E premte, 19.04.2024, 10:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Pentagrami i zemrës

E enjte, 23.04.2009, 07:53 PM


Ramadan Mehmeti
Ramadan Mehmeti
Botime të reja bukureshtare

Pentagrami i zemrës

Nga Baki Ymeri

Këto ditë, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit (23 prill), nën përkujdesjen e redaksisë së revistës “Shqiptari”, e pa dritën e botimit në Bukuresht një vëllim bilingv i poetit kosovar Ramadan Mehmeti: “Pentagrama Inimii (Pentagrami i zemrës)”. I strukturuar në tre kapituj (Hyjneshë e këngëve, Rrugët tona dhe Prej etjes në etje), me një parathënie analitike të eseistit Marius Qelaru dhe me një pasthënie brilante të poetit Mihai Antonesku, libri del në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke patur për përkthyes autorin e këtij shkrimi. Duke bërë fjalë për botimet e periudhës së Rilindjes, Lasgush Poradeci, shkruante se “Këto libra lexoheshin tekdo me etjen më të madhe, ngjallnin nër zemra ndjenjën e Kombësisë, dëshirën për një Rilindje dhe për një Atdhe, dyke qënë mburim i pashterrur i një ideje së re dhe i një ideali të ri të popullit Shqiptar”.  Duke bërë fjalë për botimet e sotme, këto libra ngjallin të njëjtën etje, për ta njohur Kosovën dhe vlerat e saj, te sivëllezërit tanë rumunë, me të cilët na lidh një e shkuar e përbashkët, pa marrë parasysh injorancën politike të ishkomunistëve rumunë që u turpëruan para historisë lidhur me pavarësinë e Dardanisë. Në vend të komentimeve tona, lidhur me këtë libër prej rreth 200 faqesh, po e japim mendimin e autorëve rumunë..
____
        
Në brigjet e harresës dhe ujërat e kujtesës

Nga Mihai Antonescu

Të gjitha të dhënat që kemi për Ramadan Mehmetin, shpijnë drejt një bibliografie të mahnitshme. Në bazë të tyre konstatojmë se kemi të bëjmë me një poet, eseist, dramaturg dhe editor polivalent dhe të shkëlqyeshëm. Me një pamje të këtillë intelektuale, morale e patriotike, autori është i prezantuar mirë në këtë vepër të zgjedhur, i përkthyer, madje, në disa gjuhë evropiane. Është e sigurt se sikur mos të lindej (më 1948), në shenjën e shpërthimit të qetë të yjeve të qiellit kosovar, ky shkrimtar i rëndësishëm i një kohe të ndëshkuar, do të duhej inventuar një lindje e këtillë, e domosdoshme për ardhmërinë.

Vëllimi i vargjeve me një titull sugjestiv, është një mostër e një finese të madhe të sinqeritetit shpir­tëror, e kaluar nëpër sitën speciale të një shprehjeje gjithnjë e më të veçantë, që pluskon midis thellësisë së mendimeve dhe motivacionit me qëndresë ngjarjesh të përjetuara. Siç i ka hije, në brigjet e kujtesës së këtij vëllimi me 75 poezi, përplasen faktikisht ujërat e kujtesës së një vetëdijeje me një përcaktues që qëndron shumë më lart se çasti, duke arritur të shtrojë  nga shprehjet e deri te mesazhi, një teksturë të shkëlqyer përmes pasurisë së diskursit poetik, të metaforës së shprehur me kujdes mbi supet e idesë, gjithçka duke dëshmuar një imagjinatë të pasur dhe një dëshirë të pashtershme për të mbetur në horizontin e memories kolektive.

Ramadan Mehmeti ka të gjitha atributet e një njohësi të mirë të planeve sentimentalisht humane, duke shpaluar nga avulli i mistershëm, por nganjëherë aq i dukshëm, imagjinar dhe hipotetik në përcaktimin fjalëve të asaj linje përfundimtare të gjendjes konfliktuale, së cilës askush dhe asgjë nuk ka çka t’i shtojë, apo refuzojë: “E shoh vetveten në pasqyrë/ jeta kalon tejmatanë shkëlqimit”. Është një kohë në gjumin pa ëndrra të poetit, një kohë vrastare e shpresave dhe përmallimeve të ruajtura ndërmjet fshesështrojave të njelmëta të vajtimit të shpërndarë mbi kujtime të paharruara, me të cilat, kushdo tjetër, përveç Ramadan Mehmetit, nuk do të dinte si ta bënte më mirë: “Përreth meje/ Pa ëndërr/ Koha vret/ Vetveten e harruar/ Hieroglifët/ Ku kanë mbetur/ Një kalë i kuq/ Rend me vrap/ Për ta zënë/ Hijen e vet”.

Dramatizmi i butë, që shëmbëllen me një përkë­dhelje hyjnore të luftëtarit të sfilitur që i kthehet më në fund  vetvetes dhe një atdheu gjithmonë atje ku duhet të jetë, e plason poetin Ramadan Mehmetin ndër bashkëkohanikët më të shquar të botës së tij, përmes mjeshtërisë së fjalës dhe formulës magjike të artit, shpeshherë pothuajse gjeniale, dhe, me siguri, testamentare: “Ngado që të nisesh/ Nuk mund të shkosh aq larg/ Sa të harrosh gjuhën e pararendësve tu/ Kam numëruar hapat/ Që të janë vizatuar në rërë/ Vrapoj edhe për një hije/ E lëvarur për drurin e jetës/ Ngado që të nisesh/ Nuk mund të shkosh aq larg/ pa lënë gjurmë”. Kështu është, me siguri, ndërsa poeti Ramadan Meh­meti nuk zhgënjehet, duke u ofruar lexuesve dhe kritikëve, edhe një vëllim të një rëndësie primor­diale, sa për letërsinë e kohës së vet, po aq edhe për historinë e saj të ardhshme.

_______

Koha e zënë në pusi pas perdes së zezë

Pas perdes së zezë/ Koha e zënë pisk/ Pjell korba të zinj/ Në sofër thyhet moti/ Në vend të bukës së vjetshme/ Fjalët tërkuzë mbështillen/Në katrorin magjik të përrallës.

(Ramadan Mehmeti, Perdja e zezë)

Nga Marius Chelaru

Viteve të fundit kanë dalë në gjuhën rumune një numër i konsiderueshëm veprash të poezisë shqipe (antologji kolektive apo vëllime autorësh), sidomos nga Kosova dhe Shqipëria. Përkthimet më të shumta janë ato të Baki Ymerit, pas të cilit pasojnë Luan dhe Renata Topçiu. Kështu, vëllimet me krijimtarinë e disa poetëve të platformave të ndryshme vlerë­suese/tematike, stilistike apo të inkuadrimeve të ndryshme të hapësirës kohore (duke pasur parasysh shpërndarjen e gjuhës shqipe në Ballkan, si dhe në diasporë, e pranishme ajo në përkthimet e përmendura), mund ta ndihmojnë lexuesin rumun që të krijojë një shëmbëlltyrë reale për rrymat, për evolucionin në kohë e hapësirë, dhe sidomos për poezinë e sotme në gjuhën shqipe.

            Një autor tjetër, që i shtohet listës së të përkthyerve në gjuhën rumune, është shkrimtari dhe editori kosovar Ramadan Mehmeti, i lindur më 1948 në Livoç të Gjilanit, tejmatanë lumit Morava. Se ka qenë dëshmitar/ Një autor tjetër që i shtohet listës së të përkthyerve në gjuhën rumune është shkrimtari dhe editori kosovar Ramadan Mehmeti, i lindur më 1948 në Livoç të Gjilanit, tejmatanë lumit Morava. Se ka qenë dëshmitar/përjetues i disa etapave historike (letrare e politike), të regjionit, është një fakt që shihet edhe në mënyrën në të cilën janë shkruar poezitë e këtij vëllimi antologjik të autorit, pa vërejtur ndërkaq papërshtatshmëri stilistike për trajtim. Antologjia do të thotë dhe një mozaik tematik, me tema/motive më predominante apo më pregnante/ shpesh të hasura, që mund të gjenerojnë disa valenca  interpretative. Kështu, në vjershat e selektuara komponimi me fasadë sociale është pothuajse i padukshëm (në poezitë, si: Aty ku i vumë ditës sinorin e shenjtë, Evropa plakë dhe, ndoshta, Vdekja luan në rulet apo Ngado që të nisesh (“Ngado që të shkosh/ Nuk mund të shkosh aq larg/ Sa ta harrosh gjurmën/ E paraardhësit tënd”).

Shtypja e rrjedhës së kohës, e fjalës së harruar që të shtyp janë fjalët që “më vrasin në loçkë të zemrës”, apo harpa (“në një harpë dergjet qetësia/ duke varrosur ndjenjën time të gjallë”), netët pa gjumë, rruga (“që s’po e gjejmë”), rikujtimi i çasteve të kaluara me të dashurën, ëndrra, dashuria (e përmbushur apo e shembur nga koha: “vetëm malli nuk është plakur/ përmes stinës së heshtjes”; por: “dashuria është ëmbëlsi/ dhe butësi e egër”), degdisja e saj, kërkimi, pritja, dëshira për ta gjetur, apo shqetësimi (“pulëbardhat fluturojnë edhe pa flatra/ kur i vret trishtimi”; apo: “trishtimi e than/ faqen e saj/ porsi fjala e harruar“), pasqyra, nata dhe melankolia (ambivalenca e rrejshme apo ajo që e fsheh qetësinë në një vetmi e cila mund të jetë, madje, “e zjarrtë dhe e ngrirë”, arratisja në fëmijëri (“e luta fëmijërinë të më marrë në prehrin e saj/ para se të më mbulojë nata/ në livadhin pa kullosë”), apo: “u takuam këtu ku nuk mund të ndahemi/ Unë e Fëmijëria në një degë/ shikimet tona i ka mbështjellë verdhimi”), qofshin ato për një të shkuar të prekur nga valenca të paharruara, si dashuria apo nostalgjia e thjeshtë dhe e çiltër e ditëve që kanë qenë.

Mund të ndalemi edhe në kohë/ derdhja/ shtypja dhe pasojat e ndryshme të kuptimeve (pa i pasur parasysh me këtë rast ato që ndërlidhen me aspektin social/ historik) që i janë atribuuar autorit (“pas perdes/ mbetet diagrami i kohës/ që vjen në vatër/ të gjuhës sime”; apo “ajo rrugë që është ngatërruar deri te Ti/ në karrocën e zezë rrëshqet koha/ në kohën kur bota ndërron pasqyrën”, apo “në një legjendë të gjallë të Sheherezades/ matet koha e gjorë që po vdes” etj.). Apo në faqet e vetmisë dhe në kon­sonancë me dashurinë (ndoshta vjersha më e arrirë e vëllimit lidhur me këtë temë, është Hyjnesha e të gjitha këngëve) dhe mënyra në të cilën është pasqyruar ajo në vargjet e selektuara, si: “Të prita dy mijë vjet/ Hyjneshë e të gjitha këngëve/ dhe nuk erdhe/ mollët e tua të njoma/ u poqën e pikuan/ vetëm malli nuk u plak/ nëpër stinët e pritjes”, apo: “tani u mësova t’i marr duart e sytë dhe këngët/ për t’i varrosur në shtratin e zemrës”, “në këtë natë të rëndë sa largësia jote e afërt/ për mahnitje rri në këtë çmendi/ para trupit tënd që ma ka sjellë fatin”. Mund të flasim në poezinë e Ramadan Mehmetit edhe për atë “nostalgji moderne të misterit” (po qe se do të përdornim terminologjinë e Julien Gracq (1910 – 2007), ndoshta jo aq të elaboruar, por të pranishme, me nuanca personale, në disa nga poezitë e selektuara të tij. 

Më në fund, ndërkaq, kemi të bëjmë me një tablo të jetës (tejmatanë dekorit të luftës, të tensioneve sociale që e kanë prekur regjionin ku jeton poeti), i kundruar si një ambient/ motivim dhe materie/ substancë e poezisë, përballë rrethanave që e kanë prekur  në mënyrë partikulare, të përjetimeve që ta shembin shpirtin, të kujtimeve të pashlyera nga koha, në një diskurs me tone ekzistenciale, me ngulfatje inspirative në botën mendimtare të ëndrrës. Nuk është fjala për ndonjë ngarkesë ontologjike speciale apo për ndonjë papërshtatshmëri të rastit – poeti nuk e kërkon një gjë të tillë, por më parë për një (sh)krijimtari meditative/ refleksive/ deskriptive/ konstantative, me aksente mbi një rikthim në inti­mitet të brishtë e të qartë (qoftë ai i mendimit, përjetimit, kujtimit, meditimit etj.). Një antologji e autorit që e radhit Ramadan Mehmetin në galerinë e ëndërrimtarëve të gjuhës shqipe që kanë depërtuar në gjuhën rumune.

BIBLIOGRAFIA

Ramadan Mehmeti lindi më 20 shtator 1948 në Livoç të Poshtëm të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ku edhe studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët serbe dhe boshnjake dhe është nderuar me shumë çmime letrare. Është editor i shtëpisë botuese Rozafa dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Vëllime poetike: Jeta pa titull, poezi, Prishtinë, 1977, Koncerti i heshtjes, Prishtinë, 1987, Loja e ruletit, Prishtinë, 1994, Requiem për Mirko Gashin, Prishtinë, 1997, Ti je e vogël, Prishtinë, 1997, Ringjallja, Prishtinë 1998, Fusha e korbave, Prishtinë, 2000, Te guri i atdheut, Prishtinë, 2000, Zemrat bëhen ura, Prishtinë, 2002, Brigje shpirti, Prishtinë, 2004, Mëkate të zgjuara, Prishtinë, 2004, Testamenti i gjyshit,  Prishtinë, 2006, Loja e ruletit, Prishtinë, 2006, Te guri i atdheut, Prishtinë, 2006, Kur pikëllohen zogjtë,  Prishtinë, 2007. Drama: Ura e Maskatarit,  Prishtinë, 2007, Poshtërim i ndjenjës, Tiranë, 2007. Bekimi i gjurmëve, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha, Prishtinë, 2008, Tekstament letrar, mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit përgatitur nga Prend Buzhala. 2008).



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora