E enjte, 25.04.2024, 02:27 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

“Dështimi” paraprak i stinës 2007-’08

E diele, 29.07.2007, 08:19 PM


Nga Besnik Dizdari


Besnik Dizdari
FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT VAZHDON NË NJË QËNDRIM “personal” të stinës së futbollit dhe në prishje të historisë. Duket si punë e saj. Do të kemi përsëri një kampionat me 12 skuadra. Me gjithë kundërshtimin tonë (dhe jo vetëm tonin), e pakta qysh prej nja tri vjetësh, për një qëndrim tjetër gjeopolitik të futbollit të kampionatit kombëtar, përsëri me tri periudha (faza) dhe befasisht një kampionat të Kategorisë së Dytë me 18 skuadra, të cilin në këto vite të kokëfortësisë së madhe, FSHF-ja vazhdon ta quajë të Kategorisë së Parë, duke ia vjedhur në mënyrën më ahistorike, më të paditur dhe më të pakulturë emrin që Kampionati Kombëtar i Shqipërisë ka mbajtur gjithmonë, duke u quajtur “Kategoria e Parë”.

Përsëri sivjet ndodhi shkatërrimi i historisë me gabimin e rëndë që bëri shtypi. U botuan gjithë kampionët e Kategorisësë Dytë, duke reshtuar brenda saj edhe kampionen e sivjetshme të Kategorisë së Tretë, Bylis të Ballshit. Me një fjalë, shtypi e përfshiu atë në ‘Librin e Artë’ të kampionëve të Kategorisë së Dytë të vërtetë, së bashku me Vllazninë e Shkodrës, Partizanin, KS Elbasanin, Besën e Kavajës, Ismail Qemalin e Vlorës, Lokomotivën e Durrësit, Skënderbeun e Korçës dhe të tjerë, të cilët dihen se kanë qenë kampionë të Kategorisë së Dytë. Ndodhi, sepse ka “gazetarë” të cilët ende nuk e kanë merituar këtë tittull, ndonëse punojnë në gazeta dhe kujtojnë se vërtet kampionia e vitit 2006 e Kategorisë së Tretë, meqë federata e quan ‘të dytë’, duhet përfshirë në historinë e kampionëve të Kategorisë së Dytë të vërtetë, që zhvillohet qysh më 1930-ën edhe ai.

Futbolli shqiptar jo rrallë, për shkak të padijes së FSHF-së dhe të gazetarëve sportivë, çuditërisht punon për zhdukjen dhe mashtrimin e pavetëdijshëm të historisë.

*

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT KA SOT PAVARËSINË MË TË PLOTË. Nuk e ka patur kurrnjiherë kësisoji në gjithë historinë e saj. Kjo është një arritje. Ajo ka marrë një pushtet futbollistik që me të vërtetë të ngjall “veneracion”. E vetmja varësi e saj është marrëdhënia me shtetin për t’ia dhënë stadiumet për ndeshje dhe për t’ia dërguar rregullisht policinë për të ruajtur rendin. Në të vërtetë, në kahun tjetër pa këto dy “varësi” me shtetin, ajo nuk mund të zhvillojë qoftë dhe një ndeshje të vetme. Me një fjalë, le të kërcënojë me FIFA-n dhe UEFA-n sa t’i dojë qejfi, pa qeverinë apo shtetin shqiptar, ajo nuk mund të zhvillojë asnjë ndeshje futbolli në Shqipëri. Me këtë mos kujtoni se jemi në anën e qeverisë në konfliktin e paradokohshëm FSHF-ministri. Siç e dini, ne nuk jemi marrë asesi me këtë të ashtuquajtur konflikt, të cilit FSHF-ja si përherë, qysh se ka rënë komunizmi, i jep përmasa europiane të ndërhyrjeve të qeverisë në punët e saj “të brendshme” (jo si të ministrisë së dikurshme të “Punëve të Brendshme”). Mirëpo, ndonëse tash për tash ne nuk mund të luajmë më tepër se ndonjë rol gazetarie, kurrë nuk kemi për të qenë me spekullimin me pavarësinë që shpesh demostron me arrogancë organizata e futbollit në Shqipëri, edhe pse vërtet ia ka arritur të gëzojë një pavarësi emblematike.

FSHF-ja i organizon kampionatet vetëm si i thotë mendja asaj dhe askurrkujt tjetër. Nuk është fort keq kështu. Mirëpo, kur kalohet ajo që quhet ndjenja e masës, atëherë është shumë keq.

Në një takim të shkurtër krejt personal, pra aspak zyrtar, që si gazetar i vjetër kam pasë para pak ditëve me disa punonjës të FSHF-së, midis të cilëve ishte edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Roland Mici, shpreha mendimin se FSHF-ja është e shkëputur nga mendësia e mjedisit futbollistik qytetar në Shqipëri. Asnjëherë, qysh kur është themeluar më 1929-’30, ajo nuk ka përjetuar një shkëputje kaq drastike nga ky mjedis si sot. E lidhur fort me sa duket me një grup kryetarësh apo presidentësh të klubeve shqiptare, e sidomos e ngushtuar në mendimin tejet të mbyllur të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, të cilët nuk përfaqësojnë asesi gjithë Shqipërinë, por kryesisht vetëm kryeqytetin dhe interesat e tij lokaliste, mendja të thotë se FSHF-ja ka humbur disi atë që i thonë “Nordi”, pra orientimin ose lidhjen me zemrën e shpirtin e vërtetë të një stine kombëtare të futbollit. Ajo nuk don t’ia dijë asesi se çka thonë qytetet e Shqipërisë për kampionatin kombëtar, as se çka thotë dashamiri i futbollit, as se çka thotë kultura e mjedisi sportiv dhe futbollistik, as se çka përfaqëson klubi i futbollit për popullsinë, kulturën, jetën, njinjishmërinë (identitetin) e qytetit dhe as sesa ndikues është ai në jetën shpirtërore të një qyteti.

Federata Shqiptare e Futbollit ka kohë që ka humbur marrëdhënien e mirëfilltë me tifozin tonë qytetar, përderisa nuk ka më shumë se 1 500 shikues me bileta të shitura për ndeshje, kur nga ana tjetër ajo nuk publikon asnjë të dhënë mbi ndjekjen e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e dhënë thelbësore e asaj që sot njihet si “audience” e ndeshjeve.

Ajo gëzon dhe përjeton pavarësinë që kurrë nuk e pati më parë. Lum ajo! Pavarësisht se dhjetra rezultate të kampionatit të saj dhe tonin janë të trukuar!

*

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT PARAQITI NJË KAMPIONAT KOPJE TË ATIJ QË SHKOI. Ka vetëm dy risi: njëra (qesharake në papërfillshmërinë e vlerës së saj) është ajo që thotë se në periudhën e tretë, gjashtëshja e parë do të luajë një ndeshje më tepër në fushën e vet. Risia tjetër, në dukje dramatike, është ajo që thotë se do të bien dy skuadra në kategorinë më poshtë dhe dy të tjera (e 9-ta dhe 10-ta) do të luajnë ndeshje vrasëse me të tretën dhe të katërtën e kategorisë së dytë (që FSHF-ja me mashtrim i thotë “e parë”). Kjo do të thotë se vetëm 8 skuadrat e para shpëtojnë dhe katër të tjerat nuk shpëtojnë; ose mezi shpëtojnë një apo dy prej tyre.

Ky kampionat që mund të konsiderohet kampionati i rënieve dhe jo i titullit kampion apo nënkampion dhe aq më pak një kampionat, synimi kryesor i të cilit është që ndeshja të shndërrohet në një shfaqje qytetare e së shtunës, pritet, simbas FSHF-së, që me këtë ndryshim të largojë shitjen e rezultateve dhe trukimin e futbollit të vërtetë. E kemi të vështirë të besojmë te një shpresë e tillë.

Tash, për t’iu shlodhur paksa, le të shkojmë 50 vjet mbrapa dhe nëpërmjet episodit të paprecedent të rënies në kategorinë e dytë të skuadrës Puna e Shkodrës (Vllaznia e sotme), të tregojmë se me çfarë paaftësie, naiviteti, padije, gati-gati të një mârrije futbolli, FSHF-ja e asaj kohe, që nuk quhej e tillë, me organzimin e keq të kampionatit kombëtar me vetëm 8 skuadra, dy prej të cilave, pra 25 për qind, binin nga kategoria, ia arriti të shkatërrojë mu futbollin e qytetit më futbollistik të Shqipërisë. Në 2008-ën mund të bien 33.3 për qind e skuadrave nga kategoria. Kjo është shpikja origjinale e FSHF-së!

*

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT NUK DO TË KETË DËGJUAR PËR RËNIEN E PUNËS SË SHKODRËS më 8 nëntorin e vitit 1956, e cila në të vërtetë përbën një histori për romane të verdhë. "Tragjikomedia" e gjitha është zhvilluar në fushën e futbollit të Kavajës: Puna e Kavajës - Puna e Shkodrës! Të dyja nga 11 pikë. Po aq sa dhe Lokomotiva e Durrësit, e cila luante në Tiranë me Partizanin, i cili nga ana e tij, e kishte siguruar vendin e dytë dhe nuk mund të lëvizte asesi prej tij. Kështu edhe sikur të humbiste me skuadrën e durrsake. Megjithatë, askush nuk mendonte se Partizani, i cili ishte gjysma e Kombëtares së Shqipërisë, do t'i lejonte vetes të humbiste në Tiranë, më 8 nëntor 1956, në 15-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, ajo që e kishte themeluar dhe që i kishte vënë emrin më të çmueshëm të saj, "Partizani".

Llogaria ishte e qartë. Mjaftonte një barazim midis skuadrës së Kavajës dhe asaj të Shkodrës për t'i çuar të dyja në 12 pikë dhe Lokomotiva, e cila "detyrimisht" do të humbiste me Partizanin, të mbeste me 11 pikë dhe drejt e në kategorinë e dytë.

Në Fushën e Vjetër të Kavajës, Puna e Shkodrës shënon në të '7 me anë të Lutfi Laçjes, por në të 42' Qemal Gavardari barazon 1-1. Është një rezultat që i qetëson të dyja skuadrat. U tha asokohe se mbas këtij 1-1, Puna e Kavajës dhe Puna e Shkodrës, nuk mëtonin asnjë ndryshim të mëtejshëm rezultati se kaq. Dukej e sigurtë: Lokomotiva do të humbiste në "Qemal Stafa" me Partizanin. Mirëpo, kur u mësua se edhe atje po vazhdonte barazim, 0-0, në Kavajë nisin të shfaqen mëdyshjet e emocioneve, sepse kështu të trija skuadrat do të kishin nga 12 pikë secila dhe rebusi i golaverazhit mund të kishte verdikte befasuese! Ndonëse ende dukej një qetësi në gjithë vijën prej 50 kilometrash Kavajë-Tiranë. Mirëpo, qé tek mbërrin minuta e 73-të e ndeshjes së stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" dhe Çeta lëshon bombën e tij dhe portieri Maliqati shtanget! Është 1-0 për Lokomotivën. Në Kavajë, gjuajtja e Çetës në Tiranë ka vlerën e trysnisë së një rakete me telekomandë. Shkodranët tronditen. Kavajasit kërkojnë të ruajnë 1-1, sepse iu thonë që me rregullin absurd të pjesëtimit, golaverazhi i tyre mund të jetë më i mirë se i miqve nga Shkodra. Ndeshja është ankth i papamë. Sulm i fortë i Punës së Shkodrës, mbrojtje e vendosur e Punës së Kavajës dhe 1-1 që nuk ndryshon. Po ashtu siç nuk ndryshon fitorja, për herë të parë në histori, 1-0 e skuadrës së Durrësit brenda në Tiranë me Partizanin.

Kishte qenë 8 nëntor 1956. Dita "historike" që përkoi me rënien e madhe të Vllaznisë.

E gjykuar me rregullat e sotme, skuadra e Shkodrës kurrsesi nuk do të kishte rënë për në kategorinë e dytë. Vështroni se si janë renditur atë 8 nëntor fatal 1956 në përfundim të kampionatit tri skuadrat e fundit:

7. Puna Kavajë 12 4 4 8 21-30

8. Puna Shkodër 12 4 4 8 12-19

9. Puna Berat 7 3 1 12 11-31

Puna e Beratit me 7 pikë që zë vendin e fundit, të 9-in, zbret pa asnjë mëdyshje. Problemi është midis Punës së Kavajës dhe asaj të Shkodrës. Siç shihet, të dyja e përfundojnë kmpionatin me nga 12 pikë. Me gjykimin e sotëm duhet të zbriste një kategori më poshtë skuadra e Kavajës, sepse golaverazhi i saj ishte më i keq se ai i skuadrës së Shkodrës: Puna e Kavajës - 9 gola, kurse ajo e Shkodrës më mirë -7 gola. Sot do të kishte rënë Puna e Kavajës, por më 1956-ën rregulli ishte tjetër: pjesëtoheshin golat e shënuar me ato të pësuar dhe ky pjesëtim jepte koeficientin 0.70 për kavajasit dhe 0.63 për shkodranët, pra më ulët. Bie Puna e Shkodrës! Ky ishte rregulli absurd, ai rregull që më 1950-ën dhe më 1955-ën i kishte dhënë Dinamos dy tituj të kampionit të Shqipërisë në duel me Partizanin edhe pse në të dy rastet me gjykimin e sotëm Partizani kishte golaverazh më të mirë, por jo në pjesëtim, ku Dinamo dilte me koeficient më të lartë.

Shkodra lë Kampionatin Kombëtar për herë të parë në histori, ndonëse ishte nga themelueset më të fuqishme të tij më 1930-ën! Jehona, sidomos në Qytetin e Futbollit, ka qenë e jashtëzakonshme. Shkodranët e përjetonin atë si një lloj tragjedie. Qyteti sa vinte dhe e humbiste traditën e tij, forcën qytetare të tij, shprehjen e vetë zhvillimit të tij, ku skuadra e futbollit ishte simboli.

*

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT “HARRON” DEKALOGUN E FIFA-s. Më saktë, pikat 7, 8, 9 dhe 10 të tij që thonë:

7. Refuzo korrupsionin, drogat, violencën, bastet dhe çdo veprimtari të rrezikshme për futbollin.

8. Ndihmo të tjerët që t’i rezistojnë nxitjeve për korrupsion.

9. Mos u mjafto vetëm t’i thuash “jo”, por denoncoje ate që kërkon të korruptojë ose të mashtrojë të tjerët.

10. Përdore futbollin si instrument për t’i dhënë botës një vend më të mirë.

Dhe a megjithë mend shpresohet se, duke rrezikuar për të rënë edhe skuadra e 10-të dhe e 9-të nuk do të ketë ndeshje të lanuna? Mendja na thotë se në javët e fundit ndeshjet që do të lihen ka mundësi të jenë edhe më të shumta, sepse lufta për të mos rënë tash nuk është vetëm te dy skuadra, por te katër të tilla, të cilat nën tensionin e madh të rënies, kujt nuk do t’i kërkojnë pikë! Dhe, për një çast të duket sikur FSHF-ja dëshëron të përjashtojë sa më shumë skuadra qytetesh tradicionalë të futbollit nga kampionati kombëtar. Me një fjalë, pa filluar ky kampionat 2007-’08, FSHF-ja, mesa duket ka nxjerrë në akandin e rënies skuadra të tilla si Besëlidhja e Lezhës dhe Shkumbini e Peqinit po e po, se janë qytete të vogla, por mundësisht edhe Flamurtarin e Vlorës apo Skënderbeun e Korçës e pse jo, ndoshta edhe Vllazninë e Shkodrës si më 1956-ën!

Po a është kjo zgjidhja? Ndoshta. Le të presim. Ndonëse ta do mendja se zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një gjykate kundër lëshimit të rezultateve, zbulimi dhe dënimi. Është vërtetë e çuditshme: ndonëse u pranua për lëshime dhe shitje rezultatesh në stinën që shkoi, FSHF-ja ende nuk ka guxuar të dënojë askënd!...

*

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT SUNDOHET RREPTË PREJ KOMITETIT EKZEKUTIV që është një lloj “diktatori” i saj. Duket vërtet e rëndë kjo, ndaj për ta zbutur e futëm në thonjëza.

I përbërë prej 11 anëtarësh, njeri prej të cilëve, siç e kemi thënë, papritë e pakujtue bëhet president i sportit të birilave, atij që quhet bowling dhe guxon e vazhdon të jetë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit ose të Topkambës që nuk ka asgjë të përbashkët me sportin e “Topgishtave” të birilave,në vend që të japë dorëheqjen në çast prej FSHF-së. Dhe, si në BFSSH-në e dikurshme, askush nuk bëzan të nxjerrë vendimin për zëvendësimin e menjëhershëm të tij. Jo thjesht për punë biografie, ngaqë mund të ketë qenë drejtues i sporteve të regjimit komunist, por pse është e palejueshme nga çdo pikëpamje: morale, ligjore, sportive, etike. Pa shkuar mandej te ajo tjetra se me sa dimë, risia e ligjit për sportin mund të vendosë që një anëtar i Komitetit Ekzekutiv përveç që të mos jetë i dënuar nga organet e drejtësisë shqiptare dhe të huaj apo të mos ketë konflikt interesash, duhet që të mos jetë njëkohësisht anëtar i një federate tjetër. Kur në këtë rast e paskemi kryetar, apo president të një federate tjetër e nuk i bën tërr syri si dikur në BFSSH! Bukur, edhe kjo, apo jo!?

Kjo është Federata Shqiptare e Futbollit e sotme, e cila ka një Komitet Ekzekutiv që nuk është përfaqësues për futbollin kombëtar, sepse nga njëmbëdhjetë anëtarët e tij, vetëm dy janë jo të kryeqytetit, që do të thotë se, bie fjala: Durrësi, Shkodra, Elbasani, Korça, Kavaja, Berati, Lushnja, Lezha apo Gjirokastra - dhe jo vetëm këto - qendra të mirëfillta të futbollit kombëtar, historisë, traditës dhe të sotmes së tij, nuk përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së. Vetëm njëanshmëri. Edhe këtu bukur, vërtet!

Ka një mani këtu në Shqipëri: për të bërë tash e parë krahasime me Perëndimin. Po biem edhe ne pré e kësaj manie dhe po japim dy shembuj prej shteteve më futbollistike të botës: Gjermani dhe Angli.

E para: të 14 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së saj të Futbollit i ka nga 14 qytete apo krahina të ndryshme të Gjermanisë. Tjetër organizim Anglia. Kundër çdo drejtimi diktatorial dhe lokalist, Komiteti Ekzekutiv i Federates së saj të Futbollit prej 20 anëtarësh janë të 20-ët nga 20 qytete apo krahina të ndryshme. Nuk ka monopol klubist si në Shqipëri, kur për shembull prej të 11-ve të Komitetit Ekzekutiv 3 trima kanë prejardhje nga Dinamo!

Ajo që na duket se mund të ndryshohet urgjentisht në drejtimin e FSHF-së është heqja e monopolit diktatorial të 11-shes ekzekutive, krejt e njëanshme në gjeografinë e saj, e pse jo edhe në mendimet dhe vendimet e saj.

Ka ardhur koha që Federata Shqiptare e Futbollit të ketë këshillin e saj, prej të cilit të dalë ky Komitet Ekzekutiv “i frikshëm” në autoritetin e tij dhe i cili të varet nga Këshilli i Federatës. Është krejt artificiale dhe masivizuese që nga asembleja, që në të vërtetë janë zgjedhësit, të dalë drejtpërsëdrejti Komiteti Ekzekutiv. Vetëm pesha e këshillit të dalë nga asambleja dhe prej të cilit të dalë mandej Komiteti Ekzekutiv, FSHF-ja mund të demokratizohet. Anglia e drejton futbollin përmes këshillit, atij që njihet si FA Council. Nuk mund të imitohen superfuqitë, natyrisht. Mund të merren vetëm për shembull dhe bie fjala, simbas specifikës shqiptare të themelohet treshja Asamble-Këshill-Komitet Ekzekutiv.

*

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT “NUK E KA BËRË” KAMPIONATIN KOMBËTAR Në kuptimin që në gjithë këto vite të fundit, FSHF-ja nuk ka forcuar, përtërirë, popullarizuar, cilësuar, mu kampionatin kombëtar. FSHF-ja nuk ia ka arritur asesi te qëndrueshmëria e kampionatit. Vështroni vetëm vjetët e fundit:

* 1997-’98 Kampionat me 18 skuadra

* 1998-’99 Kampionat me 16 skuadra

* 1999-’00 Kampionat me 14 skuadra

* 2003-’04 Kampionat me 10 skuadra, katër periudha

* 2006-’07 Kampionat me 12 skuadra me tri periudha

* 2007-’08 Kampionat me 12 skuadra me tri periudha

Një dështim i papamë, sidomos ky me tri periudha. Atëherë, mirë që nuk na dëgjuan t’i shtonin në 16 skuadrat, duke përforcuar një kampionat shqiptar tradicional, me vetëm dy periudha që dihet se kanë qenë kampionatet më të ndershme të Shqipërisë (shumica me 14 skuadra). Mirë që nuk na dëgjuan, po përse nuk diskutuan me një rreth më të gjerë qytetarie të futbollit, me njohës të vjetër? Përse nuk u ballafaquan me dëshirat futbollistike të qyteteve?

Mesa duket, ngaqë FSHF-ja ndihet e pavarun deri në absurditet, për të mos thënë deri në mospërfillje. Të pavarun prej dëshirave futbollistike të Atdheut.

Kampionati dështoi me formulën e 10 skuadrave me katër periudha, dështoi me formulën me 12 skuadra e tri periudha. Madje ky dështoi keq. Siç e kemi thënë njëqind herë, historia na thotë se kampionatet më të mirë në Shqipëri kanë qenë vetëm ato “klasikë”, me vetëm dy periudha, shkuarje e ardhje, siç i kanë sot e kësaj dite gati 90 për qind e 52 shteteve të Evropës - anëtarë të UEFA-s. Afër 40 shtete të Evropës kanë kampionate me dy periudha (faza), me 14-16 skuadra e lart. Çka ka që shpik Shqipëria, kur deri më sot asgjë nuk ka shpikë?

Stina e re 2007-’08 e FSHF-së shton dramat e padëshërueshme, lëshimet, shitjet, blerjet, duke thënë se mund të bien jo dy, por katër prej 12 skuadrave. Luftë! Luftë e egër! Jo spektakle futbolli.

Kujtojmë edhe një herë se 16-shja më e mirë për të 68 Kampionatet Kombëtare të Shqipërisë, simbas pikëve të fituar në tanësi, është kjo:

1.SK TIRANA / Tiranë, 2.PARTIZANI / Tiranë, 3.VLLAZNIA / Shkodër, 4.DINAMO / Tiranë, 5.TEUTA / Durrës, 6. FLAMURTARI / Vlorë, 7. KS ELBASANI / Elbasan, 8. BESA / Kavajë, 9.SKENDERBEU / Korçë, 10.KS LUSHNJA / Lushnjë, 11.TOMORI / Berat, 12.LUFTETARI / Gjirokastër, 13.APOLONIA / Fier, 14.SHKUMBINI / Peqin, 15.BESELIDHJA / Lezhë, 16.NAFTETARI / Kuçovë

Merreni me mend një kampionat me kombëtar me këto 16 skuadra se sa gjeopolitik, se sa kombëtar dhe se sa i larmishëm që do të mund të ishte.

Mos e kemi gabim? Mos nënvleftësuam një rritje dhe fuqizim të Federatës Shqiptare të Futbollit, në mënyrë të veçantë në dy drejtime: në forcimin e Kombëtares së Shqipërisë dhe në përtëritjen e terreneve të futbollit? Nuk besojmë, sepse këto dy arritje të mëdha nuk mund t’i zbehë askush. Ajo çka nuk ia ka arritur Federata Shqiptare e Futbollit në demokraci, është se nuk ka mundur t’u japë një kampionat kombëtar cilësor dhe për së mbari shqiptarëve, kur dihet që kjo është detyra parësore e saj, sepse kampionati kombëtar nuk është punë e një ndeshjeje futbolli dhe kaq; Është punë e shfaqjes së përjavshme të futbollit që zgjat e pakta nja dhjetë muaj, që në vështrim qytetar dhe human nuk është “punë sporti”; është edhe zakon jete, është shije, është kuklturë, është mënyrë jetese. Shqiptarët i janë larguar kampionatit të tyre kombëtar më tepër se në asnjë periudhë tjetër të 77 vjetëve jetë të tij.

Ndodhemi përpara “dështimit” paraprak të stinës 2007-’08.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora