E marte, 23.04.2024, 10:52 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Dalin në dritë procesverbalet e hetimit të Vilson Blloshmit

E enjte, 23.04.2009, 08:07 PM


Vilson Blloshmi
Vilson Blloshmi
Nga Gazeta Shqiptare

Dënimi me vdekje i poetit Vilson Blloshmi kthen në vëmendje ditët e vështira të hetimeve. Deri më sot, nuk ishin publikuar procesverbale të ndryshme nga këto hetime që çuan në vrasjen e poetit, që mbi të gjitha donte lirinë dhe jetën. Ishin vitet ku liria e fjalës cenohej e censurohej. Ishin vitet e masakrës intelektuale dhe njerëzore. Në redaksinë e “Gazeta Shqiptare”, vëllai i poetit të vrarë, Bedri Blloshmi ka vënë në dispozicion dy dokumente që tregojnë marrjen në pyetje të poetit, më datë 15 shtator 1976, mbi arsyet e shkrimit të disa rreshtave prej tij në një bllok të vetin dhe një tjetër dokument, një dëshmi të Afërdita Lepenicës, dëshmi e marrë në qytetin e Librazhdit, më 7 tetor 1976. Në të dy dokumentet, ku në një farë mënyre u “vendos” edhe dënimi me vdekje për armikun e popullit dhe të partisë, bien në sy dy firma: ajo e hetuesit Ligor Kondili, i cili ka asistuar në të dy rastet e po ashtu edhe emri i Petrit Azemaj, si asistent në hetim, emër i cili është përmendur edhe në një intervistë të dhënë para disa kohësh për gazetën nga Bedri Blloshmi. Sipas këtij të fundit, njëri nga të lartpërmendurit, Petrit Azemaj, aktualisht punon në institucionin e Avokatit të Popullit. Më përpara, Blloshmi nuk kishte vënë në dispozicion këto dokumente, në të cilat paraqiten firmat e të dy hetuesve. Më poshtë ne do të botojmë të shkruar të gjithë pyetësorin e bërë ndaj poetit e po ashtu edhe faksimilet, që “Gazeta Shqiptare” i siguron nga Bedri Blloshmi. Në këto dokumente shihet qartë terrori psikologjik që është ushtruar ndaj poetit dhe përkthyesit. Pyetjet e njëpasnjëshme, pyetje që kërkonin të dinin shumë e që kërkonin të kapeshin pas një “pikë” që do ta fundoste përfundimisht Blloshmin. E në fakt, mënyra për ta fundosur u gjet, dhe ai u fundos, në një tjetër botë, duke lënë pas jetën, familjen dhe dhimbje, shumë dhimbje. Absurdi qëndron i gjallë e këmbëkryq në atë pyetësor, ku të pandehurit i kërkohet të përgjigjet se përse është mërzitur ai duke qenë se nuk i kanë dhënë të drejtën të punojë si mësues. Vallë, a duhej të kënaqej ai? Në fjalët e poetit vihet re qartë dhimbja dhe pesimizmi. Në fakt, në rreshtat që ai ka shkruar, ajo që ka dashur të thotë kuptohet mirë, dhe nuk ka nevojë për pyetje të tjera që të dalë më në pah mendimi.

Procesverbal
(Mbi pyetjen e të pandehurit Vilson Blloshmi)

Asistuesi në hetim Petrit Azemaj, që aktualisht punon tek Avokati i Popullit
Asistuesi në hetim Petrit Azemaj, që aktualisht punon tek Avokati i Popullit
Librazhd, sot më datën 15.9.1976, unë Ligor Kondili, hetuesi i Degës së P. Brendshme, rimarr në pyetje të pandehurin Vilson Blloshmi. Pyetja filloi në ora 18.00, mbaroi në orën 20.00.
Pyetja: Na shpjegoni juve i pandehur se me cilët persona e kini zhvilluar aktivitetin tuaj armiqësor?
Përgjigje: Nuk kam zhvilluar aktivitet armiqësor kundër partisë dhe pushtetit popullor.
Pyetje: Në procesin e datës 12.8.1976 juve i pandehur kini thënë se meqenëse juve nuk u është dhënë e drejta për të ushtruar profesionin e arsimtarit, kjo ju bënte juve që të mendonit dhe të ndjenit pakënaqësi kundër pushtetit popullor, i cili jua kishte privuar këtë të drejtë? Çfarë kini dashur të thoni me këtë? Dhe, kur juve ju ka lindur kjo pakënaqësi?
Përgjigje: Është e vërtetë se mua nuk më ka erdhur mirë që nuk më është dhënë e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar mbasi kam mbaruar shkollën e mesme pedagogjike. Kjo nuk më është dhënë sepse un’kisha përbërjen politike të keqe. Kjo më ka lindur mbasi unë mbarova shkollën e mesme, në vitin 1966.
Pyetje: Në një nga blloqet tuaja është shkruar nga juve: “Kur e tanishmja është e tmerrshme, njeriu jeton me kujtesën e të kaluarës, por ç’ngel për mua, as e kaluara, as e tanishmja nuk më qetëson aspak, por më idhëron më tepër, brenga ime rritet dita-ditës”. Çfarë kini dashur të thoni juve i pandehur me këtë?
Përgjigje: Unë në vitin 1972 e shikoja veten time të mërzitur dhe jetën time e shikoja të tmerrshme, prandaj unë jetoja me kujtesën e të kaluarës, unë në këtë vit isha i sëmurë.
Pyetje: Këtë shënim juve i pandehur e kini bër’ në vitin 1974, atëherë si është e mundur?
Përgjigje: Unë jam me shkarje stomaku.
Pyetje: Çfarë të kaluare kujtoni juve i pandehur?
Përgjigje: Unë kujtoja të kaluarën e jetës time.
Pyetje: Çfarë të kaluare kishit juve i pandehur, kur juve në kohën që jeni rritur, baba tuaj ka qenë në burg për agjitacion e propagandë?
Përgjigje: Këtë kujtesë me të kaluar të keqe kujtoja unë, atëherë unë isha bërë pesimist për jetën. Më poshtë unë kam kaluar se kur unë si ta kaluarën dhe të tanishmen e kisha të keqe, unë mërzitesha dita-ditës më tepër.
Pyetje: Përse juve i pandehur e shikonit të tanishmen të tmerrshme?
Përgjigje: Kjo ishte një mërzitje e imja, prandaj unë kam shkruar kështu.
Për sa thashë më sipër, mbasi i lexoj, i nënshkruaj me firmën time.

I pandehuri
Vilson Blloshmi
Hetuesi
Ligor Kondili
Asistoi
Petrit Azemaj

Procesverbal
(i pyetjes së dëshmitarit)

Sot, më datën 7.10.1976 në qytetin e Librazhdit unë, hetuesi i Degës. P. Brendshme, Librazhd, Ligor Kondili marr në pyetje si dëshmitar në zyrën e hetuesisë Afërdita Numan, Lepenicë, e datëlindjes 1922, me arsim të mesëm, me vendbanim në Stravaj-Sharrë, me detyrën Mami, e paanëtarësuar në parti, e dënuar njëherë në vitin 1950. Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale në bazë të nenit 220 të K.P për dëshmi të rreme.
Në lidhje me çështjen mund të them sa më poshtë:
Jam mami në Stravaj, aty jam njohur dhe me Vilson Blloshmin, i cili në dy raste që ka erdhur për vizitë në shtëpinë time, më ka folur se kishte mësuar nga xhaxhallarët e tij se neve në një rast kishim strehuar e kishim mbajtur për të fjetur në shtëpinë tonë, kur banonim në Qukës, gjyshen e Vilsonit, e cila, - tha, - Vilsoni në një rast kishte qenë e sëmurë. Gjatë bisedave të lira, Vilsoni më tha se kishte mësuar individualisht frëngjishten dhe anglishten dhe për to ishte shumë i entuziazmuar. Ai më tha se kishte lexuar shumë libra të shkrimtarëve të huaj dhe fliste me respekt për ta. Ai disa herë i ka shprehur ato në kohën që vinte aty tek unë, në gjuhën frëngjishte. Ai më tha në një rast se kishte qenë në Tiranë në konkurs për gjuhë të huaja, në emisionet e Radio Tiranës dhe se konkursin e kishte fituar shkëlqyeshëm, biles ai më tha se ishte kandidati për t’u futur në Radio Tirana, por nuk munda, - më tha ai, - se dikush kishte kallëzuar për përbërjen time jo të mirë dhe nuk më morën. ‘E kaluara e familjes tonë, - tha Vilsoni, - po na merr në qafë, nuk po ushtrojmë dot as profesionin e arsimtarit, dhe as ndonjë punë tjetër të përshtatshme, dhe tani punoj në prodhim këtu në Stravaj’. Këto biseda i kemi bërë në vjeshtën e vitit 1974. Në muajin korrik të vitit 1975, jam takuar përsëri me Vilsonin në Stravaj, përpara klubit ku ai erdhi për të marrë ushqime, dhe në bisedë ai më tha se ishte duke studiuar frëngjishten dhe anglishten dhe po bën përpjekje që të mësoj edhe italishten, ‘që të pasuroj intelektin tim’. Gjithashtu, - tha ai, - lexoj edhe shtypin e përditshëm. Në gazetë, - tha ai, - kam lexuar se flota e gjashtë amerikane dhe flota sovjetike po vërtiten shumë në Mesdhe. Të dyja këto flota, - tha Vilsoni, - e kanë një synim lufte, prandaj na vëzhgojnë që të na gjejnë rastin, po pse nuk po bëjnë akoma gjë që të shpëtojmë. Unë i thashë se ti Vilson i ushqen kot këto aluzione, hiqe këtë mendje, por ai më tha se unë shpreha mendimin tim, dhe me kaq jemi ndarë nga njëri-tjetri. Ndonjë bisedë tjetër konkrete mua nuk më kujtohet, për këto që thashë më sipër janë të vërteta, mbasi i lexoj vetë, i nënshkruaj, mbasi thëniet e mija janë shkruar drejt.

Dëshmitare
Afërdita Lepenica
Asistoi
Petrit Azemaj
Hetuesi
Ligor Kondili



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora