Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Shaqiri

| E merkure, 07.12.2005, 08:10 PM |


Ilir Shaqiri

Ilir Shaqiri u lind ne Buroje te Drenices me 06.12.1960.

Mesimet fillore i ka bere ne Turiqec, ato te mesmet per farmaci ne Prizren, te lartat ne gjuhe dhe letersi shqipe ne Prizren e Prishtine.

Ne vitin 1978 del per here te pare para publikut ne Shtepine e kultures ne Prizren.

Ne vitin 1983 ne festivalin "Rapsodet Kendojne" ne Drenice merr Cmimin e pare nga juria profesionale.

Ne vitin 1984 me Shoqerin Kulturore "Akumulatori" te Mitrovies ne festivalin e Kaqanikut vleresohet si interpretues i shkelqyeshem dhe vokal me ardhmeri te sigurt.

Me 1985 se bashku me heroin e sotshem te kombit shqiptare Hamez Jashari ka formuar ansamblin folklorik "Drenica", dhe te njejtin ansambel e kane udhehequr deri me 1990.

Me 1985 ne festivalin "Theranda 85" vlersohet per interpretim.

Ne vitin 1988 boton albumin e pare "D'jem petrita ka rrit Drenica".

Ne vitin 1989 "Luma e kuqe ka lidh bese".

Ne vitin 1989 "Fale te qofte gjaku Kosove".

Ne vitin 1990 "Fjalet e Qiririt" dhe videoprojektin e pare ne boten e kultures shqiptare "Plisat udhetojne kah dielli".

Ne vitin 1991 ka mbaruar dy kurse per solokendim ne Tirane.

Ne vitin 1991 doli me albumin "Kenge e rralle" dhe video projektin "kthehu" te gjiruar nga RTSH-Tirane.

Ne vitin 1992 doli me albumin "Ketu kam folene" dhe ka marr Cmimin e pare te publikut ne festivalin "Festarb" 1992 ne Shkup, festivali i pare ku bashkoi te gjithe krijuesit shqiptare.

Me 1993 doli me albumin "Liri", dhe videoprojektin "Zeri i atdheut".

Mori pjese ne festivalin e kenges ne RTSH me kengen e Naim Gjoshit Udhet e mia.

Me 1994 botoi albumin "Tingujt e Zjarrt" dhe pjesemarrje n efestivalin e kenges ne RTSH me kengem e Naim Gjoshit Jam Evrope.

Me 1994 ka marr pjese ne festivalin nderkombetar "Folkmoot USA" 1994 ne Karolinen Veriore dhe eshte nderuar me nje qmim special.

Ne vitin 1995 ne festivalin "Kenga Shqiptare" ne Prishtine merr dy qmimet e para ate te jurise dhe te publikut.

Me 1997 realizoi filmin televiziv "A.D-Vite te rendesishme" me regjizorin Is Qosja.

Me 1998 botoi albumin "Ketu Shkelqen Plisi", dhe mbajti 68 koncerte ne perkrahje te UCK-se neper Evrope: Gjermani, Zvicerr, Belgjike, Angli, Itali, Norvegji, Suedi, Austri, Holande dhe Shqiperi.

Me 6 mars 1999 merr pjese ne pervjetorin e pare te renies se Komandantit legjendar Adem Jashari ne Prekaz, gjat luftes.

Me 1999 boton "Clirimtari".

Me 2000 boton "Garda e Kosoves".

Me 2001 boton "Kenget e Perndritjes".

Me 2002 boton "Bota e Rinise" Ilir Shaqiri eshte autor i permbi 400 kengeve te lehta, popullore dhe folklorike.

Ai ka marr pjese ne me shume se 1000 koncerte dhe permbi 900 prej tyre jane humanitare.

Nga viti 1988 eshte kengetari me i kerkuar ne te gjitha radiot shqiptare kudo ku jetojne shqiptaret. Kenget e tij jane prezantuar ne shume radio dhe TV te botes.

Ai jeton dhe punon ne Prishtine ne studion e tije "Iliria".

Ne koncertin nderkombetar te Berukselit 1999 ai eshte cilsuar dhe vleresuar si kengetari "EMBLEMATIK I BALLKANIT


VLERSIME:

Rexhep Munishi
etnomuzikolog: Ilir Shaqiri ka stil të mvetësishëm prej artisti. (2000)

Bahtir Sheholli
etnomuzikolog: Iliri hapi një pus të ri krijimtarie,por asnjëher nuk pështyu në te vjetrin. (1995)

Rexhep Qosja
nderi i kombit: Kënga e tijë then mure. (1994)

Naim Gjoshi
kompozitor: Në zërin e tijë është mbledhur e tërë drama kosovare, këngët e mia do të ishin ndryshe pa zërin e tijë. (1998)

Ali Lleshi
publicist: Pushka e tij ka të shtime të madhe dhe shënjestër të kalkulauar. (1994)

Mehmet Kajtazi
shkrimtar: Kur këndon Iliri ma zgjon Ilirinë. (1997)

Nafije Grainca
publiciste: Ai është ringjallje e ndjenjave kombëtare. (1997)

Gjeneral Kudusi Lame: Në luftën e Kosovës luftuam me pushkë e topa ndërsa Iliri ka luftuar me raketa. (2002)

Isa Qosja
regjizor: Të tjerve ua kisha ndaluar ti këndojnë atdheut. (1998)

Minire Fetahu
gazetare e kulturës: Emri i tij është sinonim i këngës së bukur shqiptare. (1996)

Sami Piraj
gazetar kulture: Ai din më së miri ta jetsojë këngën epike,ashtu si i ka hije asajë. (1993)

Agim Vinca
shkrimtar: Iliri i artikuloi më së miri kërkesat e shqiptarëve të Kosovës përmes artit të këngës. (1994)

Xhevdet Gashi
kompozitor: Iliri krijon muzikë tepër etnike dhe mua më jep mundësi të mëdha për orkestrim dinjitoz. (2002)

Abdullah Zymberi
Dr. i gjuhës shqipe: Në këngët e tijë fusha është më e gjelbruar,mali është më i lartë,atdheu më i dashur. (1995)

Vaqe Zela
A artiste e popullit: Me zërin e tijë Kosovën e ndjejë më afër. (1992)

Fatmir Limaj: Këngët e tijë ishin logjistikë për UCK-në. (2000)

Nexhmije Pagarusha: Ai futi fjalën intelektuale në këngë. (1996)

John Arcadius
Artist belg: Ilir Shaqiri është emblematiku i muzikës shqiptare në Europë. (1999)

Aurela Gaqe
këngëtare: Ilir Shaqiri i është përkushtuar me serjozitet e përgjegjsi këngës së bukur shqiptare. (1997)


Ilir Shaqiri: Kënga për mua ka qenë, jo vetëm pasion, por edhe mision

Ilir Shaqiri është një ndër këngëtarët më të njohur në Kosovë dhe në Shqipëri. Për 26 vite me rradhë, zëri i tij ka kumbuar fuqishëm në skenën shqiptare, duke ngritur peshë zemrat e shqiptarëve dhe duke e çuar në një stad shumë më të lartë këngën shqiptare. Disa këngë të tij si, “Jam Evropë”, “Jam shqiptar”, etj, janë bërë hite dhe kushtrim për Kosovën dhe patriotizmin kosovar, duke nxitur urrejtjen ndaj pushtuesit serb. Pothuajse në të gjitha këngët e tij, i këndohet atdhetarisë, patriotizmit, mallit për vendlindjen, si dhe dramës së kurbetit, ku mijëra kosovarë, të detyruar për shkak të pushtimit serb, kanë braktisur vendlindjen. Ndër këngët që ka më përzemër, është krijimi i parë mbi vargjet e Naim Frashërit, e cila u krijua në një kohë të vështirë për Kosovën.Fjalët e Naimit dhe muzika që krijoi ai mbi këto vargje, hyn thellë në shpirtin e shqiptarëve. Kjo këngë dhe shumë këngë të tjera të tij, kanë shërbyer në edukimin patriotik të kosovarëve, të cilët filluan të kundërshtojnë ashpër pushtuesit serb. Ai ka lindur në Burojë të Drenicës. Aty ka mbaruar shkollën fillore, pastaj të mesmen për farmaci, në Prizren. Studimet e larta i ka mbaruar në Prizren dhe Prishtinë për Gjuhë-Letërsi. Është ngjitur në skenë, në vitin 1979 me këngën “O zambak i Prizrenit”. Që nga ajo kohë, ka krijuar 26 albume me këngë të lehta popullore dhe folklorike. Ka xhiruar tri videokaseta dhe një film televiziv me regjisorin, Isa Qosja. Ka fituar shumë çmime nëpër festivale dhe konkurse të ndryshme. Ndër çmimet mund të veçojmë, “Çmimin e parë të Jurisë dhe të Publikut”, më 1983 në festivalin "Rapsodët këndojnë", i cili u zhvillua në Drenicë. Në vitin 1984 në “Festivalin e Kaçanikut” vlerësohet si, "Zëri më i mirë”, në vitin 1985 "Interpretimi më i mirë" në festivalin e Therandës, në vitin 1992 merr “Çmimin e parë të Publikut” në “Fest Arb Shkup”, në vitin 1995 “Çmimin e parë dhe të publikut” te "Kënga Shqiptare" në Prishtinë dhe në vitin 2000, merr “Çmimin Special” në “Festivalin Ndërkombëtar të Brukselit”. Është martuar në vitin 1984 dhe ka tre djem. Ka pasion të veçantë pikturën dhe mbledhjen e gjërave antike.

Si të duket ecuria e këngës popullore tradicionale kosovare?
Kënga tradicionale në Kosovë, ka një trend të kënaqshëm, posaçërisht këngët e krijuara mbi bulzën e këngës tradicionale shqiptare. Tendencat e globalizimit edhe në muzikë, hetohen gjithandej. Një gjë të tillë shpejtojnë të bëjnë mediat elektronike, por edhe të shkruara, duke favorizuar vlerat e dyshimta dhe muzikë ballkanike me tekste në gjuhën shqipe, por që më vete nuk përmbajnë asgjë. Këto këngë unë i quaj "këngë për një përdorim", sepse edhe në radiot dhe televizionet e Kosovës, nuk jetojnë më gjatë se një muaj.

Kënga hyri tek ju si pasion, apo si mision?
Fillimet e mia drejt këngës kanë qenë një pasion, por në kohën e vështirë që po ecte Kosova, ky pasion mu bë mision. Me këngët atdhetare që interpretoja, thoja gjithçka që ndjeja për popullin tim. Jam shumë i gëzuar, që çdo gjë që ndodhi në Kosovë, deri në çlirimin e saj, e kam shënuar përmes këngës sime. Pas çlirimit të Kosovës, i kam kënduar gjakut të derdhur për liri dhe dëshmorëve të kombit. Sot i këndoj përsëri jetës, dashurisë dhe mërgimit, duke mos harruar asnjëherë këngët për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila bëri që unë të jetoj i lirë në Prishtinë dhe të këndoj lirshëm shqip.

Në rrugën e këngës hyre rastësisht, apo je nxitur nga dikush?
Më kanë nxitur shokët dhe shoqet e klasës. Ata më kanë dhënë krah, që unë të drejtohem drejt këngës. Ishte viti 1979, kur për herë të parë hipa në skenë dhe këndova këngën,"O zambaku i Prizrenit", pikërisht në Pallatin e Kulturës në Prizren.

Si jeni lidhur me vajzën, që më vonë u bë krahu juaj i djathtë?
Me Florën jam njohur në vitin 1981. Në vitin 1984, vendosëm të martoheshim. Të dy jemi njohur krejt rastësisht. Unë punoja në farmaci në qytetin Skënderaj dhe ajo pati ardhur disa herë tek tezja e saj, e cila punonte me mua. U lidhëm bashkë, u martuam dhe sot kemi tre djem, të cilët janë rritur dhe sot më ndihmojnë në punët e mia artistike. Në këtë rrugë më ka ndihmuar shumë edhe bashkëshortja, e cila ka sakrifikuar shumë për artin tim.

Keni shumë albume muzikore dhe videoklipe, cilat janë disa nga këngët e tua më të dashura?
Këngët janë si fëmijët! Në secilën prej tyre kam derdhur nga një copëz shpirti, por krijimi i parë mbi vargjet e poetit tonë të madh Naim Frashëri, është këngë që më mbërthen në një emocion të veçantë. Ndoshta edhe pse ajo këngë u krijua në një kohë të vështirë të Kosovës dhe fjalët e Naimit të madh dhe muzikës që krijova mbi këto vargje, hyn thellë në shpirtin e shqiptarëve. Sot, besoj se kjo këngë dhe shumë këngë të tjera të mia, kanë shërbyer në edukimin patriotik të brezit, i cili filloi ashpër t’i kundërshtojë pushtuesit serb. Këngë të tjera, që kanë lënë gjurmë të kohës janë edhe, “Falë t’qoftë gjaku Kosovë”, “Minatori”, “Udhët e mia”, “Zëri i atdheut”, “Jam Evropë”, “Jam shqiptar”, “Shkëlqimi i plisit”, “Bilbili i Kosovës”, “Sërish vjen marsi”, “Princesha e Dukagjinit”, “Moj e rritur në Kosovë” dhe “Dridhe Shkup e Shkodër”.

Keni kënduar në shumë shtete të botës, ku jetojnë shqiptarët, në cilin nga turnetë tuaja jeni ndjerë më i emocionuar?
Kam kënduar gjithandej, ku jetojnë Shqiptarët, por turneu, i cili u organizua në kohën e luftës së Kosovës nëpër Evropë e që ishte një koncert homazh për Kosovën, ka qenë turneu më mbreslënës në karrierën time. Shumë vajza dhe djem të rinj shqiptarë, janë nisur pas koncertit në luftë për Kosovën. Në këtë rast, duhet t’i falenderoj artistët shqiptarë, që për katër muaj rresht dhanë 68 koncerte, mjetet e të cilave u derdhën në ndihmë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Artistët, Mirush Kabashi, Çun Lajçi, Liri Lushi, Edmond Zhulali, Arif Vladi, Agim Doqi, Manjola Nallbani, Kastriot Tusha, Ledina Celo dhe një mirënjohje të veçantë për organizatorin e këtij turneu "Eurokohën", Remzi Ejupi.

Po çasti më emocionant për ju, cili ka qenë?
Çasti më emocionant i përket vitit 1993, gjatë një koncerti në Regensburg të Gjermanisë. Unë dola në skenë, si gjithmonë i mirëpritur dhe tek refreni i këngës së dytë në fund të sallës, hyri vëllai im më i vogël. Ai kishte ikur nga Kosova, që të mos bëhej ushtar i ushtrisë jugosllave. Kisha tre vjet pa e parë dhe nuk besoja, që ai mund të vinte në Gjermani, pasi ishte vendosur në Zvicër. Ai ndaloi në fund të sallës, ndërsa mua mu pre kënga në fyt. Publiku ktheu kokën nga fundi i sallës dhe unë tashmë nuk isha në skenë, por përqafuar me vëllanë e vogël tri vjet pa u parë.

Nga këngëtarët shqiptarë, kë keni më përzemër?
E kam dashur dhe vazhdoj ta dua shumë të papërsëritshmen Vaqe Zela, pastaj Arif Vladin dhe Aurela Gaçen. Ndërsa nga Kosova, idhulli im është bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha. Ajo ka qenë dhe mbetet institucion i kulturës kosovare.

Nisur nga hyrja e rrymave të huaja në muzikën tradicionale popullore shqiptare, ju si e gjykoni këtë gjë?
Edhe në Shqipëri, tendencat e globalizimit të kulturës, janë gjithmonë e më të ashpra. Unë mendoj që, përmes këngës së bukur shqiptare, mund të bëhemi pjesë e këtij globalizimi e jo të krijojmë e të këndojmë si tjetri, sepse atëherë nuk je ti!

Jeni i vetmi këngëtar kosovar, që i keni kënduar më shumë atdhedashurisë, patriotizmit dhe emigracionit kosovar, përse keni zgjedhur këtë tematikë?
Esenini ka një thënje të bukur, "këndo po deshe edhe me zërin e bretkosës, veç këndo me zërin tënd".

Kur ishe i vogël, për çfarë ëndërroje më shumë?
Ëndërroja të bëhesha piktor. E doja shumë pikturën, por babai im dëshironte, që unë të studioja në Akademinë Ushtarake për aviacion. Kur u rrita, kjo dëshirë e babait tim, nuk u realizua, sepse këto lloj akademish, ishin në duart e armiqve të Kosovës, ndaj këto studime nuk mund të bëheshin as në Shqipëri. Dëshira e dytë e babait, ishte që unë të studioja për farmaci, sepse në Drenicë ishte vetëm një farmacist dhe ai nuk ishte shqiptar.

Keni ndonjë mesazh në përfundim të kësaj interviste?
Dua ta falenderoj nga zemra popullin vëlla të Shqipërisë për sakrificën, që ka bërë në luftën e Kosovës. Posaçërisht me këtë rast, dua ta përshëndes, ta falenderoj dhe t’i ulem deri në gjunjë, gjeneralit Kudusi Lama dhe ushtarëve të tij, për heroizmin që kanë treguar në luftën çlirimtare të Kosovës. Me burra si Kudusi Lama, Shqipëria do të bëhet një dhe e pandarë. Mos vdeksha pa i parë trojet Shqiptare të bashkuara në një shtet, që quhet Shqipëri.

Mentor Hoxha - Gazeta Sot