E marte, 30.11.2021, 05:36 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Vlera magjike e një mrekullie historike

E diele, 19.04.2009, 07:52 PM


Baki Ymeri në tregun e artit popullor
Baki Ymeri në tregun e artit popullor

Vlera magjike e një mrekullie historike

(Valoarea magica a unui miracol istoric)

Nga Baki Ymeri

I lindur nga nënshtarti ilirik, populli shqiptar shfaqet në horizontin e historisë gjatë shek. II. E drejta, në këtë shekull bëhet fjalë për herë të parë për një popullatë në territorin aktual të Shqipërisë, me emrin Albanoi, me qendër qytetin Albanopolis. Sipas filologut rumun, Theodor Capidan, pas kësaj përmendjeje të shkurtë, pason një heshtje deri në shek. XI, kur bëhet fjalë për një kryengritje në Shqipëri, në të cilën patën marrë pjesë edhe Shqiptarët. Prej këtu e tutje, ata përmenden shpesh te shkrimtarët bizantinë. Nga kjo kujtesë e ndërprerë që bëhet në një interval aq të madh, ridel se fillimet historike të popullit shqiptar, shëmbëllejnë me ato të popullit rumun.* Ku gjendet kufiri ndërmjet trakasve dhe ilirëve? Njerëzit e shkencës pohojnë se në periudhën parasllave, pra në periudhën trako-ilire, Shqipëria kufizohej me Rumaninë. Duke lexuar veprat e Bogdan Petriceicu Hashdeut, Nicolae Jorgës, Teodor Kapidanit, Grigore Brënkushit, kuptojmë se përnga pikëshikimi i gjuhës dhe shpirtit, rumunët janë më afër me shqiptarët se sa me turqot apo me çdo popull tjetër në botë. Ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë gjenden dy zona të denja për t’i njohur dhe mirënjohur: Lugina rumune e Timokut (me njëmilionë rumunë në 300 fshatra dhe 6 qytete, pa asnjë shkollë dhe kishë në gjuhën rumune) dhe Kosova e dy milionë shqiptarëve që kanë përjetuar barbarinë turko/sllave (1389-1999), duke e mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare..

Deri tani në Rumani janë botuar disa libra për Kosovën. Autorët më të mirë, pa implikime politike, kanë qenë rumunët, arumunët dhe hebrenjtë. Për ata që kanë bërë propaganda serbe në masmedian rumune ( si pasojë e së cilës klasa politike ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës), nuk mund të themi se janë rumunë, por eksponentë të ksenofobisë me konotacione filokomuniste. Më 1905 ka dalë në Bukuresht libri i Constantin Sterie Constantes «Spre Albania» (Drejt Shqipërisë), nga i cili del se «Vilajeti i Kosovës i përket Shqipërisë Lindore». Më 1999, në përkthim të Ivo Mungeanit, ka dalë në Timishoarë një vëllim nacionalist, botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Serbë të Rumanisë: «Kosova - tokë e shenjtë serbe». Shqiptarët ende nuk kanë botuar në Rumani një vepër të ngjashme me titullin «Kosova – tokë e shenjtë shqiptare», edhe pse, sipas Enciklopedisë jugosllave (Zagreb, 1975), «Fusha ku u përleshën trupat osmane me koalicionin e krishterë (1389), ishte fushë e Shqipërisë». Rajco Cornea, një specialist për përbuzjen e një populli, ka botuar më 2001 librin «Kosova - Kënga e trishtë e mjellmës» (reportazhe lufte), një maskaradë e cinizmit kundër Perëndimit.

Më 2002 Tanase Bujdoveanu ka botuar në Konstancë broshurën «Arumunët e Kosovës» (rumanisht, frëngjisht, anglisht), nga e cila kuptojmë se «Në kohën e luftës së parë ballkanike, armata serbe e pushton krejt zonën, duke u bërë pastaj, përmes Traktatit të paqes në Bukuresht (1913) pjesë integruese e Mbretërisë Serbe (...). Ndaj arumunëve, autoritetet e reja në Kosovë dhe Maqedoni aplikojnë politikën më të egër të shkombëtarizimit (...).. Kishat rumune shndërrohen në kisha serbe, kurse shkollat rumune çthemelohen. Si pasojë e këtij fakti, liturgjia në kishë zhvillohet në gjuhën serbe, ndërsa kleri arumun asimilohet nga kleri ortodoks serb.» (f. 33). Një vepër interesante që pasqyron të vërtetën historike lidhur me Kosovën është broshura e majorit rumun dr. Emil Suciu “Drama jugosllave” (Editura Militara, Bukuresht,1992), ajo e shkrimtarit italian Michele Rallo: «Shqipëria dhe Kosova» (Bukuresht 2004), si dhe disa numra revistash kushtuar Kosovës (gjatë vitit 1999): Dilema, Lumea dhe Politica Externă.

Për një poet të politizuar (Adam Puslojiç): Kosova vdes. Fati i botës varet nga Kosova, thekson Dan Pavel, një nga analistët më të mirë politikë të Rumanisë. Për Azem Shkrelin dhe Ali Podrimen, Kosova është gjaku ynë që nuk falet. Ç’kanë bërë shqiptarët e Kosovës për kulturën rumune? Në përkthim të akad. Rexhep Ismajlit, Rilindja e Prishtinës ka botuar më 1979, veprën «Antologjia e poezisë rumune, shek. XX» (2000 ekzemplarë). Në përkthim të autorit të këtij shkrimi, më 1986 Rilindja ka botuar një vëllim antologjik të Nikita Stëneskut (Ekspozitë e të palindurve), 2000 ekzemplarë. Katër vjet më vonë, në shqipërim të të njëjtit autor (B.Y.), ka dalë në Prishtinë vëllimi antologjik i Marin Sorescut Eja të ta them një fjalë (3000 ekzemplarë). Brenda dhjetë vjetësh pra, shqiptarët kanë botuar në Kosovë 7 mijë ekzemplarë librash me subjekte letrare rumune. Në Rumani, brenda një viti (2004), janë botuar 1000 ekzemplarë të veprave poetike të Sali Bashotës (Ekzili i shpirtit) dhe Halil Haxhosajt (Hija e ëndrrave). Falë eseistëve rumunë, ajo që vlen të theksohet në parathënie, është fakti se vetëm vëllimi Ekzili i shpirtit, brenda një periudhe tejet të shkurtër, qe nderuar me 25 recensione të një niveli të lartë. Sali Bashota është poeti i dhembjes kosovare, një shpirt i mërguar në fuqinë për të qëndruar në qendër të historisë. Pas Sali Bashotës dhe Halil Haxhosajt, Ibrahim Kadriu është poeti i tretë i Kosovës, të cilit iu botua një libër rumanisht.. Pas kësaj e panë dritën e botimit edhe emra të tjerë të shquar të kësaj zone: Ali Podrimja (një poet autentik dhe gjenial), Miradije Ramiqi, Brahim Avdyli, Jeton Kelmendi, Jusuf Zenunaj, Rizah Sheqiri, Sarë Gjerji, Fatmir F. Salihu, Rizah Sheqiri, Radije Hoxha, Sabit Rrustemi etj.

Poezia e tyre vjen si një dritë magjike që ta  rrëfen rrugën që çon drejt Kroit të Ilaçit. Shqiptarët e Kosovës dinë ta promovojnë lirinë e fjalës si komponentë esenciale e demokracisë. Atdheu i tyre duket në libër si një ekspozitë e hapur, një teatër me huje klasike. Në Atdheun e Shqiponjave çdokush mund të thotë nga diçka, sidomos në teatrin antik të përbuzjes së një populli. Kosova është fotografia e mungesës sonë, një zonë të cilën e njohim vetëm për nga pikëshikimi i mbrojtjes së paqes, por jo edhe përnga ajo e mbrojtjes së do vlerave të lashta që reflektohen në gjuhë, toponimi dhe onomastikë. Mos është vallë Kosova ende një rrugëtim, apo një ekspozitë e hapur, pyet me fjalë tjera Ibrahim Kadriu në vargjet e tij. E dimë ne, por ende nuk e din krejt bota se shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktimë e një holokausti, se ata e kanë përjetuar dramën e një ekzodi biblik (1999). Për Ibrahim Kadriun, atje janë provuar të gjitha vajet e këngës, atje janë zgjedhur fjalët më të bukura/ Për ta ngritur dashurinë/ E frymën gjallë për ta mbajtur. Duke analizuar vargjet e krijuesve kosovarë, arrijmë në përfundim se poezia e tyre është një poezi magjike.

Kosova si zonë qendrore e Dardanisë, duke qenë fqinja primordiale e rumunëve të Timokut, është një xeherore shpirtërore, ende e pandriçuar. Ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë ekziston një zonë elementesh të përbashkëta, në të cilën është krijuar substrati i fjalëve më të vjetra dhe më të bukura që i kanë shqipja dhe rumanishtja. Albanologu më i madh i Rumanisë Grigore Brënkush (profesor universitar dhe akademik), thekson faktin se shqipja është një gjuhë e një rëndësie të jashtëzakonshme për identifikimin e elementeve jolatine të rumanishtes. Sipas linguistit rumun me prejardhje hebraike Ion Aurel Candrea, «Nëse sot kemi një gjuhë shqipe dhe një rumune, kjo i detyrohet një ngjarjeje të thjeshtë: kanë ardhur Sllavët dhe e kanë ndërprerë këtë masë të madhe rumuno ballkanike, duke i ndarë njëherit këta dy popuj që jetonin me shekuj së bashku...» (“Gjuha shqipe dhe raportet e saj me gjuhën rumune”, kurs universitar i mbajtur në Fakultetin e Filologjië dhe Filozofisë, Bukuresht 1930-1931, fq. 69-70). Sa i dinë rumunët dhe shqiptarët këto të vërteta magjike të shkencës? Fare pak, apo aspak, fakt që rë shtyn t’i japish të drejtë akademikut Brënkush (rum. Grigore Brancus), i cili ka lansuar idenë për hapje institucionesh të përbashkëta (rumuno/shqiptare), në Tiranë, Prishtinë dhe Bukuresht.                   
______

 *Th. Capidan, Simbioza Albano-Română şi continuitatea românilor în Dacia (Simbioza Shqiptaro-Rumune dhe kontinuiteti i rumunëve në Daki), në Revista Fundaţiilor regale, nr.5, Bukuresht 1943, f. 244.

Acad. Grigore Brancus
Acad. Grigore Brancus

Shqiptaret, simbol i i trimerise dhe besnikerise (artikull i B. Ymerit)
Shqiptaret, simbol i i trimerise dhe besnikerise (artikull i B. Ymerit)



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora