Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndriçim Kulla: Pse duhet të rikthehemi tek etërit tanë

| E hene, 20.04.2009, 06:43 PM |


Pse duhet të rikthehemi tek etërit tanë

Nga Ndriçim Kulla

Që në fjalët e para të fjalimit të tij inaugurues, Barak Obama citon faktin e të qenit i përgjegjshëm për sakrificat e bëra nga paraardhësit e vet. Kurse në mbyllje të tij, ai u rikthehet etërve themelues të vendit, duke evokuar fjalët dhe gjendjen e tyre shpirtërore me një përshkrim sa drithërues aq dhe shpresëdhënës. E gjithë kjo s’ishte gjë tjetër veçse një përfundim logjik ...i dëshirës dhe frymëzimit të tij të prirur ndaj ri-evokimit të tyre dhe mësimeve që ata i lanë kombit, të shprehur që në momentin kur nisi udhëtimin me tren nga Filadelfia për në Uashington, ashtu si një paraardhësi i vet i shquar; e të pasqyruar në zgjedhjen si moto të tij të fjalëve të Linkolnit në ligjërimin historik të 1863-it në Getisburg, me temë “rilindjen e lirisë”. Duket mëse e qartë një nevojë urgjente, që në momente të tilla të vështira të krizës, kërkon të gjejë mbështetje në rikthimin tek mësimet e etërve themelues, një nevojë kjo që nëse do të vendosej në prizmin e realitetit tonë, do të dukej si krejt e huaj, ndoshta romantike, ndoshta patetike e në sytë e cinikëve e skeptikëve, ndoshta dhe një nacionalizëm shterp. Nuk janë të rastit këto etiketime, pasi vlerësime të tilla janë bërë nga segmente të caktuara analistësh edhe në momentet e para kur publikut shqiptar iu ofrua trashëgimia e vyer e mendimit tonë të traditës e kur herë pas here i kujtohet me forcë aktualiteti dhe rëndësia e mësimeve që ata kanë dhënë.
Ndoshta rasti i Obamës duhet të na bëjë të reflektojmë më shumë në këtë drejtim e të këqyrim të gjithë më thellë brenda vetes. Aq më tepër që rikthimi tek rrënjët është gjithnjë i shëndetshëm në përndezjen e ideve të reja, që ndoshta të tilla nuk janë, por shfaqen si të tilla të hedhura e të theksuara në rrethana e situata të caktuara. Një ide e këtij lloji ishte dhe theksimi i përgjegjshmërisë dhe ngritjes së këtij nocioni në bazën e fillimit të një ere të re në lidhje me respektimin e trashëgimisë sonë mendore. 
Përballë shqetësimit dhe rreziqeve të krizës që po i vërsulën librit shqiptar nga mosvëmendja konstante e politikës dhe institucioneve për të, duket se me mjaft vështirësi është fituar ndjeshmëria e Kryeministrit Berisha, por në disa segmente edhe e opozitës për ndryshimin rrënjësor të qëndrimit institucional ndaj trashëgimisë sonë mendore.
Kjo duhej të kishte nënkuptuar një mundësi të shkëlqyer për Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës për të ndërtuar vërtet një platformë konkretizuese të kësaj direktive dhe për të hedhur pas njëherë e mirë eksperiencat e vjetra e të hidhura në lidhje me respektimin e trashëgimisë sonë mendore.
Dhe si parësore në këtë platforme ministeriore nuk mund të mos jetë ndryshimi rrënjësor i raportit që ka arsimi më mendimin shqiptar (të rilindësve e të brezit të mendimtarëve rreth tyre).
Ne kemi trashëgiminë tonë mendore për të cilën duhej të kishte pasur vëmendje, të ishte programuar me urgjencë për t’u botuar e për t’u njohur në mënyrë të organizuar në procesin e mësimdhënies ashtu siç janë të programuara edhe letërsia e historia jonë. Ky është një projekt i madh që duhet bërë. Ky është një problem që ne e kemi, i cili edhe pse nuk provokon krizë e mban krizën tonë kulturore, arsimore dhe shpirtërore brenda paditurisë tonë kombëtare. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm duhet të vihen në lidhje dhe ta njohin këtë literaturë, ashtu siç njohin edhe literaturën e letërsisë, e cila në dallim të dukshëm nga kjo literaturë, është e programuar në mësimdhënie duke i ponderuar orë të shumta. 
E kaluara, ka parë mjaft premtime dhe ndonjë përpjekje për implementime të pjesshme të kësaj direktive, por kurrë diçka konkrete dhe që të krijonte një hop cilësor dhe sasior të këtij raporti. E arsyet e këtij dështimi kanë qenë të shumta. 
Në radhë të parë nënvleftësimi dhe mungesa e qartësisë dhe kthjelltësisë vizionare të klasës drejtuese, për mos-vendosjen e saj si prioritet. Në radhë të dytë ndërhyrjet, pengesat e disa segmenteve të caktuara të kulturës dhe arsimit, për të mos thënë lobeve të veçanta që luftojnë kundra përhapjes, vlerësimit dhe thithjes së këtij mendimi nga ana e indeve të shoqërisë dhe parësisht së shkollës sonë. Në radhë të tretë, nga paaftësia e institucioneve tona apatike për mosndalimin e kësaj tendence dhe mos gjetjes së instrumenteve të volitshëm për vlerësimin e saj duke i lënë ende në dënim dhe në haresë të ftohtë zhgënjyese Branko Merxhanin, Mid’hat Frashërin, Zef Valentinin, Mehdi Frashërin, Vangjel Kocën, Tajar Zavalanin, Eqerem bej Vloren,Anton Harapin, Gjergj Fishtën, etj., etj., me radhë.
Mirëpo e keqja është se pasojat e këtij qëndrimi po vazhdojnë të jenë shumëplanëshe. Në aspektin e literaturës, ato po vazhdojnë t’i heqin mundësinë nxënësve dhe studentëve tanë, që të gjitha ato dije që po na vërshojnë nga kultura perëndimore të mos arrijnë të shartohen me kulturën tonë kombëtare. E ky është një aspekt i rëndësishëm dhe i mëshuar fort edhe në Kartën e aq folur të Kolonjës për arsimin, të cilën disa mësimdhënës po e teprojnë duke kërkuar të përfitojnë vetëm prej formës dhe stolisë së saj dhe jo shumë prej kërkesave thelbësore që ajo përfaqëson.
Për të ngritur një digë e një barriere të fortë ndaj kësaj rezistence të deritanishme, po kaq e vendosur duhet të jetë edhe përgjigjja dhe aksioni i Ministrisë dhe e të gjitha hallkave të saj. Në ndërmarrjen e një iniciative institucionale për projektimin dhe futjen e këtij mendimi si një literaturë e detyruar( fillimisht rekomanduese) në procesin e mësimdhënies në të gjitha nivelet e shkollave tona, në mënyrë që mësuesit dhe nxënësit e shkollave të arrijnë, që brenda procesit mësimor të zgjerojnë njohjet dhe dijet e tyre mbi veprat dhe kontributin e intelektualëve shqiptarë të viteve 1850-1945.
Tashmë është botuar një kolane e tërë librash të këtyre autorëve, një antologji e pasur që pritet të zgjerohet edhe me vëllime të tjera të llojit akademik, libra ndihmës për shkollat e mesme, e kështu me radhë, një laborator i tërë formues po përgatitet, çka përbën një bazë të mirë pedagogjike nga ku mund të nisë reforma.  
Do të ishte mjaft i dobishëm e madje lehtësisht i mundshëm përdorimi i kësaj literaturë, si literaturë e programuar, qoftë nga studentët nëpër seminaret e lëndëve përkatëse, ashtu dhe nga nxënësit e shkollave të mesme (në lëndën e letërsisë shqiptare dhe të huaj, apo në lëndët “Njohuri për shoqërinë”, Histori, Filozofi e Psikologji). Ka dy mënyra për ta arritur një gjë të tillë: nëpërmjet ndryshimit të kurrikulave, çka do të kërkonte një përpjekje të thelluar e te shtrirë, qe do te fillonte me futjen e detyruar si lëndë e veçantë, e rrjedhimisht edhe si pjesë e reformës së liberalizimit të teksteve shkollore. Ose nëpërmjet ndërfutjes së mendimit shqiptar si aneks i një literature të programuar brenda programit të detyruar të lëndëve përkatëse (të përmendura në mënyrë të detajuar më lart), duke vendosur një numër të caktuar orësh për të. 
Ndaj unë mendoj se përballë idesë së ndryshimit të kurrikulave, çka do të kërkonte vërtet një punë të madhe reformuese dhe që përfshihet në projekt, këtij propozimi do t’i nevojitej edhe një fazë parapërgatitore e diktuar nga problematikat që ka shfaqur implementimi i saj i derisotshëm.
Ministria e Arsimit ka pasur edhe këto dy vitet e fundit nisma për shpënien e librit me një literaturë të tillë nëpër biblioteka, por cilësinë e nismës e ka penguar një qendërzim më i fortë i procesit. Nuk është e mundur që një përzgjedhje e tillë kaq madhore e librave t’u lihet në dorë mësuesve, shpeshherë mediokër, pa një instruktim, koordinim dhe këshillim të vazhdueshëm nga ana e Ministrisë. Duhet të futet patjetër nëpër të gjitha bibliotekat tona (në të gjitha nivelet e arsimit), librat e kësaj literature për t’i hapur pastaj mundësinë studimit, njohjes dhe përshtatjes së tyre në mësim nga ana e mësuesve dh pedagogëve. Kjo do të sheshoje amullinë, indiferentizmin  dhe padijen për sektorë të caktuar të kësaj literature. Më tej, implementimit urgjent të një programi tashmë të nisur për këtë qëllim, duhet t’i përbrivihet edhe një fushatë e tërë sensibilizuese, çka përfshin mbledhje sqaruese dhe informuese, seminare shëtitës nëpër drejtoritë Arsimore, nëpër të gjitha degët e universiteteve tona në të gjithë vendin, në mënyrë që drejtuesit, mësuesit dhe pedagoget tanë të njohin këtë univers të çmuar dijesh dhe kulture, ta kuptojnë aktualitetin e tij dhe mënyrat krijuese se si ai mund të ndërfutet në sistemin tonë arsimor. E gjitha kjo kërkon jo vetëm një program të qartë e perspektiv nga ana e Ministrisë, po edhe një mbështetje të shoqërisë civile, e pse jo edhe të biznesit shqiptar. Ashtu siç ndihmoi në projektin “Internet në çdo shkollë”, po ashtu të ndihmojë edhe në ndërfutjen e një literature që i jep shkollës sonë një raport sa më drejtë me historinë dhe rrënjët tona.

Panorama