Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dashuria në Romën e lashtë

| E premte, 24.04.2009, 09:39 AM |


Kur gladiatorët ishin si futbollistët e sotëm

Gratë, përveçse frekuentonin teatrot, merrnin pjesë edhe në lojërat me gladiatorë. Ato ishin të pasionuara pas tyre. Gladiatorët i joshnin jo vetëm sepse u mbijetonin shfaqjeve të vështira, por edhe sepse nëse fitonin ktheheshin në yjet e epokës, pak a shumë si futbollistët e sotëm, ose si këngëtarët rok, të adhuruar e të dashuruar nga gratë e të gjitha shtresave sociale

Që emancipimi femëror nuk ishte një fakt elite dhe që kishte prekur të gjitha gratë e shtresës së mesme sociale, është vërtetuar hapur nga zbulimet e gjetura, si dhe në veçanti nga grafitet e gjetura në Pompei. Gratë e qytetit tashmë fantazmë, përveçse frekuentonin teatrot, merrnin pjesë edhe në lojërat me gladiatorë, ku në fakt dukej se nuk ishin aq të pasionuara pas lojërave, sesa pas gladiatorëve, të cilët nëse u mbijetonin shfaqjeve të vështira, bëheshin yjet e epokës, pak a shumë si futbollistët e sotëm, ose si këngëtarët rok, të adhuruar e të dashuruar nga të gjitha gratë e shtresave sociale. Ato që e vërtetojnë këtë janë mbishkrimet e Pompeit, të cilat thonë shumë me shkëlqimin e tyre. Gjurma e Celado-s, që lexohet në kazermën e gladiatorëve, frymëzoi shumë vajza. Por kush e ka shkruar këtë, një grua apo një burrë? Pak rëndësi ka kjo. Gjithsesi, nga grafiti vërtetohet se vajzat e Pompeit nuk ishin indiferente ndaj bukurisë së muskujve dhe famës. Në të njëjtën ndërtesë, një tjetër grafit na informon se reciari (një prej gladiatorëve që luftonte me rrjetë e sfurk, pasi i duhej të mbrohej nga sulmet e kundërshtarëve) ishte "mjeku roje i vajzave". Të gjitha i pëlqenin këta gladiatorë.

Me sa duket, vajzat e varfra, por edhe zonjat e rënda, preferonin ata gladiatorë që dilnin fitimtarë nga betejat. Të paktën këtë na bën të besojmë poeti Juvernal, që në satirën e tij mbi femrat tregon për një farë Epia, e cila kishte braktisur shtëpinë dhe familjen për t‘i shkuar pas një gladiatori, Sergetos, që tashmë/ me krahun e thyer priste të largohej/ Në fytyrë kishte shumë shenja/ balluket i ishin rralluar nga helmeta/ në mes të hundës kishte një lyth të madh/ ndërsa njëri sy i lotonte gjithmonë/ Por sërish ai mbetej një gladiator! Për atë, thotë Juvernal, edhe pse që fëmijë ishte rritur në luks dhe kishte kaluar shumë vështirësi, pasi i shoqi tentonte ta hipte në një anije, Epia u kishte bërë ballë të gjitha peripecive, duke e ndjekur pas gladiatorin e saj deri në Egjipt. Mesa duket, Sergeto nuk duhet të ketë qenë i neveritshëm, ashtu siç e përshkruan Juvernali. Mizogjinia e sëmurë e poetit vërehet edhe në këto poezi dhe konfirmohet kur përgjithësohet sjellja e Epias. Ai shkruan se ajo femër që i shkon pas një të dashuri,/ ka stomak prej bronzi,/ vjell mbi të shoqin/ mes marinarëve ha dhe shëtit/ poshtë e lartë nëpër anije dhe i pëlqen tek e bën/ teksa kapet pas litarëve të ashpër.

Juvernali nuk i pëlqente aspak gratë. Por, përtej ekzagjerimeve të tij, mund të vërejmë një të vërtetë: edhe zonjat e shtresës së lartë ishin të ndjeshme ndaj bukurisë së gladiatorëve. Ashtu si shumë të tjera, duket se është konfirmuar një tjetër gjetje pompeiane. Në dhomën ku flinin gladiatorët, janë gjetur eshtrat e një gruaje dhe të bizhuterive që me sa duket ishin të sajat. Çfarë bënte në një vend të tillë një zonjë e veshur me florinj? Duke ngacmuar paksa fantazinë, mendojmë se atë natë zonja ka shkuar fshehurazi për të takuar gladiatorin e saj. Nuk dihet ende nëse ajo sapo kishte mbërritur, apo po bëhej gati për t‘u kthyer në shtëpi. Cilado të jetë përgjigjja, gruaja vdiq në një moment të lumtur.

Romakët ishin shumë të shqetësuar. Pavarësisht përpjekjeve të shumta që kishin bërë për t‘u zhvilluar, vunë re se diçka kishte dështuar në edukimin e femrave ndaj ndershmërisë. Mes shekujve I para Krishtit dhe I pas Krishtit, vendi ishte populluar nga gra të cilat mbanin kostume të atilla, që nëse do t‘ua kishin parë paraardhësit e tyre, do të çuditeshin. Për sa i përket lirisë, gratë nuk kufizoheshin ta përdornin atë me kujdes, në mënyrë që të mos tronditnin zakonet e vjetra: abuzonin, përfitonin në mënyrë të paskrupullt. Këtë mendonin romakët. Ata nuk i pëlqenin gratë e emancipuara. Për ta emancipimi ishte një rrezik shoqëror.

Ciceroni thoshte, duke perifrazuar Platonin, se aty ku gratë dhe skllevërit nuk bindeshin, mbizotëronte anarkia. Por akuzat më të rënda për sa i përket pabindshmërisë së grave, vijnë prej poetëve, në mënyrë të veçantë prej poetëve satirikë, Juvernali i pari. Tek ai, përshkrimi i kësaj ane negative të femrave arrin nivele paradoksale. Por, përtej çdo lloj konsiderate mbi këtë shfaqje dhe mbi karikaturizmin e realitetit tipik të llojit letrar, poezitë e Juvernalit tregojnë një mizogjini pothuajse të sëmurë: "Epshi është ves i të gjitha skllaveve dhe padroneve", shkruan ai në satirën e tij, "që nga gruaja që endet zbathur nëpër rrugët e qytetit, tek ajo që mbahet në barelë nga skllevërit sirianë. Të gjitha gratë pa përjashtim janë të shthurura, imorale".

Por pse kishin frikë prej grave, romakët? Kujt i trembeshin?

Pikësëpari kishin frikë se femrat mund të urdhëronin dhe se meshkujt mund të urdhëroheshin prej tyre (gjë që në fakt sipas poetëve satirikë po ndodhte prej kohësh). Kjo mund të ndodhte sidomos kur bëhej fjalë për gra të pasura. Ishte një frikë e përhapur, të cilën, Marziale (poet latin), e deklaron haptazi: Të martohesh me një grua të pasur? Jo./ Përse do më pyesni./ Sepse dua të martohem, jo të më martojnë/ Gruaja, duhet të jetë objekt i bashkëshortit/ është barazia e vetme e mundshme mes të dyve. E më qartë se kaq... Komandojnë, pretendojnë. Tashmë janë të bindura se të kenë një dashnor është një e drejtë e tyre. Disa arrijnë deri aty sa të mendojnë se të kenë një dashnor të vetëm është thuajse e lejueshme edhe prej bashkëshortit vetë.

G. Shqip