Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Columbine - Masakra që "shkundi" Amerikën

| E diele, 26.04.2009, 06:23 PM |


Dilan Klebold dhe Erik Harris

Dilan Klebold dhe Erik Harris ishin të dy djem inteligjentë, vinin nga familje solide me dy prindër dhe kishin vëllezër që ishin 3 vite më të mëdhenj se ata. Në shkollë fillore, Klebold dhe Harris kishin luajtur të dy në sporte si bejsboll dhe futboll. Të dy pëlqenin shumë të merreshin me kompjutera. Të dy djemtë u takuan në vitin 1993. Klebold ishte lindur dhe rritur në zonën e Denverit, ndërsa i ati i Harrisit kish qenë në Forcat Ajrore të SHBA dhe e kishte zhvendosur disa herë familjen e tij përpara se të dilte në pension dhe të vendoseshin në Littleton, Colorado, në korrik 1993. Kur të dy djemtë hynë në shkollë të mesme, e patën të vështirë që të gjenin veten në grupet e shkollës. Siç ndodh shpesh në shkollë të mesme, të dy djemtë ngacmoheshin dhe rriheshin shpesh nga atletët dhe studentët e tjerë.

Megjithatë, dukej se Klebold dhe Harris e kalonin kohën duke bërë aktivitete normalë adoleshentësh. Ata punonin bashkë në një lokal picash, pëlqenin të luanin Doom në kompjuter gjatë pasditeve dhe e kishin mendjen që të gjenin një të dashur në shkollë. Në aparencë, të dy djemtë dukeshin si adoleshentë normalë. Por, nëse kthen kokën pas sot, me siguri që Klebold dhe Harris nuk ishin adoleshentë normalë.

Përgatitjet

Sipas ditarëve, shënimeve dhe filmimeve që Klebold dhe Harris lanë pas, Klebold kish menduar të vetëvritej që në 1997 dhe ata të dy kishin filluar të mendonin për një masakër të madhe në prill 1998 - plot një vit para se ta kryenin. Deri atëherë, të dy kishin hyrë në telashe. Në 30 janar 1998, Klebold dhe Harris u arestuan se kishin thyer dhe grabitur një kamion. Si pjesë e marrëveshjes për lirimin e tyre, të dy nisën një program argëtimi për të rinj në prill 1998. Përderisa ishte hera e parë që shkelnin ligjin, programi lejonte që të pastronin dosjen e tyre në polici nëse i qëndronin deri në fund programit. Kështu, për 11 muaj të dy morën pjesë në workshop-e, flisnin me këshilues, punonin për projekte vullnetarësh dhe bindën gjithkënd se u vinte vërtet keq për atë që kishin bërë. Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, Klebold dhe Harris ishin duke bërë plane për një masakër të madhe në shkollën e tyre.

Klebold dhe Harris ishin adoleshentë të mbushur me zemërim. Ata nuk ishin të zemëruar vetëm me atletët që i tallnin, apo të krishterët, apo zezakët siç është thënë; ata urrenin praktikisht gjithkënd, përveç një grupi njerëzish. Në faqen e parë të ditarit të tij, Harris shkruante: "E urrej këtë m... bote". Harris shkruante gjithashtu se urrente racistët, ekspertët e arteve marciale dhe njerëzit që mburreshin me makinat e tyre.

Klebold dhe Harris e kishin seriozisht që të vepronin të verbuar nga kjo urrejtje. Që në pranverë të 1998, ata shkruanin për vrasje dhe shpagime në librat e njëri-tjetrit, duke përfshirë pamjen e një njeriu me armë i rrethuar nga trupa të vdekurish me diçiturën: "E vetmja arsye përse je ende gjallë është se dikush ka vendosur të të lërë të jetosh". Klebold dhe Harris përdorën internetin për të gjetur leksione për përgatitje bombash dhe eksplozivësh të tjerë. Ata grumbulluan një arsenal që përfshinte armë, thika dhe 99 pajisje shpërthyese.

Klebold dhe Harris donin të vrisnin sa më shumë njerëz, kështu që studiuan influksin e studentëve në kafeteri, duke vërejtur se pas orës 11:15, kur niste dreka e parë, aty do të ishin 500 studentë. Ata planifikuan të vendosnin bomba në kafeteri, të programuara për të shpërthyer në 11:17 dhe më pas të qëllonin vetë çdo të mbijetuar.

Ka versione të ndryshme në lidhje me datën fillestare që ata kishin menduar të kryenin masakrën, a do të ishte 19 apo 20 prill. 19 prilli ishte përvjetori i vendosjes së bombës në Oklahoma City dhe 20 prilli ishte 110-vjetori i lindjes së Adolf Hitlerit. Gjithësesi, në fund ata zgjodhën datën 20 prill. Të martën, në 20 prill 1999 në orën 11:10, Dilan Klebold dhe Erik Harris mbërritën në shkollën e mesme "Columbine". Secili erdhi me makinën e tij dhe të dy parkuan në krah të kafeterisë. Rreth orës 11:14, të dy djemtë vendosën bomba 20-paundëshe (të programuara për të shpërthyher në 11:17) që i kishin futur në çanta doku dhe i vendosën pranë tryezave në kafeteri. Askush nuk i vuri re. Çantat u përzien me qindra çantat e shkollës që studentët e tjerë kishin marrë për drekë. Më pas, dy djemtë u kthyen në makinat e tyre dhe pritën për shpërthimin.

Asgjë nuk ndodhi. (Besohet se nëse bombat do të kishin shpërthyer, atëherë ndoshta të gjithë 488 studentët në kafeteri do të kishin vdekur). Djemtë pritën edhe disa minuta, por sërish asgjë nuk ndodhi. Më pas, kuptuan se diçka nuk ishte në rregull me orën e bombave. Plani i tyre fillestar kish dështuar, por të dy vendosën që gjithësesi të hyjnë në shkollë.

Klebold, i veshur me pantallona të gjera si dhe një T-shirt ngjyrë të zezë me fjalën "Zemërim" të stampuar përpara, ishte i armatosur me një armë gjysmëautomatike 9 mm si dhe një shotgan. Harris, i veshur me pantallona të errëta dhe një këmishë të bardhë që shkruante "Përzgjedhje Natyrore" ishte i armatosur me një karabinë 9 mm si dhe një shotgan. Të dy kishin veshur xhaketa të mëdha ushtarake për të mbuluar armët, si dhe brezat e mbushur me municione. Klebold kishte një dorashkë të zezë në dorën e majtë; Harris kish një dorezë të zezë në të djathtën. Ata kishin gjithashtu thika, si dhe një çantë plot me bomba.

Në orën 11:19, dy bombat që Klebold dhe Harris kishin vendosur në një fushë të hapur disa blloqe më tutje shpërthyen; ata e kishin programuar për të larguar vëmendjen e policëve. Në të njëjtën kohë, Klebold dhe Harris nisën të qëllojnë plumbat e parë kundër studentëve që qëndronin jashtë në kafeteri. Pothuajse menjëherë, 17-vjeçarja Rachel Scott u vra dhe Richard Castaldo u plagos. Harris hoqi xhaketën dhe të dy djemtë vazhduan të qëllojnë.

Fatkeqësisht, shumë prej studentëve të tjerë ende nuk kuptuan atë që po ndodhte. Duheshin edhe disa javë deri në kohën e diplomimit dhe si është traditë në shumë shkolla në HSBA, maturantët "harbohen" përpara se të largohen. Shumë studentë besonin se kjo ishte vetëm një shaka, kështu që nuk u larguan menjëherë. Studentët Sean Graves, Lance Kirklin dhe Daniel Rohrbough sa po largoheshin nga kafeteria kur panë Klebold dhe Harris me armë. Fatkeqësisht, ata menduan se ishin armë lodra dhe pjesë e lojës. Kështu që të tre vazhduan të ecin drejt Kleboldid dhe Harrisit. Të tre u plagosën. Klebold dhe Harris kaluan armët në të djathtë dhe qëlluan kundër tre studentëve që po hanin drekë në bar. Të paktën dy u goditën - një arriti të largohet, ndërkohë që tjetri u gjymtua keqas dhe nuk largohej dot. Dhe teksa bënin përpara, Klebold dhe Harris hidhnin vazhdimisht bomba.

Më pas, Klebold shkoi poshtë skallëve drejt të plagosurve Graves, Kirklin and Rohrbough. Nga afër, Klebold qëlloi Rohrbough dhe më pas Kirklin. I pari vdiq në çast, ndërsa i dyti u mbijetoi plagëve. Graves kish arritur të zvarritej sërish drejt kafeterisë, por tek dera humbi fuqitë. Ai bëri sikur kish vdekur dhe Klebold eci sipër tij për të hyrë në kafeteri.

Studentët që ndodheshin në kafeteri nisën të shohin nga dritaret kur dëgjuan të shtëna dhe shpërthime, por edhe ata menduan se ishte ndonjë lojë e maturantëve, ose ndonjë film. Një mësues, William Sanders dhe dy roja kuptuan se nuk ishte lojë dhe se rreziku ishte real. Ata u përpoqën të largojnë të gjithë studentët nga dritaret dhe të uleshin përtokë. Shumë prej tyre u larguan nga salla duke u ngjitur në katin e dytë të shkollës. Kështu që, kur Klebold hyri në kafeteri ajo u duk e boshatisur.

Ndërkohë që Klebold po shihte në kafeteri, Harris vazhdoi të qëllojë jashtë. Ai qëlloi Anne Marie Hochhalter teksa kjo po ngrihej për t'u larguar. Pasi u bashkuan sërish, të dy djemtë u kthyen për të hyrë në shkollë nga dyert në krahun perëndimor, duke qëlluar njëkohësisht. Një polic mbërriti në vendngjarje dhe shkëmbeu zjarr me Harrisin, por as njëri as tjetri nuk u plagosën. Në orën 11:25, Harris dhe Klebold hynë në shkollë.

Në shkollë

Harris dhe Klebold vazhduan të ecin në korridorë, duke qëlluar dhe qeshur njëkohësisht. Shumë prej studentëve që s'ishin për drekë ishin ende në klasë dhe nuk dinin çfarë po ndodhte. Stephanie Munson, një prej shumë studentëve në korridor, pa Harrisin dhe Kleboldin dhe u përpoq të largohet nga ndërtesa. Ajo u godit në kavilje, por arriti të largohet dhe të shpëtojë.

Dave Sanders, mësuesi që kish porositur studentët të largoheshin nga kafeteria, po vinte nga lart shkallëve kur pa Kleboldin dhe Harrisin me armët ngritur. Ai u kthye me shpejtësi dhe po kthehej pas qoshes kur u qëllua. Arriti të zvarritet deri tek qoshja dhe një tjetër mësues e ndihmoi të hyjë në një klasë, aty ku qëndronin fshehur një grup studentësh. Orët e mëvonshme, studentët dhe mësuesi i kaluan me përpjekje për të mbajtur gjallë Sandersin.

Ndërsa Klebold dhe Harris i kaluan tre minutat e mëvonshme duke qëlluar në të gjithë drejtimet dhe duke hedhur bomba në korridor, pranë bibliotekës, aty ku u qëllua Sanders. Më pas, ata hidhnin bomba poshtë shkallëve dhe në kafeteri. 52 studentë ishin fshehur në kafeteri dhe mund të dëgjonin të shtënat dhe shpërthimet. Në orën 11:29, Klebold dhe Harris hynë në bibliotekë.

Biblioteka

Klebold dhe Harris hynë në bibliotekë dhe thirrën: "Çohuni!" Më pas, kërkuan që të gjithë ata që kishin kasketa të bardha të ngriheshin. Askush nuk e bëri. Klebold dhe Harris nisën të qëllojnë; një student u plagos nga ashklat e drurit që nisën të fluturojnë. Duke ecur nëpër bibliotekë drejt dritareve, Klebold qëlloi dhe vrau Kyle Velasquez që po qëndronte në një tryezë kompjuteri në vend që të fshihej poshtë tavolinës. Klebold dhe Harris ulën çantat dhe nisën të qëllojnë jashtë dritareve drejt policëve dhe studentëve që iknin me vrap. Më pas, Klebold hoqi xhaketën ndërsa njëri prej vrasësve thirri: "Yahoo!"

Më pas, Klebold u kthye dhe qëlloi tre studentë që ishin fshehur poshtë një tavoline, duke i plagosur të tre. Harris u kthye dhe qëlloi Steven Curnow dhe Kacey Reugsegger, duke vrarë Curnow. Më pas, Harris shkoi në një tryezë pranë tij, ku po qëndronin fshehur dy vajza. Ai trokiti dy herë mbi tavolinë dhe tha: "Peek-a-boo!" më pas, qëlloi poshtë tryezës duke vrarë Cassie Bernall.

Më pas, Harris i kërkoi Bree Pasquales, një studente që ndodhej në dysheme, nëse donte të vdiste. Teksa i lutej ta linte gjallë, Harris u shkëput kur Klebold e thirri në një tjetër tryezë, sepse një prej studentëve që ndodhej poshtë saj ishte me ngjyrë. Klebold kapi Isaiah Shoels dhe po e tërhiqte zvarrë nga poshtë tryezës, kur Harris qëlloi dhe vrau Shoels. Më pas, Klebold qëlloi poshtë tryezës dhevrau Michael Kechter. Harris u zhduk pas rafteve të librave për një minutë, ndërkohë që Klebold shkoi në pjesën e përparme të librarisë dhe qëlloi një vitrinë. Më pas, të dy nisën një seri të shtënash brenda në librari. Të dy ecnin nga një tryezë në tjetrën duke qëlluar pa pushim. Pasi plagosën shumë prej tyre, Klebold dhe Harris vranë Lauren Townsend, John Tomlin dhe Kelly Fleming. Në një moment kur u ndal për të rimbushur armën, Harris pa se dikush qëndronte fshehur poshtë tryezës. Studenti ishte një i njohur i Klebold. Ai e pyeti se çfarë po bënte. Klebold u përgjigj: "Thjeshtë po vras njerëz". Duke mos ditur nëse do ta qëllonte edhe atë vetë, studenti e pyeti Kleboldin nëse edhe ai do të vdiste. Kleboldi i tha që të largohej nga biblioteka, gjë që ai e bëri menjëherë.

Harris nisi të qëllojë sërish poshtë tryezës, duke plagosur disa dhe vrarë Daniel Mauser dhe Corey DePooter. Pasi qëlloi edhe disa herë në të gjithë drejtimet e duke hedhur një Molotov, Klebold dhe Harris u larguan nga biblioteka. Në 7 minutat që qëndruan aty brenda, ata kishin vrarë 10 vetë dhe plagosur 12 të tjerë. 34 studentë u larguan të paprekur.

Sërish në korridor

Klebold dhe Harris kaluan afro tetë minuta duke ecur nëpër korridorë, duke parë në klasën e shkencave dhe duke bërë kontakte me sy me disa studentë, por gjithësesi nuk është se u përpoqën të hyjnë në ndonjë dhomë. Studentët qëndronin brenda me dyert e mbyllura me kyç, por këta nuk do të ishin shumë problem nëse armët do të ishin vënë në punë.

Në orën 11:44, Klebold dhe Harris zbritën sërish poshtë dhe hynë në kafeteri. Harris qëlloi tek një prej çantave ku kishin futur më herët bombën e fuqishme, por ajo nuk shpërtheu. Më pas, Klebold shkoi tek e njëjta çantë dhe nisi ta ngacmojë. Sërish nuk kishte shpërthim. Më pas, Klebold u spraps dhe hodhi një bombë të vogël tek bomba me propan. Vetëm kjo e fundit nisi një zjarr që bëri të ndizet sistemi spërkatës.

Klebold dhe Harris nisën të vijnë vërdallë shkollës duke hedhur bomba. Më pas, u kthyen sërish në kafeteri dhe panë që bomba e madhe nuk kishte shëprthyer dhe që sistemi spërkatës kishte shuar zjarrin. Në orën 12:00, të dy u ngjitën sërish lart. U kthyen në bibliotekë ku pothuajse të gjithë studentët e plagosur kishin ikur. Një pjesë e madhe e stafit qëndronin të fshehur në kabinete dhe në sallat anësore. Nga ora 12:02 deri në orën 12:05 Klebold dhe Harris qëlluan që nga dritaret drejt policëve dhe mjekëve përjashtë. Diku rreth orës 12:08, Klebold dhe Harris shkuan në krahun jugor të bibliotekës dhe qëlluan vetveten në kokë, duke i dhënë kështu fund masakrës.

Për policët, infermierët, familjet dhe miqtë që prisnin përjashtë, horrori i asaj që kish ndodhur nisi të shpërfaqej ngadalë. Me 2000 studentë në shkollën e mesme "Columbine", askush nuk e kish parë të qartë atë që kish ndodhur. Kështu që, të dhënat e dëshmitarëve që largoheshin nga shkolla ishin të pjesshme dhe fragmentare. Policët ishin përpjekur disa herë të shpëtonin të plagosurit jashtë, por Klebold dhe Harris kishin qëlluar kundër tyre nga biblioteka. Askush nuk i pa të dy tek kryenin vetëvrasjen dhe kështu askush nuk qe i sigurtë deri kur policia mundi të pastrojë godinën.

Faji

Askush nuk mund ta thotë me siguri përse Klebold dhe Harris kryen një krim të tillë të tmerrshëm. Shumë njerëz kanë nxjerrë teori që përfshijnë faktin që ata rriheshin e ngacmoheshin në shkollë, ose luanin me lojëra të dhunshme në kompjuter, shihnin filma të dhunshëm, muzikë, racizmi, preferenca gotike, prindër problematikë, depresione kështu me radhë.

Eshtë e vështirë të gjesh këmbëzën që bëri që këta dy djem të nisnin masakrën. Ata kishin punuar shumë mirë, duke ua hedhur atyre që kishin rrotull për një vit të tërë. Çuditërisht, një muaj para ngjarjes, familja Klebold kish kryer një udhëtim katërditor në universitetin e Arizonës, atje ku Dilan ishte pranuar për vitin e ardhshëm. Gjatë udhëtimit, Kleboldët nuk kishin vënë re asgjë të çuditshme apo të pazakontë tek Dilan.

Por po të hedhësh sytë pas, pati të dhëna që diçka nuk shkonte. Videokasetat, ditarët, armët dhe bombat në dhomat e tyre do të ishin gjetur nga prindërit nëse këta do të kishin parë. Harris kish ndërtuar një faqe në internet me epitete të urryer.

Masakra e Columbine e ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si shoqëria në SHBA shihte fëmijët dhe shkollat. Dhuna nuk ishte më një veprimtari e passhkollës. Mund të ndodhte kudo.