Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Artjetëshkrimi (Beqir Musliu 11 qershor 1945- 24 qershor 1996)

| E diele, 19.04.2009, 05:23 PM |


Mehmetali Rexhepi*
 
ARTJETËSHKRIMI

Beqir Musliu 11 qershor 1945- 24 qershor 1996
 
ARKITEKTURË E PAPUSHTUAR
 
Jeta fizike e Beqir MUSLIUT nis dhe përmbyllet nga qershori i dyzet e pestës në qershor të nëntëdhjetë e gjashtës të shekullit njëzet. Pra një vit mbi gjysmë shekulli. Nisi të shkruante fare i ri,ndërsa në moshën njëzetë vjeçare nxori vëllimin e parë poetik”RIMA TË SHQETËSUEME”(1965)
            Për poetët mosha shpesh përjashton kufijtë e vet ekzistencial për dobinë e përmbajtjes estetike.
Që nga vëllimi i parë Beqir MUSLIU shfaqet si një  individualitet,që në vijimësi do të ngulmojë ta thellojë,zgjerojë,lartësojë dhe ngre botën e tij imagjinare poetike. Këtë botë prore do ta pasurojë me depërtimet në dukuri,edhe se si do t’i qaset mitit,legjendës,baladës,anëve të padukshme të historisë,bashkëkohësisë,gjithnjë ndërvarshëm, të pleksur në një tërësi artjetëshkrimore: ”LULKUQET E GJAKUT”poezi (1966);”KURORË SONETESH” poezi-tingëllima (1968); “BUKURIJA E ZEZË” poezi (1968); ”SEZAMET”poezi(1972); “PARABOLLA” poezi (1976); ”DARKA E MAGJISË” poezi(1978); ”RROPULLARI” dramë(1978); ”VEGULLIA”roman (1979); ”MBLEDHËSIT E PURPURIT”  prozë-roman  (1982-1983); “UNË HALIL GARRIA” dramë (1982);  ”LIBRI I ANATEMAVE”poezi(1987); ”FAUSTIANA” dramë(1988); ”MURANA” dramë(1988); ”KRUPA” roman (1989); RRAKULLIMA, TEATËR-LIBËR TETRAPTIK (MURANA, KORI I KORBAVE, FAMILJA E SHENJTË, ANTIFONAJ) (1989); ”SHTRIGANI I GJELHANIT, LIBËR-TEATËR, TEATROLOGJI” (UNË HALIL GARRIA, FAUSTIANA, ORA E KUKUVAJKËS, PANAIRI I GJILANIT)(1989) edhe tjera.
            Disa vëllime që i kishte lënë në dorëshkrim, pothuajse të përgatitura për publikim, shtatë sosh, si “ORFEIANA”, ”SKENDERBEU”, ”AMULLIA”, ”KRUPA”, ”MAKTHI”, “NDESHTRASHA”,  ”SKERLUTA”, përkujdesur nga shokë e miq të tij, u botuan nga shtëpia botuese ”FAIK KONICA” në PRISHTINË, më 2004.
            Megjithatë,këtij shkrimtari përmasash të gjera i mbetën jashtë kopertinave librore edhe dorëshkrime e shkrime të tjera, asosh që mund të hasen nëpër gazeta e revistat tona të publikuara,edhe fare të panjohura, të paluara në syza të bibliotekës së tij.
            Ishte një penë interesimesh,angazhimesh,larmie e frytshmërie të mahnitshme.
            Zbardhja e dorëshkrimeve të këtij kultivuesi të veçantë të fjalës shqipe,do të ishte një nder për autorin dhe kulturën e shkrimit shqip.
            Poet, prozator a prozator-poet-eseist,dramaturg dhe filozof,Beqir MUSLIU në letrat shqipe ngriti arkitekturën e një bukurie shkrimore të papushtuar.
     
2. DJALLI I ENGJËLLZUAR DHE ENGJËLLI I DJALLËZUAR
           
            Në vëllimet e para të Beqir MUSLIUT: ”RIMA TË SHQETËSUEME”, ”LULKUQET E GJAKUT” si dhe në të tretin “BUKURIA E ZEZË”, do të hasim përbërës të metrikës: rimën, tingëllimën, masën e vargut. Pastaj në vëllimin ”SKENDERBEU” që pothuajse krejtësisht, përshkohet nga tingëllimat, në përmbledhjet vijuese poetike poeti do të shmanget nga efektshmëria tingullore e metrike e vargut.
Më tutje, qoftë në “TRANDOFILET E DRUNJTA”, ”PARABOLLA”, ”DARKA E MAGJISË”, ”VEGULLIA”, ”MBLEDHËSIT E PURPURIT”, e tjera, bukurshkruesi shpërfill skemat metrike dhe klishetë e prozës klasike, si dhe kornizat gjinore të llojeve.
            Bukurshkruesi ynë sprovon një poetikë të vetën...Le të mëtojmë çfarësinë e saj.
            Rrëfimi në prozën e Beqir MUSLIUT të shumtën veshet me figurshmëri. ”MBLEDHËSIT E PURPURIT” ndërthuret nga faktura e një proze poetike. Do të mund të pohonim se kjo prozë përfaqëson një lloj rrëfimi, me shtrirje të gjerë gjatë gjithë hapësirës shkrimore, duke bartur përmes stilit poetik shtresëkuptimësi, reflekse e ngjyrime të atmosferës poetike-filozofike.
            Si lexues dhe gjakimshkrues kureshtja më shtyri në vorbullën e habisë: çfarë përqëndrimi i prirjes së Këtij shkrimqëmtuesi, për ta mbushur tërë këtë hapësirë vëllimore me stilin e një cilësie të tillë!
            Kjo është veçantia e lypjes dhe gjetjes së fatit, përjetësimi i përqëndrimit për kërkim. Kërkim për gjetje të thesarit shkrimor, duke i lypur fijet e padukshme thellësive, në të dikurshmen dhe të sotmen, për t’i kapur majëpena e për t’i ndritur skutat e errëta të shpirtit, zonat e amullta të njeriut, egon e tij të njëshit me kahe të errëta, turbulluese, që tundojnë, ndotin dhe pastrojnë superstrukturën e jetës njerëzore...
            Prore i dashuruar në magjinë e fjalës, hidhet në aventurën e asaj dashurie, e cila do t’ia qepte sytë në shkronja...
            Konceptin për plotninë e magjikes, Fatshkruesi nuk e gjeti as ndërtoi dot jashtë fundamentit të tragjikes së njeriut. Ana magjike si një nga përbërëset e së bukurës, si vlerë e sublimuar shfaq lakminë, ndërsa magjia si ego, si koncept i egos së jetës, si lëbyrëse tekanjoze e pangopur me gjah dhe epsh, shpuri në përplasje konceptesh dhe solli shëmti tejkohore. Bukuria është peng i shëmtisë. Nga një trung gjembor trëndafili shpalos petalet e bukurisë ndaj: ”Çdo bukuri e ka edhe të zezën e vet”
            Vjelësi i Purpurit, duke i dhënë hapësirë dhe kohë të pakufizuar përsiatjeve të personazhit, zbulon situata të skajshme, të ndërlikuara, deri në sfera të ndërdijes. Mes fuqisë gravituese të përfytyrimeve e (para)gjykimeve, hetoi shtrirjen e gjithëfuqishme të kultit dramatik të fatit. Njerëzit kanë sy por nuk i shohin të panjohurat e së njohurës. Ku ndodhet, kur vjen dhe si vishet fati? Janë sytë e Vjelësit të Purpurit që panë djallin e engjëllzuar përpara altarit të shenjtë duke u lutur, panë edhe çfarë trajte të butë mori, engjëlli i djallëzuar, ai që mëtoi fronet me lutje dhe u ngjit në një piedestal të imagjinuar për t’iu kthyer prejardhjes.
            Secili njeri e ka djallin dhe engjëllin e vet, por se kush i rritë e se kush i nget.
          
 3.VETJET: TEMË-ANATEMË-SIMBOL-FIGURË-IDE

            Njësive të formës dhe të përmbajtjes, Shkrimlakmuesi, si në poezi edhe në shkrim proze, fjalën ua veshi e ngjeshi me përbërës të shumtë figurativë, rrathë refleksivë, ritëm intonacionor. Planit kompozicional të shtjellimit i dha liri, duke sjellë zhvendosje të rrjedhës rrëfimtare, përthyerje të vijave rrjedhëse, hapje të tjerave përmes parabolave të mbarim-fillimit ose të fillim-mbarimit...
            Vetjet duken njëri në tjetrin, shpërfaqen, shpërndërrohen në çaste, situata, variante të situatave, njëzohen logjikshëm, shumëzohen pabindshëm, identifikohen në temë-anatemë, në temë-simbol-ide, mitizohen, mjegullohen, çmitizohen, metamorfozohen, tundohen nëpër kapërcyej të tendosur të jetës lëndore, ngazëllohen në fijet e saja imagjinare, hiperbilozohen në sfera iluzore...       
            Mes mëkatit dhe (sh)fajësimit rritet një reliev karakteresh. Dilemat për dalje tej mynxyrave mëtojnë ngjitje relievit, nga njëra tek tjetra lartësi e karakterit. Gjetja e fushës së shfajësimit sprovoi një teori të lektisjeve shpirtërore.
            Në shtjellën e ngjizjes së etnikumit, shkrimin e shenjtë të gjeografisë etnike e kishte djegur qoftëlargu. Tmerr e terr për lutjet shqip të ZOTIT! Buzuku erdhi vonë për të mos u anatemuar ato lutje.
            Shtrirja mes përmes mëkatesh, si dhe ironia e përtrollisjes përkatësisht mospërtrollisjes së mëkatit, i dha dorë djallit, satanait, qoftëlargut gjithëkohor që të shkruaj teorinë e (sh)fajësimit:
“sprovimi për të shpëtuar nga mëkati që të buzëqeshë si viktimë e parë është një mëkat edhe më i madh prej të cilit as që do të mund të ikësh as si shpëtimtar as si mëkatar në këtë lojë” (MBLEDHËSIT E PURPURIT).
            Beqir MUSLIU fjalën dhe stilin e tij shkrimor arriti t’i fuste lakoreve të thella të mendimit, ideve antonimike të shpirtit, gjithnjë për të nxjerrë fije të holla kuptimi e shtresëkuptimësi. Ndonëse kuptimet dhe struktura vartëse kuptimore nuk vilet lehtë, nga që duke u dhënë të shpërndara shtrihen, shpërqëndrohen, shkrihen në kahe herë-herë paradoksale. Ndaj kureshtja për t’i kapur e disiplinuar ato si formula urtie, si trajta përkufizuese, iu qaset vërdallë, pa prajtur syrin vrojtues.
            Të shumtën një shtjellim i këtillë shkrimor nuk përqëndrohet aty ku e lyp rendi sintaksor i fjalisë. Efekti i ndjeshmërisë nuk prek telat e kitarës së zemrës me një të lexuar, as duken pamjet me një të shikuar.
            Si në poezi ashtu dhe në trajtën e zgjeruar të saj, lexuesi i kultivuar mëton gjetje të specifikës ndikuese, dendësisë e zbrazësisë ligjërimore për përmbushje të pastajme ciklike... Ndikimi dhe zbrazësia për mbushje ciklike, jepen të shpërndara në të gjitha gjymtyrët e poezisë: në nyje, lidhëse, parafjalë, parashtesë, prapashtesë, madje edhe në thirroren o ose zero.
            Ky lloj ligjërimi ka fjalorin e vet. Ai fond fjalërie përcakton rendin kumtimor e kuptimor të fjalëve figura. Ndodh që kumtimi dhe kuptimi parësor i fjalës, i shenjës dhe shënjuesit të saj, mbeten përjashtues, periferik, ngase kumtimet e kuptimet dytësore marrin timonin drejtues të shprehjes gjuhësore.
      
4. TIPOLOGJIA ESTETIKE DHE METAFORA E HIRIT

            Nga tharmi i arealit gojor të tipit të baladave dhe legjendave, Beqir MUSLIU iu qas projektimit të simbolikës kombëtare, në një varg poemash si “Legjenda mbi vorret e krushqve”, ”Motra me nandë vëllazën”, ”Poema e përhimtë ose balada për shtatë ditë e shtatë net”, ”Gjergj Elez Alia ose balada për Bajlozin shtatë krenësh”, e tjera.
            Tipi i tillë i shkrimit i dha dorë këtij poeti, që mbi arsenalet e legjendave dhe të baladave, të sprovojë një sistem ndjeshmërie e procedimi të bujshëm imagjinativ.
            Ritmi, përshkallëzimi emocional, paralelizmi figurativ, krahasimi, hiperbola, simbolet dhe metafora si përmbyllëse e sfondit tematik e motivor, frymojnë një atmosferë galopante të heronjve mitik popullor, tashmë të veshur me fakturë të re imagjinative.
 Gjetjet inventive strukturojnë e ngërthejnë përmasa mbinjerëzore të të madhërishmes, urtisë e flijimit mbi shëmtinë.
            Ndaj, dyluftimin mes Bajlozit e Gjergj Elez Alisë, e fitoi etika dhe tipologjia estetike e Beqir MUSLIUT.
            Atmosferën figurative e dendëson epiteti metaforik, si zogu i zi në fushë të zezë të këngës. Ky mjet i fondit poetik fjalësor, i pararend parandjenjës së gjëmës, që do ta përlajë në vorbullën e vet trimërinë epike edhe virgjërinë e frymës baladike.
            Qëndresa hiperbolike prore ngadhënjimtare mbi të shëmtuarën, përtrolliset në grackën e epilogut tragjik. Hiperbolës legjendare, mitike, krenarisë së verbër tragjike (Legjenda mbi vorret e krushqve),  poeti iu kundërvë litotën, ironinë dhe groteskun çmitizues.
            Vorbullën, sheshin dhe dinamikën e shtjellimit të epikës lirike, e mbështjell (s) fondi me nuanca meditative. Po bukuria si duket në këtë mjedis? Mes së shëmtuarës, të keqes dhe të madhërishmes joshet edhe ndiqet bukuria e trisht. Ikja nga kthetrat e epshit të përbindëshit, bukurinë e trishtuar e shpie në krahët e të madhërishmes.
            Pusi pas pusie, grackë pas gracke, goditje dhe kundërgoditje, ndjekje dhe ikje, ikje nga vetja dhe ndërgjegjja...Në këtë mjedis të përndezur futet si arbitër absolut dialektika. Futen harresa dhe hiri, këto kategori të pamëshirshme, të pashmangshme që nuk përfillin përgjërimet e pendesës së vonuar, por palosin e shpalosin karaktere kundërvënëse deri në zhbërje, deri në hirin e harresës.
            Fundi i njeriut është gjellë e gatuar për krimba sipas SHEKSPIRIT, ndërsa hiri sinonim i fundit dhe fillimit njerëzor sipas Beqirit.
            Hiri si trajtë përmbyllëse e absurdit të historisë, edhe si shtrat i lulëkuqeve të gjakut; si fillim i qenies, si fund i zjarrit të ROMËS dhe Neronit, si kapak i shndërrimit. Hiri si kumt i trishtimit, si fashitje e zjarrit jetëdhënës të PROMETHEUT. Hiri si antipod i zanafillës dhe hiçit, si metaforë e fikjes dhe shkëlqimit, si brumë i rikrijimit të FENIKSIT.
            Si i tillë aluzioni poetik i hirit fluturon mbi krahët iluzorë të ngadhënjimit.
 
5. PARADOKSI I PËRSËRITJES

            Të lexosh poezinë, prozën poetike, dramën simbolike-metaforike e filozofike të Beqir MUSLIUT, doemos përballesh me dilemat e sferës kumtimore. Kumti fshihet, a ne nuk dimë ta vjelim?
            Në secilin lloj e gjini të poetikës së shkrimit,ndonëse Beqir MUSLIU thyen rendin e llojit a të zhanrit, thurjet e mënyra e artikulimit të universit imagjinativ, ideokumtimor, fjalorësia e tij, të fusin në relieve tekstore, të ndërlikuara, në labirinte të projektuara për të mos dalë madje as kryevetja e tij imagjinare! Një këso fjalorësie paradoksale është fushë e njëkuptimësie të pa kapshme. Udhët e hyrjes e të daljes andej e këndej mendimit janë të tërthorta dhe eliptike.
            Pikëshikimi i kumtit fatshtjellues zë fill nga sheshi i sotëm deri në tejkohë,duke impulsuar të dikurshmen me reflekse të së sotmes, për të trazuar mandej rrathët koncentrikë të parabolave, nga bashkëkohësia kah sfondet joshëse me shumë të panjohura të së nesërmes, por me gjasa të kësollojshme të përsëritjes: “Imzot Kthemani mapën e harresës. Çdo gjë do të përsëritet si gjithmonë”
            Thellimi në padukshmërinë e bëmave të historisë, e futi dhe e nxori në zbrazësinë e paradoksit të saj, nga e njohura banale kah e panjohura e gjakuar. Hapërimet poetike do t’i ketë hedhur fushave të “mrumeve të dheut”, relieveve majash të befta, të thepisura, dendurive pyjesh të simboloeve, kipsash të vetjeve, vetjeve të kipsave...
            Ai ngjyen penën në trishtësi rruzullore...Pastaj, pastaj shkretëtirë e paskaj, njëtrajtëshmëri vegulluese, vezullore, purpur që e ngrin trishtimi dhe e errëson dëshpërimi. Edhe grishjet, yshtjet për thesaret tokësore, ato epshore e iluzore, seancat shpirtërore të hetimeve e vetëhetimeve të mëkatit, kërkimi i alkimisë për shërimin e dhembjes, pikërisht aty ku brezi-brezit ia fshehu në harresë.
 Një shumësi e këtillë motivore lartësoi paradoksin e një fatshtjellimi kumtimor specifik, por me përmasa të gjera reflektuese.
            Mes dy polesh antonimike të krimit, mëkatit e të pastërtisë, lutjes për larje pas larjes së pistë, përgjërimesh të shpifura e virgjërore, se si frymon legjenda e vijimësisë së pakuptimtë të therrorisë së mëkatit për mëkatin.
            Ambiente të përshpirtshme për dergjen e gjatë të sëmundjes shpirtërore dhe lypja e shpëtimit. Hetimi e vetëhetimi ndërmjet tyre dënimi i fajit dhe shfajësimi. Krimi nuk shqitet, ai ka depërtuar në shpirt si dergjë e gjatë. Mallkimi i dënimit. Dënimi i ekzekutuar që nuk shkul dot rrënjët e krimit, shpalon shtresëngërthime në ndërgjegje, një procede të dhënies dhe marrjes së kuptimit të etikës.
            Ky procede lidh të skajshmet e gjendjeve kontrastive: vetëpohuese e mohuese deri në rebelime asketike, deri në lakuriqësi banale; gjithnjë në emër të një kodi të padukshëm idhullor, që e sforcon dhe pezullon paradoksi arbitrar i ndërdijes në njeriun, njeriu i mëtuar të jetë perëndi!         

6. ZONAT HERMETIKE DHE GJETJA E YLLIT

            Aluzionet për çfarësitë dhe shkallët e ngjitjes të së keqes shtrihen nga e dikurshmja në të sotmen, në shumësi trajtash për një qytetërim, indiferenca e të cilit ndaj dhembjes, tashmë tërësisht është përjashtuese nga “rregullat”e pashpirta të materializimit të robotizuar:
                        “Në këtë sofër mund t’i gatuaj sytë e mi...”
                        “Qeshje në gjeometrinë e dhembjes sate”
            Stili i Beqir MUSLIUT, i këtij Mjeshtri të farkimit të fjalës, bëri që fjala, dhuntia e parë Hyjnore për njeriun, të bartë pleksje të paradoksit me groteskun. Mes shtjellimesh të pleksjeve paradoksale të kumtimit, Fatshtjelluesi lë hapësirë gravituese për pamje, qasje dhe ngjyrime që do t’i qëmtonte, rendiste e përmbajtësonte lexuesi dhe vetëm ai lexues, i cili më parë kishte hyrë në artin e leximit: “E të shtrohet darka e fshehtë e trimave tinëzarë/ Që do të darkojnë kokat e tyre në rrashta...”
            Në këtë tip shkrimi, mes ndërvarësisë së leximit me shkrimin dhe kuptimin shkrimor, futet hermetizmi. Hermetizmi si njëri nga përbërësit e kategorive estetike, mund të ketë rol të njëanshëm a të dyanshëm në marrëdhëniet shkrim-lexues. Shmangia a pranimi i harkut hermetik, në shumë raste, është i mundshëm vetëm pas përngjasimit të dyanshëm:lexues-autor.
            A është e mundur të ndodh kësisoj secilën herë?
            Pyetja do të na shpinte tek koncepti i leximit rikrijues.
Rikrijimi do të bëhej i depërtueshëm për aq sa do të ketë intuitë e invencion lexuesi i identifikuar, për t’i kapur e rimbushur zbrazësitë imagjinative, për t’i lidhur, dendësuar e trajtësuar! Njëkohësisht duke mos zbërthyer as mbyllur hapësirën për shumësi rikrijuese e rigjykuese.
Nga e dhëna e opusit të thesarit botëror tek asimilimi dhe e mëvetësishmja, procesi i krijimit kërkoi dhe gjeti yllin vetanak. Në atë hapësirë kometat bien varësisht prej fuqisë magnetike-poetike të yjeve.
            Ylli i poetit rrezaton, ndërsa rikrijuesi thithë atë dritë, ngase ai mëton për tu shndërruar nga dritëmarrës në dritëdhënës.
            Ylli poetik i Beqir MUSLIUT, ndonëse rrotullohet rreth zonave të errëta, ngado ta shikosh nuk e humb shkëlqimin e vet; sa e sa të tjerë marrin prej tij vetëm vezullimë, për t’u kënaqur së dergjuri qoftë edhe në zbehtësinë e tyre të sipërfaqshme.
 
7. TEATROLOGJI E NGUJUAR NË METAFORA

            Në qoftë se Samuel BEKETI i solli teatrit evropian dramën e absurdit ”DUKE PRITUR GODONË”; Beqir MUSLIU, teatrit e teatrologjisë shqiptare do t’ia sjellë librat tetraptik ”MURANA”, “KORI I KORBAVE”,”FAMILJA E SHENJTË”, ”ANTIFONAJ”(1989); ”SHTRIGANI I GJEL-HANIT”, ”UNË HALIL GARRIA”, ”FAUSTIANA”, ”ORA E KUKUVAJKËS”, ”PANAIRI I GJILANIT” (1989) e të tjera.
            Seancat, ritualet e personazheve të inkarnuara që komunikojnë tejbote: e dukshmja e vdekur me të padukshmen e gjallë, ëndrra e zhgjëndërruar dhe zhgjëndrra e ëndërruar, shenjtërit e rëndomtë, të rëndomtët e shenjtëruar, viktimat dhe xhelatët e baladizuar në një sfond të tejdukshëm pendese. Prej kësaj tërësie del grotesku i një filozofie dhe pakuptimësia e ironia e paqësimit të viktimës me kriminelin. Në këtë rend krimi ndëshkohet me pendesë, pendesa me krim! Një formulë e riciklimit njerëzor të fatit, të cilit i buzëqesh ylberi i jetës edhe në kanosjet vërshuese të ekzistencës.
            Loja e ritualeve të magjistrit të Darpurit, Shtriganit të Gjel-Hanit, Elvan Jusufit, Kipsit të tij, përtrollis filozofinë mistike të varianteve të karaktereve. Te secila vetje e gjallë ka diçka të vdekur nga dëshpërimi dhe, secila vetje e vdekur la diçka të gjallë, diçka të huazuar që pritet t’i kthehet edhe si dhembje, zhgënjim, si ngushëllim i pengut të ngazëllimit.
            Në seancat e reja spirituale do të jenë kori e galeria e të vdekurve dhe të gjallëve.
Vrasësi i viktimizuar dhe viktima vrastare. Në këso seancash bëmat e tyre do ta vishnin e zhvishnin fajësinë e (pa)fajësinë deri në lakuriqësi të ndërgjegjes. Ndërgjegjja për ta mbajtur fshehtësinë e krimit lyp strehë në mëshirën biblike-kuranore, lyp devotshmërinë hyjnore, për derisa ndjenja e fajit të pashqitur në trajta të padukshme, në çaste lëbyrëse, ngre akuzën gjembore të kontestimit të përhershëm,  por të pandryshuar të vetvetes edhe në ëmbëlsitë e fatit që mund të jenë vetëm të huazuara gjetiu.
            Tipi i krijimit të shkrimit të dramës në dramë, i përbirimit në ndërgjegje deri në sfera të pakontrolluara të arsyes, sollën një tipologji teatrologjike, në ambientet e së cilës vetëm sa e kemi futur njërën këmbë.
            Me çfarë dhe si të hyhet më tutje në këtë sferë të pashkelur? Me sy prej zymrydi? Me një fjalor të finesave të kultivuara paradoksale, me mjeshtrinë e durimit për vjelje të perlave të shkapërderdhura...Duke promovuar një arkitekturë teatrore kur intonacioni, figurat, ideja, metafora
ironia, satira, grotesku, hiperbola dhe litota do të shkriheshin si elemente shumëplanëshe tekstore, ndijore e pamore në komponime të simbolikës e metaforës skenike, kumtimore e filozofike.
            Përmbylltas do të preferonim se në sferën teatrologjike të Beqir MUSLIUT duhet bartur dendësi përzgjedhëse, lartësi inventive depërtuese, rikrijuese.
            Shkrimi metaforik e simbolik i teatrit të Beqir MUSLIUT intrigon aktorët. Si t’i lexojnë, si të identifikohen, vijëzojnë e ngjyrojnë përkueshëm: ngërthimet e brendshme me fërkimet, trusnitë ngulfatëse të pamjeve të jashtme emocionale-meditative dhe anasjelltas?
            Drama e Mjeshtrit Beqir MUSLIU është dramë e metamorfozave poetike. Përfillë estetikën e shpalimit të karaktereve mistike-simbolike, hyjnore dhe tokësore. Kjo teatrologji shumëplanëshe me sfonde të një simbolike e metaforike shumëkahëshe: mitike, baladike, etike, ekzistenciale e filozofike, fton dhe tremb regjisorët.
            Çka të merret dhe çka të lihet në këtë teatrologji të papërthekuar shkrimore? Çka të merret e çka të lihet nga kjo teori artistike e teatrit për teatrin?
            Të marrësh sipërinë e shenjave dhe të simboleve, çfarë do të thonë subjekti dhe shenjat mozaike të tij? Të marrësh relievet e segmenteve rrëfimore, çfarë do të thonë dromcat epike dhe lirika e shaluar mbi përsiatjet meditative?
            Në larushinë e karaktereve e të niveleve të vetjeve, që në fërkimet e ndërmjetvetshme njëzohen e shumëzohen, këputet rendi tradicional i kompozicionit dramatik.
            Boshti i mbështjelljes kompozicionale të materies teatrologjike të Beqir MUSLIUT është i padukshëm. Lëvizja nis në një pikë të ambientit të vet, pastaj diku në hapësirë e kohë, shtrihet në gjatësi e gjerësi, zhytet në thellësi, ngjitet në lartësi të pakufizuara dhe rikthehet tek mjedisi, te pika e nisjes.
            Në lëvozhgën e monologut të dialogëzuar e dialogut të monologëzuar intrigon bërthama e meditimit. Nën atë bërthamë është sublima e shkrimit. Ndaj kujdes! Duke qëruar lëvozhgën të mos zhbëhet  bërthama!
           
8. PËRMBYLLJA E NJË FILLIMI

             Në opusin shkrimor të Beqir MUSLIUT ka çfarë të marrësh dhe çka të lësh.
            Preferoj: secili le të merr atë që i pëlqen.
            Jeta e këtij Magu identifikohet dhe përmbyllet në metaforën e shkrimit.
            Kjo metaforë nën kopertina ka arkitekturuar sublimën e artjetëshkrimit.
                
*Autori, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dhe merret me çështjet të letërsisë dhe eseistikës.

GJILAN, maj – korrik 2006