E premte, 19.04.2024, 11:50 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Mitrovica në udhë përshkrimin e Branislav Nushiqit

E diele, 26.04.2009, 07:13 PM


MITROVICA NË UDHË PËRSHKRIMET E BRANISLAV NUSHIQIT*

Nga Shevki Sh. Voca 

    Për historinë e kaluar para mesjetare dhe të mesjetës së hershme të Mitrovicës dhe të rrethinës së saj dihet pak. Burimet e shkruara për këtë kohë janë të pakët dhe të mangët gjë që për një studiues të mirëfilltë paraqet një problem serioz sepse, që në fillim vërehet një mungesë e madhe e informatave të duhura për këtë periudhë kohore.
   Qyteti i Mitrovicës me këtë emër  për herë të parë përmendet në fund të shekullit XV (1499), nga udhëpërshkruesi Arnold von Harfi. Në shekullin XVI (1530), Benedikt Kuripeshiqi,  Mitrovicën e përmend si qendër tregtare eksportuese në Kosovë. Kurse Filip D. Kanej  më 1573, e përmend si qytezë me një bollëk  të pa besueshëm pemësh. Në shekullin XVII, Mitrovica përshkruhet si një vend i vogël me plot gjallëri; Marin Bici në vitin 1614 e përmendë në të ashtuquajturën “rrugë e re” e cila të shpie prej Malit të Zi në Sjenicë, Tregun e Ri (Novi Pazar) dhe më tej nëpër Kosovë. Gjeografi, enciklopedisti dhe udhëpërshkruesi i njohur turk Haxhi Kalfa (1609-1657), i njohur edhe me emra pak më ndryshe si Katib Çelebi dhe Haxhi Halifa, emri i vërtet i të cilit ishte Mustafa ibn Abdulla (plotësim i SH.  V.), Mitrovicën e përmend si kadillëk në sanxhakun e Vushtrrisë, ndërsa udhëpërshkruesi tjetër turk Evlia Çelebiu duke na ofruar disa sqarime bënë dallimin e Mitrovicës së Sremit me këtë të Kosovës. Pak më

Branisllav Nushiqi (1864-1938)
Branisllav Nushiqi (1864-1938)
vonë Mitrovicën e përmend edhe Pjetur Bogdani si një vendbanim me 500 shtëpi, ndërsa në fermanin e Sulltan Abdulhamiti I, të vitit 1776, Mitrovica  theksohet si një vend e cila i epet dioqezës së mitropolitit të Novi Pazarit (Tregut të Ri) Nikodimit. Një Dubrovnikas i panjohur në udhë përshkrimet e veta e përmend “vendin e quajtur Mitrovica”. Baron Bonxhuri i cili në shkrimet e tija na sjell të dhëna mjaft interesante dhe të mira, e quan Mitrovicën qytezën e fundit të Rashkës, sepse aty lumi Ibër (tani Lumëbardhi) formon kufirin mes Serbisë  dhe Bosnjës. Anri (diku Henri) Pukvili në vitin 1807 duke udhëtuar nga Bosnja e cekë Mitrovicën, si një zonë e pasur me drithëra, vreshta dhe me konopë. Më vonë më 1828 kjo Mitrovicë u quajt Mitrovica e Pazarit. Ami Blue në shkrimet e veta Mitrovicën e njehson prej 200 deri në 300 shtëpi dhe me 800 banor,dy xhami, dy hane, një sahat kullë dhe disa dyqane. F. Llukiqi në vitin 1852 Mitrovicën e llogariste me 300 shtëpi myslimane dhe 50 shtëpi krishtere. Ndërsa A. Gilferding më 1857 thotë se Mitrovica kishte vetëm 300 shtëpi. Po ashtu Mitrovicën e përmendin si qytezë të Bosnjës edhe Mis. Makenzijeva dhe Ibrijeva në librin e udhë përshkrimeve “Putovanje po slovenskim  zemljama Turske u Evropi” Beograd 1868, përkthim nga anglishtja. Historiani, juristi dhe profesori Serb Millosh S. Milojeviq (1840-1907), për të cilin vetë historiografia serbe thotë se ishte një person mjaft kontrovers, në vitin 1872, gjatë kalim-qëndrimit të tij në Mitrovicë e ngritë numrin e shtëpive ku diku shkruan se ishin 500 ndërsa diku tjetër 600 shtëpi, me më shumë se 7 xhamia, një faltore të vogël krishtere me një dhomë të  ngushtë, dhe një shkollë turke, kurse Vjekoslav Klajiçi në vitin 1878 shënon se në  Mitrovicë kishte gjithsejtë 350 shtëpi. Për qytetin e Mitrovicës kanë shkruar edhe shumë të tjerë si për shembull; Ivan Ivaniç në librin  “Na Kosovu” Beograd,1903; Todor Stankoviç në librin “Putne beleske  po staroj Srbiji” Beograd,1910; dr. Jevto Dedijer në librin e tij “Nova Serbija” Beograd. 1913; pastaj Kosta N. Kostici “Nasi novi gradovi na jugu” Beograd. 1922; Aleksanadar Popoviqi, “O postanku Kosovske Mitrovice” në “Juzna Serbija” Shkup 1922; Diplomati francez Ogist Bpop, në shënimet e tija me titull: “Sa srpskom  vladom od Nisa do Krfa”, Gjenevë 1916; Nikola Trajkoviq, në  “Jugoslavija u slici i reci I-va knjiga Serbija”, 1927 Beograd; Branislav Nushiqi në “Kosovo  Opis Zemlje i Naroda” fletorja e dytë 1903; Novi Sad, nga i cili ne më poshtë do të paraqesim pjesët që flasin për Mitrovicën; Sami Frashëri në: “Kamus Al’Alam” po ashtu e përmend Mitrovicën, si dhe më  vonë nipi i tij  Mithat Frashëri në: “Mbresa Udhëtimesh-Shkup, Kosovë, Sofje, Zvicër, Paris 1911-1921”,pastaj  Atanasije Urosevic, “Kosovska Mitrovica-antropogeografska ispitivanja”, 1953-1954 e shumë e shumë të tjerë që ne me këtë rast do ta lëmë me kaq.
   
“Unë nuk e barti mbiemrin tim. Është ky mbiemri i një tregtari nga Beogradi, të cilën babai im, duke mos pas mbiemër të vetin e kishte përvetësuar. Kush do të dijë si jam quajt unë? Dhe, kjo është pakë. Por ajo që e di gjithsesi është se jam ballkanas. Te unë është një përzierje shqiptare, vllahe dhe serbe. Nëna ishte me prejardhje serbe. Pra, më së shumti jam serb.” (Branislav Nushiqi për vete).**
   Sipas historiografisë serbe  Branisllav Nushiqi lindi në vitin 1864 në Beograd me emrin Alkibiad Nusha, në një familje vllahe tregtare, nga babai Gjergji (në serbishte Gjorgje), prejardhja e të cilit është e kontestueshme që do të shohim më poshtë, dhe nëna Lubica. Familja e tij
shumë shpejtë u shpërngul në Smederevë, ku Nushiqi e mbaroi shkollën fillore dhe dy vjet të gjimnazit, ndërsa maturën e përfundoi në Beograd, më 1882.  Kur i mbushi 18 vjet Nushiqi me ligj e ndërroi emrin nga Alkibiad Nusha në Branisllav Nushiq. Ndërkaq disa vite më vonë e kreu fakultetin juridik po ashtu në Beograd. Nushiqi gjatë jetës së tij, punoi punë të ndryshme nga shkrimtari, deputeti në parlament, e deri te konsulli. Disa vjet para vdekjes,tani veç në moshë mjaft të shtyrë u pranua në mënyrë solemne për anëtarë të akademisë serbe, por si duket tani ishte vonë, sepse disa herë më parë ishte refuzuar prania e tij si anëtarë i një  institucioni më të lartë shkencorë (me sa duket, sipas disa shkrimeve të intelektualëve të pavarur serb, ajo kishte ndodh për shkak prejardhjes së tij të kontestuar SH. V.) në të cilën më në fund u pranua më 10. II-1933, ndërsa ai vet mori pjesë në te më 28. XII-1933. Nushiqi vdiq në Beograd në vitin 1938, në moshën 74 vjeçare.
   Babai i Nushiqit, Georgijesi më vonë Gjorgje apo në shqipe Gjergji ishte një fëmijë i lindur nga prindër jashtëmartesor. Në vijim do ta paraqesim tregimin enigmatik të prejardhjes së Nushiqit.
“Gjyshja e Branisllav Nushiqit në vijën e babës quhej Goca e cila ishte me prejardhje vllahe që kishte lindur diku në rrethinën e Manastirit. Ajo ishte një femër me një bukuri të jashtëzakonshme për të cilën u fluturonin mendjet si serbëve dhe vllahëve, e po ashtu edhe shqiptarëve. Por ajo i sfidonte dhe refuzonte çdonjërin prej tyre sepse më fortë i pëlqente të jetë e lirë. Më vonë Gocën e përcjellë një fat jo i dëshiruar se pse ajo dhunohet nga një ushtar i armikut. Pastaj këtë bukuroshe vllahe e grabit një shqiptar i quajtur Bello i cili bashkë me të strehohet diku nëpër male. Me këtë shqiptar që quhej Bello, me një jetë të egër nëpër male ajo mbetet shtatzënë. Belloja i ngopur me kënaqësitë epshore me Gocën atë  e merë dhe ua dorëzon prindërve të saj në fshat. Tani aventura e dashurisë së Gocës përfundoi me një zvetënim, të cilën më askush nuk e dëshironte,  çakë edhe prindërit e saj nuk e pranuan. Dhe si e tillë ajo u detyrua që vetë të zgjidh problemin e jetës që kishte para vetes, me ç’rast largohet dhe strehohet në Selanik, ku në vitin 1822 i lindi djali të cilin e pagëzoi me emrin Georgijus. Pastaj me fëmijën në dorë filloi të bredhë poshtë e lartë, pa kurrfarë mjete elementare për jetë, dhe shpeshherë në Selanik e detyruar t’i ekspozohej punëve të turpshme vetëm  sa për të siguruar një kafshatë bukë  për vete dhe fëmijën e vogël.
   Rreth vitit 1830 ajo i  bashkëngjitet një karvani vllahe e cila kishte marrë drejtimin kah veriu për në Serbi. Një pjesë e atij karvani arrin në Beograd ku shpërndahen dhe vendosen  nëpër skaje të rrugëve. Aty Goca, ashtu e bukur siç ishte i bie në sy njëfarë tregtari të moshuar Gir Nusha  i cili e merë me gjithë të birin nën kujdesin e vet. Plaku menjëherë e ofron djalin në lokalin e vet për të punuar dhe mësuar zanat, ndërsa këtu në këtë lokal përfundon edhe tregimi i Gocës së pa fat të cilës i humb çdo gjurmë. Në këtë mënyrë Georgiusi në Beograd e humbi edhe nënën, por që  kujdesin dhe mbikëqyrjen ndaj tij e kishte marrë vllahu i plakur, Gir Nusha. Djaloshi Georgius në një vend të huaj pa askënd të vetin nga familja apo të afërm, në shenjë nderi dhe respekti ndaj plakut që ishte kujdesur për te e merr  mbiemrin e tij Nusha ndërsa emrin e ndërron nga Georgius në Gjorgje, dhe bëhet Gjorgje Nusha. Kështu përfundon tregimi për prejardhjen e Branisllav Nushiqi-t autorit të  62 veprave, romaneve të ndryshme, komedive , dramave, novelave, të prozave humoristike udhëpërshkruese dhe të memoareve.
  Nushiqi punoi edhe në detyrën e konsullit të Serbisë për rreth 10 vjet nëpër vende të ndryshme si në Manastir (Bitol) ku edhe ishte martuar, pastaj në  Serez, Selanik, Shkup dhe Prishtinë. Gjatë kryerjes së shërbimit të  konsullit siç na tregon ai në memoaret e tij kishte hulumtuar nëpër ato vende ku mendonte se do të gjej të paktën ndonjë shënim për prejardhjen e familjes. Por kot ishte munduar, sepse nga kjo punë s’kishte arit të sigurojë asgjë. 
  
KAPITULLI  XX

MITROVICA
 
   Në bërrylin e Lumëbardhit (Ibri), ku ajo bënë kthesën e shtratit të vet për tu bashkuar me Sitnicën, kah fundi i Kosovës, shtrihet qyteti më i bukur i Kosovës, Mitrovica e stolisur, të cilën kënga jonë popullore e quan Shehër Mitrovica. Ndoshta Mitrovica ngritët në vendin ku dikur ishte qyteza (para lagje) e Zveqanit. Aty mund të hassh në disa gjurmë të cilët do të dëshmonin për këtë. Para disa vitesh në fushën e Sandi-t tek Sitnica, pranë Mitrovicës, u gërmua një  podrum i vjetër dhe në vendin ku janë varret e sotshme (lexo te Fafosi që në atë kohë aty ishin varret e qytetit SH. V.), u gjend një sarkofag por, pa kurrfarë dekorime. Në këtë vend vërehen edhe disa gjurmë të një kishe të vjetër. Megjithatë në fshatin Zhabar, që gjendet një orë larg në pjesën juglindore të Mitrovicës, ekzistojnë tregime të cilat thonë se në atë vend kishte qenë Mitrovica e vjetër. (Në po këtë fshat ekziston tregimi se si me rastin e dyndjes Serbe aty është fshehur dhe shpëtuar nga ndjekësit Patriku Arsenije Shakabenda).
  Mis Irbijeva dhe Mekenzija në udhë përshkrimet e tyre nëpër Turqi, metë ndarë prej Vushtrrisë, në kapitullin XX të librit të tyre me titull “Nga Arnautlëku në Bosnje” do ta përshkruajnë edhe Mitrovicën. Edhe sot thuhet se nga Mitrovica fillon Arnautlluku   (emri turk për Shqipërinë, SH. V.) edhe pse Arnautlluku tani më nuk i ka kufijtë e  definuar saktësisht.
   Mitrovica në kohën e Turqisë i takonte Bosnjës dhe hynte në kufijtë e Pashallëkut të Bosnjës. Ajo veçanërisht përbëhej nga nahija e Mitrovicës e cila kufizohej me nahijen e Pazarit (Tregut të Ri, SH. V.) dhe Vushtrrisë nga të cilat kjo e fundit i takonte Pashallëkut të Prishtinës. Në lindje të Mitrovicës, nja gjysmë ore larg prej stacionit të trenit, gjendet një han para së cilës janë të ngulitur në tokë dy gur të lartë. Vendasit thonë se ato dy gur e caktojnë kufirin mes Bosnjës dhe Serbisë së Vjetër. Dikur në këtë vend boshnjakët dilnin që të takohen me vezirët e ri të tyre dhe aty bënin therjen e kurbanit.
  Në Mitrovicë pritet rruga kryesore e Kosovës e cila të shpie për në Bosnje, ajo gjendet në trekëndëshin e tri nahijeve: Të Pazarit, Pejës, dhe të Prishtinës; aty përfundon hekurudha Shkup-Mitrovicë, dhe mu për këtë këtu gjendet skela për krejt nahijen e Bosnjës si dhe për atë të Pejës. Këto rrethana kanë  ndikuar që Mitrovica të bëhet një vend i rëndësishëm në të cilën brenda njëzet viteve u dyfishuan apo trefishuan banorët e saj. Ashtu që, udhëpërshkruesit e para njëzet viteve Mitrovicën e njehsonin me 400 apo 450 shtëpi, ndërsa tani aty ka 1300 shtëpi me afër 7000 banorë. Prej tyre më së shumti ka Boshnjak-Muhamedan (kështu figuron në librin e B.N.) dhe shqiptar, e pastaj vijnë serbët. Ka mjaft edhe Rom dhe dy shtëpi të Hebrenjve. Prej që filloi emigrimi i Boshnjakëve në masë të madhe, ata më me kënaqësi u vendosen dhe u popullzuan në Mitrovicë, ndoshta nga aspekti se mendonin që gjenden ende në Bosnje, (me këtë rast duhet theksuar se shumë familje boshnjake erdhën në Kosovë, por me një përqendrim më madh në Mitrovicë, pas pushtimit dhe okupimit Austro-hungarez të Bosnjës më 1878. Ndërkaq vala e dytë e ardhjes së boshnjakëve në Mitrovicë është edhe pas vitit 1912. Në këtë mënyrë Mitrovica njehsonte gati 200 shtëpi boshnjake, por prej tyre më tepër se 170 familje shkuan për Turqi, me që tani edhe Kosova u pushtua dhe okupua nga Serbia. Boshnjakët në Mitrovicë vetë i ndërtuan dy xhami dhe një mulli të bukur, ndërsa një xhami tjetër e ndërtuan në bashkëpunim me muhaxhirët shqiptar të dëbuar nga rrethi i Nishit, Toplicës, Kurshumlisë etj., plotësimi i SH. V.). Me rastin e ardhjes së këtyre Boshnjakëve, Mitrovica filloi të popullzohet me të madhe edhe në pjesën veriore të saj pranë Lumëbardhit, ashtu që në atë anë tani gjenden 130 shtëpi, dhe po thua se që të gjithë janë Boshnjakë. Të gjitha ato shtëpi janë të bukura dhe të pashme, dhe se shumë shpejtë edhe ajo pjesë e qytetit do të zbukurohet.
   Përndryshe synimet për zgjerimin e Mitrovicës kah ana e stacionit hekurudhor e cila më përpara ishte mjaft larg qytetit, tani më nuk i ka as dhjetë minuta largësi nga shtëpitë e para të qytetit.
   Mitrovica aq ka marrë hov në përparimin e saj, sa që para disa vitesh në Stamboll  mendohej që Mutesarifi (kryesia e qarkut) që gjendet në Prishtinë të vendoset në këtë vend të madhe dhe të rëndësishme. Qytetarët e Mitrovicës akoma mendojnë se ajo do të ndodhë, ndërsa ata të Prishtinës bëjnë çmos që kjo punë të pengohet.
  Në Mitrovicë  nuk ka familje të vjetra për të cilët kishim mundë të themi se janë Mitrovicas të vjetër,(Nushiqi si duket me këtë rast mendon për familjet serbe SH. V.). Si familje më të vjetra përmenden: Nastiqët, Mijatoviqët dhe Kazanqiqët. Dy të fundit plotësisht janë shujtë (zhdukë), ndërsa prej Nastiqëve jeton ende vetëm një frymë. Atë e popullzojnë ardhacakët nga qytete tjera dhe mu kjo bënë që edhe vetë qyteti mos të ketë një imazh të veçantë të sajën. Mitrovica nuk i ka as veshjet e veta por as gjuhën e vet. Në çarshinë e Mitrovicës përzihen ai nga Nikshiqi me at të Velezhdit, Pejani me Gjilanasin, Prishtinasi me  Prizrenasin, dhe ai i Pazarit me Gjakovarin. Për shkak të këtyre rrethanave që Mitrovicën e popullzojnë të huajt, bëjnë që te ajo jeta publike, dhe liria të jenë më dinamike se sa në qytete tjera të Kosovës. Të moshuarit tregojnë se për shembull në ditën e Shën Gjergjit, por edhe gjatë festave tjera më të mëdha organizoheshin gazmende të shumta saqë vallja udhëhiqej edhe nëpër rrugët e qytetit. Edhe sot nëpër oborret e Mitrovicës për festa të tilla organizohen ahengje të shumta ku mblidhen femrat , por që as meshkujve nuk u ndalohet të marrin pjesë. Por me popullzimin e shqiptarëve në shumicë në Mitrovicë (lexo duke zbritur nga fshatrat për rreth, SH. V.) filloi edhe rrënja  e atyre ahengjeve.
   Çarshia e Mitrovicës çdoherë është plotë gjallëri, për shkak të rrethanave që i cekëm  më parë, të cilat Mitrovicën edhe e bëjnë qytetin më të vlefshëm në Kosovë. Por përveç vlefshmërisë tregtare Mitrovica e ka edhe vlefshmërinë ushtarake, sepse aty është edhe stacioni i fundit i vijës kufitare për serbi, nga e cila dërgohet apo mblidhet ushtria nga e tërë Bosnja. Dhe ajo është shkaku pse aty gjendet edhe selia  komanduese e divizionit dhe komanda e një brigade. Mu për këtë në Mitrovicë u ngritë një kazermë e madhe dhe e fortë.

KAZERMA NË MITROVICË

  Nga ndërtimet tjera të dalluara mund të përmendim urën  e madhe mbi Lumëbardhë e cila u ndërtua në vitin 1884. Por nuk mund t’i falet komandantit të atëhershëm Jusuf-beut i cili kishte urdhëruar që gurët për ndërtimin e asaj ure të sjellën nga kisha e Zveqanit. Përveç kësaj, ka edhe shumë shtëpi të mëdha dhe të bukura të Turqve të pasur, nga të cilat më e  mira është ajo e boshnjakut të njohur Adem-agës. Ndër godina të mira dhe të bukura bie në sy edhe shkolla turke ruzhdije, dhe shkolla fillore serbe.
   Në Mitrovicë gjenden pesë xhamia dhe një kishë ortodokse serbe e thjeshtë, dhe në gjendje shumë të mjerueshme në një shtëpi të vogël dhe të ulët. Deri para njëzet vjetëve as që kishte ndonjë kishë. Atëherë gjendej edhe shkolla edhe kisha në një shtëpi dhe në një dhomë. Ndërkaq qysh atëherë me anë të një fermani Mitrovicasve iu mundësua ndërtimi i një kishë të re por ata nuk e ndërtuan, përveç që bënë transferimin e saj nga shkolla ku gjendej duke e vendosur në një shtëpizë të cilën ua lejoi fermani për ndërtimin e ri të saj. Në verën e vitit 1896 kur Mitropoliti serb i Prizrenit Dionisi për herë të parë kaloi kah dioqeza e tij dhe me këtë rast edhe nëpër Mitrovicë, ai vuri gurë themelin e tempullit të re të Shën Saves, e cila sipas planit, do të bëhet njëra nga kishat më  të mira në Serbinë e vjetër.

Ballina e fletores së dytë të librit për Kosovën 1903
Ballina e fletores së dytë të librit për Kosovën 1903
Në Mitrovicë ekziston edhe shkolla serbe e themeluar në vitet e gjashtëdhjeta, e cila i ka dy mësues dhe një mësuese. Godina e shkollës është shumë  e bukur dhe e mirë.
  Rrethina e Mitrovicës është shumë e bukur, dhe si rrallë diku ka vend dalje të afërta dhe më të largëta. Në brendësinë e Mitrovicës skaj Lumëbardhit, ka kopshte të bukura; ndërsa përtej Lumëbardhit është Zveqani nga e cila për mrekulli mund ta shohësh Kosovën; afër Mitrovicës është Banjska, të cilën qytetarët shpesh e vizitojnë për shkak pastrimit, ndërsa në lartësi të Mitrovicës, në Sokolicë, gjendet manastiri i Sokolicës. Aty, afër Sokolicës, në mes fshatrave Zhazhë, Vllahi, Rahovë dhe Boletin, është majdani (emri i malit SH. V.) nga e cila nxirren gurët e mullirit të cilat i dërgojnë edhe në Serbi.
                                                                               
*Branislav Dz. Nusic, “KOSOVO-opis zemlje i naroda” , fletorja e dytë, faqe 104-109, Novi Sad, 1903.   
** Josip Llesiç, “Branislav Nusic-zivot i delo” faqe 5, Novi Sad-Matica srpska, 1989.
***Pukvilli, (në vitin1807) duke udhëtuar nga Banjska për Vushtrri, thekson se si në anën e djathtë e lë “qytetin e madh dhe të vjetër” për të cilën thotë se quhet Mitrovica, duke menduar për Zveqanin. Gjithashtu edhe Lumëbardhin, të cilën rrugës e kalon, e quan Mitrovica. Ai thotë se mbi at lumë e ka parë një urë  me dhjetë harqe, por me siguri ai kishte ngarruar duke menduar për urën e Vushtrrisë që gjendej mbi lumin Sitnicë. (B. N.)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora