Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Berjashi: Dënimi i gjuhës shqipe

| E shtune, 25.04.2009, 12:58 PM |


Dënimi i gjuhës shqipe

Nga Ibrahim Berjashi

Shqiptarët në Mal të Zi e kanë shumë vështirë të shkëputen nga prangat e sistemit të kaluar monist, sidomos atëherë kur duhet të kultivojnë, ushtrojnë edhe mbrojnë vlerat e tyre historike, kombëtare, kulturore e gjuhësore. Kjo, konkterisht vërehet mbi të gjitha në Ulqin, por edhe në qendrat lokale. Përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe institucionet e këtushme komunale, as pas dy dekadave të pluralizmit, edhe pse në krye të qeverisjes vendore janë shqiptarët edhe me Kushtetutën e re të Malit të Zi, edhe gjuha shqipe në zonat etnike shqiptare në këtë shtet, është në përdorim zyrtar.

Shqiptarët, si etnitet autokton,marrin pjesë me mbi 85 për qind në strukturën e banorëve në komunën e Ulqinit, por gjuha shqipe është plotësisht e shpërfillur edhe në administratën e institucioneve të pushtetit lokal. Arsyetimet janë nga më të ndryshmet: përse të shkruhen dy herë vendimet dhe materialet përkatëse që dalin nga organet komunale, derisa duhet të përkthehen në gjuhën serbomalazeze për ta përdorur në instanca shtetërore.Ose, them të drejtën,bëjmë gabime drejtshkrimore edhe tek ne ende “jeton ai mentaliteti monist” kur kemi të bëjmë me gjuhën shqipe!

Në mbledhjen e Kuvendit të Ulqinit, për të dytën herë brenda distancës dyvjeçare të punës së parlamentit vendor, funksionari dhe këshilltari i Forcës së Re Demokratike,Dr. Nail Draga shtron pyetje edhe kërkoi përgjigje me shkrim nga ekzekutivi i Koalicionit qeverisës “Për Ulqinin evropian”, se si është e mundur që as pas tri vjetëve që ushtron pushtetin vendor, nuk përmbusen kërkesat e shqiptarëve për të vendosur gjuhën e tyre amtare në tabelat informuese në aksin e rrugës ndërkombëtare Ulqin- Anë të Malit- Sukubinë/Muriqan/ kufiri me Shkodrën.Në tabelat ekzistuese figurojnë emrat e vendbanimeve në gjuhën serbomalazeze edhe angleze, por jo edhe në gjuhën shqipe, të popullatës shqiptare që jeton nëpër ato lokalitete.Anashkalimi i gjuhës shqipe, u mohon të drejtën e qytetarisë edhe që kalimtarëve të këtij aksi rrugor shumë të frekuentuar, për të ditur emërtimet burimore të këtyre viseve shqiptare në zonat rurale të komunës së Ulqinit.

Tabelat pa gjuhën shqipe i ka vendosur Ministria Malazeze e Turizmit.Ka pasur kërkesa edhe më herët që të korrigjohen,por kjo nuk ka ndodhur. Vetë shqiptarët e kanë pranuar se për këtë nuk mund të fajësohet qeveria malazeze, por pushtet që udhëhiqen nga shqiptarët!

Por, karshi tij,këshilltari opozitar të Partisë Popullore Socialiste , Andria Qetkoviq ,po ashtu në seancën e parlamentit lokal, që vazhdon javën e ardhshme , kritikoi ashpër Partinë Demokratike të Socialistëve të kryeministrit Millo Gjukanoviq që udhëheq me qeverisjen vendore në Ulqin : përse nuk heq “emertimet e jashtëligjshme të rrugëve dhe shesheve të Ulqinit”, duke e ditur se vendimin e vendosjes së tyre e ka rrëzuar tash katër vjet Gjykata Kushtetutese e Malit të Zi.

PPS në vitin 2005 kërkoi anullimin e vendimit të Kuvendit të Ulqinit mbi emërtimin e rrugëve dhe shesheve të këtij qyteti, meqë “ cënohet rendi kushtetues shtetëror dhe aty ka emra të atyre që pretendonin Shqipërinë e Madhe”.

Por, Hajrullah Hajdari,këshilltar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, nënvizon se jemi shumë krenarë që ne si parti që udhëhiqnim pushtetin lokal të Ulqinit, arritem të miratojmë një vendim historik, emërtimin e rrugëve dhe shesheve të Ulqinit me emrat e personaliteteve tona kombëtare.

“Miratuam po ashtu edhe Statutin e Komunës së Ulqinit, ku barazuam statusin e gjuhës shqipe me atë serbomalazeze.Kjo ishte pengesë e PPS dhe Gjykatës kushtetuese të Malit të Zi që rrëzoi vendimin e Kuvendit të Ulqinit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të këtij qyteti”,- shprehet z. Hajdari.

Nga sa shihet,partitë politike shqiptare, por edhe ato qytetare të cilat në anëtarësi kanë shqiptarë,në fushatat paraelektorale shqiptarëve u premtojnë shumë, sidomos në fushat e mbrojtjes së qenies kombëtare, mbi të gjitha të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe.