Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze (Kozeta) Zylo: Në lëndinat e prillit (Cikël poetik)

| E shtune, 25.04.2009, 07:03 PM |


Këze (Kozeta) Zylo
Këze (Kozeta) Zylo
Këze (Kozeta) Zylo

Një cep të buzës!

Sa herë vdes e ngjallesh prapë,
Ti e ëmbla dashuri,
Çuditërisht ti helm kurrë s’ke,
Veç me afsh më ndjell në gji!

Herë me ndroje, herë pa ndroje,
Rrëshqet mëndafshit në kaltërsi,
Dhe pastaj në lëndinë Prilli,
Pimë nektar ne të dy!

Herë butë-butë, e herë trazuar,
Në puthjet tona, çmenduri,
Një cep të buzës ke kafshuar,
Marrosem unë, marrosesh ti!

Pa frymë

Ç’ka që digjet zemra ime?
Miturakja dashurore,
Buzët si qershia skuqen,
Në agshole pranverore!

Vështrimit tënd rri hutuar,
Nga një re që psherëtin,
Herë e zbrazët, herë ngarkuar,
Më mek të tërën, më lë pa frymë!

Strehë e ëmbël

Streha ime, strehë e ëmbël,
Erdha sonte nëpër ëndërr,
Aromë mora tek saksitë,
Sytë e nënës m’u bënë dritë…!

Hapa portën me ngadalë,
Dhe në gjunjë rashë përdhe,
Një këngë labe e pikëlluar,
Më prishi ëndrrën, për atje.

E rrënqethur, me vrap çohem,
Vetull e hënës mbi nënkresë,
Aty qëndroi gjersa u ktheva,
Besnikja ime, sa të vdes.

Në lëndinat e prillit

Në lëndinat e prillit,
Të verdhat aguliçe,
M’i morën mend.
Ëndrrat e mia të ylberta,
Fërgëlloheshin,
Në zjarrminë e trupit tënd!

Psherëtimat

Psherëtimat tona të largëta,
U hodhën si fishekzjarre në qiell,
Për të ngrohur natën e acartë,
Dhe botën, që ka kohë pa diell!

Thembër e Akilit

Mik i dashur, zemër burri,
S’e kuptoj pse hesht tani,
Gjithë zogjtë çukitën diellin,
Veç Akili në mëri!

Mik i ëmbël, mos ik larg,
Se dhe tendën do ta gjej,
Më bëre skllave pakuptuar,
Briseida s’mund te jem…!

Miku im me aromë shpirti,
Ke ca kode, s’ti kap dot,
Shaloja hënës vetëm sonte,
Buzë shtratit, do të puth fort!

Lutja ime flatërtare,
Është e brishtë, gjithë ëmbëlsi,
Por kur buzët nuk e prekin,
Thëllëzë bore, ngel për ty!

Shpirt im, bilbil i Prillit,
Liberty, thembër e Akilit…!

Manhattan, 2009