolinit, duke e uruar për këtë veprim, që ai e quajti "shpëtimi i Shqipërisë".

Vazhdonte të mos i besonte Zogut, megjithëse besnikëve të tij ua kishte ndaluar që t'ia pengonin veprimtarinë. U kthye në Shqipëri mbasi trupat italiane kishin spastruar vendin. Me gjithë njëfarë kundërshtimi në parime, nuk u ndesh me qeverinë e re të Vërlacit, madje ia mbështeti veprimet.

Më shumë edukator sesa njeri i politikës, ai ia kushtonte energjitë më të mëdha hartimit të një fjalori të gjuhës shqipe, me të cilin ende punon.

Është një njeri i pazoti për intriga. Një fjalë e urtë shqiptare thotë: "Nuk mjafton të jesh njeri i madh për të qenë njeri". Kruja synon të jetë njeri. E si njeri më foli dje me fjalë të thjeshta e të sakta. Prandaj, gjithçka që thoshte dukej se ishte e vërtetë.

Shpresa tek të rinjtë

"Jemi bashkuar me Italinë fashiste nën të njëjtën kurorë, në kuadrin e Perandorisë së Romës, sipas frymës së kohëve të reja dhe luftës së madhe në vazhdim. Nuk është çështje ndjenjash, por çështje arsyeje dhe interesi. Ne duam një Shqipëri krejtësisht të pavarur. Nuk mund ta kemi.

E sigurojmë autonominë e saj duke iu bashkangjitur një Perandorie që, me urtësinë e saj, din të veprojë në mënyrën më të zgjuar e më frytdhënëse: pa kërkuar të na rrafshojë me metron e saj, na lë fizionominë tonë kombëtare, duke na ndihmuar të zhvillohemi sipas kushteve të racës sonë, të gjuhës sonë, të zakoneve tona.

Problemet e Shqipërisë janë dy llojesh: ata që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona me Italinë dhe ata që rrjedhin nga punët tona të brendshme. Nuk dua t'u bëj deklarata plot fjalë të kota dhe pa kuptim.

Ju e dini se jam një nacionalist. Si i tillë jam i palëkundshëm mbi çështjet e individualitetit tonë si racë e si gjuhë. Dua një Shqipëri të bashkuar brenda kufijve të saj natyralë.

Dua që kjo Shqipëri të zhvillojë jetën e saj në paqen e garantuar nga Perandoria e Romës. Ne jemi të lidhur me këtë Perandorí, jo vetëm pse na takoi dhe ne të jemi një shtet totalitar e fashist e pse kemi njohur për mbret Mbretin e Italisë, por për rrethana të pandryshueshme historike e gjeografike.

Fakti që ne jemi në luftë, për shembull, nuk rrjedh ngaqë ne kemi hequr dorë nga një politikë e jashtme e pavarur, por ngaqë Shqipëria, për vetë pozitën e saj gjeografike, është e lidhur me fatet e Italisë.

E ngulitur kjo pikë historike dhe e qenësishme, ju them se caqet dhe format e bashkëpunimit italo-shqiptar janë përcaktuar më përpikëri nga statuti i zgjeruar prej N. M. së Tij, Mbretit Perandor.

Për sa u përket problemeve të brendshme, i kemi të rënda dhe askush nuk mund të gënjehet se janë të zgjidhshme në pak muaj a në pak vite.

Themelor është ai i edukimit. Është një problem mësuesish filloreje. Do t'ishte shumë e lehtë të besoje se mjafton të ndërtosh pallate, ura e rrugë, për të mënjanuar gjithë të këqijat, nga të cilat vuan jeta shqiptare.

Para së gjithash, na duhet të formojmë një klasë drejtuese. Unë nuk dua njerëz të jashtëzakonshëm: dua njerëz mesatarë, të vënë në provë për ndershmëri e me një përgatitje të mirë teknike.

Pa këta njerëz na rrofshin ligjet e dekretet. Janë të gjitha pa vlerë. Klasën drejtuese synojmë ta nxjerrim nga çdo shtresë shoqërore.

Ne kemi një aristokraci të lodhur, të mbetur prapa, me parime që nuk i përshtaten më kohës sonë, një borgjezí të mangët në numër, në mjete e përgatitje, një masë në të cilën 70% është analfabete. Shpresa jonë është tek të rinjtë.

Të rinjtë kanë vrulle që herë-herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre, e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdijeje kombëtare dhe vetjake.

Shumë prej tyre shkojnë për të studiuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vendin e tyre në nivelin italian. Shpesh, padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí.

Unë nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht, të parët do ta bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja".

Kështu më tha Mustafa Kruja. Kur mbaroi, u ngrit për të më shoqëruar tek dera, siç bëri dhjetë vjet më parë, duke më përshëndetur në pragun e një dyqani të thjeshtë. Ishte pikërisht gjithmonë i njëjti burrë. Një burrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora