Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thanas L. Gjika: Një model për hartimin e veprave me kujtime

| E enjte, 23.04.2009, 08:04 PM |


Thanas Gjika
Thanas Gjika
NJE MODEL PER HARTIMIN E VEPRAVE ME KUJTIME

(Vlerësime për veprëm Kujtime vogjlije e rinije të Mustafa Merlika Krujës, si urim për 65 vjetorin e lindjes së z. Eugjen Merlika,  që u kujdes për botimin e tyre)

Nga prof. Ass. Thanas L. Gjika

Letërsia memuaristike shqiptare për nga parimet e hartimit, ndahet në dy kategori:
A. Vepra, ku ngjarjet rrëfehen sipas interesave të politikës së PKSh/PPSh-së.
B. Vepra, ku ngjarjet rrëfehen duke respektuar të vërtetën si parim rrëfimi.
Veprat e kategorisë së parë, ku ngjarjet tregohen në mënyrë të politizuar, u hartuan kryesisht në vitet 1945-1992 me përkrahjen dhe nxitjen e partisë shtet. Autorët e tyre kanë qenë ose funksionarë të partisë, si Mehmet Shehu, Enver Hoxha, etj; ose nëpunës a kalemxhinj që punonin për shtrimin e trasesë mbi të cilën duhej të ecte shoqëria shqiptare. Për fat të keq në letërsinë shqiptare vepra memuaristike të politizuara kanë vijuar të botohen edhe mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. Autorët e tyre janë kryesisht ishfunksionarë të partisë e të shtetit si Ramiz Ali, Todi Lubonja, etj, të cilët patën lyer duart me gjak shqiptari dhe tani duan të fshehin poshtërsitë e tyre. Por ka dhe mjaft ishpartizanë, ishanëtarë partie, artistë, etj; njerëz të droguar prej propagandës së asaj kohe të cilët nuk kanë kuptuar ende se shumica e bëmave të tyre, ashtu si vetë politika e kohës, kanë qenë të gabuara.
Nga pikpamja shkencore veprat memuaristike që janë shkruar ose shkruhen nën trusninë e politizimit kanë vlera të kufizuara, madje mund të themi se kanë antivlera, mbasi e vërteta historike në to është e shtrembëruar dhe ato i sjellin dëm shoqërisë.
Veprat e kategorisë së dytë, ku ngjarjet rrëfehen duke respektuar të vërtetën si parim të rrëfimit, janë hartuar para vitit 1944 dhe mbas vitit 1992, pra para montimit të diktaturës komuniste dhe mbas shkërmoqjes së saj. Të tilla vepra janë hartuar prej patriotëve të shquar si Faik Konica, Mithat Frashëri, Ismail Qemali, Mihal Grameno, Fan Noli, Sejfi Vllamasi, Syrja Vlora, Mustafa Merlika, si dhe prej të përndjekurve politikë si At Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Maks Velo, Lek Pervizi, Tomor Aliko, Petraq Xhacka e shumë e shumë të tjerë.
 Nga pikpamja shkencore veprat me kujtime ku e vërteta respektohet si parim themelor i rrëfimit të ngjarjeve, kanë vlera të përhershme, mbasi aty ngjarjet rrëfehen në përputhje me të vërtetën historike. Në këto vepra ngjarjet rrëfehen ashtu si kanë ndodhur edhe kur ato nuk kanë qenë në përputhje me interesat e vetë rrëfyesit. Të tilla vepra i kanë shërbyer dhe i shërbejnë edukimit të shoqërisë sonë, pra i kanë sjellë dhe i sjellin dobi kulturës shqiptare.
Duke u mbështetur në dokumenta historike dhe në të dhënat e veprave të papolitizuara mund të shkruhet si duhet historia jonë kombëtare. Një shembull i keq i hartimit të historisë sonë kombëtare është vëllimi i katër i shkruar prej punonjësve shkencorë të Institutit të Historisë (HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR IV 1939-1990, botimet TOENA, 2008). Në këtë vepër janë bërë përpjekje të turpshme për të mbrojtur e arsyetuar politikën e gabuar të PKSh / PPSh-së dhe bëmat e diktaturës së proletariatit tek ne.

***
  
Propaganda e shtetit diktatorial na e kishte imponuar, ose mbushur mendjen se Mustafa Merlika Kruja ishte thjesht një bashkëpunëtor i fashizmit italian, që duhej pushkatuar si kolaboracionist. Këtij atdhetari në prill 1945 Gjyqi i Popullit i dha dënimin me vdekje në mungesë, meqenëse vetë Mustafa kishte shkuar në Vjenë për t’iu ndodhur pranë djalit të sëmurë. Dënimet e shtetit komunist i pësoi pjesa tjetër e familjes së tij që qëndroi në atdhe: gruaja e tij, dy djemtë me nuset e fëmijët, si dhe fëmijët e fëmijëve që lindën nëpër kampet e internimit.
 Shkrime të ndryshme analitike botuar vitet e fundit prej z. Mërgim Korca për qeverinë Merlika na bindin se kjo qeveri edhe pse veproi në një kohë të vështirë nga dhjetori 1941 deri në qershor 1943, pra gjatë kohë së pushtimit Italian, mbrojti me sa mundi interesat tona kombëtare. Ajo zgjeroi territoret e shtetit shqiptar, shtriu arsimin shqip në gjithë territoret e shtetit shqiptar etnik, forcoi ekonominë dhe financat e shtetit shqiptar, luftoi në mënyrë njerëzore përhapjen e komunizmit, i dha hov zhvillimit të shkencave shqiptare, etj.
Për vlerat e vërteta të Mustafa Merlika Krujës flet jeta dhe vepra e tij e cila po botohet dalngadal (për arsye financiare) prej nipit të tij z. Eugjen Merlika. Për zbulimin e këtyre vlerave ndihmuan dhe kumtesat që u mbajtën në simpoziumin shkencor që u mbajt në Tiranë në Dhjetor 2008.
Edhe botimi i kujtimeve të Mustafa Merlikës për fëmijërinë dhe rininë e tij është një ndihmesë për të kuptuar personalitetin e tij shumëdimensional me formim solid dhe me bindje atdhetare për tu pasur zili.
Themi pa drojtje se kjo vepër me kujtime është një perlë letrare dhe shkencore njëkohësisht. Ajo mund të quhet një poemë në prozë kushtuar Krujës edhe krutanëve. Aty jepet një pjesë e historisë dhe zakoneve të Krujës e krutanëve, ngrihet lart karakteri burrnor dhe i virtutshëm i krutanit si tip pozitiv i malësorit shqiptar që ka ditur të jetojë me pak, në një vend ku ha pula gurë, por gjithnjë me nder e me zakone të mira bese e trimnie.
Për nga metoda e hartimit, këto kujtime të hartuara në mëgrim gjatë vitit 1944, janë një model që ndihmon për të kuptuar se si duhet të hartohen kujtimet. Mustafa Merlika ka qëndruar larg politizimit, larg mburrjeve personale, i ka rrëfyer ngjarjet ashtu si kanë ndodhur pa interpretim personal, duke i përshkruar personat historikë pa paragjykime dhe duke i riprodhuar fjalët e tyre ashtu si i kanë thënë edhe kur ato kanë qënë jo në interes të tij.
Duke menduar se e nxita dëshirën e lexuesve për t’i gjetur e lexuar këto kujtime, po e mbyll këtë shkrim vlerësues, duke ia lënë radhën ndonjë krutani të shkruajnë më gjatë për të vënë në dukje vlerat e shumta të këtij libri, të vogël nga volumi (177 faqe) por të madh për nga vlerat letrare, historike dhe etnografike...