Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nedesam azdër - Sado të them është pak

| E diele, 29.07.2007, 01:43 AM |


Nga Mërgim Korça

Mërgim Korça
Sa kohë që e pata Nënën gjallë, e dëgjoja dëndur t’a përdorte shprehjen turke “nedesam azdër” kur bëhej fjalë për gjëra dhe veprime që me logjikë normale ishin të qarta e nuk donin asnjë shpjegim.   Me që përgjatë analizës sime dua t’a përdor këtë shprehje, për t’a familjarizuar lexuesin me përdorimin e mirëfilltë të saj, do të sjell si shëmbull një paralelizëm.   Enver Hoxha, shtetin që ai themeloi dhe drejtoi për më se katër dhjetvjeçarë, ai e quante me mburrje “Shteti i diktaturës proletare dhe më demokratik i botës”!   Dhe Nëna e ime e ndjerë, nuk i a hynte të krahasonte dy cilësorët diametralisht të kundërt për nga semantika e tyre e që diktatori u vinte ndërmjet shënjën e barazimit, (e pra një barazim paradoksal), por tek e dëgjonte këtë pohim, tundëte kokën dhe thosh me përçmim :
Nedesam azdër!

Hyjmë në temë.  Po bëhen 17 vite deri më sot, që të gjithë formacionet  politike vazhdojn’e përdorin shprehjen “periudha e tranzicionit”.  Pa i a hyrë fare përimtimeve e krahasimeve historike për popuj e vënde të ndryshëm për nga jetëgjatësía e saj,   do të ndalem e të bëj një saktësim.  Përderisá mbas shpalljes së fushatës presidenciale  u paraqitën një varg emrash e mbiemrash e ndërmjet tyre ishin si emri i z. Servet  Pëllumbi e gjithashtu ai i z.Fatos Nano, përkatësisht njeri ish shef katedre marksizëm-leninizmi pranë “Shkollës së Lartë të Partisë Vladimir Iliç Lenin” dhe tjetri n/drejtor i “Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste”, vetkuptohet se akoma tek ne nuk filluar periudha e tranzicionit !   Kurse me zgjedhjen e z.Bamir Topi në postin e Kryetarit të Shtetit, i pari President i Shqipërisë i palidhur me ish PPSh., vërtet që tashti e mbrapa mund të themi plot gojën se po fillon tranzicioni.   Nedesam azdër!

E vazhdoj me dhimbjen që më shkakton pozicionimi i një pjese drejtuesish politikë të vëndit ndaj zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe në vazhdim.     
Nuk kam se si mos t’a filloj me udhëheqësin e Partisë Socialiste, z.Edi Rama.   Ai e fillon me qëndrimin e tij të një pragmatizmi tipik të njeriut pa asnjë parim, (veç atij AMORAL), duke i përjashtuar të gjashtë deputetët socialistë që votuan kundra interesave personale të tija e në vazhdim me këmbënguljen për përjashtimin edhe të z.Fatos Nano. Gjithashtu vazhdon me vizitën formale të urimit Presidentit, edhe kjo skajshmërisht pragmatike nga pikëpamja e interesave të tija personale.   Pse i quaj thellësisht e krejtësisht pragmatike këto dy lëvizje të tijat ?  
Për rastin e parë, a nuk e shikon ai se si, kur senatorë republikanë amerikanë votojnë kundra projektit të Presidentit të Sh.B.A.- ve për thellimin e luftës në Irak apo edhe për ligjin e emigracionit votojnë kundër, as që i shkon ndërmënd njeriu të kërkojë përjashtimin e tyre, (pa le të quhen se po e shpërdorojnë votbesimin e popullit) ! Kurse z.Rama këtë pozicionim të tijin e quan se ... nuk është autoritarizëm por politikë e re !(?)  A ndryshon ky nga qëndrimet e shokut Enver?  Z.Rama e kritikon z.Berisha se ky i fundit e drejton me dorë të hekurt  dhe kontrollon deri në një se ç’bëhet në PD.  Bukur dhe kritikë parimisht e drejtë.   Po pasqyrë nuk ka z.Rama t’a shikojë veten se ç’bën dhe si do t’a drejtojë PS-në?  Nedesam azdër!

Lidhur me rastin e dytë, ai mendon të ushtrojë sadopak trysní indirekte ndaj Kryetarit të Shtetit për  shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm, që do të ishte  edhe fillimi i reformës së thellë në organet e drejtësísë, (e pra  edhe fillimi i fundit të aferave korruptive të tija si kryetar i Bashkisë Tiranës).  Pasoja?  Penalizimi i të gjithë veprimtarísë kaluar të tij në këtë drejtim, me lejet e ndërtimit !   E qartë?  Nedesam azdër!   

Në vazhdim, nuk ka se si të mos lerë shumë për të dëshiruar z. Ilir Meta.   Ai u shpreh se zgjedhja e presidentit ishte kushtetuese por jo konsensuale.   E ç’quan ai konsensuale ?   Zgjedhjen e presidentit pararendës Mojsiu ku u bashkuan kokë më kokë dy ish anëtarë të PPSh-së dhe zgjodhën me konsensus një ish militant tjetër  të po asaj partije ?   Vetë ky konsensus e rrëzon nocionin e tranzicionit!   Nedesam azdër!  

Nuk mundem mos t’a vazhdoj së rishmi me z. Meta, para se t’u jap fund këtyre radhëve.   Sa më revolton qëndrimi i tij tek, për interesa të ulëta politike personale, shfrytëzon “mizerjen” në të cilën është katandisur populli i mjerë pa energji elektrike e pa ujë, dhe e ngré atë masë kundra qeverisë aktuale të z.Berisha. A nuk qé vetë z.Meta kryeministër e pastaj krah i djatht’i kryeministrit në vazhdim ?   Përgjatë kësaj hullíje e ftoj Kryeministrin z.Berisha të veprojë krejtësisht ashtu siç spekullon z. Meta për t’a luftuar qeverinë aktuale, i cili pohon se ... ne (LSI- ja) i kemi forcat tekniko – shkencore t’a zgidhim problemin e mungesës energjisë !   E Kryeministri z.Berisha t’u thotë “bujrum” specialistëve të LSI-së, me kompetenca të plota, e t’a zgjidhin problemin !  
Nedesam azdër !   

Michigan 28 korrik 2007