E merkure, 24.04.2024, 08:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Vajza misterioze

E enjte, 23.04.2009, 06:11 PM


Tregim

Albert Zholi

VAJZA MISTERIOZE

Atë mëngjes-maji dielli ishte veshur me disa re të zeza. Veshja e njerëzve të linte të kuptoje se  fundi i stinës së pranverës ende nuk kish lenë temperatura konstante. Shihje kostume e pulovra që qarkullorin rrugëve, por edhe fustane transparentë që linin të dukeshin ato pjesë trupi aq të lakmuara nga të gjitha moshat mashkullore, sidomos nga djemtë që e kishin temperaturën e brendëshme disa gradë mbi atë të fundpranverës. Isha ulur me mikun tim Braçen, shakaxhiun kurajoz, që sipas një fjale të urte labe  “o kanë lindur një orë para ose një orë prapa shejtanit”, në një kafene pranë Teatrit Kombëtar. Po pinim nga një ujë natyral, Braçia si zakonisht të gazuar e unë të zakonshëm. Duke pare nga dielli, Braçia ja këput:

          -Na gjeti beleja me këtë diellin, ai digj e femrat gjysmëlakuriq, ai përcëllo e femrat zbulo… O vëlla i dashur a ka ndonjë planet ku të ketë temperaturë konstante? Në mos planet, ndonjë meteor të paktën, se po arriti temperatura në Shqipëri si në Sahara, femrat nuk do të kenë më nevojë për rroba dhe tregëtarët do të bërtasin kot “rroba të mira e të lira”, më mire të thërrasin “blini mish njeriu të zbuluar, aman jarabi”.

          -Ke të drejtë i them, unë kam vendosur, që, nëqoftëse vazhdon me këto rritme zbulesa trupore e seksit femër, vitin tjetër do të shkoj të jetoj në Hënë. Tani aty po ndërtohen impiantet e para për jetë normale. Të paktën të shkojnë njerëz normalë.

          Pranë nesh po kalonte një vajzë flokëverdhë, me një buzëqeshje të pa përcaktuar, e cila po ecte me një hap të ngadaltë sikur do të thyente vezët e Thëllëzës. Mbante një veshje, midis seriozes e gazmores, pa i dhenë ngjyrim real temperamentit, e plogësht e simpatike, u ul midis nesh, fare natyrshëm, duke na thenë një “mire jeni?” të thatë, sikur t’ja kishim borxh kariget ku ishim ulur. Porositi një ujë të gazuar dhe nisi të ligjëronte:

          -Të bësh një jetë pa emocione të mëdha, të japësh pak e të marrësh po aq sa jep, të mos kesh dedikime absolute në emër të një ndjenje apo dëshire të pabazë. Pjesën më të mirë të kohës ta kalosh me shokë-shoqërie, që të mos kesh ndrojë apo raporte detyrimesh që të të mbysin pavarsinë. Dhe pjesën tjetër të kohës ta kalosh me lexim letrar apo filozofik…-dhe sërishmi mblodhi vetullat e shtrëngoi buzët.

          Nuk po  e kuptoja filozofinë e jetës së saj. M’u duk një qenie abstraksioniste, që po kultivonte me koshiencë këtë ndjenjë brenda vetes. Edhe Braçia hokatar e dëgjonte me habi dhe, për çudi, nuk po fliste.

          -Kështu do të ecësh në jetë ti dele e hardallosur?-i thotë Braçia duke i renë me grusht tavolinës, sa ajo u lëkund deri në rënie. Ajo e ngriti tonin e të qeshurit, ku unë për herë të parë, pashë linjat reale  të lukut të fytyrës së saj, që deri atëherë e kishte strukur në abstraksionin e mendimeve të turbullta (si dukej ajo njihej mirë me Bracen) .

          -S’e di sa do të ecë, por për një kohë të mire, po. Nuk jap përcaktime fikse. Ndoshta ndonjëditë, do të lindin edhe brenda meje emocione të tilla, që do të zgjojnë ato çka unë nuk i ndjej tash për tash brenda meje.

          -Eh, jeta studentore!-psherëtiu ajo.

          -Nuk jam lodhur me jetën por me veten. Shumë gjëra në jetë nuk shkojnë si parashikohen. Tani kam më pak emocione ndaj çdo gjëje dhe më shumë respekt ndaj vetes. Dikur, respektin më të madh u mundova tia dedikoj dikujt tjetër, por e kuptova gabimin.

          -Ç’heq karigia e punës nga rënia e lire e trupit të saj!-thashë me vete, kur ajo u shtriq mbi karige dhe shihte tutje në horizont, sikur të ishte e vetme në atë ambient. Tejet orgjinale.

          -S’të ka ngelur asgjë për të shijuar në jetë?-e pyeti Braçia.

          -Vetëm shoqëria e mire. Kur gjej shoqëri të mire rehatohem, ndryshe mbyllem në vetminë time dhe meditoj, vetëm meditoj…

          -Se mos na shpik ndonjë UFO tokësor me ato meditime-ia priti Braçia.

          Ajo qeshi me gjithë zemër, aq sa unë nuk  e prisja dhe duke e qëlluar me grusht në gjoks ia pret:

          -S’më pëlqejnë hapësirat ndërplanetare. Aspak. Asnjë kuriozitet shkencor jashtëtokësor nuk më pëlqen. Kur nuk gjejmë kod bisedimi mes nesh, lëre mos e pyet se ç’lidhje do të vendosim me UFOT-t.

          -Çfar brenge e ka mbërthyer shpirtin tend naiv? Apo mos vallë një tërmet lokal, me qendër zemrën tënde, ka plasaritur muret e sentimenteve gati në mënyrë të pariparueshme?

          -Merre si ta duash. Nuk merrem me emërtime fikse. Plasaritje nuk besoj të kem marrë, por goditje emocionole, që nuk kanë lenë gjurmë jo vetëm në tru, por as në dlirësinë e ndjenjës njerëzore në kuadrin e raporteve ndërmjet sekseve. Ishte një puhizë detare, që më freskoi për një moment, por që nuk kaloi në shtrëngatë. Këto janë mëse normale në kohën që po jetojmë. Asgjë tjetër…

          -Dhe kjo puhizë e ka mjegulluar shikimin për të parë me mosbesim dhe nënqeshje të gjithë ambientin tjetër rrethues?

          -Ndoshta po, ndoshta jo. Por tani, për pak kohë, s’dua asnjë lidhje sentimentale, asgjë që të më lidhë me vargonj të padukshëm. Dua vetëm vetmi dhe shoqëri-dhe sërishmi mblodhi buzët në mënyrën e saj karakteristike.

          -Si ta kuptoj këtë?-i thashë vrulltazi, pasi me të vërtetë nuk munda ta kuptoja këtë frazë disi absurde. Braçia përplasi duart te gjunjët dhe u ngrit në këmbë.

          -Në jetë, kur diçka nuk e fal me gjithë zemër, pa tjetër, në një moment do të deziluzionohesh, por nuk kalon në brengë-shokuese. Më mire është të jesh e ekujlibruar, të bësh një jetë pa emocione të mëdha, të japësh pak e të marrësh po aq sa jep, të mos kesh dedikime absolute në emër të një ndjenje apo dëshire të pabazë. Më mire, për mua është që pjesën më të mire të kohës ta kalosh me miq e shokë…

          Në këtë kohë, pranë nesh, kalon një studente simpatike me një tufë librash në duar.

          -Po këto çkalojnë para nesh. Na provokojnë qysh në mëngjes. Nuk guxon njeriu të pijë një kafe, se ja, kalojnë këto gjinkallat lakuriqe dhe në vend që të shijojmë kafenë, na lengëzojnë sytë-foli Braçia.

          -Të isha mashkull femrës nuk do t’i shikoja bukurinë, -foli ajo natyrshëm-  mua më pëlqejnë njerëzit që dijnë të debatojnë, që kërkojnë nga jeta, -dhe u ngrit, duke na kërkuar lejë.

          U largua, ashtu ngadalë, se mos shqetësonte ajrin që e përkëdhelte në fytyrën simpatike, ku i kish mbirë një enigmë e padeshifruar.. Me atë ecje të ngadaltë kushedi sa e torturonte rrugën ku shkelte. Asgjë të saktë nuk la mbrapa dhe asgjë të saktë nuk mori me vete. Dielli që kishte shkundur retë, i jepte një shkëlqim verbues flokëve të saj të verdhë. Nga prapa dukej më simpatike, nuk e di kjo ishte e vërtetë apo thjeshtë, një mendim imi? I vetmi mendim i saktë ishte se ajo ishte një ndërthurrje temperamentesh midis flegmatikut dhe sentimentalizmit. Këta njerëz janë sa të vështirë, po aq edhe befasues. Karaktere të tillë janë të paktë dhe u hapin punë të madhe njerëzve të letrave. Edhe Braçia po e shikonte me të njëjtën habi si dhe unë.

         Aman jaraabi!-shpërtheu edhe një herë Braçia. Edhe ajo e dëgjoi zërin e tij të forte, aty larg ku ishte ktheu edhe një here kokën e tundi dorën në ajër. Pas kësaj dielli u zu sërishmi nga retë. Temperatura e kohës po prishte normalitetin e stinës. Kur dalin nga normalia njerëzit ç’pret për kohën? Edhe ajo ka kapriçiot e veta. Në përgjithësi bjondinkat janë më të papërcaktushme e tinzare. Brunet janë më të vendosura e më reale për çka bëjnë. Këto raporte jo fikse gati i dijnë të gjithë njerëzit. Lakmia, pasion i njerëzve të paqëndrueshëm, si bjondinat provokuese në rërën e plazhit. Por ja që ka edhe bjondinka që dalin nga llogaritë e përcaktimeve fikse. Ndoshta fajin e ka natyra, apo e ka ambienti? Këtë gjë akoma s’e kam kuptuar. Ajo që kam kuptuar është se, ndonjëherë, jo vetëm aparenca, por edhe debati nuk mund të zbulojnë thellësinë e mendimeve njerëzore…

Ndërsa nga miku im mësova se bjondinën misterioze e quanin Klodi…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora