E marte, 26.10.2021, 01:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Haxhosaj: Cikël poetik

E hene, 20.04.2009, 06:16 PM


Mehmet Haxhosaj

Post zero-zero

Çatitë janë skuqur përsëri
Gratë me fustane të kaltër shëtisin rrugëve
Dhe asgjë nuk duket si më parë
Paqja mos po merr hov

Gjakovë, 2001

Ripërtëritje

Përsëri mund të më thyeni zemrën
Këtë e keni në shpirt
E njëjta rrugë është
Dhe unë i njëjti jam

Përsëri do të luftoj
Me fjalë e shkronja
Këtë e kam në shpirt

E njëjta rrugë është
Edhe ju të njëjtit jeni.

Luzern, 2006.

Letër armiqve

Këtë tokë të mirë
Kush kurrë s’e ka marrë

Këtë tokë të pëlleshme
Kush kurrë s’e ka kënaqë
Veç vendaseve

Vend i mirë për vendas
I mirë për miq
I keq për armiq
Kështu do mbetet
Për jetë e mot

Nëse doni ta merrni me zor këtë tokë
Mos harroni  të hapni
Më shumë varre për trima
Se sa për lehona e fëmijë

Zürich, 1997

Tek kasapi

Sa herë shkoj tek kasapi
Ftohtësia më mbulon
Kur shoh koka të prera rishtas
Që kanë hapur sytë e nxjerrë gjuhën

Çdo gjë kundërmon ashpër
Britma nga prapavija dëgjohen
E unë pyes
Kush është në radhë.

Po ti zotëri Kasap
Pse nuk pikturon
Ndryshe ndonjëherë

Gjakun ta zëvendësosh me ngjyra...

Gjakovë, 2002

Në Gjirin e Mellës

Para e pas larjes tek Gjiri
Lëkurën lyenim me Mellë
E ruanim nga koha
E kromosnim kundër kemikaleve

Në Gjirin e Mellës
Oksident e Orient
Shpesh fytas janë rrokur
I fundit pajtimi

Para larjes gëzimi
Pas larjes dëshpërimi
Në Gjirin e Mellës të viteve të mia

Gjiri i Mellës
Para kujtimit-mallëngjim
Pas kujtimit-trishtim

Luzern 2005

Në kontinentin e huaj

Jetë të përhime kalova
Ajo më caktoi mëngjeset
Netët mjegullonin herët
Si të çartura
Të tilla m’i dhuronte mbrëmja

Në kontinent të huaj
Fjalët thuren ndryshe
Agimet lëndohen lehtë

Në të huajin kontinent
Turpi s`ka fund
Dhe mbarimi matet preras

Hasliberg/Reuti 2004

Triestes

Nuk di nga t`ia nis
Para më rri Qyteti
Me shesh-det
E afër tij ndërtesa e Kongresit
Noli Konica dhe Daklani
Ende jetonin brenda valëve të Jonit
Adriatikut Dardaneleve Grykës së Bosforit
Shpirti i Xhojsit më preku në krah
Dhe më pyeti në shqip
A ka luftuar babai yt
Për Triesten dhe pse
Hija e tij iku
E unë mbeta vetëm
Alesë me drunj krahjetë
Duke u shty me historinë

Kuart demonësh

Këtu njerëzit nuk flenë
Ia kanë frikën heshtjes
Yjet në meteorë
Të trishtueshëm shndërrohen

Njerëz me lëkurë të zezë
Urrehen shahen përbuzën
Rrugëve të ngushta pa drita

Gjymtyrët e tyre të lodhura
Nga jeta e vuajtur
Nuk guxojnë të pushojnë
Zhurma policësh të maskuar
Bartin njerëz të lidhur me pranga

Lypësit i kërkojnë lëmosh
Njëri-tjetrit pa nda
Me fëmijët e tyre për dore
Lëkurëthatë e duar çarë

Sa herë hy aty
Lus Diellin t’i ngrohi
Lus Hënën t’i dëgjojë

Demonët me penë i spërkas.

Zürich, 2008

Malli për atdhe

Po të mori malli
Për doke e zakone
Futu në jetën time
Në mallin për atdhe

Po deshe të rikujtosh
Me sy hapur e ballërrudhur
Kujtimin e prindërve miqve e shoqeve
Eja e shoqërohu me largësinë time

Po pate dëshirë që të paktën
Vetëm edhe njëherë
Te bëhesh fëmijë e të lozesh fshehtas
Largohu shkurt nga vendi yt i shenjtë
Mall i zjarrtë do të të rrëmbejë

Cili burrë në dhe të huaj
Mund të rrojë i qetë
Pa blerimin e fushave e livadheve
Pa këngën e zanave dhe selvive belholla

Cili nga ne
S’do të jetë i shurdhër
Pa fjalën e ëmbël amtare
Dhe tingullin e saj

 Sa i madh ky mall
 E sa i vogël ky atdhe

Bisedë me një të huaj

Nga të kemi or i huaj
Vij nga vendlindja

Po ku shkon or i uruar
Nisem kah vendlindja

Po flokët ç`të janë kërleshur
Nga era e vendlindjes

Të qenkan zmadhuar sytë
Nga malli për atdhe janë hapur

Sepse kur jam në vendlindje
Dua të shoh edhe natën edhe ditën

Mars, 2004
Gjermani

Soditje me veten

Kur sodis ashpër
Veten time
Me gotë në dorë
Juve nuk ju lëndoj

As veten time
Kurrsesi
Mos qortoni kot

Së pari i damkos mitet
Iu sulem viteve të rrënuara
Si i krisur
Dhe regjisor i jetës sime bëhem
Si të dua vet

Brienz, 2005

Lufta ime

Nuk i ngjason asaj të historisë
As diktatorëve të motit
Me ditën dhe natën
Lehtas kacafytet

Nuk bartë mëkate as mëri
E quaj të drejtë
Dhe krenar e shoh në sy

As nuk pendohet me mua
E as unë me të
Plumbat pa barot i kemi
Të lënduarit shpejt shërohen

Lufta ime
Bekimin e ka nga paqja
E paqen e ka bekim

Hasliberg/Reuti 2006

Pleqërisë

Kjo ndjenjë e shpirtit tënd
Të ndjek në kohë e mote
E i shtyn njerëzit
Nga Ti të ikin
Mundet lehtë e ashiqare
T’i hedhesh me gaz në gojë

Thinjat në kokë që i bartim
Nuk  numërojnë vitet tona
Veç gaz në buzë e jetë plotë...

Para saj si në çdo vit
Ai që je do të mbetesh...

Meiringen/Bern,
Shtator 2006

Paraja

Një letër me shumë fytyra
Prodhim njeriu
E bardhosur zi
E nxirë bardh

Po e deshe
Nuk të do
Po s’e deshe
Atëherë të do

Si t’i teket
Herë me afsh për ty
Herë me afsh për vete

Përbindëshe në histori
E histori në vete
E lehtë në peshë
Mashtruese në realitet

Ëndrrat i ledhaton
E ledhatimet i largon
Siç din vetëm ajo
Paraja e paralinjve.

Brienz, 2006

Çaste me frikën

Çdoherë vjen pa e ftuar
Si një tinëzare
Por kur ndihem keq e më keq
Nuk vjen assesi
Sepse di ta shqelmoj

As kur jam mirë nuk vjen
Sepse di ta përbuzë
Më viziton vetëm kur dëshiron ajo
Dhe dinake mbetet çdoherë

Vjen kur janë ngatërruar
E mira dhe e keqja
E ardhmja dhe e kaluara

Sa herë që më del përpara
Më duket si nuse e pazakontë
E veshur me vello të zezë
Me pika të bardha

Sa herë më mungon
Nuk e kërkoj
Sepse frikë nga frika
Nuk kam

Thun, 2002

Shtëpia e vogël

Çatinë e pati më të madhe
Se muret me qerpiçë
Muret më të trasha
Se dritaret me kryqe

Hëna natën e ndriçonte
E ditën e ngrohte dielli

Shtëpisë së vogël
Zjarri i frikohej
Ia kishte dronë

Uji nuk e vërshonte dot
As nuk mund ta rrezonte

Në tyrbe ngjasonte
Mirë në të flinim
Dhe qeshnim shumë
E qanim pak

Mëngjeset na ledhatonin
Në çdo ditë të re
Në shtëpinë e vogël.

Luzern/Arau 2006

Fëmijërisë sime

Sa herë që jeta më hedhë cepave
Në ndonjë thellësi të errët moshe
I kthehem fëmijërisë sime
Atëherë kur ndjekja mëzin e ri
Që lodronte fushave të gjelbra
Që të qeshë më zëshëm

Sa herë që jeta më hilon
Më ndonjë pispillosje
I kthehem fëmijërisë sime
Në kohëra kur thyeja poqa rrugëve
Për ta lënë lagjen në terr

Eh, sa herë shëtit metropoleve
Dhe lodhem me zhurmë e smoge
Shtrihem si atëherë breg lumit Drin
Dhe thërras me zë
Derisa sa zëri të më tmerret

Kur e kam ngushtë në moshë
Dua të mbetem
Vetëm fëmijë i rritur...

Gradish, 2007

Arrës në oborr

Si në pranverë
Si në verë
Fletë gjelbër
E erëmirë

Kurrë nën degët tua
Njeri nuk u pre në besë

Dëgjoje halle e plane kohe
Sepse nën ty bëheshin takime

Rrënjët më të vjetra
Se sa pushtuesi i kishe
Mëngjeseve aromë shpërndaje
Mbrëmjeve veç me hënën kuptoheshe

Na shërbeje pa përtesë
Edhe vjeshtës edhe dimrit
Kur luanim fshehtas pas trupit tënd

Fundin tënd kurrë nuk e kuptova

Hija jote e heshtur sjell kob
Thanë ata që të prenë...

Sarnen, 2006

Fundi im

As nuk bëhem hi
Dhe kurrsesi
Pluhur fare
Në fantazmë të shndërrohem
Udhëtimeve për në qiell
Nuk u besoj hiç
I kam fobi lartësitë
Varjeve në litar
U trishtohem shumë
Dhe vetëvrasjet nxjerrin zjarre
Ta djegin trupin
Janë dinakëri
Apo dorëzim para jetës
E unë as nuk jam dinak
As që dua të dorëzohem
Në aksidente nuk besoj
Që ndodhin kur bëj gabime
Në luftëra s`vritem
Sepse nuk shkoj të luftoj
E, pra cili është fundi im
Atë s’mund ta caktoj
Sepse vjen pa e ftuar

Luzern, Romanshorn,  2005

Lahuta e Malcisë

Tym nxirrte Ballkani
Kur ditët e pubertetit
I shoshitja me ty në dorë
Lahuta e Malcisë

Trim më ke bërë
Sa herë vargje lexoja
Krenar jam ndier sa herë trimat
Fitonin kundër barbarëve

Frikohesha kur askush nuk të lexonte
Mallkoja dezertorët e historisë
Dhe mendoja për autorin

Sa herë që lexoja vargje nga Ti
Më kujtoheshin betejat e stërgjyshit
Dhe të qytetit tim me lagje të shumta

Kur fillova të shkruaj vepra
Frymëzim të pata ty
Lahuta e Malcisë

Gjakovë, 2003

Gjuha ime në diasporë

Je ngulfatur nga të tjerët
Edhe nga ne je harruar
.
Të lutem për durim

Një ditë e re
Do të të ledhatoj
 Kështu besoj

Gëzohem pa masë
Kënaqem kur shqiptoj fjalë
Kur vargje shkruaj

Zürich, 2007

Libra mbushur xhepat
   (Din Mehmetit)

Para pallatit ku mbahet “Mitingu i Poezisë”
Të shoh duke fshirë djersët e ballit
Me dorë plot ngjyrë lapsi

Sa herë të shoh ëndërr nga këtej larg
Libra mbi libra të shkruar nga ti
Më mbushet dhoma e punës

Dua të di pse u bëre i gjelbër
Pse u ngjyrose i kaltër
Ngjyrat pse i do sa jetën.

Dua të di si luftove
Kundër të keqes me pendë në dorë
E si nuk preve askënd në besë
Që të mbushet me gjak Ereniku

Baclok
Kujtimin për Ty rifilloi
Kur në vend të sheqerkave
Libra kishe mbushur xhepat
Për fëmijët e lagjes...

Paris, 2007

Dokumente

Në Iliri
Në vitin 2200 para Erës së Re
U takova me ju
Unë poeti i heshtur

Adresuesit nuk e njihnin njëri-tjetrin
E letër marrësit heshtnin
Për letrat që merrnin

Historia ju cullakoi
E sot jeni me dhe pa emra

Pastaj erdhën kohë ndaras
Erdhën emaile  sms web
Dhe zgjuan dashurinë tonë

Shëmtuan urrejtjen tuaj

 Luzern, 2007

Kokëdhimbje

Kokëdhimbje kam në mëngjes
Kur nuk përshëndes
E nuk përshëndetem

Kur nuk dua njeri të shoh
Dhe kur bëhen që nuk më shohin

Më dhemb koka doemos
Kur qaj e kur qesh
Tinëz dëshirës sime
Atëherë kur më maskohen
Kur nuk mund t’iu maskohem

Kur flas e nuk dëgjohem
Kur dëgjohem e s’them asgjë

Kam kokëdhimbje
Kur më lexohen vargjet
Që nuk duhet të më lexohen
Kur i lexoj e nuk më lexohen

Kam kokëdhimbje
Kokëdhimbje kam ...

Bern, 2007.


Nipit tim Egzonit

Lajmi i vdekjes sate desh shembi
Kullën e Nollit mbi Lucern

Më beso nip
Nuk u hidhërova fare
E dija se ende i qeshur më pret
Por nuk ia kisha besën fluturakes

Mendoja se do të ikje pa u parë
Siç shiheshim çdo herë
Kur kthehesha në vendlindje

Fati në fatkeqësi
S’na la të takohemi si burri me burrë

Qeshje me mua dhe me të gjithë
Thuajse kishte vdekur vdekja
E jo ti

E dije se burrat nuk shtrihen në varre
Por qëndrojnë në zemra.

Egzon
Vdekjes në Maj
“Bash nënën ia q...!”
 
Maj, 2007
Gjakovë



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora