Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sokol Demaku: Bisedë me David Hellsten, misionar suedez në Durrës të Shqipërisë

| E hene, 20.04.2009, 07:38 PM |


Instituti biblik Shqiptar në Durrës
Instituti biblik Shqiptar në Durrës
BISEDË ME DAVID HELLSTEN
MINSIONAR SUEDEZ NË DURRËS TE SHQIPËRISË

Mos iu dorëzoni korrupsionit dhe lakmisë për para dhe pasuri: Shqipëria është më e pasur se ç'ka qenë.

Liria është gjë e mirë, por kush bie në grackën e lakmisë - e cila mbizotëron në botëkuptimin perëndimor - prapë nuk është i lirë.

Nga Sokol DEMAKU

Ju lutem një prezentim të shkurtër për lexuesit tanë?

Quhem David Hellsten, kam lindur në Lund të Suedisë, por jam rritur kryesisht në Kramfors dhe Uppsala, kështu që nuk është shumë e lehtë të caktosh se nga jam! (Kam studiuar në Stockholm para se të shkoja në Shqipëri, por nuk jam stokholmas.) Gruan (Annette) e kam nga Anglia, u njohëm në Shqipëri dhe kemi 13 vjet që jemi martuar. Kemi dy fëmijë, Lara (9½) dhe Simeon (7). Kam bërë degën humanistike në gjmnaz, dhe pastaj kam mbaruar për pastor (teologji) në Betelseminariet, Bromma (që më vonë është bërë Teologiska Högskolan Stockholm). Aktualisht po mbaroj punën time si mësues teologjie në Durrës, Shqipëri.

Profesioni i juaj?

Tani për tani jam mësues teologjie në Durrës, por trajnimi im është për pastor, dmth. drejtues kishe.

Cka ju shtyri ju të shkoni në Shqiperi?

Që kur isha i ri kisha shumë dëshirë t'i shërbeja Zotit duke qenë misionar (predikues jashtë atdheut). Gjatë kohës që isha student mora pjesë në disa fushata verore në vende të ndryshme, dhe më 1992 kam kaluar 10 ditë në Berat. Shqipëria më mahniti, dhe kur mbarova shkollën teologjike më 1993, thirrja e Perëndisë për të shkuar në Shqipëri ishte mjaft e qartë.

Qe sa kohë jeni në Shqiperi - Durrës?

 Kam 9 vjet që banoj në Durrës (me gjithë familjen time, kuptohet), por më përpara (1994-1998) kam banuar edhe në Lushnjë të Myzeqesë.

Cka punoni ju në Durrës dhe si e ndeini veten atje?

 Jam mësues në një shkollë teologjike që përgatit drejtues (pastorë) për bashkësitë ungjillore në Shqipëri. Shumicës së kohës ndihem shumë mirë atje, jam i kënaqur me shërbesën time dhe kemi një jetë mjaft të mirë (vetëm se na ikin dritat herë-herë...).

Ju jeni vendosur se pari në Myzeqe, cka keni punuar atje?

Po, isha në Lushnjë, ku kam punuar me një grup misionarësh të rinj për themelimin e një bashkësie ungjillore atje. Kemi bërë shërbesa kishtare si dhe studime biblike nëpër shtëpi, takime publike etj.

Ju jeni i krishter, cfarë është misioni i juaj në Durrës?

 Në Durrës kam dhënë mësim në një shkollë teologjike (Instituti Biblik Shqiptar, IBSh) për përgatitjen e drejtuesve të kishave ungjillore. Gjatë viteve të fundit kam shkruar gjithashtu tre libra në gjuhën shqipe, i treti po botohet tani. Libri i dytë, Historia e krishtërimit në Shqipëri, mund të jetë më interesanti për lexuesit tuaj!
Tani jemi duke u larguar nga Shqipëria, dhe në fillim të qershorit do të vendosemi në Angli, për t'i qëndruar më pranë vjehrrës sime, e cila është e vetme (i shoqi vdiq para një viti), dhe po plaket, kështu që kemi për detyrë t'i qëndrojmë pranë - një detyrë që çdo shqiptar do ta kuptojë!

Ju jeni nga Stockholmi i Suedisë, sa i jeni pershatur jetës ne Shqipëri?

 Në përgjithësi jam përshtatur mirë, por edhe pse kam 15 vjet që jam vendosur në Shqipëri, nuk jam bërë tamam shqiptar. Jemi një familje ndërkombëtare (unë suedez, nusja angleze, fëmijët dyshtetas por të rritur në Durrës), dhe kurrë nuk do të jemi plotësisht vendas, kudo që të shkojmë. Unë di se si paguhen faturat, ç'të bëj kur të ikin dritat, ne dimë t'u japim mysafirëve karamele dhe diçka për të pirë (por raki nuk u japim), ne dimë se vizitat në raste vdekjeje dhe dasme janë të rëndësishme, etj. Por e filtrojmë ujin para se ta pimë, dhe fëmijët i rrisim sipas standarteve tona, p.sh. duke i vënë në gjumë sipas orarit, jo kur t'i zërë gjumi para televizorit!

Ju jeni profesor i teologjisë, cilën lëndë e predikoni në Durrës në këtë shkollë teologjike ku jeni i punësuar?

 Kurse mbi librat e ndryshëm të Biblës, për historinë e kishës së krishterë, dhe tema teologjike.

Në cfarë gjuhe zhvilloni mësimin?

 Sigurisht në gjuhën shqipe!

Sa e zotëroni ju dhe familja e juaj gjuhën shqipe? Flisni edhe ndonje gjuhe tjeter?

Unë flas dhe shkruaj rrjedhshëm, edhe nusja flet mirë (por ka një theks anglez mjaft të dukshëm), dhe vajza flet si durrsake (ka qenë një vit në shkollë shqiptare). Djali kupton pak, por nuk flet, se nuk ka patur shumë shokë shqiptarë (ndryshe nga vajza që ka shumë shoqe durrsake).

Si e kaloni me studentët shqiptar si i huaj në Shqipëri?

Në përgjithësi mirë, dhe e di se më respektojnë për shkak se kam shumë kohë në Shqipëri, flas mirë gjuhën, dhe kuptoj situatën dhe historinë e tyre (p.sh. se ç'ndodhi më 1997 se isha vetë atje).

Cfarë mund te na thoni për jeten tuaj në Durrës?

Paradite fëmijët bëjnë shkollë me mamanë e tyre (home-school); pasdite vijnë ndonjë shoqe e vajzës ose shokët e djalit. Dalim shëtitje te Vollga (pjesa e Durrësit pranë detit ku shëtitet - "strandpromenaden"), ose bëjmë ndonjë vizitë. Jeta është mjaft normale, ose kështu na duket neve!

Sa janë pershatur fëmijët tjuaj në jetën e ketushme shqiptare?

 E konsiderojnë Durrësin shtëpinë e tyre, dhe kur u kemi thënë se do të largohemi nga Shipëria tani, kanë nisur të qajnë që të dy. Për ta jeta në Durrës është normale, dhe problemi kryesor do të jetë përshtatja e tyre me jetën në Angli!

Si e ndieni vetën ju si i huaj (suedez) në mesin e shqipetareve?

Disa herë ndihem shumë i huaj, disa ndihem pothuajse vendas - varet nga situata. Shqiptarët respektojnë të huajt, sepse përbëjnë një lidhje me botën e jashtme, dhe kështu nuk jam prekur shumë nga probleme si korrupsioni etj.

Keni miq shqiptar në Durrës, si e kaloni me ta?

 Kemi, edhe pse familja me të cilën kishim më shumë miqësi aktualisht banon në Kosovë, kështu që nuk takohemi shpesh! Një problem është që disa prej miqve tanë nuk banojnë në Durrës, sepse kanë ardhur si studentë nga pjesë të tjera të Shqipërisë.

Studentet tuaj nga kjo shkolle ku ju zhvilloni mësimin, cfarë perspektive jetesore kanë  ne të ardhmen?

Disa tashmë jamë drejtues kishash dhe kanë njëfarë të ardhurash nga misioni përgjegjës, por shumë prej tyre janë po aq të paqartë sa të rinjtë e tjerë. Shkolla jonë nuk garanton dhe nuk siguron punë për studentët. Por shumica prej tyre dëshirojnë t'i shërbejnë Zotit, dhe do të gjejnë mënyra të ndryshme për të bërë këtë.

Sa jeni të kenaqur me punen e  të rinjeve (studenteve) shqipetar ju?

Disa prej tyre kanë të vështirë t'i përshtaten sistemit (gjysëm)perëndimor që kërkon që ta kuptosh mësimin, jo thjesht ta mësosh përmendsh. Nuk janë mësuar me të kërkuarit informacion dhe të sistemuarit e të dhënave, dhe kjo duket në punën e tyre (aq më tepër duke parë se shumica nuk kanë kryer studime të larta më përpara). Por janë të zellshëm, dhe duan të mësojnë ta zbatojnë dhe ta kuptojnë më mirë Biblën.

Cka kishit me i proorsitur shqiptaret në pergjithesi?

Mos iu dorëzoni korrupsionit dhe lakmisë për para dhe pasuri: Shqipëria është më e pasur se ç'ka qenë, por nuk besoj se njerëzit janë më të lumtur në zemër. Liria është gjë e mirë, por kush bie në grackën e lakmisë - e cila mbizotëron në botëkuptimin perëndimor - prapë nuk është i lirë. Është vetëm Jezusi, i cili vdiq për të na çliruar nga lakmia dhe pasojat e tjera të mëkatshmërisë sonë, që mund të na japë liri të plotë.
 Desha të shtoja që të dielën e Pashkës (12 prill) u zhvillua një marshim i krishterë në Tiranë, ku morën pjesë me mijëra shqiptarë dhe misionarë ungjillorë; edhe ne ishim atje si familje. Ishte një ngarje shumë e bukur, ta festonim ringjalljen e Jezusit në atë mënyrë!