E premte, 26.04.2024, 12:06 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjendje lufte në Mitrovicë, serbët nën armë!

E hene, 27.04.2009, 10:45 PM


Nga Hysni Syla, Bota Sot

Serbët që kërcënojnë vazhdimisht me armë, shqiptarët dhe forcat e rendit, të shtëna, gaz lotsjellës, bllokadë e urës mbi Ibër, vëzhgim nga helikopteri e kanë karakterizuar Mitrovicën të hënën.
 
Mitrovicë, 27 prill - Të shtëna me rafal nga armë zjarri nga ekstremistët serbë, hedhje e pandërprerë për mbi katër orë të gazit lotsjellës, gjuajtje me gurë ndaj ushtarëve të KFOR-it nga ana e serbëve, më pas vëzhgimi i situatës nga helikopteri, pozicionim i forcave të shumta të KFOR-it dhe atyre policore përreth lagjes “Kroi i Vitakut”, përfshirë tanket të KFOR-it danez dhe të atij belg në cepin jugor të urës kryesore mbi lumin Ibër, si dhe bllokadë totale e kësaj ure nga KFOR-i dhe EULEX-i. Po ashtu forca të shumta janë pozicionuar në udhëkryqin para komunës dhe vazhdim normal i punëve në ndërtimin e pesë shtëpive në lagjen veriore, “Kroi i Vitakut”, e kanë karakterizuar ditën e hënë në Mitrovicë. Ishte ky tensionimi pothuaj më i lartë i gjendjes që prej trazirave të përgjakshme të marsit të vitit 2004.

Fatbardhësisht, edhe në një gjendje të këtillë nuk ka pas gjakderdhje dhe as përleshje midis shqiptarëve dhe serbëve. Tensionimi i gjendjes ka filluar diku pas orës 10.00, kur një grup serbësh prej rreth 100 vetash janë nisur në drejtim të shtëpive shqiptare për t’i ndërprerë punimet për rindërtim që kanë filluar të mërkurën në këtë lagje. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, togeri Besim Hoti, tha se rreth 100 persona të nacionalitetit serb sërish kanë tentuar të depërtojnë me forcë përtej kordonit të vendosur policor në stacionin në veri të Mitrovicës, deri në lokacionin ku janë duke u kryer punimet e pastrimit të terrenit për rindërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut. “Forcat e Policisë së Kosovës, të stacionit në veri të Mitrovicës dhe forcave të EULEX-it, për të parandaluar incidentet e mundshme kanë arritur që të ndalojnë shkuarjen e protestuesve në vendin e punimeve. Si rezultat i rrethanave të paraqitura në terren, rreth orës 10:30 minuta, policia është detyruar të vë në përdorim gazin lotsjellës në një fushë të hapur në afërsi të vendit ku ishin tubuar protestuesit”, tha Hoti. Kjo situatë ka zgjatur diku mbi katër orë dhe gjatë kësaj kohe gazetarët dhe të gjithë ata që ishin në vendin ku po ndërtoheshin shtëpitë, kanë dëgjuar të shtëna me rafal nga armë zjarri dhe hedhje të pandërprerë të gazit lotsjellës, me ndërprerje të kohëpaskohshme. Në të vërtetë serbët përdorën taktikë tjetër gjatë ditës së hënë, duke u shpërndarë në një front prej një kilometër, për të shpërndarë kështu edhe përqendrimin e forcave policore dhe të KFOR-it, të cilat duheshin të ripozicionohen dhe të pamundësojnë depërtimin e serbëve deri tek shtëpitë shqiptare, në ndërkohë snajperistët e KFOR-it kishin zënë pozicione të sigurta në shumë vende. Duke parë se gjendja po tensionohet gjithnjë e më shumë, diku rreth orës 13:00 në afërsi të shtëpie që po rindërtohen kanë arritur tanket e ushtarëve danez të KFOR-it dhe më pas ushtarët danez dha ata francez të KFOR-it janë pozicionuar në pikat strategjike të serbëve, duke i ndjekur ata nga aty dhe duke e futur lagjen e banuar me serbë në rrethim të plotë. Kjo ka ndodh diku rreth orës 14:00 dhe si duket ka ndikuar që gjendja të qetësohet në këtë lagje. Mirëpo, në ndërkohë, Duke parë vendosmërinë e strukturave të sigurisë, të cilat nuk kanë lejuar ndalimin e punimeve në Kroin e Vitakut edhe pas protestave dhe të shtënave me armë zjarri, një grup prej rreth 100 serbësh ka sulmuar me gurë trupat e KFOR-i në afërsi të zonës së “Tre rrokaqiejve”. Mandej edhe po kaq janë tubuar në afërsi të urës kryesore dhe si rrjedhojë, forca të mëdha të KFOR-it dhe policisë së EULEX-it kanë bllokuar urën totalisht. Banor i zonës së “tre rrokaqiejve”, Shashivar Begu, tha se pa marrë parasysh këtë tubim të serbëve afër banesave, ata nuk janë ndier të kërcënuar dhe se lirshëm kanë qarkulluar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, në ndërkohë ka deklaruar se nuk është raportuar për persona të lënduar nga armë zjarri. Mirëpo, një zyrtar i EULEX-it, tha për “Bota Sot”, se po qarkullojnë informata se dy serbë janë plagosur, por është e sigurt se pjesëtarët e EULEX-it nuk kanë përdorë armë zjarri, andaj edhe nuk dihet se si janë lënduar serbët për të cilët po flitet. Ka reaguar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i cili pasi ka vizituar lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, ku ka filluar rindërtimi i pesë shtëpive shqiptare, për të parë nga afër se si po zhvillohen punimet, ka thënë se sa i përket procesit të rindërtimit të shtëpive shqiptare në këtë lagje, ai është duke vazhduar normalisht, sipas dinamikës së paraparë dhe gjatë ditës së sotme punët nuk janë ndërpre për asnjë çast. “Ky është një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët se organet e sigurisë po bëjnë çdo gjë që është e mundshme që të krijohet një situatë normale, si parakusht për bashkëjetesë të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në komunë”, ka thënë kryetari Rexhepi. “E vetmja kërkesë nga ndërkombëtarët është që qytetarët e komunës të kenë sjellje dinjitoze e të matura dhe që në asnjë mënyrë mos të provokojnë esaklimin e situatës së përgjithshme në komunë”, tha kryetari Rexhepi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora