Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pavarësi po se po!!!

| E hene, 02.07.2007, 07:18 PM |


S`ka fuqi putinore as koshtunicore që e ndalon ecjen e sigurtë të shtetit te pavarur dhe sovran te Kosovës! Por, sa jemi të mençur dhe te gatshëm ne qeniet arbërore, që ta mbajmë shtetin dhe t`i çojmë përpara proceset integruese mbarëkombëtare, konform rregullave të lojës, sipas rrethanave strategjiko-diplomatike te globalizmit botëror?!

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjell Koliqi
Belo Horizonte – MG – BRAZIL, 2 korrik 2007. – Sot u mbushën plot 17 vjet, që kur deputetët e Kuvendit (Parlamentit) të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, që Kosovën e nxori jashtë vijave te kufinjve te vizatuar me dhunë dhe me gjak, te Serbisë. Per popullin tonë ky ishte një hap shumë i guximshëm, që na kushtoi gjak e jetëra njerëzish, por edhe fitore e krenari kombëtare.
Ishte një mrekulli e vërtetë organizimi i popullit tonë, nga pika zero, që te mbijetojë dhe më në fund ta bind botën, përfshi edhe qendrat arbitrare të udhëkryqeve te interesave strategjiko-materiale te fuqive botërore, që thirren në emër te globalizimeve. U dashtën edhe mbi tetë vjet sakrifica, që nga ato qendra të dërgohen vëzhguesit (në emër te OSBE-së) dhe të shohin me sytë e tyre masakrat serbiane mbi popullin tonë, që mjerisht kishin mbërritur në shkallën e gjenocidit. U desht te ishte një Wiliam Wolker – trim dhe i sinqertë, që t´ia tregojë botës argumentet mbi krimet e një regjimi mbi një popull, që kurrë nuk ishin njohur nga ato qendra arbitrare. U dashtën edhe shumë sakrifikime njerëzore (mbi 15 mijë jetëra) dhe shumë shkatërrime, që me në fund, krahas interesave të tyre, ato qendra arbitrare dhe fuqitë botërore te hyjnë në luftë te hapur me ushtruesit e gjenocidit mbi popullin tonë.
Mbas shumë peripecive dhe shkatërrimeve, edhe një luftë e fëlliqtë dhe marramendëse mbaroi. Me njëfarë mënyre të themi "diplomatike", kryekrimineli nënshkroi kapitullimin, me një emërtim tjetër, forcat kriminale u tërhoqën nga Kosova, per t´u zëvendësuar me forca ndërkombëtare. Në Prishtinë u instalua një regjim i ri, sërish jovendor, me emrin UNMIK, që për gabimet e shumta që ka bërë në dëm te popullatës vendore, shpesh edhe u quajt "regjim i ANMIK-ut".
Sikur të mpirë dhe të dehur nga liria, shpesh qarqe te ndryshme politike dhe servilë të qarqeve destruktive, në emër religjionesh e sektesh, që nuk kanë bërë kurrë asnjë më te voglën dobi per shqiptarët, gabojnë shumë rëndë, sidomos në pika te nxehta historike, kur po vendosen shumë gjëra per ardhmërinë e popullit tonë të vuajtur, por gjithmonë krenar. Edhepse e dijnë fare mire se nuk dilet lehtë nga rregullat e lojës diplomatike, që jane globale dhe që vijnë të imponuara nga qendrat arbitrare, ato qarqe shpesh e teprojnë me kritika, por mjerisht edhe me shumë veprime destruktive, kundër institucioneve tona shtetërore, që gjithnjë e më shumë po marrin situatën në dorë dhe po projektojnë marshimin e sigurtë të shtetit të pavarur dhe sovran te Kosovës. Edhe sot dëgjohen kundërshtime të zëshme kundër simboleve shtetërore te Kosovës, edhepse dihet shumë mirë se pa Kosovën shtet (e dy shtete me një flamur nuk mund të jenë) nuk mund të zgjidhet çështja jonë kombëtare. Bile, përveç simboleve shtetërore, mbasi që të na njihet pavarësia, për shumë arsye historiko-faktike, do të na duhej një referendum per ndërrimin e emrit të shtetit të Kosovës, duke ia kthyer emrin e vjetër – DARDANIA, që është kusht i domosdoshëm i veprimeve të mëtejshme të integrimeve tona mbarëkombëtare, deri në realizimin e plotësishëm te apiratës sonë të ligjshme dhe të natyrshme kombëtare, të bashkimit kombëtar. Asgjë nuk bëhet me eufori, as me bërjen e qejfeve të qarqeve që paguajnë individë dhe grupacione destruktive, në periudha të caktuara kohore, për ta njollosur dhe shkatërruar historinë tonë.
Dashtën a nuk dashtën qarqet destruktive dhe mbeturinat fashisto-kriminale në Beograd, s`ka më fuqi që ndalon njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe caktimin e ulëses së saj në OKB. Nuk bëjnë më pare fuqitë e shterrura putinore-koshtunicore në këtë çështje, që më – fatmirësisht nuk u përket atyre. Le të mendojnë mire edhe të gjithë ata që e quajnë vetin shqiptar e që ende veprojnë me destruktivitet në proceset tona kombëtare të integrimeve!!!