E enjte, 25.04.2024, 04:49 PM (GMT+1)

Mendime

Nexhmija: - Kemi bërë edhe disa gabime!

E enjte, 23.04.2009, 06:23 PM


Nga Kostaq Xoxa
 
“Mos bini më ushqime. Burri të është ekzekutuar”! – Të rrojë Partia!

Ishim disa miq për të festuar një datëlindje. Ishin ngritur gotat për përshëndetjen e të zotit të shtëpisë për t’i uruar edhe 100 vjet- siç është njëri ndër urimet tona. Ishim pra, në një atmosferë festive dhe zërat gazmorë ndiheshin në këtë mjedis familjar dhe shoqëror. Ndërkaq ishte hapur edhe TV Klani, më zë të ulët. Jepej tragjedia e Irinës dhe e të dy vajzave të saj binjake, Verës dhe Elenës. Të tria kokulura, me shamitë e bardha në duar;  kokulura dhe herë-herë fshinin lotët.

Xhavit Sollaku ishte “fajtor” se nuk e kishte ndarë gruan e tij ruse, Irinën, me urdhër partie.

Gruaja e tij, Irina, fliste para ekranit për kontrollet gjer në marrjen e fotove familjare, për dëbimet, për internimet, për punën sfilitëse në fshatrat e Myzeqesë. Fliste e qante. Vajzat binjake, në të dy anët e mamasë, tashmë të rritura, plotësonin të ëmën dhe flisnin për veçimin e plotë, por edhe për provokimet.

Njëra prej vajzave tregoi se nuk mund të dilnin dot as nga nga fshati, pa leje të veçantë. Kishin mbetur pa vajguri. Duhej të shkonte në fshatin pranë, në Topojë, për të blerë vajgurin. Kryetari i Këshillit i kishte dhënë leje me gojë, por vajza iu lut t’ia jepte me shkrim. Kryetari i kishte thënë se do të pohonte që ia kishte dhënë lejen. Një nga operativët që gëlonin përreth e kishte zënë pa leje dhe e kishte kërcënuar se do të kalonte në gjyq për këtë shkelje. “Shyqyr, . tha vajza, - që kryetari e kishte mbajtur fjalën; përndryshe do të dënohesha me burgim” (Tjetra ndërhyri dhe tha se kishte pasur raste kur një titullar tjetër kishte dhënë leje me gojë dhe, pastaj, e kishte mohuar!). Një ankth më tepër.

Të tria punonin jo së bashku. Ishin në tri objekte të ndryshme. I kishin vënë në punët më të vështira: ngarkim – shkarkim thasësh me pleh kimik, me peshë 45 kg secili. – Njëherë, - pohon njëra prej vajzave, - iu luta atij të qerres që thasët të mos i shkarkoja të gjithë në një vend, por grupe - grupe, që ta bëja më lehtësisht, pastaj, shpërndarjen e plehut në arë.

-Më lodhen qetë (!) - tha ai që  ngiste qerren.

E kuptova, ç’donte të thoshte: “Qetë ishim né!”.

Njëri ndër të pranishmit në këtë mbrëmje, u ngrit në këmbë i nevrikosur, e zbrazi të gjithë gotën njëherësh në gurmaz dhe foli si i ndërkryer: Nuk foli, por bërtiti!

-Mos të na flasë më për burgun e saj ajo“Femme du diable”, që bën sikur nuk i di krimet e përbindshme, që ka nxitur vetë, në krye të atij institucioni të zi të luftës së klasave dhe na flet për “gabime”! A e ka lexuar librin e Balliut, “Zonja e Zezë”?

Gruaja e vet e qetësoi me të mirë, sepse mamaja po fliste, tani, duke mos e ndarë shaminë nga sytë, për një gjë më të rëndë.

-Nuk do ta harroj kurrë, kur i çova ato ushqime që mund të sajonim, me kursime të mëdha, për herë të fundit: - “Mos bjer më ushqime, se burri yt u dënua me vdekje dhe u ekzekutua...” – më tha gardiani. - “Merri mbrapsht këto që ke prurë”! Shtanga. - Të rrojë Partia, i thashë, duke u larguar me rrëmbim, bashkë me vajzat, që të qanim në ecje, pa na parë gardiani... S’dinim gjë as për gjyqin, as për dënimin - dhe u shkreh në vaj...

Binjaket e rritura, tashmë, po qanin edhe ato.

-Unë jam e sigurt se im shoq nuk ka bërë asnjë gjë të keqe kundër partisë, - tha përmes lotëve ajo grua e plakur para kohe, por me tipare të një zonje dinjitoze. Kishte shpëtuar një fotografi e një kohe të hershme: Vërtet e bukur paskësh qenë në kohën e vajzërisë së saj,- vërejti njëra nga gratë e mbrëmjes sonë që po dëneste, në këtë festë familjare që u shndërrua në mallëngjim e në trishtim. Edhe gratë e tjera ishin të ngashëryera. Madje disa nga burrat vajtën në çezmë, “për të hequr zjarrllëkun”, - siç thanë. Në të vërtetë, po shpëlanin sytë...

*  *  *

U komentua, më pas ikja e Irinës, pas rënies së diktaturës,  në Shën Petërburg, bashkë me vajzat, dhe kthimi prapë në këtë vend ku kishin hequr lemerinë. “Kishim këtu shumë njerëz që na donin dhe na ndihmonin fshehurazi, - tha Irina. Ata dhe ato na donin sinqerisht. Në Petërburg nuk na kishin mbetur më, nga njerëzit tanë. U kthyem se këtu na tërhiqte kujtimi i burrit dhe vajzat kishin kujtimin e babës së tyre. U interesuam të gjenim ndonjë vendim gjyqi. Dosja e tim shoqi ishte thuajse bosh. Nuk kishte as vendimin e gjyqit. Nuk i dimë as eshtrat, që t’i bënim një varr e ta kujtonim me lule”.

Dashuria për vendin tonë ishte ndjenjë fisnikërie për këto të vuajtura. Dhe përbën një kontrast të thekshëm me atë gruan tjetër e cila, sipas mendimit psikologjik të I. Kadaresë, ishte e tillë që, “në hierarkinë e zezë të bashkëshorteve të diktatorëve (Ledi Makbethit, Elena Çausheskut. Çian Çinit të Maos...), ajo, Nexhmija, zë vendin më të errët”.

Darka e urimit u shndërrua në një  forum politik. Të të djathtëve, natyrisht. Ajo që zgjoi debatin më të madh ishte përgjigjja, të rrojë Partia! -  sapo ai shpirtkazma u dha mandatën, me njëfarë kënaqësie vetjake, këtyre tri femrave, se u kishte vdekur i dashuri i tyre.

Njëri prej burrave këtë e shpjegoi me shpëlarjen e trurit që ajo propagandë  (të rinjtë e të rejat e sotme nuk e kanë haberin se ç’ishin ato “të premtet edukative”!), ajo propagandë, - tha ai – që binte si çekan i përditshëm mbi trurin njerëzor.

Tjetri na foli për mazokizmin, për kuptimin e tij dhe domethënien që të ndjehesh i lumtur në mjerim.

Një i tretë i dha një kuptim më praktik, kësaj thënieje: Në atë kohë të mallkuar, në mjaft dreka të përzishme, gota e parë nuk ngrihej për kujtimin e të vdekurit, por:- të na rrojë Partia! Në një rast si ky i femrave fatkëqija, duhet të kemi parasysh  se vuajtja s’ka fund. Ka edhe më keq. Është një mënyrë vetëmbrojtjeje e të shprehurit. Ajo mund të nënkuptohet edhe si ironike: Të rrojë Partia, pa vdekja e dhunshme e një njeriu të pafajshëm, s’ka rëndësi! Por ai ishte një regjim i rrethit të fundit të Ferrit, regjim i cili nuk velej kurrë nga osanatë rroftë, rroftë, rroftë; dhe as nga lavdet e fitoreve me 99, 999 %, “fitore” të cilat i bënin njerëzit të talleshin vesh më vesh!

Unë isha me këtë mendim të fundit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora