E enjte, 28.03.2024, 09:30 PM (GMT)

Mendime

Frrok Gjini: Vrasja komuniste e 2 prillit të vitit 2001

E shtune, 25.04.2009, 10:46 AM


Arben Broci,
Arben Broci, " Martir i Demokracisë"
Vrasja komuniste e 2 prillit të vitit 2001

Nga Frrok Gjini, deputet i Partisë Demokristiane - Tiranë
 
Dua të sjellë vëmendjen e shqiptarëve ngjarjen që ka ndodhur më 2 prill të vitit 1991. Duke qenë se kam qenë pjesë e asaj lëvizjeje, e mora fjalën për të thënë dy fjalë, për të kujtuar të gjithë ata njerëz që dhanë jetën për këto ditë të bukura që ne gëzojmë sot. Dita e sotme sjell në kujtesën tonë një ngjarje tragjike. 18 vjet më parë, më 2 prill, në demonstratën e fuqishme antikomuniste humbën jetën 4 dëshmorët e parë e të paharruar të demokracisë shqiptare: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka, Nazmi Kryeziu dhe pati dhjetëra qytetarë të tjerë të plagosur. Nga kjo tribunë e respektuar unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për katër dëshmorët shkodranë, për të gjithë ato vajza e djem, të cilët u flijuan në altarin e lirisë për këtë liri që ne gëzojmë sot. Unë dua të shpreh respektin tim më të thellë për disa nga njerëzit më potencialë të kryeqendrës së qytetërimit të Veriut, për zotërinjtë: Ali Spahia, Pjetër Arbnori dhe Ferit Hoti, për kontributin dhe ndihmën që dhanë për shërimin e të gjithë djemve dhe vajzave, që u plagosën më 2 prill në Shkodër. Shkodra dhe shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë këta 4 djem, që e flijuan jetën e tyre për ëndrrën e madhe të lirisë, demokracisë; për një Shqipëri demokratike, për një shtet europian, për një Shqipëri si e gjithë Europa e qytetëruar. Diktatura, që po jepte shpirt, u hakmor duke i vrarë të katër djemtë shkodranë, u hakmor duke gjakosur Shkodrën, që nuk mundi kurrë ta nënshtronte. Ajo nuk mundi kurrë ta shmangte fundin e saj, nuk mundi të thyente vendosmërinë e qytetarëve të Shkodrës dhe të të gjithë shqiptarëve për t’u ndarë njëherë e mirë nga epoka e errët e krimeve të komunizmit. Ne sot ndihemi krenarë për të gjithë ata burra e gra, djem e vajza, studentë, të rinj e të reja dhe për ata intelektualë të cilët u bashkuan me lëvizjen demokratike, që sollën pluralizmin politik në Shqipëri dhe i dhanë vendit një zhvillim e një progres. Kjo ditë e shënuar, kur ne nderojmë dhe respektojmë dëshmorët e demokracisë, apelon në ndërgjegjen tonë dhe na fton të reflektojmë për gjithçka që kemi bërë keq, për gjithçka që ne nuk kemi mundur ta arrijmë në këto vite, për realizimin e ëndrrës për të cilën u sakrifikuan katër dëshmorët e Shkodrës. Deklaroj me dhimbje se shumica e atyre djemve dhe vajzave që morën pjesë në lëvizjen e studentëve të dhjetorit ’90, sot ndodhen rrugëve të botës duke bredhur si çifutë vetëm për ëndrrën e tyre. Qindra djem e vajza që u plagosën më 2 prill, sot ndodhen pa punë ose rrugëve të Europës. Ndërsa ne, edhe pas 19 vjetësh pluralizëm politik, ende nuk i kemi dënuar krimet e komunizmit dhe xhelatët e djeshëm, të cilët, të veshur me kostume të reja, ende mbajnë peng dhe zvarrisin Shqipërinë në një tranzicion të pafund.

19 vjet pas shpalljes së pluralizmit, ende ka tendenca për ta kufizuar pluralizmin, për ta kufizuar fjalën e lirë dhe median e lirë. Kjo bëhet vetëm nga disa politikanë ose nga njerëz me ish-mendësi të vjetra komuniste, për ta mbajtur vendin në një kaos të pafund.

Në këto ditë të shënuara kur ne festojmë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO (kjo është me të vërtetë ngjarja më historike për Shqipërinë), ne nderojmë dëshmorët e 2 prillit, që u flijuan në altarin e lirisë. Por, kur na ndajnë më pak se 3 muaj nga data e zgjedhjeve të reja parlamentare, sfida e vërtetë e shqiptarëve mbetet garantimi i zgjedhjeve të lira, garantimi i votës së lirë, garantimi i procesit zgjedhor, me qëllim që t’i jepet fund traditës së keqe të abuzimit me votën dhe të abuzimit me qytetarët.

Ne demokristianët kemi qenë dhe mbetemi kritikë për çdo fenomen të abuzimit me pushtetin dhe për aktet korruptive të disa njerëzve të pandërgjegjshëm që pushtetin e përdorin për qëllime personale. Ne duam të ndahemi nga kjo traditë e keqe, e cila, përveçse krijon pasiguri e varfëri, përbën edhe një kërcënim të madh për demokracinë dhe autoritetin e shtetit demokratik.

Nderi më i madh për ne dhe për të gjithë ata që dhanë jetën, që u përdhunuan nga diktatura, janë zgjedhjet e lira. Nëse ky Parlament e shikon të arsyeshme, ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje për të gjithë këta djem, që dhanë jetën për lirinë e vendit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora