Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Osman Mula: Pse e dua më shumë Shkodrën se Tiranën

| E diele, 26.04.2009, 10:59 AM |


Mbi 35 vjet regjisor në RTSH, fitues i 18 çmimeve si kompozitor në festivale dhe veprimtari kombëtare 

Nga Agron SEJAMINI

Tirana e bëri artist, i dha emër... I fali bukuroshen që i pikoi në zemër sapo e pa. Në Tiranë, jeta iu bë edhe më e bukur kur në jetë sollën Ensonin dhe Evisin. 40 vite plot në Tiranë. 18 në Shkodër. Dhe ai sot, nga thellësia e shpirtit pohon se Shkodrën, e dua më shumë se Tiranën! Natyrisht, të gjithë e ndjejmë magjinë e vendlindjes, por jo më pak i dashur dhe i dëshiruar të bëhet edhe vendi ku kalon vitet e jetës. Më kot, menduam se e kishte deklaratë emocionale...

Jo thjesht, se kaloi vitet e adoleshencës dhe një pjesë të rinisë, por sepse ai qytet për të, është ende po aq i dashur, po aq i ndjeshëm, po aq njëjtë si në ato vite. Shkodra për të është gjithçka. Origjina e tyre është nga Gjakova. Gjyshi i tyre, Osmani nga ku dhe ai ka trashëguar emrin, erdhi emigrant në këtë qytet në vitin 1930. Lanë troje dhe dyqane... por para kësaj pasurie, më shumë çmuan kulturën dhe jetesën shkodrane. Në çdo hap ndjenë nektarin e humorit dhe fjalën e ngrohtë. Nuk kishin të afërm, por e gjithë Shkodra i bëri miq pjesëtarët e familjes Mula. I pashlyer mbetet ende në kujtesën e Osmanit, kjo kohë e artë.

- Në asnjë film, në asnjë roman, nuk kam hasur njerëz si të fëmijërisë time, - thotë artisti.

Ka qenë një brez me botë të madhe shpirtërore, që e donin dhe e respektonin njëri-tjetrin aq shumë. Këmbëkryq ishte ulur në ato vite varfëria te çdo familje, por sepse shijonte më shumë se çdo mirëqenie, ajo ndarje kafshate buke. Hynin në shtëpitë e shokëve dhe veç puthjeve e përkëdheljeve, nuk i nxirrnin kurrë duarbosh nënat shkodrane. Njerzillëku dhe dashuria e atyre viteve, ka bërë që Osmani, të harrojë edhe ato gjashtë orë ndëjtje në klasë, me këmbë të qullura. Me borë e shi ka qenë përherë ai qytet, me këpucë të grisura kaluan edhe vitet e fëmijërisë... Por më ftohtë ndjen tani, kur këpucët i ka palë-palë dhe ecën me benz... Dita e asaj kohe ka qenë më e gjatë dhe më e gëzueshme. Shkodrës, Zoti i kishte falur Drinin, Bunën, Shirokën, Kalanë.... Shkodra në atë kohë mbante hapur dyert e 20 kurseve dhe rretheve jashtëshkollore. Edhe i patalentuari e gjente veten diku. Akoma më mirë, ndjeheshin të pasionuarit. Për më tepër, kur përkujdesja dhe ngrohtësia e mësuesve të tillë, si Tonin Daija, Nard Bushati, Hilmi Tukaj dhe Ferit Bala, ishin simbole të marrëdhënieve plotësuese prindërore. Aty shfaqi dëshirat e para edhe Osmani, për gjimnastikën dhe muzikën. Në lokalet dhe klubet e atij qyteti filloi t'i binte saksofonit. Shumë shpejt i kalonin orët dhe ditët, nën shoqërinë e Zef Dedës, Bashkim Alibalit dhe fizarmoniçistit Nazmi Lishi... Kanë kaluar shumë vite, por për fat, Shkodra ende i shuan mallin përvëlues, ngaqë nuk e ka prishur shumë portretin e saj. Një "e keqe" që duhet vlerësuar!

Nuk e ngacmon dashuria për Tiranën, sepse i ka humbur nga sytë stacioni i trenit që zbriste kur vinte nga Shkodra... I mungon kinema "17 Nëntori", që i kujton refuzimin e asaj vajze... Është shpërfytyruar kati parë i Pallatit të Madh të Kulturës, ku organizonin mbrëmjet e vallëzimit... E njëta gjë ka ndodhur edhe me Estradën e Shtetit, aty ku krijonte dhe bashkëpunonte me miqtë e tij këngëtarë si Luan Zhegun, Ema Qazimin, Kozma Dushin, Liliana Kondakçiun, Irma Libohovën... I mungon xhiroja e darkës përbri hotel "Dajtit"...

Jo vetëm kaq. Dashuria për Shkodrën akoma më shumë, i ngjall nostalgjinë e dhembshurisë prindërore. I kujton nënën e tij, Nazmijen. Të ëmblën, të urtën, të shtrenjtën që për fat të keq, nuk kujton një rast që ta ketë mallkuar apo t'i ketë vënë dorë. Më shumë se sa ushqimi, i ka rritur dashuria e saj. Mbase kjo nënë në fëmijët e saj, ka shuar edhe mallin për të afërmit e saj. 16 vjeç, fëmijë ishte kur u martua... U shkëput nga ngrohtësia prindërore, pa ditur se nuk do e ndjente më magjinë e tyre. Për 35 vjet rresht, rregjimi i copëtoi shpirtin, duke mos e lejuar të shkojë tek familja e saj, në Shkup. Edhe ato letra që shkëmbenin, më shumë e ndiznin se sa e shuanin atë mall... Një nënë e dhimbshur, jo vetëm për fëmijët e saj, por edhe për të tjerët që i priste dhe përcillte çdo ditë në çerdhen "1 Qershori", ku ajo shërbeu si edukatore. Edukatore në dy çerdhe. Pasi linte çerdhen e qytetit e priste ajo e shtëpisë me katër djem si yje. Por mes këtij gëzimi, paskësh qenë e shkruar që ajo gëlltiste edhe një gotë helmi...

Pas tre djemve, lindja e vajzës e bëri me krah. Në të ndjente nënën, motrat, mbesat... Gjithçka të zemrës që kishte lënë matanë kufirit. Por Zoti që e fali atë engjëll ia hoqi nga shpirti kur ajo ishte katër vjeç. Krijoi zbrazëti në atë familje, ajo fatkeqësi. U sosën fjalët, punohej pa qejf, nuk qeshte më buza... Jo pak e ndjeu edhe Osmani 7-vjeçar, atë humbje. Ditën e mortit, ai u largua nga shtëpia pa dalë dielli dhe u kthye natën vonë. Kanë kaluar vite dhe mallin e motrës, Osmani e ka përjetësuar në betimin: "Për shpirt të motrës!" Sa herë ka nisur motivet e një kënge që akoma nuk e ka realizuar. Motive, të cilat nuk është lodhur për t'i gjetur. Nisin ato nga ajo tundje djepi, kur e vinte motrën në gjumë për të vazhduar tani, me mungesën e ledhatimit "Shpirti i motrës!". I ka shkuar ndër mendje, që këtë këngë ta paraqesë në një festival fëmijësh. Por përsëri është tërhequr. Më shumë edhe nga arsyeja, se mos pa dashje do të lëndonte ata familjarë që kanë ndjerë të njëjtën dhimbje... Dhe vitet kalonin, duke i kujtuar detyrimin shpirtëror. Nuk duroi dot dhe sëbashku me Eranda Libohovën, në spektaklin "Se la vi", interpretoi këngën me titull "Motrës sime". Ende e mundon ajo që do e realizoi padiskutim në të ardhmen. Është e njohur dashuria e motrës për vëllanë, por në shpirtin e Osmanit ndjemë se ajo e vëllait për motrën qenka edhe më e zjarrtë!

Pas motrës së humbur, erdhi në jetë vëllai i katërt, Arbeni. Gjithë dashuria e familjes kaloi në të. Ndoshta ishin të etur të përjetonin një ndjesi të tillë. Por, sepse ky ishte edhe fëmija më i vogël. Shpesh herë, kur për të shmangur ndonjë shuplakë të babait që do binte mbi Arbenin, Osmani ka marë përsipër fajin e vëllait. E ka dashur shumë, sikur ta dinte se do të bëhej një vëlla e mbi të gjitha, një djalë i dashur. Në familjen e Benit kanë jetuar prindërit e tyre. Me kënaqësi, kujton ritin e zakonshëm se derën përherë, kur vinte për vizitë te ata, do ia hapte Nëna ose Beni. Me atë fishkëllimë që lëshonte Osmani kur kalonte para dritares, i ngrinte rrëmbimthi në këmbë, duke u kujtuar me atë sinjal edhe ato vite të bukura të familjes së madhe në Shkodër.

- Për Arbenin kam dhënë dhe jap shpirtin. Ndërkohë, që ai ka dhënë shpirtin dhe një pjesë të xhepit për mua, thotë Osmani. Tani dashuria për vëllanë sikur është zbehur pak ngaqë ka kaluar te nipi i tij, Tedi, djali i Arbenit. Edhe ky nip përsëri për të është më i dashuri se të tjerët. Mbase nuk është rastësi, por ai "justifikohet" se, Tedi është më i vogli i nipërve të fisit.

Shkodra për të është e dashur, sepse i rrisjell të freskët edhe mallin e të atit. Daklushi ishte një njeri punëtor dhe i ashpër në karakter. Fjala e tij ishte po ose jo. Po të betohej në shpirtin e nënës së tij, nuk ia ndryshonte fjalën as litari hedhur në qafë. Natyrshëm, te këta tipa shfaqej nervozizmi dhe agresiviteti, kur përballeshin me njerëz që bënin lojëra fjalësh. Pa u menduar gjatë, Osmani të thotë se edhe çfarë ka trashëguar nga prindërit e tij.

- Nga nëna? Fjalën e mirë... dëshirën për të mbajtur në dorë, një kovë me ujë që të shuaj sherret, kudo që i ndesh. Nga babai? Thënien e gjërave troç, por edhe nervozizmin.

Po të peshosh aktivitetin artistik të Osman Mulës, peshorja anon përsëri nga Shkodra. Në arkivin e Radiotelevizionit Publik Shqiptar, gjen mbi 40 emisione televizive që i përkasin kulturës dhe krenarisë shkodrane. Kujtojmë portretet për Prenk Jakovën, Çesk Zadenë, Tish Dainë, Pjetër Gacin, Avni Mulën, Luçije Milotin, dokumentarin "Karajfilat që ka Shkodra", etj.

Pa dashje, Evis Mula ka eklipsuar të vëllanë, duke ja bërë më pak të njohur emrin e tij. Por prindërit krenohen po aq sa për vajzën edhe për djalin e tyre, Ensonin. Ai ka mbaruar dy shkolla të larta. Regjisurën në Tiranë dhe për menaxhim biznesi në Boston. Tani punon si regjizor në televizion. Mbasi është herët të flasësh për arritjet e tij, por jo se nuk ke çfarë të shënosh për fillimin e një udhe premtuese. Kujtojmë spektaklin që u dha në ditët e Vitit të Ri me titull "Magjia e karaokes" apo vidioklipin e këngës "Unë jam dashuria", të interpretuar nga Evis Mula dhe Erti Hizmo. Por mbresëlënës ka qenë edhe interpretimet e tija aktoreske te telenovela e Ylli Pepos "Dhimbja e dashurisë" dhe ajo e Arjan Çuliqit "Çanta e zezë", që do shfaqet së shpejti për artdëshësit. Por më shumë se këto, Osmanin e gëzon fakti, që i biri është tip studioz. Ndërkohë, jo pak vlerëson edhe faktin që adoleshencën e kaloi në Amerikë. Nuk është pak të rritesh me ekranin amerikan. Natyrisht që edhe e tundoi ajo botë. Mund të kishte qëndruar atje dhe të tërhiqte edhe prindërit. Por as që mund ta shijonin atë jetë, pa patur mes tyre edhe Evisin. E ndërsa i themi se çfarë ka më të mirë se i ati, Osmani përcakton analizën. Ndërkohë, gëzon që nuk i ka ngjarë atij, pasi do të ishte shumë i hallakatur, nëse do të ishte i shpërndarë sa te muzika dhe te sporti... Shpreson që të ketë një karrierë edhe më të suksesshme se vetja.

Ndërsa të flasësh për Evisin, është më e lehtë. Ajo tashmë ka emrin e saj në fushën e muzikës. Vazhdon studimet në Akademinë e Arteve për kanto, viti i tretë. Evisi është vetë Osmani në humor, kapjen e problemeve dhe dëshirën për të sjellë gëzim. I shmanget me zgjuarsi sherrit, duke përcjellë ëmbëlsi dhe çiltërsi në komunikim. Shquhet për vullnet të jashtëzakonshëm dhe rezultate të larta në mësime. Nga klasa e parë fillore e deri tani, nota e vetme për të ka qenë dhjeta. Më se një herë, i ati i ka kujtuar se nuk do të duhen të gjitha në jetë. Në botën perëndimore një pyetje të bëjnë: - Çfarë di të bësh? Fillimisht, ajo e ka kuptuar si një taktikë për ta shkëputur nga ngarkesa studimore, por kohët e fundit ka filluar ta besojë si të saktë këtë logjikë. Tani është përqëndruar në kanto dhe pianofortë. Studion dhe punon shumë, pasi nuk do që të jetë artiste e çastit, siç ndodh shpesh në ditët e sotme, në këtë treg marramëndës dhe pa kulturë. Synimi i saj është që të jetë pjesë e interpretimit skenik ku spektatori pret biletë... Përvoja e deritanishme, ia lehtëson motivimin tek i ka provuar të gjitha interpretimet në skenat e festivaleve të këngës së lehtë dhe asaj popullore. Në disa raste edhe si moderatore në emisione të ndryshme televizive. Praktikë kjo që i ka krijuar mundësinë që ta shohë publikun nga afër. Ka ardhur koha që të hedhë sytë edhe drejt skenës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Mprehtësinë e shikimit të saj e garanton shansi i madh që ka për pedagoge, Mjeshtren e Madhe, Nina Mula. Atë që ka mësuar edhe Inva Mulën. Nuk është çudi që të ndodhi e njëjta gjë edhe me Evisin. Ua heq dera...

Osmani, të bijën e vet si artist e sheh si një interpretuese të denjë për vodevilin, operetën, për shfaqjet e broduejt. Sepse, aty është kënga, baleti, dialogu, për të cilën ka bindje se ajo i bën shumë mirë. Por...nëse do e ndihmojë edhe fati!

Ndryshe nuk do të flisnim kaq çiltër mes veti...

Me krenari të thotë se ka shkuar që ditën e parë të fillimit të lëvizjes demokratike, në qytetin "Studenti". Jo thjesht simpatizant i atij uragani që rrëzoi një diktaturë. Por në mbi 40 mitingje ka qenë edhe orator... Dhe dihet se ç'peshë kishte në atë kohë, fjala e një artisti të njohur. Natyrisht që nuk ishte pjesë e asaj shtrese që ishte persekutuar dhe shtypur nga rregjimi komunist. Për fat, edhe në Festivalin e 11-të të Këngës në Radiotelevizion, u kritikua, por nuk u ndëshkua. Shumë mirë, këtë lëvizje që përfshiu Shqipërinë mund ta shihte nga ekrani i televizorit deri sa të qartësohej situata dhe pastaj të pozicionohej. Por kjo nuk është karakteristikë për Mulajt e veçanërisht për Osmanin. Ai vërtet ishte mirë edhe në atë sistem, por fakti që vendi lëngonte nga varfëria, ndjeu se detyrimisht duhej bërë pjesë e lëvizjes për ndryshim. Se vërtet punonte në televizion, por edhe aty nuk kalonte dita siç shikohej nga ekrani. Kishte imponim, kufij të menduari dhe të vepruari. Në çdo emision dhe spektakël artistik, para se të ideoje diçka të re duhej të bëje kujdes që të mos dilje nga shinat e ideologjisë së Partisë. Kur për artin dhe artdashësin nuk ka kufij të shprehuri dhe shijuari. Ndaj nuk u mendua dy herë, për të qenë krah i atyre të rinjve që ishin ngritur në protestë dhe kërkonin të renë, dëshironin lirinë e munguar dhe të ëndërruar nga të gjithë. Dhe kur ai guxim rinor që dëshironte të rinonte kombin dhe të ardhmen e tij, mbështetej nga pjekuria dhe entuziazmi i pjesës tjetër të shoqërisë, e në veçanti i komunitetit artistik edhe diktatura ishte e destinuar të shembej më shpejt. Siç dhe u shëmb vërtetë. Por jo se gjithçka mbaroi me rrëzimin e statujës... Brishtësia e demokracisë bënte të domosdoshme vazhdimin e betejës edhe pas '90-ës. As nga kjo betejë nuk u shkëput Osmani. Dukej sikur kjo periudhë ishte më e lehtë, por ja që këtu i ndjeu më shumë vështirësitë dhe pasojat. Ato që ndjente dhe dëshironte, tashmë filloi t'i shprehte edhe nëpërmjet medias. Por në dy raste u ndëshkua më egërsisht se edhe në diktaturë. Nga një shkrim të botuar në një gazetë dhe nga ato që tha në një emision televiziv, u pushua dy herë nga puna. Saktësisht, në vitin 1997 dhe 2001. Përsëri në krah të Partisë Demokratike dhe programit të saj. Jo se kërkon dëmshpërblim apo lavdi edhe në këtë rast, sepse përsëri ai bëri atë që i thoshte shpirti dhe dëshironte zemra. Por diku tjetër e ka qejfmbetjen. - Dolëm dhe folëm nëpër mitingje. Thamë ato që ndjemë dhe premtuam atë që dëshironim jo vetëm ne, por të gjithë ata që na mbështetën kur flisnim nëpër tribuna. Mirë do të ishte që të na krijohej mundësia për një ballafaqim, komunikim apo bashkëbisedim. Duhej ndjerë përgjegjësia e fjalës së dhënë në ato mbi 40 mitingje. Por..., askush nga të Partisë sonë, nuk u kujtua të na bëjë një ofertë. E si të mos mërzitesh kur nuk e shikon veten në asnjë listë forumi apo komisioni...

Ndoshta e paragjykojmë dhe nxitohemi kur i kujtojmë se, "mos harroni që punoni në Radiotelevizionin Publik Shqiptar madje jeni dhe shef sektori..." .

- Këtë nuk e kam nga Partia Demokratike, por nga Osman Mula. Në studiot e këtij televizioni kam lënë rininë, pasionin, djersën për 35 vjet me radhë... Me sa duket nuk më kuptoni. Nuk dua poste e karrige, por dua mirënjohjen dhe vlerësimin. Se nuk jam vetëm unë që kam këtë lloj qejfmbetje...Ka dhe shumë të tjerë. E ndërsa ne jemi një, për Partinë Demokratike janë shumë. Del që ajo ka humbur edhe më shumë...jo ne. Kuptohet, moralisht e humbur se nga Partia Demokratike nuk na ndan askush. Është ideali, magjia e fjalës së lirë që na bashkon me të. Ndryshe, nuk do të kishim mbështetur programin e saj që ditën e parë, ndryshe nuk do të kishim mundësi që të flisnim edhe kaq çiltër mes vedi..., buzëqesh artisti shkodran.

GJITHË JETËN NËPËR LOKALE... POR NJË HERË NUK E FTOVA SHPRESËN PËR KAFE

Peng e ka që nuk ka ndejtur më shumë me bashkëshorten... Të paktën ta kishte ftuar nëpër ato lokale dhe klube nate, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës me orkestrën e tij. 28 vjet kanë martesë, por dashurinë e kanë sikur të jenë njohur para 28 ditëve. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mendje, se shpresën e jetës do ta gjente në Mullet të Tiranës. U marros pas saj sapo e pa... Ishin në një aksion një mujor, në ndihmë të fshatit. Ajo pjesë e të rinjve të Kombinatit Poligrafik, ndërsa Osmani i organizatës së rinisë së radiotelevizionit. Në xhiron e pasdites, aty pranë çadrave të aksionit, Osmani "u mbyt" menjëherë në sytë e saj të bukur... Jo se nuk kishte parë edhe më të bukura në skenat apo studiot e artit, por, sepse e kishte vendosur që nuk do ta merrte artiste. Duke qenë vetë tip "ku rrafsha mos u vrafsha", nuk do të ishte mirë që edhe bashkëshortja t'i përkiste të njëjtës fushë. Atëhere të gjithë do të ngeleshin rrugëve... Ju duk shumë e bukur Shpresa aq sa ju largua edhe gjumi ato ditë aksioni. I mënçur shkodrani! Më shumë u interesua në ato ditë, se sa ju afrua asaj bukurosheje. Disa shokë që punonin në poligrafik, të cilët Osmani i kishte njohur nëpër aktivitete artistike, i përcollën përshtypjet më të mira për atë vajzë. Pak, shumë pak fjalë arriti të shkëmbejë me Shpresën atë muaj. Por sapo zbritën nga kamionat, atë ditë të përfundimit të aksionit, Osmani "humbi" rrugën e shtëpisë së vet dhe ju ngjit Shpresës. Nuk duroi dhe kur nuk kishin bërë gjysmën e udhës, i propozon me formulën që përdorte rinia e asaj kohe. Klasike edhe përgjigja e Shpresës:

- Drejtohuni në familje!

E kishte ndarë mendjen djaloshi shkodran ndaj shprehu dëshirën që të komunikonte që atë ditë. Gatishmëri që ndoshta mund t'i ndërlikonte më shumë punët. Por as që bëhej fjalë për t'u shtyrë më shumë "kërkimi i dorës së vajzës". Ndaj të nesërmen, pa patur nevojë për shoqërim, troket dhe buçet, në familjen e Shpresës...

- Nuk kam ardhur për ta diskutuar, por për t'u thënë se Shpresa ka për të qenë gruaja ime... Kështu e filloi prezantimin dhëndri, duke thënë të parën atë që duhej thënë nga fundi i bashkëbisedimit. Në fakt, ai nuk kishte nevojë për prezantim, pasi gjysmën e këtij detyrimi, e kishte kryer ekrani, ndërsa gjysmën tjetër sinqeriteti dhe këmbëngulja e tij.

Nuk rresht së shprehuri kënaqësi dhe respekt për bashkëshorten e tij. E quan më të mirë se veten, sepse ka bërë më shumë sakrifica për familjen. Çmon te ajo përkushtimin dhe fisnikërinë. Urtësinë dhe ëmbëlsinë e komunikimit. Ndaj e ndjen veten borxhli para saj.

- Nuk arrita ta gëzoj sa duhet, pëshpërit me sinqeritet dhe shpirt. Por do ja kompensoj gjithçka, pas 7-8 vjetësh. Kur të dal në pension, gjithë kohën do ta kalojmë bashkë. Sepse vitet e pleqërisë, thonë që mbahen mend dhe janë nga më të bukurit e jetës...

RD