E premte, 19.04.2024, 06:19 AM (GMT+1)

Editorial

Rikthimi i Kosovës

E diele, 29.07.2007, 08:35 PM


Nga Washington Post

Një vit më parë, si këtë javë, ne botuam një editorial, ku theksonim se shumica e njerëzve brenda ose jashtë Serbisë mendonin se Kosova – ku tetë vjet më parë SHBA udhëhoqi një ndërhyrje ushtarake – do të bëhej shtet i pavarur, mundësisht deri në fund të vitit 2006. Përkundrazi, këtë javë Shtetet e Bashkuara, katër aleatë të saj të NATO-s dhe Rusia u takuan në Vjenë për të nisur një cikël të ri negociatash për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës – e njëjta pyetje, përgjigjja e së cilës ishte dhënë përgjithësisht vitin e kaluar. Përse kjo paralizë e rrezikshme në lidhje me pjesën më delikate të Evropës? Pjesërisht shkaku është intransigjenca e njohur e politikanëve serbë, të cilët refuzojnë të pranojnë publikisht një ndarje që ata – dhe shumica e votuesve të tyre – e dinë që është e paevitueshme.

Megjithatë, arsyeja kryesore e vonesës është presidenti rus, Vladimir Putin, i cili e ka bërë Kosovën pjesë të fushatës së tij agresive për të rifituar influencën e vet në Evropë dhe ta paraqesë regjimin e tij si kundërbalancë të Shteteve të Bashkuara. Javën e kaluar, ambasadori i zotit Putin në Kombet e Bashkuara e bëri të qartë se ai do përdorte veton për një rezolutë që mund të implementonte planin e mediatorit të OKB që e vendoste Kosovën në rrugën e pavarësisë, e vëzhguar nga Bashkimi Evropian dhe me garanci të detajuara për 10% e popullsisë që është serbe.

Qëndrimi i shpallur i Rusisë është se ajo do të kundërshtojë çdo zgjidhje të Kosovës që do të kundërshtohet nga Serbia. Ky qëndrim cinik ka për qëllim kurthosjen e liderëve serbë në intransigjencën e tyre, duke e izoluar vendin ballkanik nga Bashkimi Evropian – që i ka ofruar perspektivën e anëtarësimit – e duke e bërë kështu zemrën e ish-Jugosllavisë komuniste të varur nga Moska. Gjithashtu, zoti Putin shpreson të përçajë Bashkimin Evropian, i cili është i ndarë rreth faktit se çfarë të bëjë me Kosovën në mungesë të një rezolute të OKB dhe të mposhtë Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë qenë mbrojtësit kryesorë të mazhorancës shqiptare dhe myslimane.

Për meritë të saj, administrata e Bushit nuk është trembur nga taktikat ruse. Zyrtarët e kanë bërë të qartë se bisedimet e reja do të kufizohen në 120 ditë dhe pavarësisht rezultatit të tyre, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk kërkon të bindet zoti Putin, por ka nevojë për diplomaci të kujdesshme me qeveritë evropiane, të cilat duhet të binden të njohin pavarësinë e Kosovës pa rezolutë të OKB. Britania, Franca dhe Gjermania janë të besueshme; puna më e madhe duhet me vende të tilla si Qipro, Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia, disa prej të cilave shqetësohen për pretendimet e mundshme separatiste brenda vendeve të tyre.

Pasojat e një dështimi të perëndimorëve për të njohur Kosovën e pavarur këtë vit do të jena të egra. Në provincën delikate mund të shpërthejë dhuna fare lehtë, siç ka ndodhur disa herë qysh prej 1999. Nga ana tjetër, zoti Putin do të arrijë në përfundimin, se obstruksionizmi i egër është një strategji fituese për Rusinë, në Evropë apo diku tjetër. Megjithëse e ngarkuar me probleme të tjera në politikën e jashtme, administrata e Bushit ka nevojë të investojë në diplomaci të fortë për të garantuar shmangien e atyre rezultateve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora