E shtune, 20.04.2024, 08:05 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ramadan Asllani: Hasan Remniku - Kaçaku i fundit i Kosovës (XI)

E merkure, 22.04.2009, 08:30 PM


HASAN REMNIKU – KAÇAKU I FUNDIT I KOSOVËS (11)

Helmimi apo “vrasja” e pesë ballistëve?

Vizitorët që i shihnin kufomat e pagjakosura “lexonin” tradhtinë, ku Hasani me shokë ishin prerë në besë të të pabesëve, mjerisht shqiptarë.

Nga Ramadan ASLLANI

Ky është vendi nëpër të cilin duhet ta shtysh grupin që të kalojë lumin. Menjëherë përtej lumit, do të jenë të hapura hendeqet. Detyra juaj është kjo: posa grupi ta kalojë lumin, të dalë në terren të pastër, ju do të vraponi me çdo fuqi që keni dhe të kërceni në hendeqe. Në të njëjtën kohë, njëri prej jush do të zbrazi një fishek prej ndonjë arme. Kjo do të jetë shenjë për ne. Të gjitha tjerat janë detyrë jona. Është e rëndësishme që të mbeteni në hendeqe derisa ne të kryejmë punë”.
Këtu nuk është e tepërt të konstatohet se nuk mund të ta përthekojë mendja atë që UDB-ja të mos i dërgonte paraprakisht, të tre prijësit, për ta njohur terrenin dhe për t’i parë hendeqet. Këtu nuk  mund të lejohej gabimi, sepse ishte fjala për një Hasan Remnik, për të cilin ishte ngritur në këmbë e tërë një ushtri e specializuar. Për 7 vjet, për të parën herë pushtuesi kishte marrë guximin vërtet t’ia zinte pritën me njësitë më efikase të UDB-së!? Por, tashti i vinte pritë Hasanit të vdekur!.

Inskenimi i “vrasjes” 

Sipas J. Bullajiqit, pasi sahanlëpirësit, rrogëtarë të pushtuesit, vrapuan dhe u hodhën në hendeqe, në atë moment janë ndezur dritat e kamionëve, duke e ndriçuan terrenin, ku ishte grupi. Prej të gjitha anëve kërcitën mitralozat. Mbas pak kohësh, çdo gjë është qetësuar. Në hapësirën e ndriçuar gjendej i shtrirë Hasan Remniku, i rrethuar prej bashkëpunëtorëve të vet të vdekur.
Megjithatë, trupat e pajetë të tyre nuk janë me shenja plumbash në trup, sikur mendohet për gjithë atë arsenal armësh të asaj ushtrie. Të zbrazësh shumë municion mbi pesë vetë dhe të mos ketë as gjurmë gjaku, vërtetë është për të dyshuar se ata janë vrarë aty. Si duket, ata paraprakisht janë helmuar, më pas janë shenjuar me disa plumba dhe gjurmë mjetesh të forta si sëpatë etj. në mënyrë që kur të ekspozohen të shihen disa gjurmë se janë mbytur nga prita e pjesëtarëve të sigurimit dhe të ushtrisë.
Së këndejmi, “Prita në Bistricë”, në natën e 9-10 tetorit 1951, ishte vetëm një manovrim ushtarak për të manifestuar “aftësinë” e UDB-së para popullit, kinse për të treguar aftësitë e tyre për luftimin e grupeve të ndryshme dhe njëkohësisht për të frikësuar popullin që të heqin dorë nga veprimet e tilla, sepse sigurimi jugosllav është shumë efikas dhe i vendosur për të likuiduar çdo kundërshtar dhe rezistencë shqiptare ndaj Jugosllavisë.

Shkrim me pompozitet negativ për masakrën

Kjo “vrasje” u bë “top lajm” për gazeta, e posaçërisht për gazetën e vetme shqipe të asaj kohe“ ”Rilindja”, që lexohej nga pjesë dërrmuese e shqiptarëve për të kuptuar operacionin e shërbimit të sigurimit shtetëror jugosllav. Gazeta, “Rilindja”, sipas urdhëresës së UDB-së, më 14 tetor 1951, informonte lexuesit dhe qytetarët e mbarë në ish-Jugosllavi me titullin “U vranë pesë banditë informbyroistë”, të cilët mbas shumë krimeve ishin nisur të shkonin te Enver Hoxha për të marrë shpërblim për krimet e bëra. Ja çfarë shkrimi me pompozitet, kinse këta janë nisur për të marrë grada apo dekorata për vrasje, e jo që luftonin për çlirimin e popullit shqiptar në viset e ish-Jugosllavisë nga okupatori sero-jugosllav.
Më 10 tetor 1951, e mërkurë, në Prizren ishte ditë tregu.
Pjesëtarët e shërbimit të UDB-së, herët në mëngjes i kishin ekspozuar kufomat e tyre dhe kishin dalë nëpër fshatrat e rrethinës së Prizrenit për ta ftuar popullin të vinte në Prizren për t’i parë kufomat e pesë ballistëve shqiptarë: Hasan Remnikut - Aliut, Agush Mehmetit, Mustafë Kokës, Qibrije B. Mehmetit dhe Rabije A. Kokës. Ekspozita e trupave të tyre ishte vendosur në qendrën e pazarit - Bazhdarhane. Kufomat ishin renditur në dyshemenë e kamionit ushtarak të tipit gjerman “Doç”. Përreth kufomave, roja e sigurimit jugosllav me uniformë dhe pa të. Kufomat ishin me uniforma ushtarake e policore, por të pastra dhe të papërgjakura, çka do të thotë se nuk janë vrarë drejtpërdrejt. Disa shqiptarë që e njihnin llojin e kufomave se ishin apo nuk ishin të vrarë kthenin kokën herë në një anë e herë në tjetrën dhe thoshin me zemërim mallkimin: -Zoti e marroftë besëpremin! -Pjella e tij mos u shtoftë, duke nënkuptuar se ata paraprakisht ishin të helmuar, pastaj të mbytur me mjete të ndryshme.

Morti që nuk mbylli kapakun e flijimtarëve

Pjesëtarët e ndryshëm të UDB-së u shpërndanë nëpër katundet e Anamoravës, përkatësisht në komunën e Vitisë prej nga ishte Hasan Remniku, si dhe në atë të Gjilanit prej nga ishin Agush Mehmeti dhe Mustafë Koka. I patën ftuar katundarët (ata që nuk kanë ditur shkrim-lexim) nëpër shkolla e xhamia për t’i njoftuar për vrasjen e pesë ballistëve të rrezikshëm, kufomat e të cilëve do të silleshin për t’u ekspozuar të enjten, më 11 tetor 1951, në pazarin e Vitisë, kurse të premten, të shtunën dhe te dielën, më 12 -14 tetor 1951, do të ekspozohen në Pazarishten e Gjilanit.
Ky lajm nuk ishte i mirëseardhur për atdhetarët shqiptarë të Kosovës, sepse ishte një  mort që mbyllte kapakun e flijimtarëve të fundit të Lëvizjes për çlirimin e popullit shqiptar dhe të territorit.

Ekspozimi i trupave të vrarë

Të enjten në pazarin e Vitisë UDB-ja ekspozita e trupave të pajetë është bërë po ashtu me kamionin ”Doç”. Shumica e banorëve të kësaj ane e kanë njohur Hasan Remnikun, sepse ishte i kësaj ane, por edhe kishte bujtur në shumë konaqe, e besa edhe ishte ushqyer e siguruar, jo vetëm nga njerëzit e fisit dhe gjakut, por edhe nga miqtë e katundeve të tjera përreth Remnikut e më gjerë. Po ashtu, vitiasit dhe qytetarët e tjera nga terreni e njihnin edhe pedagogun, mësuesin Mustafë Koka, kishin dëgjuar edhe për trimërinë e Agush Mehmetit e kështu me radhë, duke qenë figura të njohura edhe për së gjalli. Vizitorët që i shihnin kufomat e pagjakosura “lexonin” tradhtinë, ku Hasani me shokë ishte prerë në besë të të pabesëve, mjerisht shqiptarë. Por masa e tubuar përreth trupave të pashpirt thoshin: “Nuk ka vrasje pa gjak, këto xhenaze nuk kanë gjak – janë të pastra…!
Dikush nga shokët e Hasanit, që kishte ndenjur kohë të gjatë me të dhe kishte dëgjuar mesele prej tij, mbante mend kur Hasani thoshte me metaforë: ”Lisin e çan vetëm pyka prej degës tij!”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora