Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hysen Këqiku: Laryshia e një universi

| E premte, 24.04.2009, 05:21 PM |


LARYSHIA E NJË UNIVERSI

(Në librin me poezi “Hëna në dritare”, i Avni Deharit, mpleksen natyrshëm arti dhe mësimi)

Nga Hysen Këqiku

Me veprën “Hëna në dritare” Avni Dehari*  del një mësues i shkëlqyeshëm jo me didaktikë, por me motivet që i sendërtojnë në varg poetik dhe figurativ. Duke lexuar këtë vepër, të duket se je në një orë mësimore, ku fëmija njihet me shumë dukuri nga edukata, arsimimi dhe njohje të tjra. Të jesh  mëues i mirë, do të thotë t’i  duash fëmijët, ndërsa të jesh shkrimtar për fëmijë, t’i  duash ata dhe të njohësh psikikën dhe kërkesat e tyre; tekefundit t’i  kesh parasysh motivet e t’i  parashtrosh në formën më të pranueshme ndaj fëmijëve.
  Gjatë  leximit të kësaj vepre, çdo lexues do ta  kuptojë se numri më i madh i këtyre vjershave është shkruar në mërgim, gjatë kohës kur autorit i ishte ndaluar kthimi në atdhe. Më parë ai kishte  punuar në disa shkolla si mësimdhënës i gjuhës shqipe në Ferizaj, Gjilan dhe në Kumanovë.
 Dashuria për të qenë pranë nxënësve, Avni Deharit kurrë nuk i  ishte zbehur. Ajo dashuri e kishte ndjekur hap pas hapi kudo që u gjend, edhe pse edhe në diasporë pati punë me fëmijët e kurbetçinjve tanë, me të cilët punoi dhe dha një kontribut të çmueshëm.

 Shfaqje reale e një meditimi artistik

 Vepra “Hëna në dritare” është e strukturuar në tre cikle: “Atje ku duket bota”, (përmbanë njëzet e një poezi), “Princesha e lulelve” (shtatë) dhe “Shqip këndon gjinkalla” (me njëmbëdhjetë poezi). Kjo vepër u botua nga Shtëpia botuese “KURORA” në Gjilan, në vitin 2005.
 Avni Dehari e ka botën e vet krijuese dhe këndon për diçka të caktuar, Atij poezia nuk i vjen me dhunë, por natyrshëm dhe inventive. E gjithë kjo më së miri duket në poezinë “Vjersha troket”..., e cila  është botuar para cikleve dhe paraqet një shtrirje në një rrafsh meditatiav.
 Kjo poezi pikërisht aty ku është bvotuar e ka vendin, sepse është një sublimim i autorit, një qasje për poezin, të cilën  nuk e rrëfen por e këndon me art. Kjo poezi paraqet rrugën e poezisë nëpër shtresime poetike, për të ardhur te poeti që të mos e lërë përjashta... po ta fusë në libër që bashkë të kalërojnë deri te lexuesit e vet –fëmijët:

“Te xhaxhi poeti
 Vjersha troket në derë:
-Më bëj strehë të lutem,
Mos më le të mjerë!” (faqe 5).

Poeti me dhuntinë e natyrshme dhe zemërgjerësinë e tij  pranon “dhe pasi e bashkon me shoqet”, i vë kurorë të artë” dhe për t’ia plotësuar asaj kërkesën, “ua  dërgon fëmijëve dhuratë në librari”. Kjo si të thuhet, është porta  kryesore, përmes së cilës për-birohen të gjitha vjershat e tjera që e kompletojnë këtë vepër, e cila ndërtohet mbi variacione të shprehjes poetike.
 Avni Dehari është njëri prej shumë poetëve që e ka përjetuar kurbetin. Ai, për një kohë të gjatë, u rreshk me mallin për atdhe. Të tilla na dalin edhe poezitë që bartin atë mall që me shekuj të tërë kalëroi nëpër shpirtin e sa e sa kurbetçinjve, duke krijuar përjetime ndjenjash dhembshurie edhe për fatin kolektiv. Prandaj,  poezia  e tij konsiston në kërkim të përmbajtjes dhe shprehjes, duke pasur si shprehje kyç  ndjenjën, e cila e rrëmben autorin.  Ai ka dhembshuri për  fëmijët, veçmas për ata që jetojnë të ndarë nga prindërit, në rastin tonë nga babai, i cili shkon për ta suguruar kafshatën e gojës diku larg në kurbet.
 Personazhi i vjershës “Pse baba”  është fëmija, i cili mundohet ta përmirësojë këtë gjendje,  ta bind babanë të mos shkojë në vend të huaj për të punuar, kur ekziston  mundësia që  me resurset e atdheut të jetohet.  Kjo sipas përfundimit të vjershës do të ndodhë pas çlirimit të atdheut: “Kur ta çlirojë atdheun  tonë:

Në ato bregore do të festojmë,
Për gjallim në dhe të huaj
 Kurrë më nuk do të shkojmë” (faqe 9).

 “Hëna në dritare” përbëhet prej poezive që lidhen artistikisht me një përjtim që na del  i urtë,

intelektual, mendor dhe shpirtëror, gjithmonë duke i pasur parasysh kërkesat e  fëmijëve. Kështu nëpërmjet një metafore të bukurt, e cila është e mbrujtur mirë në vjershën  “kur  të ritem”,  shpalohet dëshira e fëmijës, i cili, edhe pse i vogël, e di pse janë krijuar situata të ndryshme diskriminuese. Pse  babai duhet të shkojë në kurbet, pse dhe kush është fajtor që krijon brenga në shtresat popullore. Pse dominon errësira  (robëria) dhe kush duhet ta ndryshojë këtë gjendje...
 Një gjendje e tillë ishte e padurueshme, prandaj fëmija premton se “kur ë ritem, do të më bëhen këmbët e forta” dhe  kur të vijë deilli në perëndim “do ta ndalë edhe diellin”,  për ta përfunduar me një patos ngazëllyes:

“Errësirë më nuk do të ketë,
 Që fëmijët i frikëson,
Rreze  drite do të lëshojë dielli,
 Që nga lind e perëndon” (faqe 14).

 Vjersha “Dielli piktor” është një krijim shumë i bukur, me të cilën autori mëton t’u  japë  krah rrjedhave në formën më atristike që është e mudshme. Këtu  shpirti i pottit fluturon peizazheve të vendlindjes, përkatësisht atdheut të tij të bukur. Vokacioni i kësaj poezie mund të jetë një thirrje e mbështjellë me artin e artë poetik, një qasje për ta tërhequr vëmendjen e fëmijëve për bukurtë e atdheut dhe ato bukuri do të rriten edhe më shumë, kur vërtet do t’i  ngrohë dielli i lirisë:

“Ngrihem në mëngjes
 Në det laj fytyrën
 Ngjitem përmbi bjeshkë
Dhe ngjyros natyrën” (faqe 18).

 Mbi pyje hedh ngjyrë të gjelbër, mollën e bën të kuqe, pjeshkën të verdh; ngjyros dredhëza, qershi, ylberin, lulet, grurin  me ngjyrë të artë dhe fëmijët me ngjyrë kafe.

Arti në shërbim të së mirës

 Shpirti i poetit fluturon  duke bartur ndjeshmëri. Vjershat e tilla , me një fjalor metaforik dhe simbolik, si p.sh.  “Leta dhe gjumi”, “Fëmija dhe zogu”, “Lapsi dhe nxënësi”, “Gjyshja dhe mbesa”, “Artani dhe pasqyra” dhe veçmas do thekuar arti imagjinativ i autorit i mbrujtur në vjershën “Bardha dhe hëna”.
Si rezultat i latimit dhe i futjes së imagjinatës krijuese me theksime dhe gjetje artistike, nga kjo vjershë, buron diçka që fëmijën e merr në prehër si ndonjë puhizë pranverore që me freskun aromëlulesh e përkëdhel  dhe pikërisht nga kjo na del emri i librit “Hëna në dritare”:

“Hëna e artë një natë
 Iu afrua dritares,
 Flokët e buta  lehtë,
 Ia ledhatoi Bardhës.”

 Fëmija me krahët e fantazisë fluturon hapësirës së pafundme, por, duke pasur  parasysh se “s’ka në botë si vendi im”, e lutë hënën që ta kthejë përsëri në djepin e vendlindjes, përkatësisht në djepin e dëshmorëve dhe të heronjve legjendarë, si  Skënderbeu, Ismail Qemali, Jusuf Gërvalla e kadri Zeka, Ali Ajeti e të tjerë, të cilët atdheut i dhanë virtyte të një vendi që ka kush i del zot. Shtatë vjershat e ciklit “Princesha e luleve”  janë  vjersha me karakter didaktik, nëpërmjet të cilave lexuesi

 i vogël edhe do të argëtohet nëpërmjet artit poetik edhe do  ta bëjë një përsëritje të atyre që i ka mësuar në shkollë. Këto vjersha si “Ditët e javës”, “Muajt e vitit”, “Stinët e vitit”, “ vjersha në dialog “Viti i ri dhe Viti plak”, pastaj “Vetëtima” , “Shiu” dhe “Uji fluturon” paraqesin një korrelacion mes orëve mësimore të dituri natyrës dhe artit poetik. Pikërisht përmbajtja e këtyre vjershave diturore flet bindshëm se sa më rëndësi është futja e veprave me  karakter të tillë në planin e lektyrës. Nëse kjo nuk bëhet, mësuesit përkatësisht edukatorët duhet t’i shfrytëzojnë në praktikën  e tyre pedagogjike, duke ua dhënë nxënësve për detyrë që t’i recitojnë ose t’i shfaqin si pjesë të shkurtra teatrale, sepse ekziston mundësia reale që vjershat e tilla të  recitohen në dialog.
 Vjershat e tilla të Avni Deharit, latojnë një zë të çiltër, poetik e artistik, një artikulim jo spontan, por të skalitur, të mbrujtur e të kultivuar.
 Temat e trajtuara në  këtë cikël nuk janë të paprekura edhe nga shkrimtarët e tjerë, që kryesisht janë të ndikuar nga mësimdhënia, si Luigj Gurakuqi, Qamil Guranjaku, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi e ndonjë tjejtër, por suksesi tjetër në këtë drejtim i Avniut është sublimimi i ndikimit, duke i dhënë një formë edhe qasje krej origjinale, me qëllim edukativ dhe arsimor nëpërmjet vargut të latuar mirë dhe nëpërëmjet figurave, me të cilat jep tablo shumë reale nga hapësira artistike e tij.
 Avni Dehari, me shëtitjet që ia imponon lexuesit nëpër situata joshëse, e relakson, i jep informacione të ndryshme, e bën kurreshtar që  vjershës t’i shkojë deri në fund, për t’ia mësuar përfundimin ose përgjegjen. Kjo formë e rritjes së efektit emocional dhe kureshtar është një qasje serioze dhe një metodë që Avniu ia del me sukses.
 Kështu me gradacionin e ndërtuar me sukses në vjershën “Shqip këndon gjinkalla” e merr lexuesin me vete deri në realizim artistik të vjershës, sepse fëmija gjatë leximit të kësaj vjershe  nga kureshtja do të pyesë se si është e mundur që të flasin shqip gjinkalla, thnegla, elefanti, ujku, kali, lepurushi,, shqipja, bilbili, zogu, lopa, viçi” etj. dhe ekstaza ndodh në fund, kur çdo gjë qartësohet:

“Shqip këndon gjinkalla
 Që verës s’punon
 Se nga gjyshja përrallën/
Fëmija shqip dëgjon” (faqe 54).

 Përmbledhja e vjershave për fëmijë “Hëna në dritare” është një vepër me vlera të pranueshme edhe një begati për letërsinë  shqipe për fëmijë. Në universin e poezisë së Avni Deharit rritet malli për atdheun, për njeriun dhe për gjuhën, kultivohet e njerëzishmja dhe sublimohet ndjenja për të qenë në shërbim të së mirës.

*Avni Dehari ka lindur më 03. 05. 1947  në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillor e kreu në vendlindje, gjimnazin në Preshevë,  ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, e mbaroi më 1974, në Prishtinë.
Veprat
“Dielli”, poemë për fëmijë, 1990, “Arif Seferi – në shërbim të popullit”, monografi me bashkëautor  Destan Hajdinin,  “Pas rrezes së diellit”, poezi për të rritur, Shkodër 1994, “Saja fluturuese”, novelë për fëmijë, Tiranë  1996, “Hëna në dritare” vjersha për fëmijë, Gjilan 1995.
Avni Dehari jeton dhe vepron në Prishtinë.