E enjte, 25.04.2024, 02:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Ajo ditë nuk ecte, po fluturonte

E premte, 24.04.2009, 06:55 PM


Ejup Ceraja
 
AJO ATË DITË NUK ECTE, PO FLUTURONTE

-Fragment nga romani në dorëshkrim “Dritë dhe shpresë”-

Arsimtarja e kimisë, Flutura Gentiani, është e afërt me nxënësi si edhe arsimtarja e historisë Borbardha Guramadhi. Po, krejt pa dashje, ajo e bëri një lëshim, që as në ëndërr s'i kishte shkuar mendja kurrë...

- ?!...

Ajo me bisht të syrit e përcjellke ngritjen e dorës së Ertelës. Ertela është një vajzë e bukur. Vjen pakëz si zeshkane, po ajo ia shton edhe më hijeshinë. Ka një shtat të hedhur, po të drejtë si selvi. Ka sy të mëdhenj filxhan. Me qerpikë si krahët e dallëndyshes në fluturim. E ka hundën të drejtë e simetrike, që i rri për bukuri gojës si kuti e me buzë si petull flije. Është tepër elegante, po është edhe një vajzë hera-herës tekanjoze. Kjo, medoemos, për shkak se është e përkëdhelura e shtëpisë së Kreshtëbardhëve, që vijnë nga fshati po me të njëjtin emër – Kreshtëbardhë. Është vajza e vetme në familje, andaj edhe e quajnë  sugareshë… Ertela me kohë e ka fituar simpatinë e arsimtares së kimisë zonjushe Fluturës. Arsimtare Flutura si gjatë pushimit, por edhe pas orëve të mësimit, shoqërohet e bisedon me Ertelen si të jenë kolege. Siç duket Ertela është shtruar këmbëkryq në zemrën e arsimtare Fluturës...

Kur e vërejti arsimtare Flutura se edhe Ertela e ngriti dorën, u gëzua si fëmija përpara dyqanit të lodrave. “Nuk do ta ngriti të parën. – tha më vete. - Do t'i japi rast që nga përgjigjet e të tjerëve të përfitojë që të përgjigjet sa më mirë që të binden nxënësit tjerë se kjo vërtet ka bërë kthesë në lëndën e kimisë..."

- Urdhëro!… - i tha ajo Guximorit, pas pak.

Ai u ngrit me bindje e besim të shtuar në vetvete, pa i bërë syri bëëërr.

Dhe, derisa ai po fliste një pjesë e nxënësve i dëgjonin me vesh përgjigjet e tij, po me vëmendje ishin diku gjetkë. Manjola, njëra ndër nxënëset e mira në klasë, mendonte më vete: "Kjo është një arsimtare shumë e mirë, por kam fituar bindjen, qofsha e gabuar në këtë, se kjo cilësimin e njohurive, në ndonjë rast të veçantë, e bën sipas simpatisë... Por ajo që e karakterizon këtë arsimtare për të  mirë është se gjatë vlerësimit të njohurive tona, nuk bën cilësime tendencioze për shkak të ndonjë zënke me ndonjë të afërm të akëcilit nga ne. Dhe, po ashtu, vlerësimin e njohurive tona, nuk e bën në mbështetje të disiplinës... Por ta shohim se çfarë do të bëjë, kësaj radhe, me Ertelën simpatike... Ertela rri me te më shlirshëm se me ne shoqet…"

Pas përgjigjes së Ertelës, ajo tha:

- Mendoj t’i lëmë të paprekura notat e testimit. Edhe pse, ndoshta, Ertela... Ajo s’e përfundoi frazën. E la të nënkuptohet...

Në klasë filluan bërrylat  në mes nxënësve, po hëpërhë asnjëri nuk foli. Pas një heshtje paksa të zgjatur e ngriti dorën Ermali.

- Urdhëro, Ermal!... – i tha ajo.

Ai u ngrit ngadalë. Pasi mori frymë thellë, tha:

- Më falni zushe arsimtare. Unë kam bindjen se Guximori u përgjigj shumë mirë. Andaj... Ndërsa për të tjerët?...

Ermali e tha këtë, duke e nënkuptuar edhe Ertelën. Edhe pse për Ertelen, në zemrën e tij prej të riu, kishin filluar gudulisjet në mes të një simpatie a fillimi të një dashurie. Sa herë Ermali e shihte vjedhurazi Ertelën me bisht të syrit, i dukej seç herë e më e bukur. Edhe Ertela e shikonte hera-herës fshehurazi me bisht të syrit Ermalin dhe dashurohej në te si fëmijët në lule. "Ndoshta nuk bëra mirë - mendoi Ermali më vete - që e thash kaq hapur. Mos do të më zemërohet Ertela!… Mos do ta humbi simpatinë përballë saj që ma thotë mendja se gati është ngritur si në dashuri a si në diç të ngjashme. Edhe pse unë atë s’e përmenda me emër, ajo u nënkuptua nga të gjithë... Por, pa marrë parasysh, edhe pse e dua Ertelën, më shumë do ta dua dhe do ta mbroj të vërtetën. Kësaj do t'i përmbahem për tërë jetën. Vërtet Ertela qëndron brenda zemrës sime në mes simpatisë dhe dashurisë, po do t'i mundi të dyja për ta thënë e mbrojtur atë që mendoj se është e drejtë…"

Ertela nuk e kishte pritur një kundërshti kësisoj nga Ermali, i cili në zemrën e saj ishte ngjitur si ngjitet ushunjëza në buzë. “Fundja, ky s’e përmendi asnjë emër. Për pasojë as emrin tim”. I dha më vete plotësisht të drejtë. "S'do mend se Guximori  u përgjigj jo vetëm mirë, po fort mirë. Andaj nuk është... të vihet në një rrafsh me ne të tjerët.  Sa po më vjen keq, në radhë të parë, nga arsimtare Flutura!… Shih si është skuqur!… U ngushtua për shkak timin. Kjo vërtet më do. Edhe unë e dua shumë. Po e drejta kësaj radhe është në anën e Ermalit e të Guximorit. Kam bindjen se arsimtare Flutura me këtë rast u lajthit. Kjo këtë e bëri, sigurisht, për simpati ndaj meje. Unë do të kisha qenë e lumtur sikur arsimtarja t’ia kishte mbyllur notën pesë Guximorit. Ky këtë e meriton... Po më dhembet edhe  Guximori, që u gjind në gojë të klasës, sado që për mirë… Po mbi të gjitha po më vjen keq nga Ermali, që u detyrua të shprehej kështu… Ky ka të drejtë!… Shih si e ka ulur kokën… Sigurisht se ngushtohet për këtë që e tha, ku përfshihem edhe unë, në radhë të parë, edhe pa m’u përmendur emri. Ky ndoshta mendon se unë do të zemërohem në te… Jo, jo që nga ky moment Ermal je tabanuar në zemrën time dhe nuk do të ketë forcë që do të të shqisë nga këndej!… Zotohem përpara jush e Krijuesit që nga ky moment, Ertela do t'i rreket mësimit dhe do të bëhet shembull për të mirë jo vetëm në klasën tonë…"

Arsimtare Fluturës iu ngritën flokët përpjetë. Nuk e kishte parashikuar një rrjedhje të tillë të orës mësimore. Ngjyra si të ylberit i kalonin nëpër fytyrën e saj ezmere. Hahej në heshtje me ndërgjegjen e vet… "Ermali ka plotësisht të drejtë. Unë rrëshqita me të dy këmbët pa dashje. E kam të vështirë, frikohem, ta  përmirësoj... Po, do t’ia tregoj unë qejfin këtij... Do të bëjë përpjekje që ta zë ngushtë.... Jo, jo. - tha më vete. - Një veprim i këtillë nuk është në nderin tim, andaj edhe s'do ta bëj kurrë!… Do ta qortoj vetëm me fjalë…"

- Ti, Ermal, e konsideron veten... Ndoshta edhe ke të drejtë. Por... Kemi kohë e do ta shohim edhe këtë. Për këtë sjellje të pahijshme do t'i lajmëroj edhe prindërit tu. Tash dil jashtë. Pa njërin prind mos eja orën tjetër se s'do të pranoj në mësim.

- Po unë s'bëra asgjë zushe arsimtare. Vetëm e ngrita zërin për një...

- Dil nga ora!… Nuk kam mbetur që ti të më tregosh se ç'është e drejtë e ç'është e padrejtë.

Ermalit iu mbushën sytë me lot bilur, po më s'e foli asnjë fjalë. "Nuk do të pendohem për këtë edhe sikur të mos vazhdoj shkollimin jo vetëm në këtë shkollë, po edhe gjetkë… Unë e mbrojta një çështje që m’u duk se është më se e drejtë…" - tha më vete, duke dalë nga dera e klasës. Ua lëshoi edhe një shikim shokëve e shoqeve të klasës, sikur t'u thoshte lamtumirë se më s'do të shihemi së bashku në këtë klasë jo se jo, po as në këtë shkollë. I tha duke dalë zonjushë Fluturës "ditën e mirë!" Po ajo nguroi e nuk ia ktheu përgjigjen. "Ani..." - tha ai më vete.

Pas tij i pari u ngrit Guximori. I vuri libra e fletore në çantë dhe doli në heshtje nga klasa pa u thënë as "ditën e mirë!". Të njëjtin veprim e bëri edhe Adhurimi, që ishte shok i pandarë me Ermalin e Guximorin. Pastaj dolën me rend të gjithë nxënësit e klasës, në heshtje, pa e folur asnjë fjalë dhe pa përshëndetjen e rëndomtë: "ditën e mirë!" Në klasë me arsimtare Fluturën mbet vetëm  Ertela... Fatmirësisht ora mësimore ishte në të mbaruar dhe s'vonoi as dy-tre minuta dhe ra zilja për përfundimin e orës dhe të mësimit për atë ditë.

Arsimtare Flutura mbet e shtangur nga një veprim i këtillë i nxënësve të klasës, ku ajo e kalonte më së miri orën mësimore. "Ç'bëra kështu?!… - tha më vete. Ku më mori puna në thua sot?...  Si m'i piu sorra mendjet e u solla në këtë mënyrë?... M’u tret si kripa në ujë sa çel e mbyll sytë etika ime pedagogjike?… Diç me mua nuk është në rregull… Bëra gabim të pafalshëm përballë Ermalit… Nxënësit e tjerë e kuptuan këtë, andaj u solidarizuan me te, pa më kundërshtuar e pa më përfillur… Kurrë më nuk do të mund ta kthej besimin e autoritetin, që e kisha te ta!…" Në mendje i lindi një mendim edhe më i lig: "Do t'i them babait të Ermalit se djali i tij është i padisiplinuar në orë të mësimit... Madje sot i organizoi nxënësit qe ta bojkotojnë orën e kimisë… Ai, e di, do  t'ia punojë qejfin… Atë, e njoh unë mirë …" U çlirua nga ato mendime të zymta, sikur të çlirohej nga ankthi i një ëndrre të keqe. Lëvizi me nervozizëm nga karrigia, si ta kishin thumbuar dhjetëra grerëza për një herë. Ertela e vërejti kur lëvizi ashtu me zemërim, po nuk e ushqeu më tutje bisedën. "Më mirë - tha më vete - është që në këso rastesh të heshtet. Po më dhimbet arsimtare Flutura!… Si është zbehur në fytyrë, si të kishte lënguar në shtrat me javë… Si ta gjej ndonjë shprehje…?" Dhe në rropatje me këto mendime, dëgjoi zërin e arsimtares:

- Eja të shkojmë, Ertela!…

Ato dolën të zymta nga klasa. Secila me peshën...,  që i rëndonte në ndërgjegje...

- Pritëm, Ertela, sa ta lë ditarin e ta marrë pallton. E bëjmë një pjesë të rrugës bashkë.

- Mirë, - zushe arsimtare. Do të të pres sa të duash. Mos u ngut se kemi kohë të mjaftueshme.

Ato u nisën së bashku. Në fillim nuk e folën asnjë fjalë. Ecnin përbri njëra-tjetrës në heshtje, si përbri statujave të ftohta në ditë vjeshte.. Pas një copë rruge, Ertela i tha, me ndrojtje, arsimtare Fluturës:

- A do të kthehesh zushe arsimtare andej nga ne për pushim dhe për një kafe?…

Zonjushe Flutura ishte e zënë me mendime të veta, që i vinin dallgë-dallgë si valët e detit të trazuar gjatë një Tsunami. Në grindje e sipër me ato mendime as që e dëgjoi dhe as që e kuptoi, për fillim, se ç'i tha ajo. Sapo u çlirua pakëz nga ato mendime dallgore, iu përgjigj çartaqejf, duke i thënë:

- Të faleminderit, Ertela!… - Do të kthehem tjetër herë, kur të jem më e disponuar.

E bënë ashtu edhe një pjesë të rrugës, prapë në heshtje, gjersa arritën në kryqëzimin e rrugëve, ku do të ndaheshin. U ndanë me nga një përshëndetje të ftohtë. Arritën vetëm sa t'i thonë njëra-tjetrës: "Ditën e mirë!"

 Zonjushë Flutura s'i bëri as dyqind metra rrugë ashtu kalamendës, e pa nga larg babin e Ermalit xha Kolën. Siç i thoshte ajo edhe pse ai ende s'i kishte kaluar të pesëdhjetat e pestat. Iu ngatërruan mendimet kur e pa si leshi i deleve në shkurre. "Hëhë - bëri ajo më vete. – Po tash?… A t'ia çeli, apo të mos e çeli bisedën fare për atë që jam zotuar që nga braktisja e orës mësimore nga nxënësit sot?… E çka do t'i them?… T'i them se Ermalin e tij e nxora nga ora sot për shkak të disiplinës, s'i ka as pesë a gjashtë ditë kur i kam thënë se ai është nxënësi më i mirë dhe më i disiplinuar në klasë, s'pi ujë fare. Megjithatë do t'ia them në mënyrë të tërthortë. Jam zotuar. Do ta kryej zotimin, të dalë ku të dalë. Do t’i them xha Kolës se që nga ajo ditë që i thashë në prani të tij se ai është i disiplinuar, iu ka rritur mendja”.

 U takuan dhe u përshëndetën dorë më dorë.

 - U bë mirë që u takuam xha Kolë. - i tha ajo, duke iu ngjirur zëri, që i dilte si krrokamë sorre. - E kisha ndër mend të të vijë edhe në shtëpi…

- Po ti eja shlirshëm zonja arsimtare! - i tha ai.

- Njëherë tjetër për të mirë e për gëzime. Desha të të them diçka jo edhe aq të këndshme. Iu ngatërruan prapë mendimet. "Si t'ia filloj?… Ç't'i them më parë?… Nuk qenka ashtu lehtë si e kam menduar… Si t'ia lëndoj zemrën e tij pothuaj për hiçgjë?… Për tekanjozinë time të pakuptimtë!… Po kjo tash më mbet në dorë si “këmbët e arushës" - siç thotë populli…" Këto mendime ia ndau përgjysmë zëri prej basi i Kolës, i cili i tha:

- Po ti zonja arsimtare fol të jetë ç'të jetë!…

Ajo u kollit si ta kishte një halë peshku në fyt…

- Jo, jo s’kam asgjë për të të thënë. Bisedojmë ndonjë ditë tjetër.

- Tash të bisedojmë për çfarë është fjala!... – nguli këmbë Kola.

- ?!...

- Si të të them, xha Kolë?… E kam fjalën për Ermalin… Ai vërtet është nxënës shumë i mirë dhe i disiplinuar, ashtu si ju kam thënë më herët. Po sot se ç'pati nuk e di, por…

- Ç'është ajo por?… - zonja arsimtare. - Thuaje shlirshëm atë që të mundon. Do të përpiqem që të të ndihmoj nëse është brenda fuqive të mia.

- Si të të them?… - e përsëriti të njëjtën frazë. U ngushtua aq shumë, sa iu bë sikur po i zihej fryma. E shkopsiti këmishën se i vinte rëndë. - Sot… Ermali e kreu një veprim, që është jashtë natyrës së tij. I organizoi nxënësit që të ikin nga ora, ta bojkotojnë atë… - i tha me peshën e gabimit të dyfishtë përnjëherë. “Hë!... – bëri më vete me gjysmë zëri, sa do ta kishte dëgjuar edhe Kola, po të mos ishte i zënë me mendimet e veta, që i vinin tallaz-tallaz. – Bymej gabimet, Flutura, bymej...” 

- Ashtu, a?!… - Ia tregoj unë qejfin atij. Sigurisht se iu ka rritur mendja nga ai lavdërimi që ma the  mua  atë ditë në prani të tij. S'ka për t'i rënë në mend kurrë më për një veprim e sjellje të tillë!…

U nda nga ai e verdhë dyllë në fytyrë, duke i thënë:

- Jo xha Kolë, kësaj radhe vetëm foli me të mirë!…

- Këtë e di unë!… - i tha ai plot nerva.

U nisën në kahe të kundërta. Babai i Ermalit, Kola,  me nerva të tendosur, duke krisur në dhëmbë si kur the lajthia dhe duke u zotuar: "Do t'ia tregoj unë qejfin atij mistreci. Atij mendjemadhi të pa skrupull. Mendon ai të luajë me fytyrën time… Lëre që vetë s'dashka të mësojë, por po i penguaka edhe të tjerët në mësim. Madje duke i nxitur e duke u prirë edhe në braktisjen e mësimit…. Hëëëmë!… Do ta shikosh si do t'i pengosh më të tjerët!…" - turfulloi, duke i shpejtuar hapat.

Në drejtimin tjetër shkonte zonjushë Flutura me hapa të një fëmije, që sapo lëshon të eci. Në kokën e saj i silleshin mendime qortuese, që ia shtrëngonin atë si rrathët që i shtrëngonin tinarët dikur. "Ç'u bë me mua sot?… Që nga fillimi i orës së mësimit më shkoj puna ters. Nuk e përmbajta vetën si gjithnjë. Si i ka hije një arsimtareje me titull edhe të pedagoges, e cila ka kaluar edhe nëpër bankat e shkollës Normale. Nga çasti në çast u zhyta në gabime të njëpasnjëshme si zhytet njeriu në baltën e gjallë. Phiii!… Sa gabim bëra që ia thashë xha Kolës ato që s'duheshin thënë në asnjë mënyrë as vetë më vete. Sa keq që ia lëndova zemrën dhe ia ula krenarinë e një babai të devotshëm, që e ka një djalë të mrekullueshëm. Kështu e paska jeta kur i prinë zemra mendjes dhe arsyes së shëndoshë, që ngandonjëherë di të jetë edhe..., po edhe e paarsyeshme. Si më ndodhi kjo që unë të jem edhe e padrejtë edhe… Kjo s'ka qenë kurrë në unin tim!… Hajde, Flutura, hajde!… Miti i gënjeshtërt, që e kisha mbjellë e ushqyer brenda qenies sime që jam si fluturat në pranverë, m’u tretë si kripa në ujë… Të kthehem që tash dhe ta takojë xha Kolën. T'i lutem për faljen e këtij gabimi të... Xha Kola është burrë e shkuar burri. Ai din dhe gjen forcë ta fali edhe zemërimin më të madh…” U ndal në vend sikur të ishte ndalur me sustë. E ktheu kokën prapa, po xha Kolën s'e pa kund. "Shpejt qenka tretur. Është ngutur nga zemërimi. Mos..., na ruaj Zot!…” Nëpër fytyrë i kalonin ngjyra valore  nga e kuqja në të verdhë… “Mbledh mend, Flutura, për hera të tjera. Çdo gabim që bëhet me apo pa qëllim, është një shkollë e mirë për t'u përmirësuar. Tash merru me pasojat e mendjelehtësisë sate!…” - i tha, më në fund veti, duke iu afruar shtëpisë së vet ashtu kalamendës.

Kola sapo hyri në dhomën e ndejës, me nerva të tendosura dhe i zverdhur në fytyrë, e pa të birin, Ermalin, me libra e fletore përpara. “Mosmirënjohës! - tha më vete. Këtu shtirësh me libra e fletore përpara, kurse atje në shkollë edhe i organizon nxënësit e klasës për bojkotim të mësimit. Nuk do të mund të ma hedhësh, më!… Shtrenjtë do ta paguash këtë aventurë!…”

- Mirëdita, babë i nderuar!… - i tha Ermali, duke u ngritur në këmbë si gjithnjë në shenjë nderimi. Por ai nuk ia ktheu përshëndetjen si herëve të tjera. Fytyra i shkonte nga e verdha drejt së kafes. Iu bë mendja top t'i vërsulej e ta kapte me thonj në fyt…Por, megjithatë, e përmbajti vetën. “Të mos ngutem! - tha. Unë gjithnjë kam qenë i arsyeshëm dhe i durueshëm. Nuk do të bëj përjashtim as sot. Ka kohë edhe për këtë. Sado që kjo qenka e rëndë, nuk duhet ta lejoj vetën që zemërimi t'i prijë arsyes… Ta dëgjoj njëherë edhe arsyetimin e këtij mistreci…”

Ermali mbet në këmbë. S'e foli asnjë fjalë më. Mendja e barti te ora e kimisë dhe te zushe Flutura. “Diçka si ters po më ec sot. As zushe Flutura nuk ma kthej përgjigjen kur i thash në dalje “ditën e mirë!”. Sigurisht e paska takuar zushe Fluturën. Kush e di se ç'do t'i ketë thënë ajo?!… Edhe pse në natyrën e saj asnjëherë nuk është hetuar shpifja dhe e keqja… Po ku ta dish, njerëzit, sidomos pas lufte, po ndryshojnë sa çel e mbyll sytë…” Rrjedhën e këtyre mendimeve ia shkëputi përgjysmë zëri i babait, i cili me autoritetin e prindërit, po me tendosje më të butë të nervave, i tha:

- Vëri në çantë libra e fletore e eja të bisedojmë shtruar për një çështje shumë të rëndësishme e me peshë të madhe. Por, pa i dhënë lak fare të jetë si të jetë!…

Ai iu bind urdhrit të babait, pa ia kërkuar psenë... Urdhëro babë i dashur, jam i gatshëm t'i përgjigjem e t'i bindem kërkesës suaj!…

“Nuk ma thotë mendja që ky djalë të ketë shkuar aq larg, sa t'i udhëheq nxënësit në bojkotim të mësimit. Po sido që të jetë tash do të kuptoj diçka më te detajuar se ku qëndron e gjithë kjo…”

.             .               .

- Ku qëndron e vërteta lidhur me atë orën e sotme të kimisë, për të cilën më foli në rrugë zonjushe Flutura?…

Fytyra e Ermalit shkonte drejt një ngjyre të portokalltë. Pas pak, me keqardhje të shtuar, i tha babait:

- Unë, babë i nderuar, nuk e di se ç'ju ka thënë zushe Flutura, por të jesh i bindur se çdo gjë që ka të bëjë me mua në shkollë e jashtë saj, do ta tregoj pa i dhënë lak, pa e zbukuruar dhe pa e stilizuar. Ashtu si më keni mësuar e edukuar ju babë i dashur. Dhe ashtu si na ka folur shpeshherë edhe vetë zushe Flutura edhe pse nuk është kujdestare jona.

Me këto fjalë të të birit babë Kolës filloi dalëngadalë t'i kthehet krenaria për të birin dhe dinjiteti njerëzor, që e konsideronte të nëpërkëmbur.

- Mua, - i tha babai, - më intereson mbarëvajtja apo ecuria e orës së sotme nga lënda e kimisë në klasën tuaj.

- Këtë do ta mësoni babë i nderuar pa bërë përpjekje për t'u mbrojtur, po ashtu si ka rrjedhur e është zhvilluar ngjarja, për të cilën ju sigurisht se jeni i interesuar. Ashtu si ju më keni këshilluar, mësuar e edukuar me dhjetëra e me qindra herë, ashtu si na ka folur shpeshherë edhe kujdestarja jonë dhe ashtu si na ka folur edhe vetë zushe Flutura që, për atë që mendojmë se s’është e drejtë ta kundërshtojmë në mënyrë të kulturuar me qëllim të përmirësimit. Ashtu edhe unë, në atë orë, veprova. Pasi ia tregoi rrjedhën si kishte ngjarë fije e për pe, ia tha babait edhe këtë:

- Zushe Flutura, për këtë, më nxori nga ora pa përfunduar ajo. Më tha se s'do të më pranonte më në orën e kimisë pa njërin nga ju prindërit. Unë pa e folur më asnjë fjalë iu binda kërkesës së saj, i vura në çantë libra e fletore dhe dola. Në dalje e përshëndeta me "ditën e mirë!", të cilën përshëndetje nuk ma ktheu fare, si ju pakëz më parë… Si janë zhvilluar më tutje ngjarjet në klasë, unë nuk e di. Por, pasi kam dalë unë, s'ka vonuar edhe aq dhe ka dalë edhe Guximori. Pas tij kanë dalë radhë-radhë edhe nxënësit tjerë. Në klasë me zushe Fluturën mbet vetëm Ertela.  Për këtë që po ua them dëshmojnë të gjithë nxënësit e klasës. E besoj se po të vijë rasti, këtë do ta vërtetojë edhe vetë Ertela. E njoh atë mirë. Nuk është nxënëse e lig, ajo… Edhe këtë po ta them babë i nderuar: unë kam qenë, jam dhe do të jem nxënës shembullor si në mësime, ashtu edhe në sjellje. Por pas gjithë kësaj, që ka ndodhur pa as më të voglin qëllim, unë ose do ta ndërroj shkollën, kuptohet me lejen dhe pëlqimin tuaj, ose, ndoshta, do ta ndërpresë shkollimin e mëtejshëm. Edhe pse shkollën e dijen i dua baras me jetën. Por, më shumë do ta dua dhe do ta çmoj dinjitetin tim njerëzor…

Babë Kola heshti për një kohë... “Po u vërtetua kjo që më tha Ermali, ky vetëm e paska mbrojtur një çështje parimore, të cilën duhet të bëjmë përpjekje të gjithë aty ku jemi e veprojmë për ta mbrojtur…”

- Do ta vërtetojmë edhe këtë!… - tha babai më në fund.

Ndërkohë u dëgjua kuisja në derën hyrëse në oborr. Në derë u duk Guximori, që hynte si me ndrojtje. Ai erdhi me qëllim  të falënderimit të Ermalit në emër të nxënësve të klasës. Ia vërtetoi pikë për pikë xha Kolës ato që ia kishte thënë i biri, Ermali…               

- Mirë. - u tha xha Kola. Tash çdo gjë e kam të qartë…

                      *               *               *

Zonjushe Fluturës nata iu bë sa një vit. As fjetur, as çuat. Herë-herë e mbulonin djersë të ftohta. Sa binte në shtarat për të fjetur, ngrihej prapë, pas dhjetë a pesëmbëdhjetë minutash. Kurrsesi nuk mund ta gjente ndonjë arsye, që ta justifikonte sjelljen e saj të pakuptimtë. "Po lëre që m'i piu sorra mendjet dhe e nxora Ermalin nga ora kryekëput për gabimin tim, që kurrsesi as nuk më ka ndodhur më parë, as nuk është dashur të më ndodhi, po si u mpiva dhe ia thashë atë edhe xha Kolës?… Po a nuk jam unë ajo që përpara më se një jave e ngrita në qiell Ermalin përpara tij dhe të tjerëve?… Si rashë kaq shpejt në kundërshtim me vetveten…, me ndërgjegjen time?…Si ta arsyetoj këtë sjellje tekanjoze timen që kurrë as në ëndërr s'më ka shkuar ndërmend?… Zotohem përpara ndërgjegjes sime dhe përpara Krijuesit se kurrë s'do ta përsërisë më!…"

Ky pendim në formë të betimit i dha forcë e shtytje për ta mundur të ligën brenda unit të vet, të cilën s'e kishte ushqyer kurrë më parë. "Dashtë Zoti e ardhtë nesër në mësim!… Po erdh Ermali nesër në mësim do të jem arsimtarja më e lumtur jo vetëm në shkollën tonë. Do të jem në gjendje që t'i kërkoj falje individuale a publike përpara nxënësve të klasës, por edhe… Do të gjej forcë e guxim intelektual që të shkoj edhe të xha Kola e t'i kërkoj falje e falje për hidhërimin që ia kam shkaktuar, pa farë nevoje, me sjelljen time prej çilimiu… Po ndodhi që të mos vijë as ditëve të tjera në mësim, ku do të mbetet ndërgjegjja ime dhe etika prej pedagogeje?…"

Këto mendime të zymta pas atyre joshëse i shkaktuan një rrëqethje nga koka te këmbët. Iu kthye prapë pesimizmi. U rrotullua disa herë sa në njërin, sa në krahun tjetër. Aty pak para agsholi e zuri një gjumë i lehtë kllapie. Iu fanit në ëndërr e tërë ngjarja. I doli përpara Ermali me xha Kolën, që e kishte kapur për dore. "Kërkoj falje zushe arsimtare…" - sikur i tha ai në ëndërr. "Uuu! Ç'janë këto fjalë, Ermal?!… - Falje duhet t'ju kërkoj unë edhe ty, edhe  xha Kolës për bezdisjen që ua shkaktove pothuaj se pa nevojë. Po ju betohem se ishte e rastit dhe e paqëllimtë…" Brofi ulur. "Paskam qenë në ëndërr!" - tha më vete. Më s'e zuri gjumi.

.              .              .

Të nesërmen Ermali nuk erdhi në shkollë. Iu përmbajt zotimit të marrë përpara babait. Babai, sado që e këshilloi të shkojë në shkollë, nuk ia imponoi një veprim të tillë. "Ta lë që të vendosi vetë. Ndoshta pasi të qetësohet shpirtërisht do të gjejë forcë që ta mundi zemërimin. Lëndimi shpirtëror i fëmijës është më i ndjeshëm se i ndonjë të rrituri. Fëmija me vështirësi tubon forcë e vullnet për t'i gjykuar gjërat më shtruar në të gjitha rrafshet…" Nuk e ngau më gjatë.

Zonjushe Flutura u nis më herët se rëndom për mësim. Shkonte drejt shkollës me peshën e gabimit në shpirt e me entuziazmin e gëzimit në zemër. Duke shpresuar  se Ermali do të gjejë forcë që ta mund zemërimin e do të vijë në shkollë. Sapo hyri në oborr të shkollës, i çoi sytë vjedhurazi në çdo cep të tij, po Ermalin s'ia zunë sytë kund. "Dashtë Zoti e ardhtë!…" - tha më vete, duke u ngjitur shkallëve të hyrjes.

Në sallë të arsimtarëve u ul përballë dritares nga hyrja në oborr të shkollës. Synonte ta bënte përcjelljen e hyrjes në oborr të shkollës, me shpresë se do t'ia zinin sytë edhe hyrjen e Ermalit. Po derisa ra zilja për fillimin e orës së parë të mësimit, atë s'e pa që hyri në oborrin e shkollës. "Ndoshta, - tha më vete, - ka ardhur më herët e është brenda në klasë…" Orën e parë e kishte në klasën përbri klasës së Ermalit. E mori ditarin në sqetull dhe mjetet e nevojshme për mësim. U nis kalamendës e çartaqejf. E çeli derën e klasës së Ermalit, po atë s'e pa të ishte në klasë. "Sigurisht se është zemëruar shumë dhe nuk do të vijë për… Ka plotësisht të drejtë… Ndoshta e ka zënë gjumi e vjen në orën e dytë. Po si ta përmirësoj gabimin e ta sjellë sërishmi në shkollë?… Jo, jo ai nuk bën kurrsesi ta braktisi shkollën e mësimin. Një  talent i tillë nuk bën të mbetet jashtë bankave shkollore… Do t'i provoj të gjitha mundësitë…" - tha më vete, duke e hapur derën e klasës ku kishte mësim. Ditën e kaloi disi duke shpresuar se Ermali do vinte në mësim ditëve  vijuese.

Edhe të nesërmen ajo erdhi në shkollë sipas të njëjtit orar. Po Ermali s'dukej se s'dukej që të vinte në mësim. Shqetësimet sa vinin e i shtoheshin.

Edhe Ertelën e kapluan të njëjtat ndjenja. Madje mosardhjen e Ermalit në mësim ajo e përjetonte dyzash. Një se krejt rastësishëm është bërë shkaktare për një veprim të tillë të Ermalit. Dhe dy se është dashuria ndaj tij, që iu ka ngjitur në zemër si tutkalli në dru. "As sot, siç duket nuk do të vijë. Ç'rrugë duhet të ndjek për ta sjellë atë prapë në shkollë?… Pa praninë e tij në klasë çdo gjë më duket boshe, e zvetënuar dhe e shëmtuar… Prania e tij në klasë i jep kësaj shkëlqim e mbarësi… Ja si flakëron banka ku ai ulej e besoj se do të ulet prapë… Do ta bëj edhe më të pabërën që atë ta sjellë prapë në klasë… Ç' kuptim ka shkollimi im i mëtejshëm pa te?... Do ta gjej rastin e do të shkoj vetë në shtëpi të tij e do ta lus që të kthehet… Besoj se ai, pa marrë parasysh zemërimin, për mua do të gjejë forcë që ta mund inatin dhe do t'i kthehet shkollës dhe mësimit… Sa do të jem e lumtur kur ta shoh atë përsëri ulur në të njëjtën bankë, duke më shikuar si gjithherë vjedhurazi me bisht të syrit!…"

Po edhe Ermali, për momentin, ndodhet në mes dy zjarresh. Në një anë është zotimi përpara babait se ose do ta ndërrojë shkollën, ose do ta braktis mësimin e mëtejshëm. Kurse në anën tjetër është mu Ertela, që e ndjell drejt shkollës si i ndjellë klloçka zogjtë. Edhe Ermalit iu ka ngjitur në zemër Ertela si ngjitësi në letër. Nuk mund ta mendojë kalimin e kohës pa i parë së paku njëherë në ditë sytë e saj rrush të zinj e filxhan të mëdhenj. "Besoj - tha më vete - se mos sot nesër patjetër do të vijë arsimtarja kujdestare me kryesinë e klasës për… E nëse më do, e besoj se më do, me ta do të vijë edhe Ertela… Sa do të më gëzoj ardhja e saj!… Po erdh edhe Ertela do ta kam të qartë se ajo vërtet më do… Po pres që edhe babai të më lus që unë t'i kthehem shkollës e mësimit. Po bëri e nuk më luti më babai dhe po ndodhi që të mos vijnë kujdestarja me kryesinë e klasës, si të veproj më tej?… Pa praninë e Ertelës as dita nuk po më duket ditë… Më duhet ta imagjinoj mënyrën e t'i kthehem shkollës e mësimit, po edhe Ertelës me shokë të tjerë të klasës. Pa të cilët, tash për tash, jeta ime s’e ka  bukurinë e kuptimin e dëshiruar…"

  Pas orës së tretë, gjatë pushimit të gjatë, arsimtare Flutura e thirri Borbardhën në klasën e vet, ku ajo është kujdestare. Me përuljen prej një fajtoreje, duke iu dridhur zëri, i tha:

- Borbardha, ne jemi shoqe të pandara edhe pse s'jemi të një moshe. Ty të kam jo vetëm si shoqe e kolege, por si motër e shkuar motre. Do ta hapi zemrën dhe do ta tregoj një gabim timin, edhe nëse ta kanë treguar nxënësit e klasës sate…, për të cilin jam penduar me shpirt dhe nuk po di si ta përmirësoj. Pardje, gjatë orës së cilësimit të nxënësve në klasën tënde, e kam bërë një gabim për mua të pafalshëm. Do ta tregoj ndodhinë fije e për pe, pa i dhënë lak e zbukurim dhe pa u munduar që ta gjej ndonjë arsyetim. Ia tregoi ndodhinë ashtu si ishte zhvilluar. Sigurisht se për këtë Ermali sot e dyta ditë nuk po vjen në mësim. Andaj të lutëm si motra motrës që ta marrësh kryesinë e klasës dhe Guximorin, nëse nuk është në kryesi, si shokun më të ngushtë të Ermalit e të shkoni në shtëpi të xha Kolës. Ta takoni gjithsesi e me çdo kusht Ermalin dhe xha Kolën. Ta lusni në prani të të atit, në emër tim që t'i vijojë mësimet. Thuaj se unë jam e gatshme t'i kërkoj falje, edhe publike po qe se e kërkon ai, përpara shokëve e shoqeve të klasës. Dhe, po qe se është nevoja edhe përpara tërë nxënësve të shkollës sonë. Po ashtu thuaj xha Kolës se jam e gatshme që t'i shkoj edhe atij në shtëpi. Dhe, me përuljen praj fajtoreje, t'i kërkoj falje, për hidhërimin e shkaktuar. T'i thuash Ermalit se nëse ka pasur ndonjëherë konsideratë ndaj meje, e ka në dorë të më shpëtoj nga ankthi i atij gabimi… Thuaja edhe këtë se po u kthye në shkollë dhe po i vazhdoi mësimet si më parë do t'ia kthesh harenë dhe lumturinë arsimtares sate, që të ka çmuar e nderuar përherë...

- Këtë konsideroje punë të kryer, Flutura. S'ka njeri të pagabueshëm në këtë botë hileqare. Gabojnë edhe më të moshuarit e lëre më ne të rinjtë…Do ta marrë edhe Ertelën më vete…

Dita e tretë ia mbushi zemrën hare e gëzim arsimtare Fluturës. Ajo atë ditë nuk ecte, po fluturonte. Iu kthye gazi e hareja edhe pse…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora