E enjte, 18.04.2024, 09:26 PM (GMT+1)

Editorial

Ndamja e Kosovës ka vetëm një burim: Serbinë

E enjte, 26.07.2007, 10:50 PM


Nga Migjen Kelmendi

Migjen Kelmendi
Po e marr si referencë nji drekë qeveritare “të msheftë” dhe nji protagonist të drekës për me e elaborue dhe me e stigmatizue dhe kualifikue si “serbe” cilëndo ide që flet për ndamjen e Kosovës. Pozicionimi ndaj idesë për ndamjen e Kosovës asht esencial, determinues për integritetin dhe ‘ftyrën’ e cilitdo politikan e intelektual të Kosovës. Madje, edhe për protagonista të kotë të drekave të mshefta. Pozicionimi ndaj idesë së ndamjes së Kosovës asht pozicionim ndaj nji t’ardhme dhe metode evropiane të zgjidhjes së çashtjes së Kosovës dhe ndaj nji metode retrograde serbe të tërheqjes së vijave etnike, pra, ndaj mentalitetit që prodhon ‘Republika Srpska’ e ‘krajina’.

Ndamja e Kosovës – asht test dhe sfidë demokratike dhe civilizuese për institucionet e Kosovës dhe për qeverinë dhe qytetarët e Kosovës.

Ndamja e Kosovës asht testi i dytë, mbas luftës së vitit 1999 dhe intervenimit të NATO-s, që na shfaqet historikisht para shoqnisë sonë dhe nga qëndrimi dhe pozicionimi jonë ndaj kësaj çashtje do mvaret edhe e ardhmja jonë, ndoshta evropiane.

Protagonisti i drekës, në fjalën që mori, midis dy kafshatave, mes tjerash, tha (po e rezymoj): se qeveria e Kosovës duhet seriozisht me e analizue mundësinë e ndamjes së Kosovës; se Kosova duhet me u bashku me Shqipninë; dhe, tevona, çfarë ‘mut’ shteti kish me qenë Kosova pash Zotin!

E mora si referencë këtë arrogancë e injorancë të nji protagonisti, sepse ideja për ndamjen e Kosovës, e cila deri sot ka mujt me u ndigjue vetëm në gjuhën serbe, kohëve të fundit ka fillue, edhe pa pikë turpi, me u lansue edhe në gjuhën shqipe, midis dy kafshatave, në dreka qeveritare.

Në cilëndo gjuhë të botës që ideja për ndamjen e Kosovës mund të ndigjohet, qoftë n’anglisht nga ndonji bashkëpunëtor institutesh si Jeffrey Simon dhe Instituti për studime strategjike në Washington, qoftë në frangjisht nga burime diplomatike të paemnueme, qoftë rusisht nga Lavrov e Curkin, qoftë gjermanisht në ndonji gazetë, qoftë tunguzisht e qoftë me nji letrarçe të shkërdhyeme të ndonji dudi kosovar, ideja për ndamjen e Kosovës asht vetëm e përkthyeme nga serbishtja nga këta njerëz në këto gjuhë.

Ideja për ndamjen e Kosovës e ka vetëm nji burim. Vetëm nji gjuhë: serbishten. E ka vetëm nji adresë: Dobrica Qosiç dhe qeverinë serbe.

Me fjalë tjera, promiskuiteti i idesë për ndamjen e Kosovës, që ka nis me u ndigjue edhe në gjuhën shqipe, dëshmon se qeveria serbe lobon pa ndal në përpjekjet me e pamundsue realizimin e pamvarësisë së Kosovës. Dhe si ‘vegël’ që pamundëson pamvarësimin e Kosovës kjo qeveri e ka popullarizimin e idesë për – ndamjen e Kosovës.

Autori dhe “baba” i idesë për ndamjen e Kosovë asht ‘baba’ i kombit serb, si e konsideron elita nacionaliste serbe shkrimtarin - Dobrica Qosiç – njeriu që me nji moment nga po kjo elitë nacionaliste që prodhoi lufta, u zgjodh edhe president i asaj që quhej SRJ.

Ai në përgjigjen që i dërgon filozofit amerikan Noam Chomsky, përkrahës i Miloseviç-it dhe kritiku ma i madh i intervenimit të NATO-s në Kosovë, i dëshmon se idenë e ndamjes e promovon që nga viti 1981.

“Jam i lumtun që jemi bashkëmendimtarë të zgjidhjes së çashtjes së Kosovës. Une këte ide publikisht e promovoj që nga viti 1981. Fatkeqësisht, as udhëheqja zyrtare serbe, e as udhëheqja separatiste shqiptare nuk e kishin pranu propozimin tem. Sot, rezistencën ma të madhe idesë seme i bajnë SHBA dhe Britania. Në regji të Clinton-it dhe Blair-it, si e dini ju shumë më mirë, u ba dhe u krye nji luftë e vocërr botnore kundër Serbisë, me nji arsyetim hipokrit keshe “po i shpëtojnë shqiptarët nga nji katastrofë humanitare”. E, nga ana tjetër, katastrofën e kishte prodhue vetë aleanca NATO. Ajo sot po përfundon me pastrimin etnik të serbëve, romëve dhe goranëve nga Kosova. Me qëllimin amerikan për me i dhanë Kosovës pamvarësi po kryhet edhe aneksimi i territorit kombëtar serb dhe po shembet identiteti shpirtnor dhe historik i popullit serb. Po e përsëris, zoti Chomsky: nji zgjidhje e drejtë dhe e përhershme asht kompromisi mes të drejtës historike dhe etnike mes shqiptarëve dhe serbëve.”

Në kulmin e bombardimeve të NATO-s, 1999, po ky njeri, Dobrica Qosiç, i nis letër qeverisë franceze:

“Kosova dhe Metohija asht hapsinë e interesave nacionale të antagonizuara, të cilët kishin me u zgjidh njiherë e përgjithmonë vetëm me kompromis. Ky kompromis historik dhe kjo zgjidhje e përhershme e ngatërresave shekullore shqiptaro-serbe, që po e tundin tanë hapsinën e Ballkanit, mundet me u ba vetëm me ndamjen territoriale mes serbëve dhe shqiptarëve, pra me – ndamjen e Kosovës.

Nëse s’ka mujt me egzistue Jugosllavia multietnike e Titos, nëse ka dështue eksperimenti me Bosnjën dhe Hercegovinën dejtoniane, asht shumë e mundun se mbas luftës qytetare dhe etnike nuk ka me mujt me egzistue as nji Kosovë multietnike.”

Vetëm para disa vjetëve, 3 dhjetor 2004, Qosiç në tribunën e gazetës së famshme “Politika” të Beogradit, publikon kontributin e tij, që e titullon: “Propozim për koegzistencë jetike mes Serbëve dhe Shqiptarëve – Për ndamje territoriale” (PREDLOG ZA ŽIVOTNU KOEGZISTENCIJU ALBANSKOG I SRPSKOG NARODA - Za teritorijalno razgranièenje). Qe disa citate:

“Kosova e pamvarun shqiptare kishte me qenë nji pengesë e gjithmonshme për koegzistimin, bashkëpunimin dhe komplementaritetin e popullit shqiptar dhe serb dhe pengesë e progresit dhe integrimit të tyne n’Evropë.

Kosova e pamvarun shqiptare kishte me qenë nji shtet monoetnik, nga i cili kishin me u shpërngul pjesa e mbetun e serbve dhe joshqiptarëve. Kosova e pamvarun shqiptare, ku shkatërrohen gjurmët e prezencës shekullore serbe dhe krijimtarisë serbe, kishte me qenë nji plagë e pamshelun kurrë në trupin dhe qenien nacionale serbe dhe shkak i nji pshtjellimi shpirtnor dhe i aberimeve psikologjike për serbët.”

“Kosova dhe Metohija e sotme, në plotninë e saj, mbrenda shtetit serb, kishte me qenë kancer i Serbisë.”

Po i sjell vetëm edhe dy citate në këte tekst, sa me e mbështetë konstatimin se ideja për ndamje asht e Dobrica Qosiç. Në intervistë për “Nezavisne Novine”, pyetjes së gazetarit, përse Qosiç ka ngul kambë aq shumë që Nebojsa Coviç me u kthye në politikë, Janjiç gjegjet:

“Sepse Coviç në vitin 2001 doli me kërkesën për dy entitete, e nga libri i Qosiç-it vërtetohet se ajo asht ide e shkrimtarit. Nga ai libër shihet se Qosiç asht tutë, prandaj i duhet edhe Coviç që këte ide operativisht me e përpunue.”

Edhe historiani Cedomir Antiç thotë se ndamja e Kosovës ndoshta s’asht zgjidhje ideale, por ky asht maksimumi që mundet me u fitu në këte moment:

“Duhet insistu në përcaktimin e ashtuquejtun të vijës së gjelbërt, simbas shembullit të Qipros. Në kantonin serb kishin me qenë pjesa veriore e Kosovës dhe Metohisë, plus nji pjesë rreth Gracanicës. Në këte mënyrë 90 për qind e serbëve kishin me hy në këte entitet. Përparësia jonë kishte me qenë se në këte entitet kishim me pasë edhe enklava shqiptare, e në këte pikëpamje kishim me e krijue balansin e sigurisë me enkalvat serbe në entitetin shqiptar. Kjo zgjidhje asht zgjidhja ma reale, të gjitha tjerat janë vetëm humbje kohe… “

I solla vetëm disa mendime që dëshmojnë dhe provojnë autorsinë e idesë për ndamjen e Kosovës. Nëse nji nacionalist serb e ka nji ankth, që s’e len natën me i mshel sytë, nji nacionalist si Kostunica, për shembull, ai ankth asht – Shteti i Pamvarun i Kosovës. Nuk asht Bashkimi me Shqipninë ankthi i nacionalizmit serb, jo. Ankthi serb asht lindja e nji shteti të ri, funksional, i cili mundet me qenë i dominuem nga shqiptarët. Në percepcionin e çakërdisun të nji nacionalisti serb, shteti i ardhshëm i Kosovës shihet si edhe nji ‘pushkë’ në duert e shqiptarëve. E kishin nji, i banë dy. E kishin nji votë në OKB, donë me i ba 2. Nesër, janë 2 vota edhe n’Evropë. Kot bashkësia ndërkombëtare flet për Kosovën multietnike, për Kosovën evropiane, për Kosovën qytetare, nji nacionalist serb, po si edhe nji nacionalist shqiptar, sinqerisht s’e kanë shqisën e as trunin me e rrokë nji Kosovë të tillë. Kosova multietnike për Qosiç-in asht e parrokshme. E pamundun.

Andaj, ta marrim na nji copë, e pjesa tjetër ndaç le të mbetet shtet, sepse e tillë, e gjymtueme, nuk mundet me qenë funksionale; ndaç le të bashkohet me Shqipninë. Punë e Madhe. Me randësi asht mos me e leju popullin shqiptar me u finalizue historikisht me dy shtete. Sepse, po them, në optikën e thyeme të nji nacionalisti serb, Kosova përjetohet si edhe nji shtet shqiptar.

Interes nacional serb i deklaruem asht: Ndamja e Kosovës.

Por, si u ba që ky interes nacional serb, të shqiptohet në dreka ‘të mshefta’ qeveritare. Të popullarizohet e të përhapet nga njerëz publikë të Kosovës?

Nji spjegim i thjeshtë e i shpejtë thotë se këta njerëz, mes dy kafshatave, e argumentojnë ndamjen e Kosovës me keshe idenë e Bashkimit Kombëtar. Bashkimi Kombëtar asht nji asi ideje që e vlen me e fal nji copë territori. Punë e madhe. Mandej, çfarë ‘mut’ shteti kish me qenë Kosova pash Zotin!

Këta protagonista që më duken se kanë dalë nga polemikat e Faik Konicës e nga memoaret e Eqrem bej Vlorës, atje nga mëngjesi i lindjes së shtetit shqiptar, kur njisoj protagonistat konician e vlorian mbytnin në rrajë idenë e mundësisë së egzistimit të nji Shqipnie funksionale, të nji Shqipnie normale dhe propagonin mbetjen nën perandori, jam i bindun e kanë nji problem – ndjenjën kombtare. Bash njerëzit që sot, në momentet finale të procesit, flasin për Bashkim Kombëtar e për Shqipni Unike, nihilizojnë mundësinë e Kosovës me egzistue, mendoj se janë ata që shqiptarizmën e kanë në latencë. Janë njerëzit që tmerrohen nga nocioni ‘kosovar’, ‘identitet kosovar’, sepse shqiptarizma e tyne asht latente. Ata ende s’janë shqiptarë, ende s’e kanë të formueme dhe të rrumbullakueme shqiptarizmën e tyne, ende e kanë të dyshimtë. Janë po këta njerëz që bijnë me flejtë shqiptarë, e tuten mos po çohen nesër serbë, prandaj sat-e-dakik, në çdo rast, duhet me folë për Shqipni, për shqiptari, për flamur….për bashkim….sepse, po them, ende s’janë të formuem kombtarisht.

Shqiptarizma e tyne asht latente. Don ende me u ushqye, me u formësue, me u rritë. Këta janë shqiptarë të parritun. Shqiptarë 7-mujsha. Prandaj, janë kapë për idenë e Bashkimit si fmija që kapen për shallvaret e nanës, mos po e humbin rrugën e mos po humbin krejt.

Njiso si Dobriç Qosiç, edhe këta protagonista argumentojnë dhe arsyetojnë Ndamjen e Kosovës me përmbusdhjen e interesave nacionale serbo-shqiptare.

Këta protagonista që flasin në këto momente për Shqipninë Unike dhe ma përçmojnë dhe defetizojnë mundësinë e nji Kosove Shtet, janë tue e përmbush, për mendimin tem pritjen e nji nacionalisti serb – moslejmin e lindjes së Shtetit të Kosovës.

Qosiç e konsideron Kosovën “kancer në trupin nacionl serb”. Dhe asht i gatshëm me e pre nji copë, për me e pshtue trupin. Njisoj nji nacionalist shqiptar, i shekullit XXI, asht i gatshëm me e pre nji copë për me e plotësue andrrën e kahmotshme për Shqipninë Unike. Dhe, krejt kjo zhvillohet sot, nën hijen e nji ngrehine marramendëse si Unioni Evropian, “Evropa” si koncept, që dëshmon tanë atavizmat e retrogradën e këtij botëkuptimi.

Ndamja e Kosovës asht nji test civilizues që mat dhe provon determinimin dhe pretendimin shqiptar për Evropën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora