E shtune, 20.04.2024, 05:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Hajdin Morina: Kaltërsi e deteve (Cikël poetik)

E enjte, 23.04.2009, 06:21 PM


Hajdin Morina

KALTËRSI E DETEVE

U dogja në ëndërr e në gjak
Kurrë nuk të pashë të tërin
Jam unë a ti je larg

Madhështi është që ti nuk bëhesh
Oborr i shtëpisë as rrugë e ngushtuar
Ke qiej mbi qiellin që shihet
Ke tokë nën tokën që ndizet

Pavdekësi është të jesh zog
Hapësirave të tua
Kur lindet kaltërsia
Pa të cilën nuk kanë sy detet
Nuk shohin legjendat
E tokës së gurtë

FENIKSI I DASHURISË

Shekuj me radhë natë
Zjarri fikej shumë vonë
Me hirin e vet mbuluar

Nga hiri i vatrës
U lind Feniksi i dashurisë
Dhe u bënë djepat dhe varret
Në dheun tim
Me lisat e mi

Gjuha bëri këngën vajin e vet

NATA ISHTE E GJATË

Tash e mijëra vjet
Mbi Atdhe mbajti natë e gjatë
Ca lisa të malit prodhuan terr

Qirinjtë e digjnin natën
Derisa në trupin e tyre
Nuk mbetej pikë drite

Ne i harronim emrat e tyre
Dhe varret bëheshin tokë
Nga fëmijët tanë

Pastaj kur lehtë e kishim
Pastaj në ditë homazhesh
I kemi nderuar të gjithë
Me emra pa emra
Me varre pa varre
Kemi thënë ata janë liria
Dhe krenaria e shqiptarëve

AUTORËT E ATDHEUT

Atdheu nuk krijohet
Para mijëra vjetësh
Është bërë i tërë

Atdheu bëhet krijohet
E bëhet i vërtetë
Nga lisat e vet

Atdheun e krijuan pastaj
Dhe vazhdojnë ta krijojnë
Nëpër harta bryme
Nëpër dëlire
Për të jetuar vetë 100 vjet

Por janë gjallë dëshmorët
Ngjizin me gjak gurët
Ujin legjendat
Dhe pushojnë dhimbjet
E tokës e të qiellit tonë
Mbushet me Bukuri Universi

Dhe bien dëshmorët
Dhe ranë ata
Në det në Valkal në Prekaz
Për të mos u krijuar asnjë Atdhe
Pa Atdhe brenda

Pak është një përkujtim
Një lule mbi varr një homazh
Nëpër përvjetorë një fjalim përsëri
Pak është një “lavdi”

Se gjithkush nuk mund të bëhet Liri

BALLË PËRMBI QIEJ

Të robërojnë të copëtojnë
Të shajnë të dashurojnë
Ikin prej teje vijnë prapë
S’kanë ku shkojnë
Të anëtarësojnë në parti
Ta plagosin plagën

Ti me krahët e shekujve
Mbështjell djepat legjendat
Të gjitha varret lapidarët
Ushtar mijëvjeçar

Nëpër shi e në çdo luftë
Flamurin më lart
Në Krujë e në Prekaz

Çuditërisht rrejnë e gënjejnë
Se pakkush ta puthi ballin tënd
Atë ballë përmbi diej përmbi qiej

FIJE TË BUKURISË

Nuk e di
A ia shtova një fije bukurie Bukurisë
Me emrat tuaj
Arbianë Arbesë Arblindë

Yje mbi natën time
Dhe shtegtimin e pamort të Kostandinit
Fije të nusërisë së Doruntinës
Të Arbërit e të Artit

Nuk e di por e di mirë
Arbianë Arbesë Arblindë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora