Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Martin Lleshi?

| E marte, 21.04.2009, 06:14 PM |


Martin Lleshi?
Martin Lleshi?
Martin LLESHI?


NENES TEREZE


U ngrite në krahët e dritës nëpër pale qiejsh

Zbrite në trajtë të mjellmës nga yjësit e mija

Krejt përtritur rrënjë-n’rrënjë në parakohë

Si nëpër shekuj që erdhi shën Mërija

N’Dardani janë ngjizur gjenet e mija

Agnesa e bimur nga rrënjë e t’vetmës arë

Le të pyetet Vardari kush ia puthi brigjet

Të flet kala e Shkupit për syrin e djatht

Alpet e Sharrit për mua i krijoj Zot-ynë

Ti mjellma e Ohrit tim

Enkeleda e enkelejve të lashtë

Syri djathtë i diellit n’zenit

Nëpër glob shekulli pagëzoi vetëm një emër

Gonxhja e kopshtit të Dardanisë

Pëllumbesha e bamirësive hyjnore

Mbretëresha e krejt ngritjeve të mija

Amësia e të gjitha nënave

Çudibërsja e botës shpërfillur

Shenjtëresha e Kalkutës largët

E vogla e froneve të njerzimit

Nobelistja e çuditbërjeve të pa para

Edhe Roma e lashtësive

Para teje ra përkulur

 

Ike për t’i prekur lartësitë

Me zemrën e pëlcitur që kallej  nga zjarri

Për Atëdhen që digjej nga flaka

Për mallin e pragut t’thyer

Nganjëherë në muzgjet e vonueme

Hëna shndëritë me fytyrën tënde të prarueme

Nënë madhja nënë globi nënë Tereza

E shenjëta e përjetshmja Agnesa

Urata dhe vertikalja e popullit tim

Edhe po s’kërkuan të falur

Fali përdaljet e përbuzjeve të mija

Heraldika e krejtësisë nënave në amësi

Mirësia dashuria urata shenjtëria

Amanetin t’a kreu Amerika…!


VORBULL
 

Me sa  kapet në grusht era

Një plasaritje qielli dukej n’horizont

Krejt papritur shtrihet diku poshtë

Si mbulesë mjegulle në luginë

Si vezullimë e vesës hershme

Rrënzë brinjëve të malit

Si rrotullim gjethëvyshkure

Nga shkëputje dege

Si përpëlitje zhurmshushuritëse

Në lëkundje krahësh

Krejt bijnë e ngriten në riciklin e amësisë

 

Ajo erë e ngritur nga oqeanet

Ajo grushtëthata e mjerimnamura dije

Ajo shkëputje e shtatë palë bjeshkëve

Ajo oshëtinë e shekujve t’përhumbur

Me sa hapa zë kohen në ikje

Krejt ngritjerënjet e mija lidhur rreth qafe

 
Hënë oj hënë

Diellin a mund ta zësh ndonjëherë ...!

Gjakovë, 07.07.2008.


RIKRIJIMI NE KETHIM
 

Tretem në përmbytjet e turbullirave nëpër kohë

Si halë e mbërthyer në syrin e tretë

Vijnë e shkojnë daljet nëpër plasaritje

Afër e larg përtej kufijve të matjes

Mëkatet dredhin përhumbjet e mbetjes sime

Kur lyp zbardhje në dritërimin e kohës

Mbështjellën nëpër sirtarë arahnoideje

Lidhen në lëmshin e nyjeve

Kohë e ndalur mbetej parakoha në meskohë

Skeni për tu tundur nga lashtësitë e largëta

Ajo bimë e bimur në kopshtin e të vetmës arë

Ajo galaktikë e përhumbur në misteret e ndërdijes

Ajo krejt ajo...!

Lidhë urat e përvujtërisë

Mbanë peshën e trandjeve në ngritje

Lëkund mbamëndjen e harrimeve të vona

Me qenë e me ditë me pasë thot Xhojsi

Ja ku jam sot

Në shterrinat e përhumbjeve të mija

Por ajo është prap krejt...!

Vetëm Ajo.

07.09.2007.

 

PERHITJE
 

Lutem për vargun tim të ndrydhur në dalje

Për fjalen e rënduar në peshën e matjes

Si t’i lidhë duart për butësinë e shpirtit të shtalbur

Për uratën e pathënë në fluturimin e parë të pëllumbit

Kur të lindin lirshëm fjalët prej guri

Hiri mos t’a mbuloj harresën e kumtit

 

Edhe sot koha krisë prej britme

Kur shikon matanë shtegu

Në bregun e lumit të vërshuar

Piçet burrërija prej shtalbi

Mos të nëpërkëmbshin të pathënat e namura

Kohë e krisur

Sa mbahet peshë e fjalës prej mëllefi

Në meskohë po u ngrite lartësive

Dy udhë t’i presin matësit e kohës

Djajt dhe engjujt n’pararojë

Deri n’udhkryqin e parë

 

Tek lidhen udhët nyje

Mos humbë drejtimin

E djathta të shpie drejt bregut të shpresës mirë

Lutem kënga ime

Britmë e dalë nga flaka

Mbahu vargu im.

29.02.2004.


72


Përndrydhur në varguj ëndrrash

Mprehin ç’mendurinë

Kokëkrisjet mbyllin horizontet në dritëhije

Me doren time lidhë trupin majtas

Amputoi mushkrinë e djathtë

Me skalpërin e shekullit

Rilindja zgjoi ëndrrën e mistershme

Hijedritë agu vie lodhshëm

Pas diellit të ngrirë në veriun e jugut

E unë me gjysëmfrymë për ëndrrën e djathtë

I rrëfehem rrënjëve për mëkatin tim virgjër

Dhe zgjohem te kroi Martinit

Ëndrra pshërretinë tatpjetë lugines.

 

TE GJITHA I FALEN NJE EMRI
 

Dikur ëndërronim për lirinë e ngrysur nga dimrat e mëdhenj

Ëndërronim për bukën e misrit t’bardhë

Për veshjet e reja t’arrnuara në driten e pishës

Mbathjet e qëndisura nga thumbat gjemborë

Endërronim për abetaret e grisura

Për një diell që shndëriste matanë

Për një pëlhurë të kuqe maje shtize

Për një zog të kohës ngrirë

Që fshehurazi valvitej në Shkabën tonë

Ëndërronim edhe për vargjet e Fishtës që i mallkuan motet

Për Xhojsin ,Niçën ,Kafkën...mbanim uri

Bukë e mykur misri më ëmbël se mjalta

Ëndërronim për shtegun e çeliktë në murin e zemrës

Ofshanim për njerzit që binin nga krismat e rrufeve në kërkim të diellit

Ofshanim për krahët e cunguar nga shpatë e Bizmarkut

 

Heu...

Gjergji ynë sikur të zgjohej përseri

Mollën e Kuqe do ta kem në dorë

Sa pëmallur jam më dëgjo Janinë

Sikur t’isha zgjuar në këtë ëndërr

Ofshama ime e përhumbur

 

Ëndërronim edhe për fëmijët tanë

Si do të dukën në rritë

Për nismën e ngritjes në këmbë

Për fjalën e parë të shkronjës A- ATEDHE

Për më të madhin emër

Për fjalën nënë

Kur miklon gjirin bir i saj

Kur hapëron këmbën e djathtë

Për qeshjen dhe vajin

Për dashurinë e lodrave të thyera

Për trastën e bariut këngën e fyellit

Për librin kur moteve me mjegull u bënte dritë

Kur binte shi me diell

Kur rrita matë shtatin njomak

Kur burrnija pjekët në shtalb

Ku peshë e kohës ashtit i ndrydhë palcën

Ku të mirat dhe të ligat i ndajnë kahjet

 

Urata merr udhën e mirë në lutje

 

E ne prap ëndërronim krejt bardhësitë

E liria ishte e përhitur në dukje

Ajo skuqej dhe nxihej në përpjekje të ardhjes

Sa shtigje theheshin e lisa binin

Nga krismat e rrrufeve moteve të liga

Vargane lumenjësh të kuq thenin shtratin

Të gjitha i falën një emri.

 

HENA NE ARKIVOL

 

Përtej shtatë bjeshkëve

Drita në agim verbohet

Hëna del pa syrin e djatht

Yjet vdesin gjithmonë pa zë

 

Plaku në tri këmbë

Kërkon eliksirën e jetës

Keq me të afërmit

E mjegull me të largëtit

Katrahurë

Që nuk vdes kurrë

 

Dikur mbi një udhë të gjatë

Nata zuri në thua në zogj gjymtyrëngrirë

Tej Kalasë së Rozafës hapin s’e bëri

E varrosën me hënën në një arkivol.

RIGVEDA

Përtej jete po të këthehem

E para isha unë

Pluhuri i harresës

Mbi kupën time mallë i tharë

 

Qiejt ngrysën errën

Rilindje-apokalipsë

Ai zog i zi mbi shkëmb rritë folenë

Rritu shpendi im

 

Më thërrisni po të doni

Në këthimin tim prush i gjallë

Kryeveda jam unë gegnishtja

Fishta hudhë mallkimin

Endrra foli...!