E enjte, 25.04.2024, 11:18 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

LDK dhe LDD, lamtumirë Rugovë?

E diele, 19.04.2009, 06:58 PM


Nga Lirie Hajdari, BOTA SOT

Trashëgimia rugoviane
 
Krijuesi i njërës prej lëvizjeve më të mëdha politike të shqiptarëve, presidenti Ibrahim Rugova, i konsideruar edhe si dishepull nga partia e tij, LDK-ja, dhe partia tjetër LDD-ja, e krijuar pas vdekjes së tij, duket se po përdoret vetëm për dekor marketingu. Që kur LDK-ja, pas zgjedhjeve të 2006-ës, u nda, as kjo dhe as grupimi tjetër, që mendohej se po merrte militantët rugovist, nuk kanë reshturi së shmanguri pikërisht njerëzit më përfaqësues të asaj filozofie. Derisa LDK-ja akuzohej se ishte kjo parti që po largonte pikërisht bashkëpunëtorët dhe njerëzit e devotshëm të Rugovës, LDD-ja ende pa u konsoliduar mirë, filloi të sillej me hile pikërisht ndaj atyre njerëzve, që e ngrehën në parti. Pretendimet e këtyre dy partive se po reformoheshin dhe po profilizoheshin, vetëm sa rritën distancën e tyre ndaj po atij elektorati dhe përkrahësish të fuqishëm të Presidentit Rugova. Kjo rezultoi edhe me humbjen e të dyja partive në zgjedhjet nacionale të 2007-ës, dhe që të dyja nuk arritën më shumë se dy të tretat e votave, që fitonte vetë dikur Rugova.

Familjarët e presidentit Rugova që jetojnë në Xërxë, publikisht kërkuan të shtunën nga partitë politike, që emrin e tij të mos e lakojnë më, sepse po përdoret vend e pa vend nga ana e tyre. Është kjo deklarata që ka ‘tronditur’ dy subjektet politike, të cilat realisht e kanë përdorur në vazhdimësi emrin e dr.Rugovës, pavarësisht se nuk kanë bërë thuaja asgjë. Shumë mbështetës të filozofisë së Rugovës besojnë se nuk do të kishim këtë shkallë të lartë të kufizimit të sovranitetit, sikur të kishte qenë gjallë ai. Po ashtu se nuk do të kishim një decentralizim kaq asimetrik, dhe po ashtu një trashëgimi kaq të tëhuajtur kulturore.

Ndërsa, varri i tij është lënë pas dore, duke mos e ngritur fare memorialin e filluar për nder të tij, dhe po ashtu edhe shumë projekte të tjera. Që të dyja partitë hoqën dorë nga simbolet shtetërore dhe himni të propozuara prej tij. Lista e heqjes dorë dhe e zvarritjes së projekteve është e gjatë, prandaj familjarët duket se më nuk duruan dot. Ia përplasën në sy thuaja të dy partive njësoj. Këto duket se qenë shkaqet e reagimit.

Por, partitë politike, LDK e themeluar nga vetë Rugova dhe LDD e themeluar në emër të tij, e konsiderojnë të drejtë përdorimin e emrit të Rugovës në aspektin politikë.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Enver Rugova, djali i axhës së presidentit të ndjerë dr.Ibrahim Rugova, i cili edhe ka kërkuar që të mos përdoret emri i presidentit Rugova, thotë se presidenti Rugova është i të gjithë shqiptarëve, një personalitet me përmasa evropiane e botërore. Edhe pse deri tash kanë qenë të heshtur, pa dashur të përmendin emra, por duke aluduar në drejtuesit e LDK-së, Enver Rugova thotë se jo çka e ka shtyrë atë të jap këtë deklaratë është përdorimi i fotografisë së dr. Ibrahim Rugovës nëpër fushatë, duke u thirrur në filozofinë politike të Rugovës, nga ata që këtë filozofi të tij politike e kanë shkelur me të dy këmbët. “Asnjë parti politike të mos dal hapur në opinion, sepse Ibrahim Rugova nuk është përvetësim. Ne mundemi ta nderojmë atë, por assesi ta përvetësojmë. Asnjë parti politike nuk duhet të lidhet për një personalitet siç ishte dr.Rugova. Nëse dikush dëshiron që dështimet e veta t’i adresoj në njerëzit që faktikisht janë të vdekur vetëm fizikisht, atëherë nuk i kisha preferuar që të thirren në emër të presidentit Rugova”, thotë ai.

Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, edhe pse nuk e kishte dëgjuar këtë deklaratë, ai e quan të drejtë atë nëse është bërë me qëllim të shmangies së zënkave ndërmjet partive për të përvetësuar figurën e dr. Rugovës. “Problemi i trashëgimisë së presidentit Rugova nuk mund të jetë një problem i monopolizuar. Nuk mundet asnjë parti të thotë se është ekskluzivisht i imi. Nëse reagimi i familjes ka pasur këtë qëllim, atëherë e quaj të arsyeshëm, sepse nuk do të duhej të fillojnë zënkat ndërmjet partive për shkak të trashëgimisë së dr. Rugovës”, thotë Kryeziu. Sipas tij trashëgimia e dr. Rugovës është pasuri e çdo kujt që dëshiron ta marrë, ndërkaq LDK, si partia e tij e ka për detyrë të përpiqet ta kultivoj atë trashëgimi.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e konsideron presidentin Rugova si një njeri që i takon popullit, që i takon të gjithë atyre që kanë besuar në të dhe gjithë atyre që kanë vazhduar të besojnë në të. Andaj, sipas tij familja e presidentit Rugova mund të thirret si familje në emër të tij, e nga ana tjetër edhe jeta dhe vepra e tij, filozofia e tij politike dhe kombëtare, mund të ndiqet dhe të përcillet nga kushdo qoftë. “Ai e ka themeluar LDK-në dhe përmes saj e ka themeluar edhe shtetin e Kosovës që është pranuar ndërkombëtarisht. Është në të drejtën e çdokujt që këto vlera t’i ruaj, t’i trashëgoj dhe t’i përcjell më tutje. Askush nuk ka drejtë që në emër të askujt të thirret në kuptimin politik. Familja mund të thirret si familjarë, si pjesë e gjakut, por në kuptimin politik, në angazhimin politik, autoriteti i tij, figura e tij i takon vendit, i takon gjithë popullit. Ata duhet të jenë krenar që ka qenë pjesë e gjakut të tyre”, thotë Haziri.

Por, jo vetëm LDK e LDD thirren vazhdimisht në filozofinë e presidentit Rugova, por tash së fundi edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka përmendur dr.Ibrahim Rugovën dhe filozofinë e tij madhore politike. Ky fakt duket të jet i arsyeshëm për nënkreytarin Haziri, ngase siç shprehet ai ‘çdo kush që dëshiron ta ndjek rrugën e presidentit Rugova edhe mund ta bëjë atë’. “Çështja ka të bëjë me atë se presidenti Rugova e ka udhëhequr LDK-në dhe këtë parti e ka lënë, ndërsa partitë tjera janë themeluar jashtë saj, bile edhe jashtë vullnetit të tij, por ai nuk është fizikisht gjallë”, thotë Haziri.

Adem Salihaj, nënkryetar i LDD-së, e vlerëson lartë deklaratën e familjes Rugova, nëse ajo është thënë në kuptimin se partitë vetëm thirren në emër të dr. Rugovës, e konsumojnë e nuk e respektojnë. “Vërtet partitë thirren shumë në trashëgimin, në vlerat, në vizionin, në konceptin filozofik të dr. Rugovës, e në anën tjetër nuk e respektojnë sa duhet familjen e as nuk tregojnë respektin e duhur për dr. Rugovën në datat historike. Në këtë kuptim familja ndoshta ka të drejtë, por që të mos e përvetësojnë filozofinë e presidentit Rugova nuk besoj se kanë të drejtë, sepse vlerat e tij janë vlera të gjithë popullit të Kosovës”, thotë ai.

Për trashëgiminë e dr. Rugovës duket se kjo garë po zgjerohet. Edhe parti apo personalitete të tjera në një mënyrë ose tjetër po mundohen të marrin apo të përvetësojnë nga trashëgimia politike e presidentit Rugova. LDD-ja, sipas Salihajt po tregon se mbron vlerat e presidentit Rugova, simbolet e tij, gjë që LDK nuk e ka bërë.

Sekretari i përgjithshëm i LDD-së, Lulzim Zeneli, mohon se subjekti i tij politik përdor emrin e dr. Rugovës për marketing. “Koncepti ynë politik bazohet në filozofinë e presidentit Rugova, mirëpo ne nuk e përdorim emrin e tij për marketing apo fushatë politik, apo në ndonjë formë tjetër e cila do ta cenonte emrin dhe figurën e tij. Prandaj deklaratat e tilla mund të jenë të drejta, sepse ka subjekte politike që emrin e presidentit Rugova e përdorin për politikë ditore dhe për qëllime të ngushta. LDD bënë përjashtim nga kjo”, thotë Zeneli.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora