E hene, 06.04.2020, 10:50 AM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Nipi i Hitlerit, në Izrael

E premte, 24.04.2009, 10:38 AM


Eshtë 52 vjeç, ka lindur në Frankfurt, por prej kohësh jeton në tokën e shenjtë. është konvertuar në hebre dhe u mëson studentëve Talmudin

Kështu u bëra hebre

Gjyshja e tij, një naziste e betuar, ishte martuar me nipin e Fyrherit. I lindur në Frankfurt, sot ai ka zgjedhur të jetojë në Tokën e Shenjtë. Është konvertuar në hebre dhe u mëson librin e shenjtë studentëve në universitet. Ndoshta me kaq nuk kuptohet asgjë se për cilin bëhet fjalë. "Emri i gjyshes sime ishte Erna Patra Hitler. Pas luftës, për të mos u njohur, e hoqi shkronjën ‘t‘ nga emri i saj, duke e kthyer atë në ‘Hiler‘. Hans Hitler, burri i saj i dytë, ishte nipi i Fyrherit, por fizikisht nuk ngjante aspak me të. Ishte i gatshëm dhe i sjellshëm për gjithçka. Ajo që atij i mungonte, domethënë ashpërsia, nuk i mungonte gruas së tij,d.m.th gjyshes time". Është një burrë i hollë dhe i gjatë, që flet me një përzierje theksesh gjermanisht, anglisht dhe hebraisht. Ka lindur në Frankfurt, në vitin 1952, por që prej 25 vjetësh jeton dhe punon në Izrael. Ka një emër dhe mbiemër, një numër telefoni dhe një e-mail, por nuk është i gatshëm t‘i tregojë publikisht ato, pasi do të tregonin qartë dhe në mënyrë të pangatërrueshme jo vetëm origjinën e tij gjermane, por gjithë dramën e jetës së tij. Prej kohësh është konvertuar në hebre, madje sot mëson në Talmud librin e shenjtë të hebraizmit, në një universitet izraelit. Është nipi i Adolf Hitlerit. "Gjyshja ime ishte një naziste e bindur. Ajo besonte në ideologjinë nacional-socialiste, para, gjatë dhe pas luftës. Ishte krenare që vjehrri i saj ishte vëllai i Hitlerit, edhe pse ai kishte qëndruar gjithmonë shumë larg politikës. Ai administronte një kafe në Berlin dhe gjithë drejtuesit nazistë e frekuentonin këtë lokal në atë kohë. Prindërit e mi ishin të dy katolikë protestantë. Të dy ishin pjesë e Wehmarcht, ushtria e Rajhut III. Babai im, një mbështetës i flaktë i partisë, u divorcua nga nëna ime shumë pak kohë pas lindjes sime. Kështu u rrita nga mamaja ime, që në atë kohë nuk mori asnjë mbështetje, as financiare dhe aq më tepër morale, prej gjyshes Erna, një grua indiferente ndaj dhimbjeve dhe vuajtjeve të të tjerëve. Kam pasur një fëmijëri plot me probleme. Bashkë me nënën time kalonim nga një shtëpi te tjetra kur na nxirrnin jashtë, pasi nuk kishim më lekë për të paguar qiranë. Megjithatë, ajo më ka vënë në dijeni gjithmonë, për gjithçka, duke më treguar dokumentet me statistikat, letrat dhe fotografitë e të afërmve tanë, përfshi edhe të vetat, ndërsa mbanin veshur uniformat. Dhe kur e pyeta, duke qenë se e dinte për kushtet në të cilat jetonin hebrenjtë polakë në Lodz, përse vazhdonte t‘i bindej, më tha qartë, me shumë turp: "Kisha frikë. Më beso". Ashtu siç dihet, Adolf Hitler nuk pati fëmijë. Por kishte një vëlla (me baba), Alois, që më pas lindi Hansin. "Hans u martua me gjyshe Ernan, kur ajo u divorcua nga gjyshi im tjetër. Megjithatë, unë nuk kam asnjë lidhje gjaku me Fyrherin, nuk kam ADN-në e përbashkët me të. E kam takuar Hansin vetëm një herë, kur Hilterët erdhën në shtëpi për të pirë një çaj. Ai ishte një burrë shumë simpatik. Gjyshja qe krenare që ishte martuar me një të klanit të tyre. Mbeti naziste deri në fund të ëndrrave të saj. Babi im vdiq kur isha 19 vjeç. E kam takuar rrallë. Dhe ato pak herë që e takova, isha aq i gëzuar, saqë nuk e pyesja kurrë se çfarë kishte bërë gjatë luftës. Më pas mora vesh se kishte qenë një zyrtar i lartë në Wehrmacht. Nëna ime më rrihte. Një herë më goditi aq fort, saqë nuk munda të shkoja në punë, sepse i kisha gishtat e ënjtur dhe nuk mund të shtypja dot me makinë shkrimi. Kam lexuar ‘Mein Kampf‘, librin e Hilterit, që fëmijë. U ndjeva shumë në siklet. Si ka mundësi që njerëzit të ishin kaq budallenj sa të zgjidhnin një njeri i cili shkruante gjëra të tilla? Rruga ime drejt hebraizmit ishte e gjatë. Pas pjekurisë, në momentin që duhej të bëja shërbimin ushtarak në Gjermani, zgjodha teologjinë. Kursi parashikonte një periudhë prej gjashtë javësh në Izrael. Ishte fillimi i viteve ‘70. Pasi erdha këtu, u ndjeva si në shtëpinë time. Mbeta këtu. U konvertova në hebre". Sipas disa statistikave, janë rreth 300 gjermanë të kovertuar që jetojnë sot në Izrael. Shumë prej tyre ende sot nuk duan ta tregojnë identitetin e tyre, duke preferuar ta fshehin të kaluarën. Shumë prej tyre janë docentë universitarë dhe një prej tyre është edhe nipi i Hitlerit, që përdor një tjetër emër, edhe pse në Izrael ka nga ata që e kanë identifikuar. "Nuk më pëlqen të dëgjoj të flitet për palestinezët, Holokaustin dhe Rajhun III. Jam paqësor dhe mendoj se demokracia e vë në provë veten duke respektuar të drejtat e minorancave. Gjithmonë jam përpjekur të jem i ndershëm mbi origjinën time: nuk e kam fshehur kurrë. Kam folur edhe me studentët e mi dhe njëri prej tyre më ka thënë: "Mendoje pak, gjyshi yt mund të ishte martuar me gjyshen time". Kur historia ime nisi të qarkullojë përreth, disa njerëz me të cilët flisja normalisht, nuk ma dhanë më dorën. Ndryshonin rrugën sapo më shihnin. Për më tepër, edhe fëmijëve të mi në shkollë fëmijët e tjerë u thoshin ‘nazistë‘. Mora një mësim nga e gjithë kjo. Disa njerëz nuk duan që ti të ndryshosh. Kurrë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT